Ahmet Qeriqi: A ishte Servantesi në dijeni të këngëve kreshnike, apo trimërive të rrëfyera shqiptare-boshnjake?

Ahmet Qeriqi: A ishte Servantesi në dijeni të këngëve kreshnike, apo trimërive të rrëfyera shqiptare-boshnjake? II

Servantesi, shkrimtari spanjoll,  ndër  më të njohurit  e  Spanjes  dhe të  botës,  në vitin 1575 ishte zënë rob dhe, sipas një varianti të hulumtuar nga biografët e tij,  ai për pesë vjet kishte qëndruar në një burg të Ulqinit. Edhe e dashura e imagjinuar e Don Kishotit, D’Ulqinja e Tobozës, duket se është ndonjë  Ulqinake  e Taraboshit, ndonjë grua e fisme për të cilën, shkrimtari i madh spanjoll Miguel Servantes Saavedra, mund të kishte dëgjuar nga ndonjë i burgosur, apo mund edhe të ketë qenë një princeshë e njohur e kohës, që atij i kishte bërë përshtypje të veçantë me bukurinë e mahnitshme. Mundet që Servantesi gjatë kohë se qëndrimit në burg, nga të burgosurit arbëreshë e sllavë të ketë dëgjuar edhe për trimëritë e kalorësve të kohës. Është për të besuar se Hidalogoja i tij i rënë nga vakti, Don Kishoti i Mançës,  të ketë pasur frymëzim nga periudha historike e ndeshjeve të kalorësve turq apo të konvertuar, e cila lokalizohet në Ulqin, Kotorre të Reja, në Klladushë, në Budim, në Sarajet e bardha dhe përgjithësisht në territorin e sotëm të Veriut të Shqipërisë, Malit të Zi dhe të Bonjës e Hercegovinës.

Historitë e bëmave të Mujit e Halilit,  mund të kenë qenë burim frymëzimi për shkrimtarin e madh spanjoll dhe botëror, Miguel Servantes Saavedra, për të shkruar  romanin me famë botërore, “Don Kishoti i Mançës” Kryepersonazhi i romanit,  kalorësi Don Kishot  dhe shërbëtori i tij besnik, Sanço Panço,  edhe pse ai merr për bazë të rrëfimeve të tij të trilluara,  janë personazhe që jetojnë jashtë realitetit, duke pikasur një njeri krejt të lojtur dhe një më pak të lojtur, i cili në momente të caktuara zgjohet nga deliri i zotërisë dhe mendon esëll, por autoriteti i  kalorësit bën që ai të bindet, edhe atëherë kur është krejt i vetëdijshëm se ustai ka shkalluar. (Miguel de Cesrvantes Saavedra: Don Kishoti i Mançës, Onufri, 2003)

Edhe Muji e Halili  dy personazhet më të spikatura të këngëve të kreshnikëve, jetojnë në një masë jashtë realitetit. Ata janë dy personazhe të paepur për aventura, luftojnë, bien, ngrihen, bien sërish, thyejnë burgjet, grabisin vajza e princesha, luftojnë ndonjëherë edhe kundër turqve, por e pranojnë autoritetin e baba Dovletit. Luftojnë kundër krajlit  të Budimit por edhe kundër prijësve të Kotorreve të reja. Sipas këtyre këngëve ata shihen  në Jutbinë të Bosnjës ku është edhe vendlindja e tyre, pastaj në Kotorre, në Lugje të Verdha, madje  në Stamboll, te Baba Mbret. Trimëritë e tyre janë jashtë realitetit, ato janë po aq të zmadhuara sa edhe imagjinata e Don Kishotit, i cili dëshiron me çdo kusht të bëhet mbrojtës i një rendi të vdekur dhe në një kohë të perënduar ku mendonte se kishte pasur prijës fisnikë që ruanin rendin, nderin, të varfrit, skamnorët, që ruanin vajzat  e virgjëra nga banditët e dhunuesit.

Gjithçka ka në këngët e kreshnikëve, por ka krejt pak përshkruhen  situata reale, krejt pak epikë, përveç heroizmit pompoz, hiperbolizues, i cili mbase ka buruar nga ndjenja dhe frymëzimi për  manifestim të mundshëm të fuqisë dhe aspiratës për kundërvënie në kohën e robërisë aziatike, kur tërë Ballkani ishte nën Perandorinë turke.

