Dalila, ishte bija e David Hulit.
Në rininë e saj kishte qenë njëra ndër femrat më të bukura të fisit të Hulëve. Në kohën kur kishte lëshuar shtat kishte tërhequr vëmendjen e rojtarit të pronave të orizit, ku ajo punonte me të ëmën. Nga shikimi i tij, ishte frikësuar aq, sa për pak që nuk kishte këlthitur, por e kishte përmbajtur veten. Nëna e saj, Sarah, e kishte vërejtur shikimin epshtar të rojtarit, që sillej poshtë e lartë me heshtën në dorë dhe shikonte mbarëvajtjen e punëve në orizore, ndërkohë që, në mbrëmje, rojtari me disa të tjerë i kontrollonin punëtorët nëpër rrobat e shtatit, mos kishin vjedhur kokrra të orizit.
-Mos shiko andej, i kishte thënë bijës me zë të ulët, duke mos e ngritur kurrizin. Dalila e kishte kuptuar qortimin e heshtur të së ëmës.
Pas pak rojtari i kishte bërë me shenjë, Dalilës ta ndërpriste punën dhe të paraqitej para tij. Ajo e habitur kishte shikuar të ëmën, e cila i kishte dhënë leje. Punëtorët e tjera ishin trazuar, por asnjëra nuk kishte marrë guxim të shikonte kah rojtari.
Ai ishte një burrë rreth të tridhjetave, shtathedhur dhe me një vështrim tinëzar. Ishte ulur në breg të Orizorës nën hijen e një hurmeje.
Dalila po qëndronte para tij pa bërë zë me vështrimin e hedhur për tokë te këmbët e tij.
-Si të quajnë, e pyet me një zë joshës.
Ajo kishte shqiptuar emrin e saj me një gjysmë zëri.
Rojtari po e vështronte tërë epsh, pa e fshehur qëllimin e tij.
-Ti dhe ajo gruaja, që mbase është nëna jote jeni punëtoret më të zonjat, por jeni më të varfrat. Të gjithë të tjerët vjedhin nga disa kokrra oriz në ditë dhe i fusin gjithandej nëpër rrobat ku ne nuk i gjejmë dot, ndërsa ju dyja, nuk merrni as edhe një kokërr të vetme.
Dalila e kishte shikuar me një ndjenjë të turbulluar, por nuk kishte nxjerrë zë nga goja.
-Kurdo që të jem unë në roje, merr kokrra orizi dhe futi nëpër rrobat. Do të bëhem sikur të kontrolloj, por nuk të zbuloj. Duhet ta mbash shpirtin. Dhe për këtë që të thashë, po i tregove edhe nënës sate, do të ndëshkoj.
-E kuptove?
-Po, kishte thënë ajo me gjysmë zëri.
-Shko tani, e kishte urdhëruar duke mos ia ndarë sytë krejt derisa ajo ishte futur në rresht dhe kishte filluar të punonte.
Dalila, nuk kishte folur.
Më kot ishte munduar nëna e saj të mësonte arsyen përse rojtari e kishte ndarë dhe çfarë i kishte thënë.
-Ti, po fsheh diçka moj bijë, i kishte thënë më në fund dhe e kishte shtrënguar fortë në gjoks. Tregoji nënës sate, është më mirë për ty dhe për mua.
-Po ai më ka thënë, që as ty të mos tregoj.
-Po ti fol moj bijë, po ku rrëfej unë e mjera për ty. Kë kam tjetër veç teje?
Dalila kishte hezituar për pak çaste, por pasi e kishte përqafuar fortë të ëmën i kishte treguar.
-Ndoshta është njeri i mirë. Ai më tha, “shpirtin, duhet mbajtur disi”.
-Ai të ka thënë të vjedhësh moj bij!
-Të gjithë vjedhin nga pak, ajo Dila e Makut, madje mbush gjoksoret. I kam parë edhe gratë tjerë ku fusin nga një grusht oriz jo më disa kokrra.
-Po sikur, ta bëjë me qëllim?
-Përse do ta bënte?
-E bën sepse është njeri i lig. Ti mashtrohesh, merr disa kokrra, i fut diku në rrabet dhe ai, në fillim nuk të zbulon, pastaj, një ditë të befason dhe për të mos kamxhikosur ai kërkon një shërbim tjetër, moj bijë…
Dalila kishte stepur. Mornica të ftohta ia kishin kapluar shtatin. Nuk e kishte paramenduar një kurth të tillë.
***
Ditët kishin kaluar dhe Dalila nuk kishte marrë asnjë kokërr orizi, përveç sasisë, të cilën e merrte për punën që bënte në orizore, së bashku me të ëmën. Rojtari kishte përcjellë me kujdes lëvizjet e saj, por nuk kishte zbuluar asgjë të dyshimtë. Një ditë sërish e kishte ndaluar dhe e kishte pyetur sesi ia dilnin të mbijetonin me orizin, që merrnin. Dalila nuk kishte folur por e kishte shikuar me habi, në përpjekje për të mësuar qëllimin e rojtarit, i cili ishte shumë i ashpër me fshataret e tjera, ndërsa ndaj saj kishte një sjellje krejtësisht tjetër.
-Ti je bija e David Hulit?
Dalila kishte pohuar me kokë, por përmendja e emrit të babait, i cili ishte mbytur shumë vjet më parë e kishte shqetësuar.
-Babai yt ka punuar me babanë tim. Ishin shokë, por pësuan nën gurët e Piramidës, gjatë ndërtimit… ti mbase nuk e di, ke qenë shumë e re…
Dalila nuk kishte folur, por kishte fituar bindjen se rojtari nuk kishte qëllime të këqija.
-Dëgjo, unë nuk jam i martuar. Jam për disa vjet më i moshuar se ti, por…
Dalila ishte larguar pa bërë zë. Sapo ishte kthyer në shtëpi kishte treguar së ëmës, ndërsa ajo kishte sjellë në kujtesë ditën e kobshme, kur e kishin lajmëruar se tre punëtorë i kishte shtypur guri i madh, që e kishin sjellë nga Habeshi, gjatë përpjekjeve për ta vendosur në murin anësor të Piramidës së Madhe.
-Ai të ka kërkuar dorën moj bij, si thua, të pëlqen?
-Nuk di, kishte thënë dhe kishte vazhduar vjeljen e kallinjve të orizit.
-Duket se nuk ka qëllim të keq. E ka provuar sjelljen tënde dhe tani beson se nuk vjedh.
Dalila nuk kishte folur. Në mendje i sillej vërdallë biseda me rojtarin, të cilit nuk ia dinte as emrin, ndërsa ai e kishte njohur qysh moti, por nuk kishte bërë zë. Më vonë kishte mësuar se rojtari quhej, Shloma i biri i Ezaut, që kishte qenë shok me babanë e saj. Nuk kishte njeri tjetër në shtëpi. Nëna i kishte vdekur gjatë kthimit nga Egjipti dhe atë e kishte rritur daja i tij, pronari i orizores, ku punonte. Ajo e kishte pëlqyer Shlomën dhe kishte menduar të futej dhëndër brenda, meqë rronte me dajën. Sarah kishte pranuar që bija e saj të martohej me Shlomën dhe pa vonuar ishte kryer ceremonia e pëlqimit, ndërkohë që kishin filluar edhe përgatitjet për martesë. Shloma ishte më i moshuar, por ishte punëtor, shtathedhur i zhvilluar fizikisht por edhe i bukur. Por fati qe shkruar ndryshe. Hyji nuk kishte dashur që çifti i martuar të kishte fat në jetë. Vetëm dy maj pas martesës, Shlomën e kishin rrëmbyer valët e lumit, gjatë një stuhie në përpjekje për ta ndaluar ujin që kishte vërshuar, në orizore. Atë ditë të kobshme, Dalilës iu kishte këputur diçka në zemër. Lajmi për vdekjen e bashkëshortit e kishte tmerruar. Kishte qarë me zë dhe disa herë i kishte rënë të fikët. Edhe Sarah ishte mjeruar për fatkeqësinë e së bijës dhe dhëndrit që e kishin pasur shtyllën e shtëpisë.
Fatkeqësia nuk kishte ndalur me aq. Një vit më vonë kishte vdekur edhe nëna e saj, Sarah. Dalila kishte mbetur kërcure.
