Edhe pse dimër dhe acar, pas stuhisë duket sikur moti po qetësohet
Gjatë tërë ditës jemi angazhuar në sajimin dhe marrjen e informatave sidomos nga terreni dhe lajmet që kanë të bëjmë me fatin e Konferencës së Rambujesë.
Me mund dhe punë këmbëngulëse kemi bërë disa ndërrime në program.
Sot kemi qenë në presion të thyerjes që la shkaktuar Konferenca e Rambujesë në opinionin tonë.
Fillimisht kemi emetuar lajmin për formimin e Qeverisë së Përkohshme, e cila doli nga delegacioni shqiptar në Rambuje. Pastaj na erdhi deklarata krejtësisht e kundërt e bacë Adem Demaçit, i cili mori qëndrim mospajtues ndaj kësaj konference.
Deklarata na erdhi nga zyra e Adem Demaçit në Prishtinë. Ne nuk kemi pasur kohë t`i verifikojmë këto deklarata, meqë nuk jemi në kontakt të drejtpërdrejt me delegacionin tonë në Rambuje.
Sidoqoftë sot ndodhi përplasja që nuk është pritur, përplasja e parë e cila do të na shpie në një udhëkryq të rrezikshëm. Egocentrizmi i Bacës Adem kësaj radhe duket i nxituar. Përçarja ka filluar të hetohet edhe në radhët tona. Unë mbaj qëndrim pro delegacionit dhe mendoj se Baca Adem është ngutur. Mjaft i rezervuar në këtë mes është edhe Nezir Myrtaj. Martini, po ashtu me anën e Shtabit, ndërsa Nusret Pllana i mbetet besnik pagabueshmërisë së Bacit Adem.
Në mbrëmje unë dhe Neziri kemi rrugëtuar në drejtim të Kizharekës.
Edhe gjatë rrugës me Nezën kemi biseduar për këtë shkizmë të re. Të dy kemi mendime identike, edhe pse Neziri ka vërejtjet e veta mjaft të bazuara në përmbajtjen e marrëveshjes, të cilën nëse e nënshkruan pala serbe, do të jetë një marrëveshje e keqe, por jo edhe krejtësisht e keqe, meqë pas tri vitesh parashihet Referendumi…