Ahmet Qeriqi: Bisedë me telefon me ushtarakun Ilaz Dërguti në Zonën Operative të Drenicës (14 mars, 1999)

Edhe sot ka vazhduar ofensiva serbe në zonat e Drenicës, të Llapit dhe të Shalës. Nga të gjitha zonat kemi siguruar raporte tonike të përgjegjësve të informimit. Luftime të rrepta po zhvillohen edhe në Artakoll, në Fshatrat e Klinës dhe në zonën e Llapit.

Sot rreth orës 12,30 minuta forcat serbe nga Carraleva kanë granatuar në drejtim të Zborcit dhe të Blinajës. Disa predha të minahedhësve kanë goditur edhe në brendi të fshtatit Pjetërshticë. Si duket  serbët po planifikojnë fillimin e ofensivës edhe në anën tonë. Bëhet e ditur se në Shtime kanë arritur njësi të motorizuara nga Serbia.

Sot më ka marrë në telefon Ilaz Dërguti, shefi i Operativës i Zonës së Parë të Drenicës. Ilazi është bashkëluftëtar i radhëve të hershme të UÇK-së. Ka qenë krah i fortë qëndrese i legjendarit, Adem Jashari. Ilazi më bën me dije se situata në Drenicë është nën kontroll të forcave të Zonës, ndërsa vijat e frontit tani për tani janë të paprekshme nga armiku. Ai më bën me dije se ka dëgjuar për provokimin që iu ka bërë Sylës në Shalë dhe ka premtuar se së shpejti me disa bashkëluftëtarë do të vijë te ne për t`i sqaruar të gjitha prapaskenat.

Pasi e kemi transmetuar programin në drejtim të Grykës së Kizharekës jemi nisur, së bashku me Nezir Murtajn, Blerim Pejën dhe Behxhet Gashin. Këta të tre shkojnë në Prishtinë, ndërsa me Hilmi Ramadanin dhe Fatmir Xhelilin jemi nisur në drejtim të Krojmirit. Unë kam qëndruar në Shalë te miku im Muhamet Shamolli për t u njoftuar lidhur me incidentin e ditës së djeshme, ndërsa Aliu më vonë vjen për të më marrë. Muhameti nuk është në dijeni të ngjarjes. Pak më vonë vjen kushëriri i tij Fadil Shamolli, i cili gjatë verës ka qenë ushtar në Llapushnik. Fadili e paraqiti një version të tij lidhur me ngjarjen por nuk më dukej shumë i motivuar. Si duket edhe ai ka marrë pjesë në provokim.

Më vonë, me Ali Mullinin kemi shkuar në Krojmir. Te Spitali e kemi marrë edhe Hilmi Ramadanin i cili ka ardhur me qëllim që t`i shohë dhe të qëndrojë pak kohë  me fëmijët e Jakup Krasniqit, të cilët ndodhen në shtëpinë  time dhe të mixhës, në Krojmir.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …