Rasti i fundit i aksionit spektakolar i Policisë së Kosovës në arrestimin e 40 shqiptarëve të paragjykuar si terroristë islamë, na sjellë në kujtesë edhe raste të tjera, të ngjashme, kur kjo polici me një virulencë të paparë kishte ndërhyrë në shpërndarjen e demonstratave e protestave të Vetëvendosjes, në arrestimin së bashku me Policinë e EULEX-it të çlirimtarëve të Kosovës dhe shumë raste të tjera kur kjo Polici, gjithnjë e dirigjuar nga politika ka ndërhyrë kundër shqiptarëve, por vetëm njëherë ka ndërmarrë një aksion të përmasave të tilla në Veri të vendit tre vjet më parë dhe është kthyer e turpëruar me një pjesëtar të vrarë dhe kurrë më në asnjë rast nuk ka marrë guximin të shkel në veri.
Atje, pjesëtarët e bandave serbe, vrasës të shqiptarëve sidomos gjatë dhe pas luftës në Kosovë, në bazë të marrëveshjeve të Brukselit, mes Thaçit e Daçiqit, janë pranuar në strukturat e Policisë së Kosovës, e cila nuk ka në radhët e veta asnjë shqiptar dhe e cila as edhe formalisht nuk zbaton asnjë urdhër të kreut policor të Kosovës.
Edhe pse lufta në Siri ka hyrë në vitin e tretë dikush, për qëllime jo edhe aq të kamufluara u interesua që intervenimi të bëhet pikërisht tani për shumë shkaqe të njohura dhe të panjohura.
Në radhë të parë, aksioni virulent, i vrazhdë, u ndërmor kundër dhjetëra, kryesisht të rinjve shqiptarë, besimtarë islamë, të cilët përkrahin luftën e drejtë të sirianëve atdhetarë kundër regjimit më kriminal të vendeve arabe, islame. Këta militantë të besimit, po etiketohen si terroristë, vetëm me faktin se disa prej tyre kanë lëshuar mjekra dhe disa prej tyre kanë qenë në Siri dhe ndonjëri prej të tillëve edhe ka luftuar në Siri dhe pastaj është kthyer në Kosovë. Këta shqiptarë të Kosovës, po etiketohen si terroristë ende pa u shpallur dhe pa u dënuar për akte terroriste. Këta fatkëqij, nuk kanë kryer asnjë vepër që mund të kualifikohet si akt terrorist, por janë arrestuar vetëm për shkak të lëvizjeve të tyre dhe paraqitjes së jashtme, e cila është e ngjashme me disa grupe fetare në vendet islame.
Në vendin tonë nuk arrestohen femrat e meshkujt gjysmëlakuriqë, as gejet, as lesbiket, as ekstravagantët, as priftërinjtë ortodoksë, as të droguarit dhe të tatuazhuarit, as kokërruarit, as që lëshojnë mjekrat e flokët e gjata, as ata që bartin kokarda e shajkaqa serbe, as serbët me mjekra, por shënjestra kryesore e ndërsimeve policore janë shqiptarët islamë, për të cilët paragjykohet se janë terroristë, vetëm nga paraqitja e tyre e jashtme. Ky është turpi dhe është kulmi i turpit, e pranuan apo jo urdhërdhënësit dhe urdhër-zbatuesit dhe nopranët e zellshëm që po i fryjnë zjarrit, me qëllim që Kosova të njolloset me të njëjtat njolla të shpikura shumë e shumë vite më parë nga Serbia.
Nuk fitojnë dot poenë politikë të parët e vendit nëse dëmtohet imazhi i Kosovës
Në Kosovë, mjerisht ka medie “terroriste”, (në kuptimin e bombardimit të opinionit me gënjeshtra trillime dhe afera sensacionale), ka medie tipike “terroriste”, dhe të tilla që terrorizojnë dëgjuesit, lexuesit e shikuesit, të cilat shpifin, trillojnë dhe kurdisin afera me qëllim që të mbijetojnë në tregun e konkurrencës së ashpër mediale. Prej mbarimit të luftës fitimtare të UÇK-së, një pjesë e drejtuesve të medieve dhe jo pak gazetarë të shkollave titiste të Kumurovecit, të Beogradit, nostalgjikë të përjetshëm të bashkim-vëllazërimit, nuk kanë lënë gurë pa lëvizur me qëllim të diskreditimit të luftës sonë heroike, të luftës sonë krejt të pabarabartë kundër fashizmit serb, luftë e cila u kurorëzua me fitore, falë gjakut të derdhur për liri dhe luftës pa kompromis që bënë çlirimtarët e vendit, të përkrahur edhe nga Amerika dhe Anglia. Ishin dhe janë pikërisht këta gazetarë që trilluan aferën e ashtuquajtur të trafikimit të organeve të serbëve nga UÇK-ja, një gënjeshtër e përsëritur mijëra herë, e cila tashmë u bë shkas edhe për krijimin e një Gjykate ndërkombëtare, një-etnike kundër UÇK-së, kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve përgjithësisht.
Fitorja jonë, fitorja e UÇK-së, ua ka zërë “diellin jugosllav” ish dhe tani mercenarëve të jugosllavizmit, të cilët nuk po arrijnë ta kuptojnë dhe të binden se në Kosovë ka ndodhur një kthesë historike, e cila kurrë më nuk mund të kthehet prapa, as nëse dënohen edhe shumë çlirimtarë, as nëse mijëra shqiptarë shkojnë për të luftuar në Siri, as nëse Gjykata speciale dhe një segment i autoriteteve ndërkombëtare e shpallin sërish UÇK-së si organizatë terroriste, duke u mbështetur në qëndrimin zyrtar të Serbisë.
E kemi thënë dhe po e përsërisim një të vërtetë shumë të njohur, se nuk ka shtet në botë që me masa represive arrin të ndalojë bindjet kombëtare e fetare të qytetarëve të vet. Nuk ka shtet në botë që e arsimon apo e edukon tërë një popull se si u dashka të veprojë. Çështja e luftës në Siri nuk është çështje e pedagogjisë, arsimit, kulturës, por është çështje e luftës për jetë a vdekje të një popullit të tërë kundër një regjimi i cili për dy e më shumë vjet ka vrarë rreth 150 mijë qytetarë të vet.
Nuk ka fuqi në botë që mund të ndalojë njerëzit të luftojnë për bindjet e tyre, pavarësisht si na duken ne dhe pavarësisht nga këndi nga i cili gjykojmë, apo paragjykojmë. Në luftën e tij për dominim, ishte pikërisht regjimi i Milosheviqit, ai i cili bëri përpjekje djallëzore, fashiste, kriminale kundër popujve të ish Jugosllavisë, që me qëndresën e luftën e tyre u shkëputen nga sundimi i tiranisë serbe. Fund të njëjtë do të ketë edhe Bashar Asadi, të cilin një pjesë e “botës demokratike” po e ndihmon në heshtje. Në vend për ta luftuar një kriminel fashist, Qeveria e Kosovës i shpall luftë shqiptarëve që kanë shkuar në Siri për të luftuar në radhët e kryengritësve sirianë, edhe pse ka njohuri se pjesëtarë të 70 shteteve të botës, po ashtu po luftojnë regjimin më kriminal dhe më barbar të botës arabe-islame.
Shërbimi që po i bën Asadit Qeveria e Kosovës, është shërbim që po i bëhet Rusisë dhe Serbisë, një shteti që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe që ka mbështetur luftën e Milosheviqit kundër shqiptarëve, shumica dërrmuese e të cilëve i përkasin besimit islam.
Kjo është e vërteta e hidhur, të cilën nuk e pasqyrojnë dot shpifarakët, gazetarët e paguar nga Beogradi, Sorrosi por edhe një segment i Qeverisë së Kosovës. Në Siri, në radhët e forcave qeveritare të Assadit ka edhe shumë mercenarë serbë, por Serbia nuk i ndjek ata, nuk bën fushatë kundër vetvetes.
“Terrorizmi” i shpifur për qëllime të dyshimta, në radhë të parë i bën dëm vendit
Në kohën kur në OKB pritet të diskutohet për Gjykatën speciale një-etnike kundër UÇK-së, të cilën e ka pranuar pa rezervë kreu institucional dhe politik i vendit, pikërisht në këtë kohë Qeveria e Kosovës shënon një “autogol”, me qëllim për të treguar besnikëri në luftën e shpifur kundër terrorizmit islam, pa ia kërkuar askush këtë besnikëri.
Po ta nisnin këtë fushatë vëllezërit tanë katolikë e ortodoksë, kjo edhe do të mund të kuptohej si çështje bindjeje dhe konkurrence fetare, por këtë luftë kundër vetvetes e fillojnë, enverat, bajramat, selimat, laramanët fetarë, të cilët nuk kanë guxim intelektual të dalin haptas dhe të tregojnë se nuk i përkasin besimit islam, se janë ateistë apo të konvertuar të fshehtë si Ibrahim ( Pjetër) Rugova dhe një taraf i gazetarucëve të Kosovës, por edhe të Shqipërisë e Iliridës.
Nuk fitojnë dot poenë politikë Bajram Rexhepi e Enver Hoxhaj e një Petrit shakaxhi, nëse dëmtohet imazhi i Kosovës. Nuk fiton gjë as opozita, nëse ka mbetur diçka nga opozita në vendin tonë, e cila i bashkohet fushatës kundër dhjetëra shqiptarëve që kanë bindje të tjera, ideale të tjera dhe për të cilat duan të vdesin. Të tilla ideale kishin shqiptarët që luftuan fashizmin në Spanjë, si Xhemal Kada e Asim Vokshi e shumë të tjerë, të tilla ideale kishin, italiani Françekso Bider, francezi, Pjer Arno Pajar, algjeriani, Murad Muhamed Ali dhe qindra luftëtarë evropianë, të cilët mbështetën luftën e UÇK-së kundër regjimit fashist të Serbisë. Këta të rënë, këtu në Kosovë i konsiderojmë dëshmorë, ashtu sikur kryengritësit sirianë i konsiderojnë dëshmorë, (shehidë), të gjithë ata që derdhën apo po e derdhin gjakun për t’ u çliruar nga barbaria assadiste.
Të deklarosh se lufta ime ishte e drejtë, por nuk është e drejtë lufta për lirinë e jotja apo e atij tjetrit, është miopi e mbështjellë me hipokrizi dhe idiotizëm.
Të veçosh një akt monstruoz të një kokëkrisuri, sikur akti barbar i Lavdërim Muhaxherit, dhe të bësh politikë duke përgjithësuar e duke mbështetur në një akt të tillë të izoluar, kjo nuk është gjë tjetër por një veprim i lig dhe shumë i ulët, një veprim hipokrit. Të vësh pikë-barazimi, mes këtyre ekstremeve, po ashtu është punë e panjerëzishme.
Qeveria e Kosovës ka bërë gabim të madh që pikërisht në këtë moment filloi luftën kundër “mullinjve të erës”, sepse nuk del gjë nga kjo fushatë, sepse nuk ka fakte, sepse nuk mund, as guxon të dënohet njeriu për shkak të bindjeve të tij fetare, politike e shoqërore.
E marr me mend se nuk do të jenë të pakët në numër hipokritet që do të thonë se me mbështetje të tillë, ( edhe pse parimore) unë po i nxitkam terroristët, po u solidarizuakam me ta, po i mbështetkam dhe po iu jap kuroajo dhe hapësirë. E di se shkretanët e mjeranët që nuk mendojnë me kokat e tyre, kështu e interpretojnë qëndrimin tim konsekuent dhe parimor. Më vjen keq për shumë syresh të cilët mendojnë pikërisht sikur unë dhe meqë duan ta kenë mirë me të gjithë, heshtin, sepse nuk dihet çka sjellë e nesërmja. Të tillët kishin heshtur edhe gjatë luftës së UÇK-së, por pas luftës, pasi u kthyen nga Stankoveci e Nitkoveci, ku kishin ikur për të shpëtuar prapanicat e tyre filluan të tregojnë muskujt dhe iu vërsulën pasurive të Kosovës, të cilat i përvetësuan me të drejtën e të fortit, me të drejtën e fitimtarit.
As pas aksionit spektakolar të Policisë së Kosovës, nuk zbehet dot kultura e tolerancës fetare të shqiptarëve
Imazhin dhe kulturën e tolerancës fetare të shqiptarëve nuk e zbehin dhe nuk e zhbëjnë dot intrigantët, gazetarët pa identitet dhe pa dinjitet, zyrtarët eunukë, që zbatojnë urdhra, fare pa menduar për to, apo për pasojat afatgjata. Këtë imazh nuk e zbeh dot as ndonjë terrorist i vërtetë si Lavdërim Muhaxheri, as burgosja e më pas lirimi i të gjithë “terroristëve” të supozuar.
Pjesa myslimane e Kosovës, krahu militant në mesin e saj, ka njohuri të mjaftueshme nga historia dhe e di mirë që shtetin modern të Sirisë dhe të Egjiptit i kanë formuar pikërisht shqiptarët. E dinë dhe kanë të drejtë të krenohen se shqiptarët myslimanë dikur kishin luftuar përkrah arabëve, sirianëve, palestinezëve e të tjerëve kundër regjimit të Sulltanëve në Turqi. E dinë po ashtu se pikërisht për shkak të fesë të tyre, të cilën e duan dhe e respektojnë, secili sipas bindjes së lirë, janë të anatemuar dhe të mallkuar, në heshtje si nga Evropa shtrigë e kohës së Gjergj Fishtës, pos ashtu edhe nga Evropa e sotme e baronëve e baroneshave, që titujt e tyre shekullorë i kanë trashëguar dhe i ruajnë me fanatizëm nga të parët që morën pjesë në Kryqëzata ku vranë e masakruan qindra mijëra myslimanë.
Fushata në shkallë botërore kundër “terrorizmit” islamik ka rrezik të kthehet në luftë të njëjtë që ndërmori fashizmi gjerman kundër “terroristëve hebraikë”. Kosova dhe shqiptarët përgjithësisht nuk i lidh asgjë me aspiratat e grupeve militante islame. Sa për individë të caktuar, ka pasur dhe do të ketë, ashtu sikur ka shqiptarë sot që për interesa të tyre luftojnë edhe në Ukrainë, për dhe kundër rusëve. Përgjithësimi i rasteve çon në rrugë pa krye. Duket se këtë mësim as e kanë mësuar as e mësojnë dot zyrtarët tanë aktualë, mjeranët e shkretanët tanë aktualë, mazohistët tanë të ndërkryer.