Daja i dhëndrit ishte treguar zemërmirë dhe i kishte ndihmuar, por ajo nuk e merrte dot veten. Vdekja e papritur e burrit dhe e së ëmës i kishin lënë vragë të pashërueshme në jetë. Ishte tërhequr. Nuk fliste me askënd. Qante, vuante dhe e luste Hyjin që edhe asaj t’ ia merrte shpirtin. Edhe pse e re kishte rënë nga shëndeti. Ishte tharë e terur, aq sa dukej për shumë vjet më e moshuar. Nuk mendonte të martohej, më, meqë i dukej se do ta tradhtonte dashurinë e parë.
…
Kalonin ditët, muajt, vitet dhe ajo i kishte mbushur të tridhjetat, kur kishte takuar Efraim varfanjakun. Ai kishte dëgjuar për fatkeqësinë e saj, meqë kishte pasur një lidhje miqësie me dajën e Shlomës. Efraimi, kishte vetëm një kasolle dhe një gomar, me të cilin barte dru dhe bënte tregti të imët nëpër fshat. Rronte shkujdesur. Nuk rruhej dhe rrallë pastronte hiramët e gjatë, të cilët i shkonin zvarrë për tokë. Mirëpo ishte njeri shpirtmirë dhe nuk i kishte bërë askujt keq. Të gjithë e donin dhe e mëshironin. Madje rabini, Isak, shpeshherë e kishte marrë si shembull të një besimtari të përkushtuar, i cili edhe pse i varfër kryente të gjitha obligimet fetare dhe kurrë nuk qahej për varfërinë e tij. Nuk pranonte lëmoshë edhe kur nuk kishte bukë për të ngrënë.
Dalila, duke qene se mendonte që kishte humbur gjithçka dhe për të mos mbetur dyerve të botës, ishte martuar me Efraim varfanjakun dhe Hyji iu kishte falur një djalë, Davidin, të cilin e kishin pagëzuar me emrin e babait të Dalilës. Ajo e kishte ditur se Efraimi nuk kishte kurrfarë pasurie veç një kasolle të mbuluar me kashtë dhe një gomar, me ndihmën e të cilit nxirrte bukën e gojës. Po ashtu e kishte ditur se ai ishte i ndershëm dhe i pastër shpirtërisht. As Dalila nuk kishte trashëguar ndonjë pasuri, meqë daja i burrit të parë, nuk ia kishte dhënë mirazin sipas ligjit, për shkak se Shloma nuk kishte trashëguar pasuri të veten, por kishte jetuar në bashkësi me familjen e dajës së tij. Duke e ditur se Efraimi e njihte Mojsiun madje edhe e donte shumë, një ditë Dalila i kishte thënë të shkonte të Mojsiu dhe ta pyeste Hyjin si do të bëhej puna e tyre, që punonin pa ndalur prej lindjes së diellit e deri në perëndim dhe gjithnjë po mbeteshin të varfër. Një kohë nuk kishte pranuar lutjen e së shoqes, por duke qenë se ajo insistonte për ditë, kishte vendosur t ia plotësonte kërkesën.
…
Një ditë Varfanjaku Efraim, ishte duke pritur në rrugë për ta takuar Mojsiun, i cili qe nisur për në Malin Sinaj, ku fliste me Hyjin JAHVEH. E kishte vërejtur nga larg dhe në mend i silleshin fjalët e gruas së tij:
-Shko, nuk është turp, pyete, e kishte porositur sa e sa herë Dalila
-Mbase nuk është turp por, po më duket një pyetje koti, ia kishte kthyer gruas, i pavendosur për ta kryer porosinë.
– Përse të jetë pyetje koti? Ai është profeti i Madh dhe i din të gjitha, te la pyes Hyjin e tij si do të vejë halli ynë, a do të kemi edhe ne ndonjë ditë të mirë e të begatë, apo kështu deri në fund do ta mbajmë jetën duke shitur dru me një gomar, që është bërë asht e lëkurë.
