Ahmet Qeriqi: Bora e madhe i ka zënë të gjitha shtigjet dhe rrugët, 28 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Bora e madhe i ka zënë të gjitha shtigjet dhe rrugët, 28 janar, 1999

Bora që ka filluar të bjerë diku pas mesnatës, e ka mbuluar me një shtresë tjetër të bardhë tërë Rrafshnaltën. Rrugët janë zënë, por gjatë ditës ato sërish do të hapen, meqë qarkullimi në këto anë është i pandërprerë. Dëbora e ka zënë edhe rrugën deri te vend-emetimi dhe për këtë arsye Rizah Berisha është përkujdesur qysh herët që, me ndihmën e ushtarëve të shtabit lokal të Berishës dhe Fadil Berishës ta hapin rrugën, meqë teknikën transmetuese dhe gjeneratorin duhet t`i përcjellin me xhip. Vende-vende trapet  e borës kanë mbuluar rrugët në trashësi deri në një metër, diku edhe dy metra në ndonjë shteg nga ku borën e ka fërfëlluar era.

Pas një pune të mundimshme Rizahu me Milaim Berishën  dhe me tërë ekipin e ushtarëve kanë arritur ta hapin rrugën deri në Kungullar, prej ku e transmetojmë programin.

Gjatë tërë ditës kemi punuar në sajimin e njësive të programit ditor. Kemi marrë informacione nga zonat e luftës. Kemi sajuar emisione dhe reportazhe, si dhe muzikë patriotike, të cilën Nusret Pllana sërish e zgjedh sipas shijes dhe bindjes së tij. E shoh se nuk bën punë fjala as qortimi, mirëpo edhe ai e ka diktuar se unë në raste të tilla tërhiqem, meqë nuk dua të imponohem dhe nuk dua të shkaktoj përçarje.

Prej fillimit të luftës për hir të kësaj çështje madhore, jo vetëm njëherë kam lëshuar pe. Gjithnjë ai që është i arsyeshëm në raste të tilla lëshon pe. Edhe pse në shumë raste ai që lëshon pe, dëmtohet. Me rëndësi është t`i ruajmë radhët

Edhe Berati i ka teket dhe huqet e tij njëdimensionale. Kur ngul këmbë në të tijën ai edhe nëse e kupton se ka gabuar, nuk kthen prapa.

Sot, nuk jam nisur për në Grykë të Kizharekës. Me siguri se as Ali Mullini nuk ka arritur të depërtojë me veturë, edhe pse rrugët lidhëse mes fshatrave prej Kizharekës deri në Pjetërshticë me siguri se i kanë hapur.

Kam përgatitur një emision special letrar për Drenicën.

Jam duke bërë përpjekje për të shkëputur disa efekte muzikore me të cilat do të përcillet tekstit të cilin duhet ta lexojë Nusret Pllana. Unë kam vështirësi të mëdha me lexim. Nuk kam fare kondicion dhe asnjë fjali nuk e lexoj dot pa u mbushur frymë. Krejt kjo ndoshta është pasojë e lodhjes apo e mungesës së kapacitetit të kordave zanore. Kam provuar dy tri herë paralajmërimin e ndonjë emisioni, por jam bindur se nuk është punë që mund t`i dal zot, përveç më raste të veçanta.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …