Tekstin e historisë për klasën e nëntë të mësimit të orientuar e ka lejuar për botim Ministria e Arsimit. Autorë: Fehmi Rexhepi dhe Isa Bicaj, rezensues: Dr. Emine Bakalli, Dr. Gazmend Riza dhe profesor Frashër Demaj. Redaktor, Osman Zeka, kryeredaktor, Refik Bekteshi. Tërë ky staf historianësh ka lejuar që ky libër të botohet dhe nga ky libër të mësojnë nxënësit tanë historinë kombëtare.
Libri, Historia për klasën e nëntë të mësimit të orientuar, përmbledh njësi mësimore prej kohës së gurit e deri në kohën e sotme, deri me çlirimin e Kosovës nga okupimi, më 11 qershor të vitit 1999.
Sesi mund të përmblidhet krejt historia e së kaluarës në një libër shkollor 216 faqesh, dhe çfarë masakrimi i është bërë kësaj historie, të cilën mjerisht duhet ta mësojnë nxënësit tanë të mësimit të orientuar, sipas mendjes dhe dijes së Rexhep Osmanit me kompani, do të shihni dhe do të bindeni po ta lexoni me kujdes, këtë tekst të mjerë të historisë sonë të shenjtë.
Dhe, nuk është për t`u çuditur pse ndodh kështu.
Sepse kështu ndodh kur historinë e shenjtë kombëtare e hartojnë sharësit e deridjeshëm të nacionalizmit shqiptar, diferencuesit, bashkëpunëtorët e UDB-ës dhe mjeranët e përjetshëm të pacifizmit, të tipit esattoptanist.
Sesi ka shkruar dikur, ky farë Fehmi Rexhepi kundër NDSH-së, kundër nacionalizmit dhe irredentizmit, kundër mulla Idriz Gjilanit, kjo dihet.
Cila ka qenë karriera e tij e shkuar dhe përkatësia politike partiake e shkuar dhe aktuale edhe kjo dihet.
Cili është niveli i tij profesional dhe i atyre të tjerëve, të cilët kanë shënuar emrat dhe titujt e tyre, do të mësoni po të shkëputni vetëm një fjali në faqen e fundit të librit ku shkruan: “Kosova u çlirua nga forcat ushtarake, policore paramilitare serbe”. (teksti në fjalë, f.221). Natyrisht se këtu bëhet fjalë për territorin e Kosovës, por edhe për banorët e Kosovës, të cilët me ndihmën e UÇK-së dhe të NATO-s e çliruan atë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe dhe kurrsesi nuk mund të pranohet gjykimi, sipas së cilit, Kosova u çlirua nga forcat ushtarake, policore dhe parmilitare serbe.
Këso lajthitjesh dhe këso formulimesh të papërgjegjshme, këso damkash të turpshme janë hartuar në këtë histori, e cila ka kaluar nëpër duart e mendjet e robëruara të tërë atyre farë “titujve shkencorë”, të shkollave të dikurshme titiste, kardeliste, avnojiste të shkollave të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë.
Se cila është vlera arsimore pedagogjike, vlera njohëse dhe faktografike e këtij teksti të mjerë të historisë, këtë do të duhej ta thoshin ata që veten e quajnë kompetentë, profesionistë, historianë me nga dy e tre tituj shkencorë, dhe ata që mund ta kenë lexuar, apo do të duhej ta kishin lexuar këtë tekst shkollor, para se të jetë botuar.
Si u prezantua lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë tekst invalid të historisë?
Nga 216 faqe sa ka ky tekst historie, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kushtohet vetëm një e katërta e një faqeje(!), me një fotografi të legjendarit Adem Jashari, e cila është vendosur pas fotografisë së Ibrahim Ukë Rugovës. (Ky i fundit edhe për së gjalli është futur në histori, sipas përzgjedhjes së lakejve të tij, që shkruajnë libra partiake të historisë).
Edhe pse është prezantuar fotografia e legjendarit Adem Jashari, nuk shkruhet as një fjalë e vetme për të, madje as viti i lindjes, apo i rënies, madje as vendlindja e tij, që sipas metodologjisë së punës profesionale shkencore, nuk mund të anashkalohet në asnjë rast.
Për luftën dhe rezistencën trimërore, titanike të legjendarit Adem Jashari dhe të Jasharëve të Prekazit thuhet se ka qenë një masakër!!!
Për UÇK-në në këtë tekst shkollor janë shkruar vetëm tri fjali.
Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe politikës qyqare pacifiste i janë kushtuar tri faqe të plota me dy fotografi. Krahasuar me prezantimin e UÇK-së, në këtë plehurinë shkrimore, LDK-ja zë 25 herë më tepër vend.
Autorët e këtij teksti, kuadro të LDK-së dhe kundërshtarë të verbër të UÇK-së dhe të luftës së lavdishme çlirimtare, kanë zbuluar jo vetëm mungesën e dijes së tyre historike para opinionit lexues, por edhe mërinë e tyre bastarde, esattoptane kundër militantizmit kombëtar.
Mënyra e tillë karikaturale dhe nënçmuese e paraqitjes së luftës sonë çlirimtare, në një tekst me të cilin pretendohet të edukohen brezat, që e kanë parë për së afërmi edhe vetë këtë luftë, është fare e papërgjegjshme dhe kombëtarisht e dënueshme, moralisht e turpshme, njerëzisht e papranueshme. Në tri fjalitë e shkruara në këtë tekst shkollor për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në njërën nga ato shkruan: UÇK gjatë luftës pati rreth 1500 ushtarë që ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës dhe rreth 2000 të plagosur. Sipas këtij rezonimi sharlatan dhe idiotik të gjithë ushtarët e UÇK-së paskan ra dëshmorë, ndërsa paskan mbijetuar vetëm rreth 2000 invalidë.(!)
Që hartuesit e këtij teksti të historisë nuk e dinë numrin e saktë të dëshmorëve, kjo nuk iu shihet për të madhe, sepse ata kanë qenë dhe kanë mbetur kundërshtarë të UÇK-së, po aq sa kriminelët e regjimit të Milosheviqit.
Skribët e këtij teksti të historisë nuk i kanë shfletuar dokumentet e publikuara, në vëllimin e parë të monografisë Feniksët e lirisë, ku janë prezantuar të dhënat elementare dhe gjeneraliet për 1925 dëshmorët e lirisë. Kështu ndodh kur hartuesit e një teksti të tillë të historisë janë të devotshmit e bashkim-vëllazërimit, sharësit e nacionalizmit dhe të irredentizmit, dorëzgjaturit e çdo regjimi okupator, çanaklëpirësit e çdo regjimi antikombëtar dhe antipopullor, projektuesit dhe aktualisht rizbatuesit e bashkëjetesës së shqiptarëve me sllavët, dhe, urrejtësit e sëmurë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Populli liridashës i Kosovës do të duhej të reagonte në përmbajtjen e kësaj plehurine nga e cila pretendohet të edukohen brezat e nxënësve tanë në klasën e nëntë eksperimentale. Kundër këtij teksti të historisë tashmë kanë reaguar edhe shoqatat trashëgimtare të UÇK-së.
Do të ishte e rrugës të reagonin dhe kryesuesit e atyre partive të cilat para elektoratit rrahin gjoks se janë parti të dala nga lufta.
Kundër këtij libri do të duhej të reagonin edhe mësuesit e historisë, ata që kanë për detyrë t`i edukojnë nxënësit në frymë kombëtare, sidomos ata që kanë qenë përkrahës apo edhe pjesëmarrës të luftës së Ushtrisë Çlirimtare.
Do të duhej të reagonin edhe prindërit e nxënësve, do të duhej të reagonin edhe historianët, që i japin zjarr patriotizmit nëpër foltore, kur janë të ftuar të flasin për dëshmorët. Do të ishte e rrugës të reagonin edhe institucionet përkatëse të historisë dhe të albanologjisë. Historia e mësimit të orientuar e klasës së nëntë vuan edhe nga shumë e shumë falsifikime të tjera, të cilat zbulojnë faqe botës nivelin dhe përgatitjen profesionale të autorëve të këtij teksti, ndërsa të mos flasim për përgjegjësinë morale, profesionale, kombëtare e njerëzore të atyre që kanë lejuar të botohet dhe të atyre që kanë urdhëruar të mësohet kjo histori në shkollat tona, edhe ashtu eksperimentale dhe të robëruara nga njëmendësia arsimore Shuvariane e kohës së kaluar.