Muji e Halili, apo Halil Arnauti e Musli Beshi

Legjendat për Mujin e Halilin, janë legjenda tipike për nga ndërtimi, përmbajtja dhe skalitja e personazheve. Si figura të tilla, të krijuara nga gjeniu popullor, ata janë zmadhuar në përmasa të sfidantëve kundër pushtimit e robërisë, por kushtet dhe rrethanat historike kur janë krijuar këngët e tilla, të cilat kanë pësuar sa e sa metamorfoza gjatë shekujve, ka qenë një realitet tjetër, një realitet i luftës së pandërprerë në shekuj të popujve të robëruar.

Ndoshta kemi të bëjmë me një rastësi të zakonshme, por historia njeh një Halil dhe një Musli, apo Musë edhe në vitin 1730, kur dy shqiptarët më zë të kohës, Halil Patrona dhe Musli Beshe i prijnë kryengritjes më të madhe të Stambollit, në shtator të vitit 1730, me ç’ rast marrin krerët e katër zyrtarëve më të lartë të Sulltan Ahmedit të Tretë dhe e ndërrojnë atë nga froni. Edhe një segment i tillë i historisë mund të jetë shortuar më vonë në këto këngët e kreshnikëve, meqë Halil Patrona kishte qenë i ngujuar disa vjet në kështjellën e Budimit, kishte organizuar një kryengritje të jeniçerëve në Nish dhe ishte njëri ndër personazhet më të njohura të shekullit 18-të në historinë turke, krejt pak i njohur në historinë shqiptare, ndërsa i kthyer në groteskë të tmerrit dhe çmendurisë, në dy serialet TRT1 në gjuhën turke. ( Bir zamanlar Osmanly Kiyam 20 episode dhe Osmanly Darin devlet 12 episode).  Kujtesa popullore shqiptare për Mujin e Halilin është përjetësuar me këngën epike heroike për Halilin e Mustën e vogël të cilët i pret pabesisht Veziri i Shkodrës.

Ahmet Qeriqi: Kënga e trimërisë në margjinat e historisë ( Halil Arnauti dhe Musliu- Musa dhe Halili) www radiokosovaelire.com 26/01/2016

 

Tre halilët dhe tre mujët e mustët  kujtesës popullore dhe historike nuk janë rastësi kujtese, as rastësi historike, por një fenomen i ngatërruar në kohë e hapësirë, në rrathët koncentrikë të së kaluarës, duke nisur nga Akili e Agamemnoni.

Muji dhe Halili, Omeri, herë djali, herë vëllai i Mujit,  Tale Budalina, Omeri i Mujit, Arnaut Osmani, Vuku Harambashi,  Smilaniq Alija, Ali Bajraktari,  Hysen Gradenica, Zuku Bajraktari,  Duro Jabanxhija, Krali i Budimit, Krali i Kotorreve, Ajkuna e Mujit, Ajkune Devojka, prenceshat e bukuroshet e Krajlave janë personazhe aventurierësh të cilëve u mungon identiteti realist në përshkrim, meqë të gjithë janë të përshkruar bardh e zi, me elemente hiperbole, kryesisht të karakterit grotesk, përgjithësisht mujsharë në shërbim të turkut dhe bejlurçinës së feudalëve sikur thoshte fan Noli, në introduktën e tij të mirënjohur për romanin e Servantesit ”Don Kishoti i Mançës”.

Pavarësisht se kemi të bëjmë me dy realitete, një realitet gojëdhënor në Bosnje e Hercegovinë dhe një në Veri të Shqipërisë, që janë jo vetëm të ngjashme por krejtësisht identike, realiteti tjetër imagjinar është ai i shkrimtarit më të madh të Spanjës, Servantesit, i cili ka arritur t i bëjë të pavdekshëm dy personazhe të cilat i njeh tërë bota letrare. Edhe këngët kreshnike të Mujit dhe Halilit janë dy personazhe të legjendave të hiperbolizuara dhe mjaft groteske, sa nuk kanë si të mos kujtojnë jo vetëm një relacion mjaft identik në shumë elemente, por edhe një ndikim të mundshëm që kishte Servantesi në kohën kur ishte në një burg të Turqve, në një vend të cilin nuk ka arritur ta përcaktonte. E vetmja lidhje imagjinare e tij ka të bëjë me dy emra, me D’Ulqinjen e Tobozës, mbase  Ulqinaken e Taraboshit dhe një pirat i njohur i kohës Arnaut Mami, i cili e kishte zënë rob shkrimtarin, asokohe kalorës, Miguel Servantesin. Dhe nuk janë pak këto elemente po ta shtosh faktin se ai, nga një apo më shumë të burgosur kishte dëgjuar  rrëfime trimërie, të cilat nuk i kishte besuar,  por me botën e tij të pasur artistike kishte shortuar dy personazhe të paharrueshme, që i kishte bërë të pavdekshme, duke iu dhënë tiparet spanjolle, gjuhën, aspiratat, vetëmashtrimin jetën dhe bredhjet kot me qëllim për ta ndrequr botën.

