Arrestimi i shqiptarëve në territorin e sotëm të Serbisë, as pas luftës së UÇK-së nuk është ndërprerë asnjëherë. Ata ish-pjesëtarë të UÇK-së që rrezikojnë të hyjnë në Serbi, nuk janë sa duhet të përgjegjshëm, ose duan ta sfidojmë inatin e zemërimin e Beogradit, ose bëjnë punë për të cilat nuk di opinioni. Është shumë më tragjik fakti se ata luftëtarë që i kërkon Serbia për t’ i arrestuar, sipas dosjeve të kohës së Milosheviqit, ndalohen edhe në kufirin e Kosovës me Shqipërinë. Një praktikë e tillë edhe aktualisht është në fuqi dhe kjo bën që shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së, në mesin e tyre edhe të tillë që kanë lënë gjymtyrë duke luftuar regjimin fashist të Beogradit, të ndalohen gjatë kalimit, sepse emrat e tyre ndodhen në Interpol, me kërkesë të Serbisë. Shumë prej tyre kalojnë kufirin, ilegalisht ose gjejnë ndonjë polic të njohur për të kaluar në pikat kufitare të Kosovës me Shqipërinë. Kuvendi kurrë nuk ka diskutuar për problemet e tilla të më shumë se 300 ish pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët Serbia i ndjek përmes Interpolit. Kjo çështje shtrohet për shqyrtim dhe deklarim verbal vetëm kur preket kupola e UÇK-së sikur janë ndaluar disa herë: Gjenerali i UÇK-së-TMIK-së, Agim Çeku, pastaj edhe Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e disa të tjerë.
Janë qindra luftëtarë të UÇK-së që janë ndaluar dhe ndalohen në kufirin e Kosovës me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Për këta çlirimtarë, të privuar nga lëvizja e lirë në trojet shqiptare, të cilat sa e sa herë janë larë me gjak nga pushtuesit fashistë sllavë, duket se nuk dinë, apo nuk janë të interesuar të dinë deputetët e Kuvendit të Kosovës, madje as disa deputetët që fryhen për prejardhjen e tyre nga lufta e UÇK-së.
Rasti i Nehat Thaçit bëri bujë vetëm sepse ishte oficer i lartë i Policisë, edhe pse tashmë është bërë e ditur se ai nuk ka qenë në rrugëtim zyrtar, sikur shkon zyrtarisht në Serbi kryepolici i Kosovës Shpend Maxhuni, i cili mirëpritet atje si polic rajonal, madje edhe me respekt… Thaçi ka rrugëtuar privatisht nëpër Serbi. Këtë e ka bërë të ditur vetë Kryeministri Isa Mustafa, ndërsa pacifisti mjeran, Skënder Hyseni, madje edhe ministër Punëve të Brendshme të Kosovës, ka deklaruar në Kuvend se që nga momenti i arrestimit të Nehat Thaçit, Qeveria e Kosovës me dikasteret përkatëse qenkan vënë në lëvizje.
“Jemi përkujdesur dhe do të vazhdojmë të përkujdesemi që me asnjë deklarim publik të mos ta vështirësojmë procesin në të cilin ndodhet Nehat Thaçi. Nuk dëshirojmë të deklarojmë ne diçka që shkon ndesh me deklarimet që i bën Thaçi atje, duke mos e ngarkuar gjendjen e tij të rëndë nëpër burgjet e Serbisë”, ka shtuar Hyseni, duke mos arritur ta fshehë pozitën e tij të mjerë në raport me Serbinë. Ky ministër tregon mirëfilli mjerimin, vetë-nënshtrimin dhe frikën deri në palcë, që e ka pasur dhe e ka nga Serbia. Ai thotë se me heshtjen e institucionit që përfaqëson, është përkujdesur të mos e zemërojë Serbinë, në mënyrë që të mos i vështirësohet pozita policit të tij, po ashtu të mjerë dhe të papërgjegjshëm, sepse me sy në ballë nuk shkohet “si cjapi te kasapi”.
Rasti i Nehat Thaçit, pavarësisht çfarë rezolute do të nxjerrë Kuvendi, nuk zgjidh asnjë problem, përkundrazi problemin e një shumice të luftëtarëve të UÇK-së e redukton si rast individual, rast të veçuar, dhe kjo i shkon shumë për shtati qeveritarëve. Kjo mënyrë e qasjes spontane të kësaj çështjeje, tregon mirëfilli se institucionet në Kosovë as janë interesuar, as interesohen për fatin kolektiv të luftëtarëve të lirisë, por vetëm për rastet e veçanta, vetëm atëherë kur janë në pyetje zyrtarët e lartë dhe deputetët.
Disa përpëlitje e belbëzime të ministrave, si ajo për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, apo edhe e ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, se me Serbinë duhet të aplikohet reciprocitet u hoqën me shpejtësi nga fjalori politik, kur kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi nga Tirana ku ndodhej për një vizitë, lëshoi kumtimin drejtuar ministrave të Isa Mustafës, që të mos flasin për reciprocitet, sepse veprimi i tillë nuk do të ndodh kurrë. “Ne nuk i përgjigjemi dhunës me dhunë”, kishte saktësuar Thaçi gjatë vizitës së bujshme në Tiranë.
Reciprocitetin në veprimet e Serbisë nuk e bën dot kjo klasë politike, e cila po mbahet në pushtet, pikërisht për bashkëpunim dhe dialog pa kushte me Serbinë, duke lëshuar pe në dëm të sovranitetit të Kosovës, me qëllim për të marrë përkrahjen e Brukselit dhe për të qeverisur urtë e butë, sidomos me Serbinë por edhe me fqinjët e tjerë.
Epilogu
Sot, më 12 tetor 2016, në Kuvendin e Kosovës, deputetët kanë paraqitur dy rezoluta. Rezoluta e propozuar nga koalicioni qeveritar, lidhur me rastin e oficerit të Policisë së Kosovës Nehat Thaçi, i cili po mbahet në arrest në Serbi, konkretisht rezolutë e koalicionit qeveritar PDK-LDK ka marrë 51 vota pro, 13 kundër dhe 8 abstenime. Rezoluta e propozuar nga deputeti, Gëzim Kelmendi, të cilën e kanë mbështetur edhe disa deputetë të opozitës, ka marrë 19 vota pro, 38 kundër dhe 18 abstenime. Rezoluta e koalicionit qeveritar nuk parasheh ndërprerjen e dialogut me Serbinë, as veprimet reciproke kundër saj. Asnjëra nga rezolutat nuk kishte të bënte me ndalimin e arrestimit nga Serbia të të gjithë të akuzuarve për krime lufte, duke u bazuar nga aktakuzat e ngritura të kohës së regjimit të Milosheviqit. Edhe propozimi i Vetëvendosjes kishte të bënte vetëm me mos arrestimin e zyrtarëve të lartë dhe jo të gjithë atyre luftëtarëve të UÇK-së të cilët akuzohen nga Serbia, për gjoja krime lufte.