Ahmet Qeriqi: Betimi i mbajtur me fanatizëm nga nostalgjikët titistë!

“Shoku Tito ne të betohemi, nga rruga e jote kurrë nuk do të largohemi”!
Bijtë e Titos nuk pranojnë t’i dënojnë krimet, që ka kryer kundër shqiptarëve “më i dashuri, shoku i tyre”, sepse këta janë vetë pjesë e aparatit kriminal, sepse janë këta, që kanë kryer urdhrat e padronit, janë këta që kanë vrarë demonstrues shqiptarë, që kanë vrarë e zhdukur kundërshtarët politikë, që kanë realizuar të gjitha platformat antishqiptare të Beogradit…

Tashmë duket e largët koha kur të gjithë nxënësit shqiptarë, por edhe të kombeve të tjera të ish-Jugosllavisë, mësuesit, arsimtarët dhe profesorët e tyre, kishin brohoritur me vjet të tëra betimin përkushtues: “Shoku Tito ne të betohemi, nga rruga e jote kurrë nuk do të largohemi”. 
Ishte ky betim për prijësin e madh dhe njeriun “më të dashur” të shumicës së shqiptarëve të Kosovës e më gjerë. Ishte një besë që kombet dhe kombësitë e vëllazëruara e të bashkuara të Jugosllavisë i kishin dhënë dikur dhe në një kohë, prijësit të tyre shpirtëror, ideologut të komunizmit jugosllav dhe kreatorit të botës së të painkuadruarve, Josip Broz Tito, i cili vdiq në verë të vitit 1980. Dhe prej ditës së vdekjes së tij filloi të vdiste e të shpërbëhej edhe sajesa artificiale e quajtur RSFJ. 
Çuditërisht kanë kaluar gati 30 vjet nga ajo kohë dhe figura e Titos ka mbetur e paprekur, e nderuar dhe e respektuar në mendjet e robëruara të nostalgjikëve titistë të Kosovës, edhe pse këtë krijesë të komunizmit jugosllav nuk e duan as e deshën compatriotët e tij kroatë, as serbët dhe askush nga kombet e ish Jugosllavisë, përveç një pjelle të zezë nga radhët e kombit tonë, pjellë kjo e cila edhe sot e kësaj dite po i qëndron besnike bashkim vëllazërimit në formë multietniciteti, ashtu sikur edhe ishte betuar 30 vjet më parë. Pionierët e dikurshëm të Titos, ata që në zemër kishin bashkim vëllazërimin, ata që kishin dhënë betim se edhe pas vdekjes do ta vazhdonin rrugën e tij, sot i gjen kudo në Kosovë, kudo, në të gjitha instancat vertikale e horizontale të pushtetit, nëpër ministri, në vendet kyçe të sigurisë, në prokurori, gjykata, madje edhe në ish-TMK e tani FSK, në ish dhe tani policinë e Kosovës. Natyrisht se Titon nuk e kanë dashur të gjithë pionierët njësoj, as të gjithë shqiptarët njësoj, por duhet pranuar me keqardhje se e ka dashur dhe respektuar një shumicë e konsiderueshme, po ajo shumicë skllave dhe besnike ndaj padronit, që e kishte dashur dikur edhe baba Dovletin, madje njëherë e në një kohë ishte nisur për të protestuar duke ecur me ditë të tëra këmbë drejt Stambollit, për të mos lejuar të hiqej nga froni njëri prej sulltanëve të fundit të Perandorisë, që po jepte shpirt. 
E çuditshme është kjo e jona ironi e historisë. Dhe më e çuditshme bëhet sot kur klasa e titistëve të dikurshëm, tani demokratë të postuar nëpër të gjitha partitë politike, nuk tunden dot nga pushteti, që ua kishte lënë trashëgim Titoja i tyre i madh. Tani na kujtohet ajo shakaja e zezë dhe uloke e titistit, Xhavit Nimani, kur në vitin 1981 i kishin thënë se duhej të jepte dorëheqje, edhe pse ai i kishte dënuar me krejt forcën demonstruesit, madje edhe kishte dhënë urdhër që të vriteshin e të burgoseshin. Xhaviti nuk tërhiqej. “Ai qi më ka ulë këtu, ai mundet me m’ hjekë prej ktu, kishte thënë prerë, edhe pse ai që e kishte ulur në atë post kishte vdekur një vit më parë. 
Edhe sot shqipfolësit komunistë jugosllavë, shumë bijë dhe bija të tyre, janë bërë digë e fortë e multietnicitetit dhe përbashkësisë, andaj edhe i kanë përforcuar pozitat në të gjitha instancat, andaj edhe duken qesharake nismat për dënimin qoftë edhe verbal të krimeve të komunizmit jugosllav nga Kuvendi i Kosovës, se lërë më hapjen e dosjeve të krimeve të tyre. Andaj edhe sot i kërcënon deputetët prokurori i dikurshëm dhe kishte dënuar me vite të tëra burg luftëtarët e Republikës. 
Se kush qëndron prapa këtyre forcave edhe kjo dihet botërisht, ashtu sikur dihet se këta janë ata, në të cilat gjithnjë ka llogaritur dhe llogarit Beogradi. Te këto kuadro të famshme të performuara, por aspak të reformuara mbështetet edhe politika e “matur dhe e mençur” e multietnicitetit, e ideuar nga vendet e Evropës. Ata i përkrahin dhe i mbështesin fuqishëm njerëzit që njëherë ulin shpinën dhe lakojnë kurrizin, meqë në kurrizin e tyre të kërrusur mund të kalërojë çdo kush, ashtu sikur kalërohet mbi kurriz të kalit e të gomarit. 
Për ta, është me rëndësi të qeverisin si vasalë, ashtu sikur kanë qeverisur dikur. Është me rëndësi të zhvatin nga të mirat materiale, që marrin për shërbimet e tyre, e sa për Kosovën ka kush interesohet, le të interesohen ata që kanë dhënë gjak, dhe ata që kanë lënë gjymtyrët e tyre për këtë liri me të ardhme të rrethuar. Titistët kanë qëndruar anash në kohë të luftës, sepse luftën nuk e deshën, por nuk qëndruan anash kur u ndanë postet, sepse për ato poste kishin bërë luftë politike gjatë tërë jetës së tyre. 
Bijtë e Titos nuk pranojnë t’i dënojnë krimet, që ka kryer kundër shqiptarëve “më i dashuri, shoku i tyre”, sepse këta janë vetë pjesë e aparatit kriminal, sepse janë këta, që kanë kryer urdhrat e padronit, janë këta që kanë vrarë demonstrues shqiptarë, që kanë vrarë e zhdukur kundërshtarët politikë, që kanë realizuar të gjitha platformat antishqiptare të Beogradit, që kanë diferencuar shqiptarë me bindje nacionaliste e fetare, që kanë përjashtuar nga shkolla mësues e arsimtarë, sepse ata nuk kishin denoncuar se kush prej nxënësve kishte shkruar parullën “Kosova Republikë”, që kanë vrarë e kanë pushkatuar nacionalistë dhe hoxhallarë shqiptarë. Sot këta po i shijojnë frytet e kësaj republike, të cilën asokohe e shanin, e mohonin dhe betoheshin se kurrë Kosova nuk do të bëhet Republikë, ashtu sikur bën be sot Tadiqi dhe Qeveria e Beogradit. 
Tashmë po shihet edhe më qartë se ky soj i njerëzve ende është i fortë, edhe pse në mesin e tyre ka depërtuar ndonjë laraman politik, ndonjë ish i dikurshëm i burgosur politik, ndonjë komandant i ish-UÇK-së e të tjerë si këta. Kur vjen puna të dilet në mejdan, kur vjen puna të vendoset për dhe kundër dënimit të krimeve të komunizmit jugosllav, pse jo të fashizmit jugosllav, sepse ajo ideologji pansllaviste antishqiptare nuk kishte asgjë të përbashkët me komunizmin e deklaruar, atëherë, më vjen keq ta them, por dikush po e ha sapunin për samun, duke sajuar justifikime krejtësisht qesharake. 
Kosovës nuk ia sollën lirinë bijtë e Titos, as hyzmeqarët e përjetshëm të bashkim vëllazërimit, as komunistët jugosllavë, as UDB-ashët, as Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës, as kumbarët e Titos, Rankoviqit e Milosheviqit. Kjo të pakën është e qartë dhe në këto fakte nuk dyshon as ky soj i njerëzve, pa pikë morali njerëzor e kombëtar. Por lirinë e Kosovës po e nëpërkëmbin edhe disa nga ata që kanë marrë pjesë në çlirimin e saj. Dhe çdo kush që mendon se mund të barazohet viktima me xhelatin, se mund ta falë dhe ta amnistojë krimin për hir të një interesi apo për hir të ruajtjes së pozitës, se mund të luajë me ndjenjat e mijëra shqiptarëve të ndjekur, të persekutuar, të vrarë e të masakruar, gabon rëndë, sepse secili mund të falë për veten e vetë dhe jo në emër të të tjerëve, me qëllim për të përfituar për veten, partinë apo klanin e tij. Nuk mund të vazhdohet më tej me praktika të tilla, të cilat nuk zgjidhin probleme por i shumojnë ato, ndërkohë që nxisin edhe më tej mllefin dhe zemëratën e popullit të shumëvuajtur.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …