Ahmet Qeriqi: Bëjmë tutje. Një ditë të tërë rrugëtim nëpër dëborë. (E martë 29 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Bëjmë tutje. Një ditë të tërë rrugëtim nëpër dëborë. (E martë 29 dhjetor, 1998)

Ende pa u zgjuar, Rizah Berisha, e ka ndezur zjarrin në odë. Pasi kemi ngrënë bukë, përshëndetemi me Rizahun dhe Milaimin dhe së bashku me Martin Çunin nisemi  në drejtim të Fshatit të Ri. Prej andej këmbë nëpër rrajën e ngushtë të dëborës së madhe  vazhdojmë tutje drejt Divjakës. Rrugës takojmë Isë Krasniqin dhe Idriz Hysenin, të cilët po shkonin në Berishë për të rregulluar tavolinat ku do të vendosen kompjuterët dhe pajisjet e tjera.

Dimri në Rrafshnaltë për shumëçka është i veçantë. Rrezatimi i diellit dhe përshkëlqimi i dëborës së bardhë të bëjnë përshtypje që ke hipur në maje të botës, apo në Klimanxharo. Nga të dyja anët luginat duken të humbura në mjegull. Pejsazhe  magjepëse të natyrës shfaqen në çdo hap të hapërimit tonë të gjatë dhe të mundimshëm nëpër dëborë.

Çajmë rrugën dhe bëjmë tutje.

Duhet të lëshohemi teposhtë Grykës së Kleçkës në drejtim të Shalës. Rrugëtojmë këmbë dhe nuk ka gjasa të takojmë ndonjë xhip apo traktor.

Pas një rrugëtimi katërorësh kemi arritur në Shalë, ku për pak kohë  pushojmë në odë të mikut tim, Adem Shamolli. Ndërkohë Mentor Shamolli duke na parë të lodhur e të dërrmuar nga rruga, merr një veturë të një kolegu të vet  dhe  na çon në Krojmir.

Lajmet që dëgjojmë përmes tranzistorit bëjnë të ditur se sot ka rënë intensiteti i luftimeve në Zonën e Llapit. Flitet për shumë civilë të vrarë gjatë bombardimeve.

Sot ka pasur të shtëna me armë zjarri edhe në drejtim të vendit të quajtur Kroni i Mbretit dhe në Vasilevë. Nuk kemi të dhëna për pasojat që kanë mundur të ndodhin.

Me autobusin e mbrëmjes nga Prishtina kanë ardhur familja e Berat Luzhës, bijat e mia Labja e Rrezja si  dhe Shqipja e Imer Halilit nga Prekazi i Epërm, shoqe e Arbanës. I kemi telefonuar Beratit i cili pas disa orësh ka ardhur për të kaluar një natë me familjen.

Në mbrëmje, sipas kërkesës të Elez Durmishit kam biseduar gjerë e gjatë me Halil Ollurin, djali i Jakup Behxhet Ollurit i cili qysh në mars të këtij viti së bashku me Ramizin kanë hyrë në radhët e UÇK-së. Halili ka qenë luftëtar i dalluar dhe ka marrë pjesë në të gjitha luftimet që janë zhvilluar jo vetëm në anën tonë, por edhe në Llapushnik e gjetkë. Duket sikur ka presion nga ish kreu i LDK-së, nga vëllau Brahimi dhe nga Xhevat Olluri.

Ai nuk pajtohet me qëndrimin tonë ndaj Xhevatit dhe pse është i vetëdijshëm se ai ka ikur pa na lajmëruar. Kjo atij nuk i bën përshtypje.

Ai po ashtu është vazhdimisht në kontakt me personin që quhet Bashkim Fino dhe me njëfarë Nexhin.

Nga biseda që kam zhvilluar me Halilin kuptoj se ai ka paragjykime që është lënë anash, se nuk është avansuar, se iu kanë larguar shokët dhe konstatime të tjera të paqëndrueshme. Edhe gjatë kohës sa kemi qëndruar në Grykë, jo vetëm një herë ka shfaqur dyshime, duke u bazuar në fjalët që ka dëgjuar nga një shok i tij.

Edhe pse është  luftëtar shumë i zoti, niveli i tij intelektual për t `i kuptuar rrethanat nuk është i tillë që ta kuptojë pozitën e vet në hierarkinë ushtarake. Duket se dikush i ka fryrë dhe është duke bërë përpjekje për ta nxitur kundër nesh. Fakti se atë e pranojnë dhe e ofrojnë Bashkim Fino me të tjerët, duke mohuar në anën tjetër krejt punën dhe kontributin e qindra të tjerëve më bën të kuptoj se ky farë Finoja vepron me paragjykime në mënyrë krejtësisht destruktive dhe të rrezikshme.

Pas darke kam shkuar te Luani. Atje kanë qenë tubuar si zakonisht Martini, Galani, Dalipi, Syla, Elezi e të tjerë. Kemi biseduar deri në orët e vona të natës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Armata serbe ka ndërmarrë ofensivë në Zonën Operative të Llapit (E enjte 24 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Armata serbe ka ndërmarrë ofensivë në Zonën Operative të Llapit (E enjte 24 dhjetor, 1998)

Sot në mëngjes Nusret Pllana dhe Martin Çuni janë nisur për në Divjakë. Ata kanë …