Ahmet Qeriqi: Armata vrastare e okupatorit nuk e përfillë rezolutën. Vazhdojnë luftimet e ashpra në Drenicë. Ofensiva është zgjeruar edhe në Zonën Operative të Neredimës (E premte 25 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Armata vrastare e okupatorit nuk e përfillë rezolutën. Vazhdojnë luftimet e ashpra në Drenicë. Ofensiva është zgjeruar edhe në Zonën Operative të Neredimës (E premte 25 shtator, 1998)

Lajmet që dëgjojmë bëjnë të ditur se luftimet rreth Qyqavisë nuk kanë të ndalur. Serbët po granatojnë por djegin fshatra të tëra. Popullata është në zjarrin e luftës e tretur nëpër male duke kërkuar strehë për të mbijetuar edhe një ditë. Janë vënë nën shënjestër të sulmeve të mizorishme, Gradica, Vërboci, Qirezi, Likoshani, Krasmirovci, Galica, Dubova si dhe fshatrat e Artakollit. Makineria serbe ka sulmuar edhe në drejtim të fshatrave Baicë Kraikovë, Domanek Tërdevc, Abri Likoc Rezallë, Makërmal, Marinë, Aqarevë, Llaushë e në fshatra të tjera.

Flitet për qindra të vrarë e të masakruar, dhjetëra dëshmorë të rënë në altarin e atdheut në mesin e tyre edhe komandantë të njohur si Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortja e tij, luftëtarja Xhevë Krasniqi Lladrovci, një luftëtare me emrin Fatime Hetemi, një student e të tjerë.

Makineria masakruese serbe nuk e përfillë rezolutën, përkundrazi ajo është çartur dhe egërsuar tejmase.

Sot është bërë me dije se persona të panjohur kanë kryer atentat kundër Sabri Hamitit. Jeta e tij nuk është në rrezik. Nuk dihet atentatori as qëllimi i atentatit.

Këtë mund ta kenë bërë serbët për të shkaktuar huti. UÇK-ja nuk ka asnjë arsye të godasë kuadrot politike të LDK-së…

Detonime të ashpra po dëgjohen edhe në drejtim të Budakovës. Si duket serbët kështu po i përgjigjen rezolutës. Luftëtarët tanë as që kanë pritur diçka nga rezoluta. Ata janë të bindur se vetëm gjuha e armëve është ajo së cilës i bindet regjimi antinjerëzor i Beogradit.

Sot kanë ardhur për të biseduar me Luanin dhe Elezin disa ushtarë të Blinajës, Bukuroshi dhe Dardani, të cilët kanë interesim të depërtojnë  në Malësinë e Zhegocit për t`i zgjeruar radhët edhe atje. Luani e merr me skepsë propozimin e tyre dhe mendon se ata kanë gjetur një shkak për t u larguar nga radhët, tani kur mund të priten sulme dhe luftime të reja.

Më vonë ka ardhur edhe Jetë Hasani dhe Ajvaz Karpuzit. E vërej se Jeta është në disponim meqë i qesh nuri dhe mustakja.

-Ç`është i them?

-Asgjë, thotë ndërsa shikon në drejtim të Ajvazit, i cili mundohet të mos tregojë për disponimin e Jetës. Kam frikë mos ka bërë ndonjë… por ai tregon qetë se sot para dite të dy policët për të cilët ishte ankuar janë demobilizuar në Shalë, para popullatës civile.  Andaj Jetë Hasanit i qesh mustaku, në të kundërtën ai e kishte sosur… Jeta i trimëruar nga kjo ka kërkuar ta vë në lëvizje një plan tjetër, për të cilin më ka treguar edhe më herët, por tani mendon se  ka ardhur koha për ta vënë në veprim. I them që aktualisht të mos e bisedojë me as kë, pa u marrë vesh paraprakisht me ndonjë nga eprorët në Shtab.

-Nuk di me folë me ata të Shtabit, thotë tejet i vendosur. Te e fundit ai këtë bisedë e interpreton si lajmëruese, ndërsa punët i kryen sipas stilit të tij.

Në orët e mbrëmjes me Elez Durmishin kemi depërtuar në Grykë për të vizituar njësitin e ushtarëve të Karaçicës të cilët po qëndrojnë ende në pozicione përballë forcave serbe te Godenët.

Sapo kthehemi në fshat, Shyqë Iballi na bën me dije se e kanë njoftuar përmes telefonit për lirimin e vëllait të tij Nazmiut. Nuk ka të dhëna të tjera por dihet se e kanë liruar nga arresti. Edhe një lajm i mirë për ta përfunduar ditën e sotme plot me shqetësime dhe rreziqe, sidomos në Drenicën Qendrore, ku ende po dëgjohen granatimet dhe jehona e topave të kalibrave të mëdhenj.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …