Ahmet Qeriqi: Bisedimet e Kosovës me Serbinë vazhdimisht kanë dështuar dhe do të dështojnë

Në historinë e bisedimeve të Kosovës me Serbinë, apo edhe përgjithësisht në bisedimet shqiptare serbe, nuk është arritur asnjëherë asnjë marrëveshje e dobishme, reciproke për të dy popujt. Për më tepër Serbia, duke qenë shtet më i fortë ushtarakisht e ekonomikisht, dhe duke pasur gjithnjë përkrahjen ushtarake dhe ekonomike të Rusisë dhe të shumë shteteve të Evropës, në vazhdimësi ka bërë përpjekje për eliminimin fizik të shqiptarëve dhe për zhdukjen e tyre masive, madje edhe për copëtimin e Shqipërisë me Greqinë dhe shtetet e tjera sllave në Ballkan.


Të gjitha qeveritë e derisotme të Beogradit, qysh prej kohës kur u krijua Jugosllavia e Versajës, në vitin 1918,  e cila pushtoi më shumë se dy të tretat e territorit etnik të Shqipërisë  e deri tani, nuk është shënuar asnjë marrëveshje efektive, e dobishme dhe reciproke mes serbëve ( sllavëve) dhe shqiptarëve. Edhe nëse ndonjëherë është arritur ndonjë marrëveshje si ato të Esat Pashtë Toptanit, Ahmet Zogut, Fadil Hoxhës, Ali Shukriut, Rrahman Morinës e disa të tjerëve ato kanë qenë krejtësisht në dëm të interesit kombëtar të shqiptarëve, ashtu sikur kanë qenë edhe marrëveshja, apo konferenca e Prizrenit, e gushtit të vitit 1945, kur Kosova pas luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, mbeti sërish nën okupimin e  Serbisë, edhe pse gjatë luftës, iu kishte premtuar bashkimi me Shqipërinë, sipas një Rezolute të  Konferencës së Bujanit, të kohës së luftës.


Bisedimet me Serbinë kanë dështuar gjithnjë dhe gjithnjë do të dështojnë, për shkak se pala shqiptare, në vazhdimësi ka bërë koncesione dhe serbët tashmë janë mësuar, që shqiptarët t’i trajtojnë si vasalë të bindshëm dhe të nënshtruar, meqë në të kaluarën ata kanë krijuar klasën tashmë të njohur të vasalëve shqipfolës, të cilët gjatë tërë një shekulli i kanë shërbyer interesave të Serbisë, jo vetëm në Kosovë, por shpeshherë edhe në Shqipëri.


 


Duke qenë se shqiptarët dhe serbët kanë të përbashkët vetëm armiqësinë e tyre të gjatë, 13-shekullore, është krejtësisht e pamundshme,  që kjo armiqësi historike të kthehet në miqësi  për 12, apo 20 vjet. Ky fakt historik nuk e përjashton mundësinë e përpjekjeve të përfaqësuesve të shqiptarëve dhe serbëve për të vendosur dialog, por është e rrugës që para çdo dialogu palët duhet të kenë pozicione të barabarta dhe paraprakisht duhet të pranojnë parimet e reciprocitetit, tolerancës, korrektësisë dhe respektit reciprok. Asnjë prej këtyre parimeve, në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë nuk i ka pranuar Serbia dhe as do t i pranojë, sepse është pala tjetër, në këtë rast pala shqiptare,  e  cila në çdo dialog apo takim me serbët e sheh veten në pozitë të bretkosës para gjarprit. Për ta ilustruar këtë sindrom duhet të sjellim në kujtesë qëndrimin servil të përfaqësuesve të dikurshëm shqiptarë karshi zyrtarëve serbë, sikur ishin marrëveshjet antishqiptare të Esat Pashë Toptanit me përfaqësuesin e Pashiqit, qëndrimin po ashtu servil e skllavërues të Fadil Hoxhës, Xhavit Nimanit, Azem Vllasit, Mahmut Bakallit, karshi  zyrtarëve komunistë jugosllavë, takimin poshtërues, ( jo detyrues) të Ibrahim Rugovës dhe të delegacionit të Kosovë në Beograd me kryekriminelin Milosheviq, sidomos takimin e majit, të vitit 1999, pastaj të gjitha takimet që u zhvilluan mes delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, në Vjenë deri në vitin 2007, ku serbët bisedonin, por nuk pranonin madje as të përshëndeteshin me anëtarët e delegacionit të Kosovës, të cilëve shpeshherë u mbeteshin duart të zgjatura drejt tyre dhe sytë lëshuar përtokë duke dëgjuar  madje edhe të shara me zë të lartë…


Kulmi i poshtërimit të delegacionit tonë  është shënuar në bisedimet e fundit, në bisedimet e ashtuquajtura teknike mes delegacionit të Serbisë dhe Kosovës. Kryesuesja e delegacionit të Kosovës me qëllim ishte zgjedhur femër nga ndërkombëtarët, duke gjykuar  se delegacioni serb do të ishte pak më fleksibil dhe më i përmbajtur, por as kjo nuk ndodhi. Në të gjitha takimet në Bruksel, luftënxitësi dhe ideatori i pushtimit të veriut të vendit tonë, Bora Stefanoviq, në prani të ndërmjetësuesit, Kuper, ka përçmuar, fyer dhe ka shantazhuar kryesuesen e Kosovës në bisedime, Edita Tahiri. Disa nga skenat e sjelljes mujshare dhe prepotente  të Bora Stefanoviqit i kemi parë sa e sa herë edhe në pamje të drejtpërdrejta nga takimi, edhe pse bisedimet janë zhvilluar pa prani të gazetarëve dhe opinioni në Kosovë nuk ka njohuri të duhura për këto bisedime, të cilat u quajtën teknike, sado që  ishin politike, sepse të bisedohet me Serbinë për mënyrën e  përfaqësimit të Kosovës në takimet ndërkombëtare,  ku do të  jetë e pranishme edhe Serbia, nuk është çështje teknike, por çështje e mirëfilltë politike.


 


Ndërprerja e njëanshme e bisedimeve teknike, në Bruksel nga delegacioni i Serbisë, përforcon argumentin se bisedimet me Beogradin mund të kurorëzohen me sukses vetëm nëse pala e Kosovës bën kompromis, duke pranuar kërkesat e  Beogradit zyrtar.  Në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë tjetër, Beogradi nuk lëshon pe në tavolinën e bisedimeve, meqë Serbia është mësuar që në bisedime vetëm të fitojë dhe të mos humb asnjëherë. Ajo ka fituar në Konferencën e Londrës, në vitin 1913, ka fituar në Versajë, në vitin 1918, ka ftuar në Prizren në vitin 1945, ka fituar kur abrogoi kushtetutën e Kosovës në vitin 1989,  ka fituar në Marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1996 kur e masakroi Bosnjën dhe e ndau sipas  orekseve të veta, ka fituar madje edhe në Marrëveshjen e Kumanovës në qershor të vitit 1999, edhe pse e kishte humbur luftën, por e ruajti   sovranitetin mbi Kosovën,  sipas  rezolutës 1244 të KS të OKB-së.


Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, nuk e pranon tërësinë territoriale të saj, dhe zotohet se në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk do ta njohë shtetin e Kosovës. 


Si mund të bisedohet me Beogradin, kur zyrtarët e kësaj qeverie thonë hapur se “po bisedojmë për të fituar diçka mbi kurriz të Kosovës, po bisedojmë për të arritur kompromis, dhe nëse nuk arrijmë të fitojmë, atë që kemi paraparë, do t i ndërpresim bisedimet”. Pikërisht kjo ndodhi në Bruksel dhe ndërmjetësuesi, i urtë, i butë  dhe i mefshtë,  zoti Kuper u skuq nga zemërimi i Stefanoviqit, por asnjëherë nuk i erdhi keq për pozitën e palakmueshme dhe skllavëruese të  kosovares, Edita Tahiri gjatë bisedimeve.


Si mund ta largojmë Serbinë nga Kosova kur ajo gjatë një dite fut lirshëm dhe shet në tërë vendin tonë  deri në 400 kamionë mallra, ndërsa mezi lëshon një kamion nga Kosova të futet në Serbi?


Si mund ta largojmë Serbinë nga Kosova kur janë tregtarët shqiptarë, janë fara dhe fisi i përzier i kumbarëve të dikurshëm dhe të sotëm, që nuk e bëjnë hasha jaraninë e pobratiminë, kumbarinë dhe dashurinë shekullore me serbët ?


Si mund ta bindim Serbinë se jemi shtet dhe kemi shtrirë sovranitetin në veri, kur atje aterojmë me helikopterët e KFOR-it dhe nuk kemi ushtri, as polici, e cila do ta vendoste rendin dhe ligjin në tërë territorin e vendit?


Duke i parë dhe i njohur shumë mirë pamundësitë dhe kufizimet  tona, në shumë segmente të qeverisjes, Serbia nuk heq dorë nga Kosova. Përderisa ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, pret që serbët të lodhen nëpër barrikada dhe të kthehen në shtëpitë e tyre, serbët presin që një ditë KFOR-it të lodhet dhe të largohet nga Veriu, por edhe Kosova. Fakti se ata nuk janë lodhur, as janë dorëzuar qe 12 vjet flet më shumë, sesa për një konstatim naiv.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …