Ahmet Qeriqi: Biseda rreth riorganizimit të radhëve në nivele më të larta. (E shtunë 31 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Biseda rreth riorganizimit të radhëve në nivele më të larta. (E shtunë 31 tetor, 1998)

Sot ka qenë një ditë tipike e vjeshtës, shumë e bukur për kushte dhe rrethana të zakonshme, mirëpo vetëm një ditë më tepër e rëndë në rrethana të tanishme. Askush nuk i gëzohet ditës së re, edhe pse secili shpreson.

Qetësinë dhe harmoninë jetike të natyrës e prishin ndërkohë shpërthimet e fuqishme. Një zhurmërimë mbytëse bëjnë edhe aeroplanët e armikut në bazën ajrore në Sllatinë.

Rreth mesditës kanë ardhur Hilimi Ramadani dhe Fatmir Xhelili.

Hilmiu i bën me dije Berat Luzhës se Hydajet Hyseni dhe Bajram Kosumi nuk kanë pranuar të vijnë për t`u konsultuar lidhur me disa probleme për të cilat ka shfaqur interesim sidomos Berati, i cili përmes Nusretit ka kërkuar nga Hilmiu që të tubohemi në Krojmir, për të vendosur lidhur me, si thotë mendja e  Beratit, formimin e Qeverisë së Shpëtimit Kombëtar. Jakup Krasniqi tregon spekticizëm të skajshëm për mundësinë e një organizimi të tillë. Të tjerët heshtin ndërsa Berati tërë mllefin e derdh te Bajram Kosumi dhe Hydajet Hyseni, për të cilin ka jo vetëm konsiderata, por mendon se Hyda është e vetmja kokë e cila mund ta ndryshojë situatën.  Berati nganjëherë është i rrëmbyeshëm, i pa takt,  dhe nuk rezonon realisht. Ne të gjithë i kemi shokë Hydajetin dhe Bajramin, por ata, tash për tash duket se  nuk janë të gatshëm të vijnë për të biseduar, të paktën për të na parë, e lërë më të inkuadrohen në radhët tona.

Kemi shtruar për diskutim edhe mundësinë e krijimit të zyrave të UÇK-së nëpër qendra dhe qytete. Ishte ky një propozim imi të cilin e kemi diskutuar me Beratin dhe të cilin e përkrahë sidomos Fatmir Xhelili dhe Hilmi Ramadani. Edhe me këtë rast Jakup Krasniqi tregohet skeptik, meqë sipas tij edhe po të emërohen ato zyre nuk mund të funksionojnë hapur.

-Nuk janë të gjithë shqiptarët të gatshëm të ballafaqohen me probleme të tilla, thotë Jakup Krasniqi, duke analizuar me kujdes dhe duke konstatuar se zyrat e tilla janë vetëm zvarritje kohe dhe nuk sjellin asgjë në drejtim të unifikimin e faktorit politik shqiptar.

Në orët e pas ditës nga Jezerci ka ardhur Ruzhdi Jashari të cilin nuk e kam parë qysh prej kohës para fillimit të ofensivave të verës. Ai na rrëfen për zhvillimet në zonë, për luftimet që janë zhvilluar sidomos në fund të shtatorit. Na tregon për rënien heroike të nëntë dëshmorëve më 29 shtator në Jezerc, në mesin e tyre edhe Gursel e Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi e të tjerë.

Në mbrëmje të gjithë kemi shkuar në odën e Sylë Qeriqit. Atje kemi biseduar deri në orët e vona të natës.

Në kohën kur ishin ngritur të gjithë, secili në konakun e tij për të fjetur, Syla më thotë që të rri edhe pak meqë ka një punë. Pas pak në odë vjen Xhevat Olluri të cilin e kanë sjellë, Faruk Gashi dhe një ushtar tjetër. Xhevati nuk e ka parë të arsyeshme të vijë vetë dhe të shpjegoj se si ndodhi ikja e tij dhe çfarë ka bërë me 12 mijë marka gjermane, të cilat janë grumbulluar nga fshatarët për rregullimin e shkollës. Xhevati mundohet të arsyetohet dhe tregon se paratë do t`i sjellë po qe se kemi nevojë për to. Atij i them se paratë nuk janë të tij dhe nuk ka bërë mirë që nuk i ka dorëzuar me rastin e ikjes nga Gryka e Shpëtimit. Ne nuk do t`i marrim ato të holla, meqë nuk kanë qenë të dedikuara për ushtarë, edhe pse kemi nevojë për ushqim dhe veshmbathje të ushtarëve, i them Xhevatit i cili është larguar pa dhënë kurrfarë shpjegimi tjetër.

Ç` është e vërteta nga toni dhe mënyra si është detyruar të vijë në odë të Sylës, duket sikur e kanë tepruar. Xhevati është një njeri i pavendosur, i plogësht. Ai është treguar krejtësisht i pamatur kur ka ikur nga gryka pa na lajmëruar. Si duket ka menduar se kurrë më nuk do të shihemi. Madje ai nuk ka ardhur vetë për të biseduar për të hollat, por e kanë detyruar.

Pasi është larguar Xhevat Olluri, në odë të Sylës kanë ardhur Naim Imeri, Vehbi Zeqiri dhe Selim Selimi…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …