Meqë ishim marrë vesh me Hilmiun dhe Agronin për t’ u nisur së bashku për në Berishë, kam pritur deri në orën 10.30. Pasi që ata nuk erdhën me kohë jam nisur në drejtim të Javurit. Sapo kam depërtuar Te Shullani kam dëgjuar një shpërthim tejet të fuqishëm. Në fillim nuk arrita konkretisht ta identifikoj vendin. Pas pak lugjet i shkundulloi edhe një shpërthim tjetër
Isha ndalur afër një lisi të madh të ahut meqë nuk arrija të përcaktoja se ku ndodhi ai shpërthim nga i cili u dridh tërë vendi. Pas pak çastesh hetova një re pluhuri drejt Bajrakut të Kumanovës, apo në Qafë të Duhlës. Kam bërë tutje drejt Javurit për të parë më mirë se ç po ngjet. Në kthesën e parë në drejtim të Rrafshnaltës, në trekëndëshin Krojmir, Javur Kleçkë vërej tre fshatarë të cilët kishin dalë për të parë se ç` po ndodhte.
Njëri nga ata tregon se aeroplanët e NATO-s kanë goditur në brendësi të bazës tankiste dhe raketore serbe. Pa vonuar aeroplanët goditin edhe me bomba të tjera 1 tonëshe. Vendi përreth po dridhej. Sipas të gjitha gjasave serbët kanë pësuar një dëm katastrofal. Eleminimi i kësaj baze është shpresë dhe frymëmarrje për Brigadën 121, Ismet Jashari-Kumanova dhe për popullatën e zhvendosur. Nga Qafa e Duhlës vjen rreziku më i madh për të depërtuar serbët në Rrafshnaltë. Tani për tani duket sikur ky rrezik është eleminuar.
Rrugës kam takuar burra që kishin dalë nga tendat për të parë se kishin pësuar forcat serbe. Edhe pse ndihen të trimëruar ata i kaplon edhe një shqetësim tjetër nga frika se armiku i lig do të hakmerret kundër popullatës civile. Mirëpo si duket baza ndër më të fortat të ushtrisë okupatore serbe është shkatërruar në tërësi.
Në hyrje të Divjakës kam takuar Sokol Bashotën dhe Fatmir Xhelilin. Atyre iu kam treguar se baza serbe në Qafë të Duhles është paralizuar nga bombardimet e NATO-s.
Rreth orës 14.00 kam arritur në tendë.
Neziri dhe Martini po i përgatitnin lajmet. Iu kam treguar se shpërthimet që i kanë dëgjuar dy orë më parë e kanë paralizuar bazën ushtarake serbe të Duhlës. Pikën më strategjike të armikut në Rrafshnaltë. Qysh prej sot kam filluar t`i besoj seriozitetit të NATO-s. Një muaj pas fillimit të bombardimeve goditet baza e cila ka qenë dashur të goditet e para. Megjithatë sot për herë të parë kam marrë frymë lirshëm.
Nga Krojmiri kam sjellë një pite me rrathë të cilën e ka gatuar Zymrytja. Edhe pse nuk është koha e bukës piten e hamë pa vonuar. Hetoj se të gjithë kemi një uri të vijueshme të cilën asnjëherë nuk e kemi shprehur haptas. Martini i cili vazhdimisht është në këmbë sa herë vjen na drejtohet me fjalët:
-A po e hamë nga një kafshatë. Atij i vjen keq të ha vetëm dhe kërkon që të gjithë të marrim nga pak, nga buka e zezë e cila gatuhet në kuzhinën e Shtabit me miell të pasitur nga mullinjtë e gurit.
Emisionin e lajmeve e kemi përgatitur me kohë.
E kam hartuar edhe një informatë lidhur me bombardimin e aeroplanëve të NATO-s në Qafë të Duhlës. E di se ky lajm do të mirëpritet sidomos nga popullata e zhvendosur
Në orët e mbrëmjes Martin Çuni dhe Valdet Hoti janë nisur në drejtim të maleve të Zatriçit. Ata kanë marrë përsipër të depërtojnë në zonën e Anadrinit, meqë na ka humbur kontakti me Habib Zogajn, reporter i Radios. Dimë vetëm se Habibi me gruan, fëmijët dhe të afërmit ndodhet diku në Bjeshkët e Zatriqit, por nuk kemi informata më të hollësishme. Martini ka marrë përsipër ta takojë Habibin, të bëjë ndonjë intervistë apo reportazh nga frontet e luftimeve në Anadrin. Edhe Valdeti shkon për ta shoqëruar Martinin dhe për të marrë vesh për familjen, meqë edhe ata ndodhen diku në ato anë.