Në Rashkë, në fillim të shekullit XI, banorët e pjesës veriore të Ballkanit, Servia e kohës romake, shumica me prejardhje nga fiset sllave, kishin krijuar një principatë të fuqishme, e cila përbëhej nga një numër i madh fisesh me prejardhje të përzier racore. Në mesin e tyre ishte shquar familja e Nemanjidëve.
I pari i kësaj familjeve, Davidi, më vonë i konvertuar në Zavid, ishte vetë-shpallur dhe ishte pranuar si kryepar i principatës, e cila shtrihej nga Rashka në Jug e deri te Nandorfehervari, Beogradi i sotëm, në veri. Rashjanët me rastin e ndarjes së Perandorisë, fillimisht kishin mbetur nën ndikimin e Kishës romane, katolike, por ndërkohë, me forcimin e Mbretërisë së Bizantit, shumica e tyre ishin orientuar drejt Konstandinopojës, e cila ishte qendra e ortodoksisë.
Prijësi, Zavid kishte lënë trashëgimtar të fronit, djalin, Stefanin i njohur si Stefan Nemanja, i cili gjatë sundimit kishte përforcuar lidhjet jo vetëm me Vatikanin por edhe me Konstadinopojën.
Fillimisht Nemanja ishte përjashtuar nga trashëgimia e babait, Zavidit, për shkak se ai kishte qenë biri i një gruaje jashtë kurorës, por duke pasur simpatinë dhe përkrahjen e të atit, ai kishte arritur të merrte kreun e pushtetit në Rashkë.
Gjatë sundimit të Stefan Nemanjës, principata e Rashkës ishte zgjeruar në lindje drejt Bullgarisë, por edhe në perëndim, drejt Bosnjës. Stefani edhe pse kishte një qëndrim të rezervuar dhe bënte përpjekje ta ruante pavarësinë më tepër anonte nga perëndimi, edhe për shkak të së ëmës, robëreshës Marë, e cila kishte qenë katolike.
Stefan Nemanja, i biri i Zavidit, kishte lënë bijtë Raskun dhe Stefanin e Dytë.
Rasku i njohur në historinë e Rashkës si Sava i Shenjtë, qysh në fëmijëri ishte edukuar fetarisht dhe kishte përqafuar ritet fetare ortodokse të Lindjes. Ai kishte jetuar në Manastirin e Atonit, në Bizant, ku edhe kishte bërë përpjekje për ta ndarë kishën Rashjane nga Konstandinopoja. Duke qenë se vëllezërit e tij, Stefani dhe Vukani ishin në luftë të pandërprerë për pronat, ai disa herë kishte bërë përpjekje të kota për t’i pajtuar ata. Pasi nuk kishte arritur t’ i pajtonte vëllezërit, ishte tërhequr. Kishte bërë jetën e murgut gjatë tërë kohës. Rasku, i njohur më vonë për aktivitetin e tij fetar nuk ka lënë trashëgimtar. Ai nuk ishte martuar asnjëherë dhe tërë jetën e tij ia kishte përkushtuar ndarjes së Kishës rashjane nga Kostandinopolisi.
Stefan Nemanja, kishte lënë tre bij, në mesi e tyre Urushin e Parë, Vladin dhe Radin. Urushi i parë kishte lënë trashëgimtarët: Millutinin dhe Dragutinin.
Milutini kishte qenë një sundimtar i egër. I pajisur me frymën e egër të fiseve barbare, që ishin dyndur nga malet e Uralit e Dnjeprit, drejt qendrës së Ballkanit, prijësi Millutin me ushtrinë e tij mercenare kishte arritur të zgjeronte zotërimet dhe të robëronte popullatën vendëse arbëreshe, vllahe e tribale.
Ishte treguar shumë i aftë në organizimin e ushtrisë, së cilës i lejonte të kryente barbari dhe shkatërrime kudo nëpër beteja. Pikërisht për këtë kishte tubuar rreth vetes mercenarë vrasës nga shumë shtete të Evropës, madje edhe nga Spanja e largët. Për shkak të vrazhdësisë dhe sulmeve të pandërprera kundër principatave të Bizantit, mbreti, Androniku i Dytë, i ndodhur përballë shkatërrimeve të pareshtura të hordave të Millutinit, kishte lidhur miqësi me këtë despot, asokohe 50 vjeçar dhe në shenjë miqësie i kishte dhënë për grua, bijën e tij 12-vjeçare, Simonidën, edhe pse Millutini ishte i martuar, madje kishte disa gra jashtë kurorës.
Aktin e martesës së tillë, të panatyrshme për një prijës, nuk e kishte bekuar Kisha ortodokse e Bizantit, me qendër në Konstandinojë. Ndërkohë, me qëllim për të ruajtur zotërimet e veta nga frika e plaçkitjes, kisha kishte lëshuar pe, por kishte kërkuar nga mbreti i Rashkës, Millutin, që para se ta merrte për grua Simonidën, të prishte formalisht kurorën me gratë e tij.
Millutini, po ashtu me qëllim për të ushtruar ndikim në Perandorinë e Bizantit, pranon ta marrë për grua Simonidën 12-vjeçare, e cila i sjellë një pajë përrallore, por edhe një miraz me prona e zotërime. I verbuar nga pushteti dhe epshi i tij prej njeriu gjakatar, duke qenë edhe i shthurur moralisht, prijësi Millutin filloi të dyshojë në bijtë e tij, të cilët ishin bërë për martesë dhe ky në vend se t’ i martonte ata, kishte marrë për grua një vajzë 12-vjeçare. Nga frika se mos i biri Stefani do t’ia merrte pushtetin dhe pronat, ai urdhëroi, që djali i tij të dërgohet në Shkup e më pas të verbërohej. Millutini, mendonte se i biri i verbëruar nuk do të mund të bëhej mbret, meqë një të verbëri nuk i lejohej as mund t i jepej, kurora e mbretërisë.
Stefanin e verbër, së bashku me gruan e tij, djalin Dushanin dhe bijën Dashën i dërgojnë në oborrin e Andronikut të Dytë, në Konstandinopolis i cili ishte edhe vjehrri i Millutinit.
Kisha ortodokse e Bizantit ishte shprehur haptas kundër veprimeve amorale të Millutinit. Ajo kishte ushtruar ndikim te kreu i saj në Konstandinopojë dhe kishte arritur, që prijësin, Stefan me familjen e tij të ngushtë ta kthente në Rashkë. Millutini më në fund bindet dhe pranon kthimin e të birit, por e merr peng nipin e tij, Dushanin, nga frika se i biri, Stefani do ta vriste dhe do t’ ia merrte fronin, në Rashkë.
Nën ndikimin e gjyshit, Millutin, dhe të njerëzve të vetë të afërt, të cilët e yshtnin kundër babait, prijësi Dushan ngrihet kundër babait të tij, të cilin e mund gjatë betejës. Me qëllim të konsolidimit të pushtetit, ai urdhëron që në fshehtësi të vritet babai i tij, Stefani, i cili po ashtu, shumë kohë më parë kishte bërë përpjekje ta vriste babanë e vetë, Millutinin, gjyshin e Dushanit.
Prijësi, Stefan Deçani, pak para se ta vrisnin, kishte mallkuar të birin dhe tërë trashëgimtarët, madje thuhet se ai kishte mallkuar edhe gjeneratat që do të vinin nga trashëgimia e tij e gjakut.
Në vitin 1331 Mbreti Dushan kurorëzohet prijës i Servisë llatine, e cila do të quhej “To Servia” e më vonë, Serbia. Kundër tij kishin ngritur kokë prijësit e Zetës, Dhimiter Suma, një arbër nga Shkodra si dhe prijësi, Bugoja.
Dushani, ( i biri i Stefanit, nip i Millutinit, stërnip i Stefan Nemajës) pasi kishte konsoliduar pushtetin fillon luftën kundër prijësve të Zetës dhe i mund ata. Gjatë viteve në vijim, pushton shumë territore të Ballkanit.
Mbretëria e tij shtrihej deri në Detin Adriatik.
Në vitin 1346, prijësi Dushan vetë-emërohet Perandor i serbëve, grekëve, shqiptarëve dhe vllehëve. Asokohe lidh marrëveshje me Malin e Shenjtë, që njihte legjitimitetin e Perandorisë së Bizantit. Marrëveshja arrihet meqë ai kishte premtuar se do ta njihte dhe do ta respektonte autoritetin e Hilandarit.
Kundër emërimit të Dushanit në postin e Mbretit ngrihet Partiarku i Konstandinopojës, Kalisti, i shtyrë nga Gjon Kantakuzeni i Gjashtë. Patriarku hedh anatemën kundër Dushanit dhe kundër patriarkut serb, Joakim, duke i dëbuar nga bashkësia ortodokse e Lindjes.
Në vitin 1347, Dushani, i vetëshpallur Perandor dhe i anatemuar nga Bizanti vazhdon të përgatitet për luftë. Ai nis emisarët e tij te Papa dhe e paralajmëron se do ta pranojë autoritetin e tij, po ashtu edhe ritet fetare, katolike.
Duke qenë se në vitin 1348 në viset e Bizantit kishte rënë murtaja, e cila kishte shkatërruar qytete të tëra, Dushani me një ushtri të madhe kishte sulmuar Thasalinë dhe Epirin. Mirëpo Mbretëria e Dushanit, në atë kohë, po rrezikohej nga një tjetër despot i fuqishëm, që vinte nga Hungaria.
Edhe pse rezidenca e tij ndodhej në Shkup, Dushani me suitën e tij mbretërore jetonte në Prizrend. Duke qenë se ishte shpallur perandor i të gjithë popujve të Ballkanit, ai kishte filluar të pranonte në radhët e ushtrisë së tij kalorës vendorë, arbëreshë dhe vllehë, të cilët po ashtu, në rrethana të caktuara historike e kishin pranuar si mbretin e tyre.
Për shkak të pretendimeve të tij për t u lidhur me Vatikanin, Kisha Ortodokse serbe e kishte helmuar, në dimër të vitit 1355.
Dushani në nuk është shpallur i shenjtë, nga Kisha serbe edhe për faktin se atë e kishte helmuar tinëzisht vetë Kisha.
***
V. Helmimi i Mbretit Dushan
Dështimi i delegacionit në takim me Papën e kishte zemëruar tejmase Mbretin Dushan. Ai, sikur e kishte parandier se nga brenda po zihej një komplot i madh dhe i rrezikshëm. Tashmë kishte filluar të dyshonte në të gjithë, madje edhe në oborrtarin më besnik, Svetolik Rashjanin, në mbretëreshën, e cila i dukej sikur iu kishte bërë pengesë. Ishte vetë, Jella, bashkëshortja, motra e mbretit bullgar e cila i kishte propozuar sa e sa herë të lidhjen me Papën, ndërsa tash kur lishte provuar, ajo ishte tërhequr. Dukej sikur edhe ajo e kishte shtyrë të gabonte. Dyshimi i tillë, por e dërrmonte. Dyshonte në të gjithë ata që e rrethonin. Dyshimin nuk e kishte shprehur haptas, por me intuitën e tij dhe duke analizuar të gjitha vrasjet brenda familjes mbretërore, ai kishte filluar të dyshonte. I sillej në kujtesë edhe mallkimi që i kishte bërë familjes mbretërore, gjyshi i tij. Dyshimet, po e gërryenin nga brenda edhe pse ishte mjaft i fortë fizikisht, por edhe shpirtërisht për të përballuar çdo të papritur. Me qëllim për të zbuluar komplotin kundër delegacionit, ai kishte filluar të bisedonte me të gjithë, veç e veç. Fillimisht kishte biseduar me oborrtarin e tij besnik, Svetolik Rashjani, i cili me kohë kishte pranuar fajin sa i përket raportit me nipin, po kjo nuk mjaftonte. Dushani e kishte kuptuar se ngritja në hierarkinë kalorësiake, që i kishte bërë Nikollë Danait nga Korpoliani kishte zemëruar të gjithë oborrtarët e sidomos klerin ortodoks, por askush nuk kishte marrë guxim që ta kundërshtonte.
Nga krye-oborrtari i tij kishte mësuar se Ati Aleksej, i Manstirit të Dozhanit ishte zhdukur pa shenj e pa gjurmë. Kjo linte për të kuptuar se ai ishte fajtor, mbase edhe njeriu që kishte kurdisur planin për likuidimin e Nikollë Danait. Kishte urdhëruar oborrtarët dhe kalorësit, që Ati Aleksej të gjendej me çdo kusht dhe të sillej para tij. Por kishin kaluar disa ditë dhe nuk kishte rrjedhë as edhe një lajm. Mendohej se ai kishte veshur rrobat e zeza të murgut dhe ishte fshehur në ndonjë manastir, apo kishte ikur për në malin Aton. Murgjit endacakë kishin përhapur edhe lajme se ai kishte rruar mjekrën, ishte maskuar dhe ishte veshur si murgeshë, por nuk dihej ku mund të ndodhej.
Radovan Radunja, ishte po ashtu një i besuar i mbretit, i cili jo vetëm kishte shprehur dyshim në veprimet e Atit Aleksej, por mendonte se ai kishte ndërruar identitet, dhe mund të përgatiste ndonjë befasi tjetër, Për këtë qëllim kishte kërkuar nga Svetolik Rashjani përforcimin e rojave të brendshme dhe të jashtme të Pallatit.
Dushani e kishte kuptuar me vonesë se ideja e tij për t’u lidhur me Papën dhe kthimin e tij në fenë katolike, me qëllim për ta ruajtur fronin dhe për të zhvilluar një kryqëzatë të suksesshme kundër depërtimit turk, kishte qenë ide e ngutshme dhe e papeshuar mirë. Ai kishte qëllim ta ruante tërë Ballkanin, ndërkohë që kërkesa për lidhjen e një aleance me Papën kishte ngjallë një zemërim të thellë sidomos te kleri rashjan, por edhe të disa kalorës të rangut të lartë.
Delegacioni kishte arritur në Avinjon, por Papa e kishte kuptuar se në Kotorr ishin vrarë dy anëtarë të delegacionit dhe ky veprim iu kishte përshkruar vetë Mbretit, për të cilin në qarqe të Evropës ishin përhapur lajme se ai i vriste njerëzit më të afërm, ashtu sikur kishte urdhëruar edhe vrasjen e babait të tij. Rreth figurës së tij ishin përhapur aq thashetheme sa askush në Evropë nuk i besonte ofertave të tij, edhe pse në aspektin diplomatik ofertat e tij merreshin në shqyrtim, por gjithnjë me rezervë dhe duke nënkuptuar prapaskenat, për të cilat ai kishte treguar zotësi.
Propozimi i tij nuk ishte injoruar, por Papa në letrën e tij dërguar Dushanit, atë e kishte quajtur “Mbret të Rashkës” dhe jo Perandor të disa popujve të Ballkanit, ashtu sikur ai ishte vetëshpallur disa vjet më parë. Ky gjest linte për të kuptuar se Papa jo vetëm që nuk do ta ndihmonte në përpjekjet e tij për ta ndaluar depërtimin turk, por kishte lejuar Mbretin e Hungarisë, Llajoshin, që të sulmonte kalorësinë e Dushanit në Bosnje dhe në Raguzë. Ideja për një kryqëzatë ishte varrosur ende pa lindur. Për më keq ai tashmë ishte armiqësuar me të gjithë. Mbretëria e tij do të sulmohej nga mbreti magjar, nga Bizanti e më në fund edhe nga Turqia. Për më keq, ai po sulmohej edhe nga të vetët, nga ata që i kishte ngritur.
Ishte tetori i vitit 1355.
Mark Gjetani kishte dërguar në Pallatin e Mbretit, Janina Nikonin, me bijtë Miroshin e Fitoshin si dhe shërbëtoren e tyre, Shkurta Nikoni. Janinën, më në fund e kishin bindur se po të rrezikonte shumë në anashkalimin e mbrojtjes nga Mbretit, meqë familja e saj në Korpilian mund të sulmohej befasisht nga rashjanët e Dhimitrisë, ashtu sikur edhe ishte sulmuar dhe mund të vriteshin të gjithë. Ajo, edhe pse zemërthyer dhe me ndjenja tejet të trishtueshme, krejt e pasigurt për të ardhmen kishte pranuar të flijohej për bijtë.
Svetolik Rashjani kishte lajmëruar mbretin për arritjen e familjes së Nikollë Danait. Ai i kishte vendosur në një kthinë të jashtme të Pallatit, atje ku banonte edhe familja e Elazar Hebrelanit dhe e disa administratorëve të tjerë të Pallatit.
Mbreti e kishte mirëpritur, vendosjen në Pallat të familjes së Nikollë Danait meqë donte ta shpërblente besnikërinë ndaj tij, sepse i bëhej se e kishte vrarë me dorën e vet, pikërisht në çastin kur e kishte emëruar anëtar të delegacionit. Ai, kishte urdhëruar t’ ia sillnin në Pallat, Janinën me të bijtë.
Ishte habitur nga bukuria e trishtuar dhe vështrimi tejet enigmatik i Janina Nikonit, ndërsa në figurën e Miroshit kishte parë Nikollë Danain e vogël. Ai i kishte premtuar Janinës se bijtë do të rriteshin nën kujdesin e tij, ndërkohë që kishte vendosur që rastin e zhdukjes së Nikollë Danait ta hulumtonte deri në fund…
-Këtu në Pallat do të trajtohesh sikur motra ime, i kishte thënë, por Janina, kishte një ndjenjë të ligë dhe nuk iu besonte fjalëve të tij, edhe pse gjatë bisedës, kishte vërejtur se ai kishte shprehur një keqardhje për fatin e burrit të saj, për të cilin Mbreti thoshte se kishte qenë kalorësi më besnik i tërë Perandorisë së tij.
Ai po ashtu i kishte premtuar Janinës se bijtë do të shkolloheshin dhe do të bëheshin kalorës sikur i ati…
I ndodhur përballë një fushate tejet tinëzare të kurdisur nga të gjitha anët kundër tij, në tetor të vitit 1355, në krye të një kohorte të madhe kalorësish, Mbreti Dushan ishte nisur për në Raguzë, me qëllim për ta takuar edhe njëherë të dërguarin e Vatikanit, Kardinalin, Nikollë Buçaj dhe për ta bindur në qëllimin e tij të mirë në mbrojtje të popujve të Ballkanit nga furia turke, e cila nuk ndalonte zgjerimin e territoreve në viset e Evropës.
Dushani ishte munduar ta bindte Kardinalin e Papës se bashkim i forcave të krishtera të Ballkanit dhe Evropës ishte e vetmja rrugëdalje, jo më për një kryqëzatë kundër Turqisë, sepse kjo nuk ishte e mundur, por për të krijuar një mur të fuqishëm dhe për të mos lejuar më tej depërtimin e turqve. Kardinali Buçaj, nuk i kishte dhënë shumë rëndësi bisedimeve me Dushanin. Ai ishte në dijeni se si ishte sjellë Dushani me një delegacion katolik të Raguzës disa muaj më parë gjatë takimit në Shkup, kur ai i kishte përbuzur dhe ndëshkuar, por nuk e kishte kuptuar kurrë se qëndronte vetë Mbreti pas asaj zezone, apo ata që po ia punonin nën rrogoz.
Pasi ishin ndarë, Kardinali Buçaj me përcjellësit e tij ishte nisur për në Hungari, ku Mbretit Lajosh do t’ ia kumtonte lejen e Papës për të sulmuar zotërimet e Dushanit në Bregdetin e Adriatikut, në Bosnje dhe në Bullgari.
Në kohën kur Dushani ende po mendonte të unifikonte të krishterët, për krijimin e një fronti të përbashkët kundër turqve, mbretëria e tij kishte filluar të sulmohej nga të gjitha anët. Ai kishte qëndruar edhe një kohë në Raguzë me qëllim për të hetuar lëvizjet e mundshme të ushtrisë hungareze, gjermane e polake, e cila komandohej nga mbreti magjar, Llajosh, për të cilin dinte se mbante kontakte të fshehta me Vatikanin dhe kishte synime të pushtonte viset e mbretërisë së Rashkës, sidomos tani kur ai nuk e kishte madje as përkrahjen sa për sy e faqe të Vatikanit.
Prej Raguzës, Dushani me kohortën e tij besnike të kalorësisë, së cilës i mungonin kalorësit trima të Nikollë Danait, ishte nisur në drejtim të Arbërisë, meqë në jug të zotërimeve të tij kishte plasur një kryengritje e paparalajmëruar kundër Bizantit. Gjatë kalimit nëpër Arbëri, nga Vlora në drejtim të Ohrit, meqë bënte acar dhe rrugët ishin zënë nga bora, ai kishte marrë një sëmundje të rëndë të mushkërive. Gjatë qëndrimit në Ohër, ditë të tëra ishte kapluar nga zjarmia dhe temperaturat e larta që nuk i zbrisnin. Mjeku, i pallatit, Damjan Radiq, i kishte përgatitur barna të veçanta për t’ ia zbritur temperaturën. Ai, me krejt ekipin e tij dukej se po kujdesej për shëndetin e përkeqësuar të Mbretit. Mjeku, një muaj para se të nisej me shpurën e Dushanit për në Raguzë, kishte kontaktuar me murgun, Ilija Ivaniq, njeriun më të besuar i Atit Aleksej dhe nga ai kishte marrë urdhra të prerë, për të vepruar në drejtim të helmimit të pahetueshëm të Mbretit, qofte në barna, në pije, apo në ushqim. Takimi, në rrethana të papritura me murgun e kishte frikësuar tejmase mjekun, i cili kishte lidhje të ngushta me Atin Aleksej dhe me nëntokën e klerit ortodoks, që tashmë kishte përgatitur planin edhe për eliminimin e mbretit Dushan, meqë kleri konsideronte humbje të madhe kalimin e tij dhe të të gjithë rashjanëve në fenë katolike. Në një rast të tillë ata do të humbnin shumë nga zotërimet që ua kishin grabitur katolikëve dhe nuk do të mund ta ruanin rolin udhëheqës të fesë në ato troje.
Mjeku Radiq kishte filluar planin për helmimin e ngadalshëm të Dushanit. Ai do të përdorte një sasi të vogël të një lloji të helmit, të cilin e kishte përzier me barnat për zbritjen e temperaturës. Bezdinë dhe shqetësimin e mjekut, i pari e kishte hetuar oborrtari, Svetolik Rashjani, i vetmi nga shpura që i besonte Dushanit dhe ishte në gjendje të sakrifikohej për të. Ai, dinte për lidhjet e fshehta të mjekut me atin Aleksej. Nga shërbëtorja e tij besnike, kishte mësuar se një muaj më parë se të niseshin për në Raguzë, mjeku Radiq ishte takuar me murgun, Ilija Ivaniq, i cili jetonte fshehtas nëpër manastire duke i kryer shërbime Atit Aleksej.
Me intuitën e njeriut që kishte fituar shumë përvojë në jetë, në kurdisjet dhe prapaskenat që zhvilloheshin nëpër oborre mbretërish, Svetolik Rashjani kishte marrë nën hetime, mjekun Radiq. Duke qenë se barnat nuk kishin bërë dobi, ai kishte kërkuar nga mjeku, që ai vetë, të pinte në prani të tij një sasi të barit që i jepte mbretit. Mjeku, në fillim kishte hezituar duke u arsyetuar se kishte fare pak përbërje të barit dhe ajo ishte rezervuar për mbretin, ndërkohë që kishte premtuar se do të pinte para tij sasinë tjetër, që ishte duke e përgatitur me të njëjtën përbërje. Oborrtari, me rrahje duarsh kishte ftuar gardën mbrojtëse dhe kishte urdhëruar t’ ia lidhin duart dhe ta mbanin në arrest mjekun e mbretit.
Kishte shkuar me ngut te mbreti Dushan, i cili po digjej nga zjarrmia. Sytë iu kishin skuqur dhe mezi fliste. Merrte frymë shpesh dhe kohë pas kohe kolli ia ndalonte frymëmarrjen.
-Shkëlqesi, dyshoj në barnat, që je duke përdorur dhe propozoj ta ndërrojmë mjekun. Duke parë se barnat nuk po bëjnë dobi, unë i thashë mjekut, Radiq ta pijë vetë një sasi nga ato barnat që të jep ty, por refuzoi.
-Ma sillni këtu, urdhëron mbreti dhe ngrihet nga shtrati, pa ndihmën e rojtarit që përkujdesej për të
-Të largohen të gjithë, përveç teje dhe mjekut, urdhëron sërish.
Roja personale e mbretit kishte sjellë para mjekun e lidhur me duar prapa dhe ishte larguar.
Oborrtari mbante në dorë barin, duke ia treguar mbretit.
-Kush të ka paguar o pagan i ndyrë i thotë mbreti, i cili edhe vetë kishte dyshuar në barnat që e trullosnin, dhe nuk i bënin dobi, sikur i kishin bërë në të kaluarën kurdo që ishte sëmurë.
-Pije, e urdhëron mbreti.
Mjeku ishte nxirë nga frika. Ai betohej se bari nuk kishte sasi helmi, por ishte sasia e fundit, të cilën mbreti doemos duhej ta merrte, duke u munduar ta binte mbretin se dyshimet ishin krejtësisht të pabaza.
-La ta pijë dhunshëm, urdhëron sërish.
Oborrtari rrah duart dhe në kthinë duken dy rojtarë. Njëri prej tyre e mban shtrënguar për shtati e tjetri ia hap gojën me dhunë dhe ia lëshon sasinë e barit të helmatisur në gojë. Mjeku për pak çaste e kishte mbajtur në gojë helmin dhe ndërkohë e kishte vjellë. Në sasinë e fundit, të cilën ia kishte dhënë mbretit ai kishte derdhur më shumë helm dhe e dinte se ishte i mjaftueshëm për të dhënë goditjen e fundit.
-Merreni dhe torturojeni derisa t’i tregojë të gjitha, urdhëron rojat oborrtari i brengosur tejmase për jetën e mbretit.
Ndërkohë, njëri nga ndihmësit e mjekut, i cili nuk kishte lidhje me mjekun Radiq i sjell një bar tjetër, për ta liruar nga efekti i helmimit.
Dushani nuk e kishte marrë barin, kishte kërkuar t’ i sillnin ujë të vluar dhe njëlloj bime kundër helmimit, duke besuar se do ta ulte efektin e helmit, ndërkohë që nuk i ndërpritreshin ethet dhe zjarrmia.
Ai kishte kërkuar nga oborrtari besnik që qysh në mëngjes të niseshin në drejtim të Shkupit e prej andej në Prizrend. Kishte parandjenja se nuk do ta merrte veten. Dëshironte që sa më parë të arrinte në Pallat, te djali dhe mbretëresha. Me vonesë e kishte kuptuar djallëzinë që i kishte përgatitur Kisha dhe Ati Aleksej, i cili kishte depërtuar madje edhe te njerëzit më besnikë të Pallatit.
-Po shembet mbretëria oborrtar, thotë pasi i kishte pushuar pak kolla e fuqishme.
Djali im, Uroshi është i ri, i papërvojë dhe i ka ngjarë së ëmës. Është një përzierje e keqe, që s bën dot as për ta ruajtur bagëtinë dhe jo më mbretërinë. I vetmi, pas meje le të mbetet Elezar Hebreu dhe ai djali i Nikollë Danait, kur të rritet. Nga pamja duket si babai, por edhe të ëmën e ka trimëreshë. Kërkoj që për hir timin ta ruash edhe pse do ta kesh vështirë, meqë Kisha do të bëjë përpjekje ta helmojë edhe atë. Të gjithë jemi rrezikuar, sepse në gjirin tonë e ruajtëm gjarprin e zi, i cili po na helmon një nga një.
-Do të kalojë hirësi. Sapo të zbardh dita do ta gjej mjekun e vërtetë, ku është e ku nuk është. Nuk mund të na lesh, thotë dhe bën kryq duke pëshpëritur një lutje.
-Lerë mjekun, por dëgjo fjalët e mia, i thotë, pasi kishte prirë një sasi uji.
-Të thash, të kesh kujdes hebreun dhe djalin e Nikollës. Është prishur gjaku ynë, oborrtar. Ky gjak nuk e ngre dot Perandorinë, meqë është helmatisur i tëri. E ka helmatisur kisha, e cila na ka armiqësuar me të gjithë dhe tani po na han një nga një, si lubi. Mbreti kishte filluar të fliste përçart. Kur fillonin ethet, dridhej aq sa edhe shtrati luante nga forca muskuloze e trupit…
Dy ditë më vonë shpura mbretërore, e përbërë nga qindra kalorës të zgjedhur, me dhjetë karroca të mbuluara, që tërhiqeshin nga tri palë kuaj, me një karvan të gjatë të ngarkuar me ushqime, armë e pajisje të tjera, kishte hyrë në Pallatin mbretëror, te Kisha e Shën Gabrielit, në Prizren.
Mbretëresha, Jelena dhe djali Urushi ishin shastisur kur kishin parë Dushanin të shtrirë në ethe e zjarrmi.
Ai mezi merrte frymë.
Fytyra iu kishte çarë, ndërsa sytë, iu kishin skuqur dhe dukej sikur i kishin shterrë.
Ati Mihajlo, një prift besnik i Pallatit kishte filluar përgatitjen e ceremonisë dhe kishte kërkuar lejen nga Oborrtari, Radovan Radunja, që ta vizitonte mbretin dhe të këndonte lutje në prani të tij.
-Mbreti nuk kishte lejuar. Ai nuk fliste dot por kishte bërë me shenjë, që derisa të hiqte shpirt të mos lejonte prift në pallat. Dushani qysh moti e kishte kuptuar se ishte pikërisht një krah i kryepriftërinjve në Kishë, krijesa të Satanait, që e kishin uzurpuar atë. Ata kishin përgjakur popujt dhe kishin likuiduar mbretërit. Urrejtja ndaj Kishës kishte arritur kulmin, kur kishte kuptuar se edhe mjeku i tij i besuar, e kishte helmuar me urdhër te saj. Tashmë ishte vonë për të marrë masa kundër lubisë që po e zhvaste, jo vetëm atë, por edhe mbretërinë që e kishin themeluar paraardhësit.
Kthimi i kalorësve në Pallat kishte sjellë me vete lajmin për helmimin e Dushanit nga Kisha. Murgjit endacakë sakaq e kishin përhapur lajmin edhe në Manastirin e Deçanit, nga ku kohë më parë ishte larguar kryepeshkopi Aleksej dhe disa nga besnikët e tij. Manastiri kishte mbetur nën kujdesin e Atit Jeronim, i cili në shumë raste nuk kishte mbështetur, Atin Aleksej.
Rreth Mbretit, i cili kohë pas kohe humbiste vetëdijen ishin tubuar, mbretëresha Jelenë, djali, Urushi, administratori Elezar Hebrelani me bashkëshortën e tij Milenën, e cila ishte një kushërirë e largët e Mbretit, me të cilën ishte martuar dy vite më parë, pastaj oborrtari besnik, Radovan Radunja, oborrtari Svetolik, eprorë nga grada e brendshme e Pallatit dhe disa shërbëtore të moshuara dhe të besuara të pallatit. Vendi rreth shtratit të mbretit ishin ndiquar me qindra qirinjë ngjyrash të ndryshme.
Më 20 dhjetor të vitit 1355, në orët e vona të natës, kur asnjeri nuk po flinte, këmbana e madhe e Manastirit të Shën Gabrielit dhe të gjitha kambanat e tjera pas saj, kishin dhënë lajmin e vdekjes së Mbreti Dushan, nga pasojat e helmimit.
Sapo kishin filluar kambanat dhe bashkë me to kishte filluar edhe kuja e brithma në Pallat, njëri nga rojtarët e burgut të Pallatit, kishte vrarë brenda në qeli, mjekun Radiq dhe tinëz ishte larguar nga Pallati. Në ikje e sipër, meqë nuk iu kishte përgjigjur urdhërit të rojtarit, ishte goditur me heshtë dhe kishte vdekur. Ky rast jipte për të kuptuar se Ati Aleksej me kohë kishte përcjellë të gjitha zhvillimet në Pallat dhe besnikët e mbretit nuk e përjashtonin mundësinë që vetë Ati Aleksej, i maskuar të ishte i pranishëm në Pallat gjatë tërë kohës.
Varrimi i Mbretit Dushan, në oborrin e Pallatit ishte bërë me prani të shtuar të njësive elite të kalorësisë dhe të këmbësorisë. Në ceremoninë fetare mortore kishte marrë pjesë vetëm, Ati Mihajlo me disa murgj, kori i murgeshave dhe kori i fëmijëve, i cili kishte bartur kryqat për ceremoninë prej Pallatit deri te varri. Temjanin e përgatitur për nderim të mbretit, e kishte shpërndarë një prift plak i Pallatit. Në mesin e atyre që ishin caktuar në korin ceremonial të fëmijëve ishte edhe Mirosh Nikollë Danai.
Fjalën mortore, para mijëra të pranishmëve që kishin marrë pjesë në varrimin e mbretit Dushan e kishte mbajtur Elezar Hebrelani, ashtu sikur kishte urdhëruar Mbreti, i cili pak para se të vdiste u kishte bërë me dije të gjithëve se Elezari do ta trashëgonte mbretërinë, meqë kishte edhe lidhje martesore me fisin e Nemanjidëve….