(Çaste në ditën e varrimit të Simbolit të Rezistencës Kombëtare, Bacë Adem Demaçi)
Mesditë. Kompleksi i Varrezave, në Velani. Që në mëngjes ka filluar dyndja e liridashësve drejt Prishtinës, pastaj drejt vendit ku do të varroset, trupi i Bacë Adem Demaçit, i cili më 26 gusht u nda nga jeta.
Ceremonia e varrimit ka filluara qysh në orën nëntë në Qendër të Prishtinës.
Qysh para mesditës, grupe të shumta vërshojnë drejt vendit ku në orën 12.00 do të kryhet ceremonia zyrtare, shtetërore, e varrimit të Bacës së Madh, Adem Demaçit.
Unë së bashku me Xhemajl Pllanën, shok i studimeve i Bacë Adem Demaçit, i cili qysh në orën 9.00 erdhi nga Vushtrria në Radion-Kosova e Lirë me qëllim për të shkuar së bashku në varrim, pastaj me djalin tim, Zamirin, nisemi për në Kompleksin e Dëshmorëve, në lagjen Velania. Rrugës Xhemajli, tashmë në moshë 85-vjeçare më thotë:
– Ahmet, e kam vështirë ta shoh të vdekur Demaçin, duke menduar se do të ketë parakalim para arkivolit. I tregoj se homazhet janë kryer dje dhe sot ka mbetur vetëm ceremonia e varrimit.
– Mirë atëherë, nuk jam mësuar ta shohë shtrirë atë burrë, nuk e përballoj, thotë dhe mezi i ndalon lotët…
Afrohemi afër vendit, ku Bacë Adem Demaçi do të prehet në përjetësi, por një pjesë e atyre që kanë ardhur më herët për të marrë pjesë në varrim, kanë krijuar radhë të pa depërtueshme.
Dielli është në zenit dhe shpërndanë rreze mjaft të nxehta, jo lehtë të përballueshme.
Pas pak, aty ku kishin vendosur të qëndronim këmbë në fushën e gjelbëruar, në maje të Prishtinës, mes mijëra pjesëmarrësve në varrim, u takuam me Salih Lajçin, nga Rugova, i burgosur politik, komandant i një Brigade të UÇK-së, vëlla i dëshmorit, Selman Lajçi. Ai kishte ardhur me disa anëtarë të familjes.
Përshëndetemi dhe ngushëllojmë njëri-tjetrin për ndarjen nga jeta të Bacës. Pas pak përshëndetemi edhe me Shefin e Shtabit të UÇK-së, gjatë luftës, komandant Agim Çekun i cili me disa veta depërton në vendin e rezervuar për zyrtarët. Ndërkohë, na bashkohet, Fetah Berisha. Ai përnjëherë shpalos një ombrellë nën të cilën fusim kokat. Fetahu është veteran i arsimit, po ashtu luftëtar i lirisë. Pastaj me disa shokë vjen edhe Sheqir Zeneli, shok imi i studimeve dhe i burgut. Përshëndetemi me të dhe me shumë të tjerë të cilët kanë ardhur për të marrë pjesë në varrim.
Edhe Shyqri Gjinolli, i burgosur politik na heton nga larg dhe vjen për të na përshendetur dhe për të na ngushëlluar.
Në grupe nga gjashtë, tetë, dhjetë veta qëndrojnë të gjithë, qindra syresh në tërë fushën e gjelbëruar, duke shkëmbyer përshëndetje dhe ngushëllime, në pritje të varrimit. Derisa po bisedonim na bashkohet, Lutfi Maqedonci, edhe ai ish i burgosur politik, nxënës imi në Akademinë Pedagogjike, vitin 1981, me të cilin jemi dënuar me burg në mesin e 24 të arrestuarve, në shkurt të vitit 1983. Me Lutfiun ndodhet edhe djali i tij. Përshëndetemi ngrykas, meqë ka kohë që nuk jemi parë. Të gjithë evokojmë kujtime, të gjithë jemi nxënësit dhe pasuesit e rrugës së Bacit Adem dhe sot po e varrosim më të dashurin, më të respektuarin, ndër më të paepurit për çlirim nga robëria, që e ka dhënë Atdheu në kohën tonë.
Malli e pikëllimi janë ngurtësuar në atmosferën e mobilizimit, nuk ka vaje e ofshamë, sepse trimat nuk vajtohen, ata këndohen, përkujtohen dhe mbesin kurdoherë në zemër e në mendje. Pastaj na përshëndet, Bedri Halimi, një veprimtar i njohur, po ashtu i burgosur. Një ish-nxënës nga Gllareva njeh nga larg profesor Xhemajl Pllanën dhe e merr ngrykë, Po shiheshin pas më shumë se 3o vitesh…
Krejt këta bashkëvuajtës e qytetarë liridashës frekuentojnë vetëm në tri katër metra katrorë ku po qëndrojmë. Vendi ka mijëra metra katrorë.
Pak më tutje shoh bijën time, Arbanë Qeriqi-Gashi, djalin tim Epirin dhe Fatmir Graiçevcin. Disa grupe Ppresin në radhë për ta vendosur kurora në shenj nderimi e mos-harrimi.
E marr me mend se sot, këtu në varrim, janë të pranishëm mijëra ish të burgosur, pasuesit e rrugës së Bacës, bashkëveprimtarët e tij, bashkëluftëtarët e UÇK-së, sepse Baca për gjashtëdhjetë vjet të jetës së vrullshme atdhetare kishte ofruar bashkëmendimtarë nga të gjitha trojet e robëruara të Shqipërisë dhe qysh moti jemi bërë një armatë, armatë e cila filloi me Adem Demaçin e më në fund me ndihmën e popullatës liridashëse i solli lirinë atdheut, një armatë e luftëtarëve të përjetshëm, në krye me legjendarin, Adem Jasharin, të cilët nga lufta vijnë e në luftëra shkojnë…
Në orën 12,00 fillon ceremonia zyrtare e varrimit.
Prezantuesi i ceremonisë shpalos programin…
Përmes megafonit dëgjohet zëri i Selatin Novosellës, disa herë i burgosur, bashkëveprimtar i Bacë Adem Demaçit gjatë tërë jetës, njëri ndër njohësit më mirë dhe më të përkushtuar të jetës dhe veprës së Bacës së Madh. Ai thotë: “dhembja jonë sot bacë, ka emrin e Kosovës për lirinë e së cilës flijove rininë, shëndetin, familjen, dhuntinë tënde krijuese. Dhembja e pakufi ka emrin e nënës, e cila të porositi të mos kujdesesh për të, por për nënën Shqipëri. Dhembja jonë Bacë sot mban emrin e atdheut tënd, Shqipërisë, të cilën e quaje Nëna Shqipëri. Baci ynë i mirë, ti më përpara zgjodhe lirinë në burg se sa burgun në liri të rrejshme. Baca Adem sot kur po ndahemi prej teje na ngushëllon vetëm një moment se patëm fatin të jetojmë në epokën tënde…” Fjalët e tij janë mobilizuese, të goditura, kuptimplote që burojnë nga zemra dhe i japin madhështi ceremonisë së varrimit.
Pastaj varrimi, shkrepja tri herë e armëve të Togës ceremoniale të varrimit në nderimin lamtumirës së Bacë Adem Demaçit…
Fillojmë të shpërndahemi, secili në rrugën e tij, me kujtimin që kurrë nuk do të shlyhet nga kujtesa, kujtimi për Bacin e Madh të kohës së madhe të lirisë.
Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet…