Kompleksi pyjor i Blinajes, tanimë është nën kontroll të plotë të forcave tona ushtarake. Luftëtarët tanë kanë vënë pika të caktuara të kontrollit në vend-hyrjet e caktuara në një hapësirë në relacion: Zborc, Zllakuqan, Varigoc, Ribar i Madh, Qylagë, Vërshec, Leletiq e Mirenë.
Kompleksi pyjor i Blinajes është i rrethuar me shtylla betoni dhe fije të telit me gjemba, në një sipërfaqe prej 5400 hektarësh pyje të dendura dhe të ruajtura nga drejtoria e pyjeve të cilën e kanë kontrolluar serbët dhe ndonjë shqiptar që atje ka punuar si roje pylli. Serbët kanë kultivuar edhe kafshë të egra, si: Kaproj, drerë, derra të egër. Ata e kanë shfrytëzuar drurin ndërsa vendin e kanë shpallur park kombëtar.
Depërtimi i forcave tona në Blinajë ka një rëndësi të veçantë strategjike meqë ruhet tërë Drenica jugore nga depërtimi e forcave serbe. Atje, në hotelin e njohur të Blinajes, që dikur është quajtur edhe hoteli i Rankoviqit, meqë atje ka pushuar kohë pas kohe shqiptarë-vrasësi dhe shpura e tij e Sigurimit Shtetëror. Përforcimi i pozitave tona në Blinajë ndikon në forcimin dhe në konsolidimin e radhëve të ushtrisë sonë çlirimtare. Serbët kanë frikë të futen atje me këmbësori dhe për ta rivënë nën kontroll ata kanë filluar të përgatiten për ofensivë ushtarake.
Rruga në relacion Krojmir Blinajë është meremetuar. Atje gjatë ditës frekuentojnë dhjetëra traktorë. Nëpër pyjet e pashkelura të Blinajes depërtimi në fshatrat e Rrafshit, është tejet i sigurt. Në bashkëpunim me Këshillin e Emergjencës, kemi siguruar bazat ku e marrim miellin dhe artikujt e tjerë ushqimorë për ushtrinë dhe për popullatën e zhvendosur. Fillimisht miellin, e ngarkuar ba Mulliri i Ismet Asllanit,e zbarkojmë në Krojmirë dhe prej këtu ndahet nëpër zona, sipas planit që ka hartuar Sektori i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përditë në Anadrin dhe në Dukagjin nga Krojmiri depërtojnë 20 deri në 3o tonë miell dhe artikuj të tjerë ushqimorë, si vaj, sheqer, qaj, artikuj të higjienës dhe barna. Ditëve të fundit janë identifikuar edhe disa kontrabandistë të miellit, të cilët prezantohen si ushtarë të Qeverisë, të njëfarë Tahir Zemës. Komandant Shukri Buja ka urdhëruar që miell të marrin vetëm ata që e kanë nënshkrimin e komandantit, Ramush Haradinaj, vëlla i dëshmorit, Luan Haradinaj dhe një trim mbi trimat. Krejt kjo ka shkaktuar rrëmujë të vërtetë. Ushtarët ndihen të shqetësuar për këto ndasi. Shpeshherë krijohet rrëmujë. Ushtarët e Zemës, kanë edhe të holla. Ata e blejnë miellin dhe kanë filluar të bashkëpunojnë me disa tregtarë dhe matrapazë të njohur, pikërisht me ata të cilët ende marrin mall nga Serbia dhe hyjnë e dalin atje pa vështirësi. ( tri fjali të koduara )
Gjatë tërë ditës ka mbretëruar një rrëmujë e vërtetë e vajtje ardhjeve.
Në orët e pas ditës, në Krojmir kanë ardhur Nezir Myrtaj dhe Sheqir Zeneli, Sheqa ka qenë edhe më parë ndërsa Neziri vjen për herë të parë. Neza e ka shfaqë gatishmërinë e tij për të vepruar, sidomos në informim, të cilit edhe i del zot. Ai ndihet mjaft i emocionuar me realitetin e ri që është krijuar në Drenicë. Nezir Myrtaj është personalitet i njohur i Lëvizjes kombëtare. Ka qenë i dënuar politikisht dhe ka mbajtur 10 vjet burg në kazamatet serbe. Neziri, përveç qëndrimit të tij tejet konsekuent dhe të pathyeshëm kombëtar, është edhe analist i shquar i rrethanave politike e shoqërore. Ka shkruar dhe shkruan aktualisht komente për gazetën Zëri i Kosovës, e cila botohet në Zvicër, si organi i Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Me Nezirin njihemi qysh moti. Ai është edhe bashkëshort i Kadrie Gashit, nga Shtimja, stërmbesë e familjes sime, e cila po ashtu ka qenë e burgosur dhe e dënuar për veprimtari antijugosllave në vitin 1981.
Nezirit i kam treguar se kam biseduar me zëdhënësin, Jakup Krasniqi, shok i tij i veprimtarisë ilegale dhe shok i burgut. E kam vënë në dijeni me kontaktet që mbaj edhe me Shaban Shalën, lidhur me përpjekjet që po bëhen për ta siguruar shtypshkronjën dhe pajisjet për radiostacion. Neziri është në mesin e veprimtarëve më të shquar të Lëvizjes. Edhe Sheqir Zeneli, një shok imi i studimeve e më vonë edhe i burgut, ka shprehë gatishmëri për të kaluar përfundimisht në zonat e luftës, atëherë kur ne ta konsiderojmë si të nevojshme. Sheqa ka mbajtur dhe mban kontakte të përhershme me Azem Sylën. Ai qysh moti ka qenë në rrjedhë të disa aktiviteteve ilegale.
Tani për tani Neziri dhe Sheqa kanë ndërmend të kthehen sërish në Prishtinë. Neza mendon që pas disa ditësh, së bashku me Kadrijen dhe Endritin e vogël, djalin katërvjeçar, të vendosen definitivisht në Krojmir.