Nga larg kishte vërejtur profetin, i cili mbante në dorën e majtë disa fleta të pergamenit. Leshrat e kokës dhe të mjekrës i derdheshin në gjoksin e bëshëm, ndërsa vështrimin e kishte hedhur drejt Malit ku do të ngjitej fill i vetëm me shkopin e tij të shenjtë, me të cilën kishte çarë rrugën mu në mes të Nilit…
Asokohe edhe vetë Efraimi, kishte kaluar nëpër Lumin, Nil, kur Hyji i Mojsiut e kishte ndaluar ujin dhe izraelitët kishin ikur nga ndjekja e faraonëve… Në vendin ku parakalonte, Mojsiun e shikonin njerëzia. Disa iu kishin qepur prapa, disa i kërkonin lëmoshë, ndërsa ai ecte në rrugën e tij pa e kthyer kokën anash. Në kohën kur ishte afruar, Efraimi i kishte dalë para. E kishte përshëndetur dhe kishte kërkuar t’ ia dëgjonte lutjen e tij. Mojsiu e njihte mirë dhe e dinte se Efraimi ishte një besimtar i përkushtuar, por shumë i varfër.
-Shalom, iu kishte drejtuar duke e përshëndetur me dorë, për t’ ia tërhequr vëmendjen profetit, që s’ para e kthente kokën anash.
-Shalom elohum, ia kishte kthyer Mojsiu përshëndetjen dhe si për habinë e të gjithëve ishte ndalur dhe ia kishte dhënë dorën varfanjakut, Efraim.
-Nuk do të bezdisja o mbret i besimtarëve, por nuk me shqitet ime shoqe. Ajo më përbeu në emrin e Hyjit tonë JAHV, të pyesësh ATË, se si do të vejë halli ynë, punojmë e rropatemi pa ndalur dhe gjithnjë e më të varfër jemi.
-Do ta pyes, i kishte thënë Mojsiu dhe kishte vazhduar rrugën.
…
Efraimi ishte kthyer në kasollen e tij, të lyr me llaç. Kishte vetëm një dhomë, për veten, gruan, djalin dhe gomarin. Edhe pse i varfër ishte i lumtur. Pas dyzet vjet robërie në tokën e Faraonit, në Egjipt, ishte kthyer në Jude, së bashku me Mojsiun dhe hebrenjtë e tjerë. Nuk punonte më ditë e natë angari, sikur kishte punuar vetëm për një kothere buke, në Egjipt. Një kothere edhe ashtu nuk ishte e mjaftueshme, por e mbante shpirtin. Nuk i kishte borxh askujt. Kur kishte punë te ndonjë i pasur, punonte, siguronte bukën për disa ditë, pastaj priste se ç’ do të dërgonte Hyji nga qielli, ai Hyji i madhërishëm me të cilin fliste Mojsiu, të cilin e donte dhe e nderonte. Vërtetë ishte i varfër, madje e dinte se njerëzia e thërrisnin Efraim varfanjaku, por nuk iu mbante mëri. I tillë ishte, sepse Hyji JAHV, ashtu e kishte përcaktuar dhe ai ishte tejet i bindur se gjithçka në këtë botë bëhej sipas vullnetit të Hyjit, pikërisht sikur e kishte shkruar ai. Duke u mbështetur në besimin e tij, i kishte ardhur rëndë ta pyeste Mojsiun, për të ardhmen, por ja që gruaja e tij, Dalila, nuk e linte të qetë, meqë e dinte se burri i saj e njihte Mojsiun.
Një ditë derisa ishte kthyer nga Sinaji, Efraimi i kishte dalë para Mojsiut dhe iu kishte kujtuar përnjëherë.
-Çka tha Hyji për mua varfanjakun, e pyeti Mojsiu.
– Më tha se ashtu është shkruar dhe ashtu do të jetë.
Efraimi kishte falënderuar Mojsiu dhe shpresëhumbur ishte kthyer në shtëpi ku po e priste e shoqja, Dalila.
-Çka të tha Mojsiu, e pyeti Dalila ende pa u ulur në cungun buzë oxhakut, sikur bënte zakonisht.
-Më tha se ashtu është shkruar, dhe ashtu do të bëhet.
Dalila kishte ndjerë në shpirt një zhgënjim të thellë, ndërkohë iu kishte drejtua burrit.
-Do të takosh sërish Profetin tonë nëse më do.
-Po çfarë t’i them, ai më tregoi se çfarë i ka thënë Hyji.
-T’ i thuash se Je ti Hyji i madhërishëm dhe i gjithëfuqishëm, që pa qenë e ke shkruar si bëhet e so do të bëhet me të gjithë. I thuaj se Ai është madhi, i vetmi që mund ta ndryshojë atë që ka shkruar, sepse fuqia dhe dija e tij janë të paskajshme e të pakufishme.
-Më vjen rëndë ta bezdis sërish profetin, oj grua. Më kupton. Më lehtë rri dy javë pa bukë dhe i provoj të gjitha mundimet, sesa t’i drejtohem edhe një herë.
Dalila kishte insistuar dhe më në fund, duke parë se burri po ngushtohej, i kishte thënë se do ta pyeste vetë, por qe se ai e lejonte. Efraimi, i cili e donte shumë bashkëshorten, ishte pajtuar dhe ditën e nesërme, ia kishte përcjellë Mojsiut pyetjen e së shoqes, duke i bërë me dije se më, nuk do ta bezdiste.
Mojsiu nuk ia kishte parë për të madhe Efraimit, meqë e donte dhe e kishte njërin ndër besimtarët më të përkushtuar.
…
Pasi ishte kthyer nga Sinaji, Efraimi i kishte dalë përpara në mesin e turmës, së besimtarëve që e përcillnin Mojsiun gjatë nisjes për në Sinaj dhe gjatë kthimit.
-Eja Efraim, ia kishte bërë me dorë, Mojsiu, duke e vërejtur nga fundi i turmës. Kam një lajm të mirë për ty. Hyji do t’ia plotësojë tri dëshira familjes tënde të varfër. Të parën, gruas tënde, të dytën ty dhe të tretën djalit tënd.
Efraimi, e kishte pranuar me lehtësi premtimin e Hyjit, e kishte falënderuar atë, por edhe Mojsiun, mirëpo po habitej me vetveten, pse nuk ndiente aspak gëzim. Filloi të dyshonte mos ishte gjë i papastër, apo mos kishte bërë ndonjë mëkat, që Hyji ia kishte ngurtësuar gëzimin.
Kishte hapur derën e shtëpisë dhe ishte ulur në drurin e vatrës për të pushuar nga rruga e gjatë. Ishte i uritur dhe zorrët po e grinin, meqë nuk kishte ngrënë asnjë kothere buke. Djali kishte dërguar shkarpa me gomarin e tij te Farka e madhe e Abraham Eshkenazit, por nuk ishte kthyer. Kur t’ i shiste shkarpat do të blinte miell dhe do të kthente në shtëpi.
Dalila, në orët e pas ditës, pasi kishte kryer punën në orizore, ishte kthyer në shtëpi. Burrin e kishte gjetur në gjumë. Nuk i kishte bërë zë, me qëllim për ta pyetur, meqë e dinte se ishte i uritur nga rruga e gjatë, ndërkohë që priste miellin, që do ta sillte djali. Ajo kishte ngrënë drekë në Orizoren e Moshe Makabit, por ishte në hall me se do ta ushqente burrin e lodhur nga rruga.
Pas pak, djali, Zemrani, ishte kthyer nga farka dhe kishte sjellë disa okë miell, ndërkohë që kishte dërguar gomarin në kullosë.
Dalila, kishte gatuar bukën dhe e kishte pjekur në çerep. E kishte zgjuar burrin nga gjumi dhe së bashku kishin filluar ta hanin bukën e nxehtë, duke avulluar. Nuk e kishte pritur djalin, meqë ai kishte ngrënë bukë te farkëtari.
-Çka të tha profeti o burrë, a ka ndonjë shpresë për ne që pop jetojmë në varfër, i drejtohet Efraimit ende pa mbaruar ushqimin.
Efraimi, kishte përtypur bukën e mbetur në gojë dhe ishte përgjigjur.
-Kam lajm të mirë, oj grua, por zemrën e kam të ftohtë dhe nuk ndiej asnjë gëzim.
-Thuaje pra, do të bëhet mirë?
-Profeti ynë Mojsi, më tha se Hyji ka pranuar tri lutje tona. Një për ty, meqë e para ke kërkuar, nga Hyji që ta fshijë atë që ishte shkruar për ne, një tjetër për mua dhe një për djalin.
Dalila kishte kërcyer nga gëzimi, ndërsa Efraimi e kishte qortuar gruan se nuk po kujtohej t’ i drejtonte një lutje falënderimi Hyjit për plotësimin e tri dëshirave.
Ajo kishte dalë në oborr, kishte ngritur duart nga qielli dhe kishte thënë.
-O Hyj i botërave, o më i fuqishme ndër më të fuqishmit, o më i bukuri ndër më të bukurit, më bën si kam qenë dikur, më bëj vajzë të re!
Dalila në çast kishte ndier sesi trupi po i merrte tjetër formë, kishte prekur flokët që i shtriheshin mbi supe, fytyrën pa asnjë rrudhë, shtatin që ishte mbushur me fuqi. Ishte gëzuar aq fortë sa dukj se do të fluturonte nga gëzimi.
Sakaq kishte hapur derën dhe kishte qëndruar tërë krenari e bukuri para burrit.
Efraimi ishte habitur nga vajza e re, e cila ishte futur në dhomë, pa trokitur.
-Kush je ti dhe çfarë kërkon? – e kishte pyetur.
Dalila kishte qeshur me të madhe dhe iu kishte përgjigjur.
-Jam Dalila, gruaja jote, o Efraim varfanjaku. Ti vetë the se Hyji na ka dhënë nga një dëshirë për të na plotësuar. Unë kërkova të bëhen 20 vjeçe dhe ja si jam tani, nuk po të pëlqej apo, i kishte thënë dhe e kishte përthekuar për shtati.
-Qërohu nga këtu moj e mjerë, nuk je gruaja ime ti! Ajo sapo shkoi te djali. Shporru nga këtu, kishte urdhëruar i xhindosur!
-Jam Dalila, o Efraim, Dalila, Hyji ma plotësoi dëshirën…
Efraimi ishte habitur nga fjalët e gruas së tij, por edhe ishte zemëruar tejmase. Ai ishte plak dhe çka i duhej një grua e re. U inatos shumë dhe tejet i zemëruar iu kishte drejtuar.
-Nëse ti je Dalila dhe ke kërkuar nga Hyji të bëhesh kjo që je, Hyji i madhërishëm të bëftë gur!
Në një çast në vend të gruas iu dëftua një shtatore guri krejtësisht me pamjen e Dalilës. Ai e kishte prekur. Ajo ishte ftohtë, akull. Ishte ngurtësuar. Atëherë, e kishte kuptuar se Hyji ia kishte plotësuar dëshirën, dhe gruan e tij të re e kishte kthyer në shtatore guri. Ishte ulur te druri i vatrës, kishte shtrënguar fortë kokën me duar dhe kishte qarë me ngashërim. Prapë ishte ngritur nga vendi, iu jishte drejtuar malit Sinaj dhe kishte filluar ta këndonte një lutje.
Ndërkohë, djali ishte kthyer, kishte hapur derën dhe ishte habitur kur kishte parë shtatoren e gurit në mes të dhomës.
-Përse ke futur këtë idhull në shtëpi, baba, mos u marrose?
-Nuk është idhull mor bir, është nëna jote, iu kishte përgjigjur i tronditur nga e papritura.
-Nëna ime nuk është prej guri, ti paske lojtar mendsh, o baba.
-Jo mor bir, jo. Ka kohë që iu kemi lutur Hyjit dhe ai na plotësoi tri dëshira, një nënës tënde një mua dhe një ty. Nëna jote kërkoi nga Hyji të bëhet njëzet vjeç dhe Ai ia plotësoi dëshirën, u bë vajzë e re aq sa nuk e njihja. Unë u zemërova aq shumë, kur e pashë te re, ndërsa vet jam plakur dhe nga zemërimi i thashë, Hyji të bëftë guri. Dhe hyji ma plotësoi dëshirën.
Tash ke radhën ti, mor bir. Dil në oborr, drejtohu Sinajit dhe lutu Hyjit të bëhemi sikur kemi qenë.
Djali, pa vonuar kishte dalë në oborr iu dhe kishte lutur hyjit ta bënte nënën sikur ka qenë. Kur hyri në shtëpi pa nënën të ulur buzë oxhakut duke qarë me dënesje. Efraimi po i lutej Hyjit dhe po e falënderonte me gjithë shpirt që sërish ishin bërë sikur kishin qenë, me vullnetin e Hyjit, të cilin e kishte shpërfillur vetëm një herë dhe atë i shtyrë nga bashkëshortja…