Pas përkthimit të romanit të Servantesit, Noli  Madh, në introduktën e tij për Don Kishotin kishte shkruar se shqiptarët do ta kuptonin mirë këtë vepër sepse ende në Shqipëri rronte rendi feudal i bejlerëve dhe i Berihajt që shkon pas Ustait. Noli e kishte përkthyer romanin për t’ia dhënë lexuesit shqiptarë si dhuratë të çmuar, nga e cila ai do ta kuptonte më mirë shakaxhiun e përparimit, Ahmet Zogollin, i cili ishte vetëshpallur mbret, në kohën kur në botë kishin perënduar monarkitë dhe kur revolucionet e shumta sociale kishin krijuara rend të ri demokratik me përmasa botërore. Përpjekjet e Zogut për një Shqipëri mbretërore, të bazuara në ligjet dhe kanunet e vjetra, realisht përkojnë me përpjekjet e Don Kishotit, i cili me ushtën e tij, me kalin, Rosinant gati të ngordhur dhe me shërbëtorin ulok, por besnik, Sanço Panço  donte ka kthente Spanjën në kohë e kalorësisë mesjetare.

Noli shkruan: “Në Shqipëri kjo vepër do të kuptohet më mirë se kudo gjetkë. Sepse atje tiparet e bejlurçinës dhe të laros i gjejmë në çdo çap. Po thuaj të gjithë aristokratët tanë, me ca përjashtime të paka, janë të deklasuar, pa bazë ekonomike dhe kanë rënë në klasën e bejlurçinave, që kur u shkëput Shqipëria prej Turqisë. Që atëherë aristokratët tanë që i shërbenin Turqisë si kondotierë dhe shefa bashibozukësh, kanë mbetur pa punë. Gjithashtu kanë mbetur pa punë dhe pa bukë fshatarët dhe malësorët e varfër, që shkonin në kohët e vjetra bashkë me bejlerët si bashibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur Evropën, Azinë dhe Afrikën. Këto dy elemente përpiqen tani të përfaqësojnë në Shqipëri një gjendje feudale, medievale (mesjetare), prapanike dhe reaksionare, si atë të Turqisë së vjetër, të vdekur përgjithnjë, sepse ashtu ua do interesi i klasës, se ashtu gjejnë punë dhe bukë. Bejlurçinat dhe larot e Shqipërisë na bëjnë sot të qeshim e të qajmë me prapavijën e tyre, tamam si me Don Kishotin e me Sançon. Dhëntë Zoti të na bëjnë nesër të qeshim, se na bënë të qajmë mjaft.

( Fan Noli, introduktë, “Don Kishoti i Mançës, botim i vitit 2003, faqe 9.)

 

Pavarësisht se Noli, me sa dimë ne, nuk kishte  shkruar kurrë për Mujin e Halilin, në këtë introduktë flet për shqiptarë mercenarë “që shkonin në kohët e vjetra bashkë me bejlerët si bashibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur Evropën, Azinë dhe Afrikën”.  Të tillë plaçkitës e vrasës në një masë ishin  edhe Muji e Halili, të cilët luftojnë kundër të krishterëve duke pasur prapa mbështetje Perandorinë më të madhe të botës, të asaj kohe.

Referencat:

 

Miguel de Cerrvantes Saavedra: Don Kishoti i Mançës, Onufri, 2003.

Fan Noli, introduktë, “Don Kishoti i Mançës”, botim i vitit 2003, faqe 9.

Halil Arnauti dhe Musliu- Musa dhe Halili) www radiokosovaelire.com 26/01/2016

Seriali turk:Bir zamanlar Osmanly Kiyam 20 episode.

Seriali turk: Osmanly Darin devlet 12 episode.

 

 

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …