Në 87-vjetorin e lindjes së Simbolit të Rezistencës Kombëtare, Bacë Adem Demaçi, kësaj radhe do të rrëfej për një segment të angazhimeve të tij, në vitet e fundit të jetës, aktivitet jo shumë i njohur për opinionin, por që jo aksidentalisht, ideja e tij më kishte rënë hise më shumë mua, se sa të tjerëve.
E kam njohur Adem Demaçin në moshën time 14- 15-vjeçare.
…Një ditë, duke lozur në një kthinë pas Xhamisë së Medresesë, në Prishtinë, topthi na kishte rënë në oborrin e tij. Me ndihmën e dy shokëve të mi, kisha kaluar murin me qerpiçë, të cilin e kishim dëmtuar bukur shumë dhe papritmas pasi kisha kërcyer poshtë, pashë “studentin” sikur i thoshim asokohe, Bacës Adem.
Ishte ulur dhe po lexonte nën hijen e Pjeshkës. Duke qenë se topthi kishte ndalur te këmbët e tij, isha shtangur dhe nuk dija si të veproja, të ikja apo të prisja ndëshkimin. Për habinë time ai m’ u drejtua krejt qetas me fjalët:
-Eja këtu, merre topin dhe herëve të tjera, mos kalo mbi druvar, sepse mund të thyesh dorën apo këmbën. Eja te dera, nëse është hapur futu dhe merre topin, nëse është mbyllur, trokit.
E kisha falënderuar me kokën ulur, e kisha marrë topin dhe kisha dalë nga dera duke e mbyllur me kujdes.
E kisha vështirë t i bindja shokët se jo vetëm që nuk më kishte rrahur, “Studenti”, por edhe më kishte thënë sa herë të binte topthi të shkonim lirshëm e ta merrnim atë nga dera dhe jo ta kalonim murin. Kishim përvojë të hidhur me fqinjët e tjerë, kur rastiste të topi të binte në oborret e tyre.
…
Në vitet e pas luftës, Bacë Adem Demaçi, kishte intensifikuar vizitat në Radion-Kosova e Lirë dhe kishte marrë pjesë në të gjitha takimet e manifestimet që i kishim organizuar.
Për dy vjet ka qenë edhe i ftuar i një emisioni mujor në valët e Radios.
Në vitin 2015 më kishte thirrur dhe më kishte njoftuar lidhur me projektin e tij për një televizion kombëtar, projekt të cilin e kisha përkrahur ashtu sikur do të kisha përkrahur çdo nismë të tij. Më kishte shpjeguar se kishte përkrahjen edhe të shumë ish të burgosurve, që i kishin premtuar se ta mbështesnin dhe do ta bashkë financonin projektin.
Fati, nuk e deshi që Baca ta fillonte punën në projektin e tij shumë të dëshiruar, ndërsa mua më mbeti barra e rëndë, bashkë me dilemën se si do t’ ia bëja.
Më e lehta ishte të tërhiqesha, por duke qenë vazhdimisht në kontakt me të dhe duke ditur sa shumë iu kishte përkushtuar projektit, ngarkova mbi supe barrën e rëndë, të dyfishtë, mungesën e mjeteve financiare për riblerjen e pajisjeve teknike dhe vazhdimin me këmbëngulje të projektit me qëllim që mos dështonte amaneti i tij, pavarësisht injorimit dhe thashethemeve ndër më të ulëtat, sidomos nga disa prej atyre, që i kishin premtuar se do ta përkrahnin materialisht, duke qenë se nuk kishin besuar kurrë në nismat e Bacës, por ia kishin rrahur shpinën me premtime boshe. Nga 22 veta sa i kishin premtuar Bacës, kishim mbetur, vetëm unë me Martin Çunin. Meqë Baca ishte sëmurë, po me shpresë se do ta merrte veten, isha angazhuar t’i blija pajisjet e tjera, pasi familja e tij i kishte tërhequr ato. Për të mos lejuar dështimin e projektit të Bacës dhe neve që e kishim mbështetur, pajisjet i kishte blerë ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, të cilin e falënderoj shumë, me këtë rast meqë ai ndodhet i pranguar padrejtësisht në Hagë, ku disa qarqe evropiane, të cilat po bëjnë përpjekje ta devalvojnë dhe ta kriminalizojnë luftën e UÇK-së.
Në nëntor të vitit 2016 TV-dielli filloi transmetimin.
Gjatë më shumë se një vit bisedash, shqyrtimesh, vërejtjesh, analizash, paraprake ishim pajtuar që programi të ishte në shërbim të publikut po se po, por kryesisht i dedikuar për familjet e dëshmorëve të kombit, të martirëve, ish të burgosurve politikë, veteranëve e invalidëve, punëtorëve e fshatarëve, një program serioz mbi bazë të trashëgimisë historike, kulturore kombëtare.
Me qëllim të realizimit të amanetit të Bacës, TV-Dielli në programin e vet ditor transmeton nga një film dokumentar në ditë për dëshmorët, heronjtë e martirët e kombit, një emision tjetër ditor mbi jetën dhe veprat e personaliteteve të njohura të historisë, kulturës, arsimit e shkencës shqiptare, kryesisht me karakter edukativ e arsimor.
Emisionin ditor “Kalendari kombëtar”, ku përfshihen katër deri gjashtë ngjarje të rëndësishme, ditore, të së kaluarës, ngjarje historike, nga jeta dhe vepra e personaliteteve të njohura të kombit, veprimtarë, shkrimtarë, artistë e të tjerë.
Një emision javor, titulluar: “T’ i njohim popujt e shtetet e botës”, që po ashtu ka karakter arsimor, pastaj reportazhe, emisione informative, muzikë burimore shqiptare, pa tallava, pa lakuriqësi e perversitete.
Po kështu me lejen dhe nënshkrimin e Adem Demaçit kishim blerë 50 filma nga Arkivi Qendror i Filmit Shqiptar, në Tiranë, me të drejtë të transmetimit legal, por më vonë na u mor kjo e drejtë nga shoqata e regjisorëve, në Shqipëri.
Një emision javor, bisedë në studio, të cilin e realizojmë jo pa vështirësi meqë TV-Dielli nuk ka të hyra financiare për një staf gazetarësh, por të gjitha këto i mbulon stafi aktual i Radios-Kosova e Lirë.
Më këtë rast, sot, në 85-vjetorin e lindjes së Adem Demaçit, Simbolit të Rezistencës Kombëtare, i cili do të mbetet i paharruar përgjithmonë, dua të shpalos para jush një të veçantë të projektit të tij, për një televizion në shërbim të kombit e atdheut, pa rënë pre e politikave dhe mujsharëve, të cilët qëndrojnë prapa medieve të vetëquajtura të pavarura, por të varura deri në fyt nga bosët mëkatarë e matrapazët e pamëshirshëm.
Ashtu sikur Leon Tolstoi, në kohën e tij edhe Demaçi kishte synim të linte një trashëgimi në shërbim të publikut, pa përfitime, por një dhuratë për brezat, me paratë që kishte marrë për kohën e kaluar në burgje, ashtu sikur edhe unë, Jakup Krasniqi e Martin Çuni.
Shkrimtari dhe humanisti i madh Leon Tolstoi, në vitet e fundit të jetës, i rrethuar nga dashamirës e përkrahës, kishte përkrahur idenë, që nga veprat e shitura, të themelonte një fond me të cilin do të botoheshin dhe do të shpërndaheshin falas, veprat e tij, në mënyrë që idetë humaniste të përhapeshin në Rusi dhe kudo në botë. Sëmundja dhe vdekja e tij gjatë largimit nga shtëpia e ndalen në gjysmë projektin, por pavarësisht nga ajo përkrahësit dhe simpatizantët e tij e kishin vazhduar idenë e Tolstoit të madh, veprat e të cilit janë lexuar e lexohen kudo në botë dhe kanë ushtruar e ushtrojnë një ndikim të jashtëzakonshëm.
Demaçi, me ne që e përkrahëm, jo vetëm verbalisht dhe duke ia rrahur shpinën, sikur bënë shumë të tjerë, kishim themeluar një Televizion ne emrin “Dielli”, me qëllim të rrezatimit të ideve humaniste, kombëtare e demokratike, pa censurë, pa ndikime partiake dhe pa përfitime, meqë kishte planifikuar të mbështetej nga idealistët, që i kishin premtuar një sasi të hollash, nga ato që kishin marrë si zhdëmtim për vitet e burgut, disa të tjerë i kishin premtuar se do të punonin falas, por sëmurja e më pas vdekja e tij, bënë që premtuesit të mos e mbanin fjalën, sepse tekefundit ata fjalën ia kishin dhënë Demaçit, dhe jo atyre që kishin mbetur për ta vazhduar rrugën e tij, në TV-Dielli.
Ashtu si vepra e Tolstoit dhe trashëgimia e tij letrare, që rrezaton kudo në botë, janë bërë katër vjet, që nën qiellin e kufizuar dhe të varfër shqiptar, një staf idealistësh, trashëgimtarë të ideve të Demaçit, po bën përpjekje ta mbajë gjallë amanetin dhe përkushtimin e tij për unitet dhe unifikim kombëtar, për ruajtjen dhe restaurimin e vlerave kombëtare, kudo në trojet shqiptare, ende të shkapërderdhura e të katandisura…
Për koincidencë si Tolstoi ashtu edhe Demaçi kanë jetuar nga 82 vjet.
Për ditë e fundit të jetës së Leon Tolstoit është xhiruar filmi amerikan “Stacioni i fundit i Tolstoit”…
https://mojtv.net/film/14280/tolstojeva-posljednja-stanica.aspx