Ahmet Qeriqi: Sërish luftime në Carralevë (E martë 30 qershor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Sërish luftime në Carralevë (E martë 30 qershor, 1998)

Në orën 9 e 30 minuta të ditës së sotme kanë filluar granatimet e ushtrisë e policisë armike kundër pikë-pozicionimeve të ushtarëve tanë në pikat strategjike të Carralevës, e cila po granatohet nga Pishat e Shtimes dhe prej bazës ushtarake serbe të Qafës së Duhles.

Sot, për herë të parë nuk kam shkuar në Carralevë. Tanimë jam mësuar me granatimet. Ato janë bërë të rëndomta. Selatin Qeriqi, qysh herët ka depërtuar në Carralevë, dhe me siguri se do të bëjë një raport për të përditshmen Bujku.

Redaktori i TVSH-së, Asllan Bajrami, nuk po merr nga zona jonë raporte tonike, meqë thotë se e ka të caktuar  listën se kush mund të raportojë.

Ç është me keq, për zhvillimet në Carralevë dhe përgjithësisht në zonat tona ushtarake, raportojnë nga selitë e tyre në Prishtinë, Sherif Konjufca dhe Mehmet Haziri. Kjo më nevrikos sa s bëhet, dhe kam qëllim që sa më parë ta kontaktoj Shaban Shalën e Jakup Krasniqin, në mënyrë që të bëjmë përpjekje që urgjentisht  ta aktivizojmë shtypin e ndoshta edhe radion apo agjencinë e lajmeve.

Në orët e mesditës, në kuzhinën e Shtabit, kam mësuar se gjatë granatimeve është plagosur lehtë një ushtar nga Zborci. Nuk ka të plagosur të tjerë. Ushtarët thonë se në Carralevë, sërish janë zhvilluar luftime.

Ushtarët e Komandant Kumanovës, kanë zënë një pikë të rëndësishme strategjike në vendin e quajtur “Te Godenët” në fshatin Karaçicë. Atje, me njësitin e tij, operojnë luftëtarët e shquar: Sejdi Elezi, ish i burgosur politik, një atdhetar i vendosur, pastaj Shaip Kelmendi me të vëllanë Xhavitin,  Tahir Krasniqi e shumë të tjerë. Kelmendët e Karaçicës, kanë qenë në shënjestër të pushtetit serb, sidomos pas vrasjes që ka bërë në kazermën e Paraçinit, kryengritësi, Aziz Kelmendi në shtator të vitit 1987. Luftëtarët e Karaçicës, të Dukës, të  Javurit e të Luzhnicës, janë nën komandën e luftëtarit  Ismet Jashari, i njohur ndër ne si “Komandant Kumanova”, me të cilin deri tani jemi parë vetëm njëherë, para disa ditësh.

Në mbrëmje kemi biseduar gjerë e gjatë me Heset Sahitin, nga Poturoci, po ashtu i burgosur politik dhe atdhetar i vendosur. Heseti ka më shumë se dy javë që është inkuadruar në radhët tona në Krojmir, ndërsa vëllai i tij Xeni, është ushtar në Grykën e Llapushnikut. Heseti Sahiti është personalitet me ndikim sidomos në mesin e intelektualëve të fshatrave të Rrafshit dhe të Lipjanit. Kalimi i tij në radhët tona, do të ketë ndikim te shumë intelektualë, që pres të na bashkohen

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Zgjerohen dyshimet dhe keqkuptimet (E enjte 25 qershor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Zgjerohen dyshimet dhe keqkuptimet (E enjte 25 qershor, 1998)

Bën vapë e padurueshme. Herë pas herë dëgjohen detonime të fuqishme drejt Qyqavisë. Shpërthime të …