14 këngëtarë e këngëtare të mirënjohur të këngës shqipe të Malësisë së Mbishkodrës, Mirditës e Malësisë së Madhe kanë kënduar nergut për programin Special të TV-Diellit për Vitin e Ri 2021.
Kënga shqiptare e këtyre trevave shquhet për një këndim autentik, i cili ka ruajtur dhe ndër shekuj ka transmetuar nga brezi në brez këngën epike heroike, këngën e trimërisë, këngët historike si dhe këngë të motiveve të tjera.
Këngëtarët: Ndue Shytani, Fran Kodra, Gjon Frroku, Gjovalin Prroni, Gjelosh Hajdari, Gjon Kosteri, Gjovalin Shani, këngëtaret: Mrika Trumshi, Viola Shqau, pastaj Fran Preçi, Nikoll Dedaj, Pëllumb Vrinca, Kolë Martini, Ndoc Fusha, Gjelosh Kola, Sokol Gjoni, në këngët e tyre kanë sjellë para publikut në Kosovës e më gjerë margaritarë pastër të këngës burimore shqiptare të këtyre trevave të Shqipërisë, ku ndikimi i këngës turke, greke apo sllave po thuajse nuk ndihet fare, për dallim nga disa treva shqiptare të cilat kanë pësuar një ndikim të tillë, ku më shumë e ku më pak, edhe pse ndikimi si i tillë e pasuron dhe në disa raste edhe e begaton atë, sepse muzika ka elementet e veta artistike dhe nuk njeh kufij.
Në trevat e Veriut të Shqipërisë, tradicionalisht është ruajtur kënga rapsodike shqiptare, në mënyrën më origjinale të mundshme të këndimit, madje kjo trashëgimi kulturore artistike ka qenë burim frymëzimi edhe për poetë e krijues të njohur, sidomos për Gjergj Fishtën, i cili me të drejtë cilësohet si Homeri Shqiptar. Ai burim frymëzimi kishte këngën e popullit të kësaj pjese të Shqipërisë.
Kur dëgjon duke kënduar Ndue Shytanin, me zërin e tij të fuqishëm si jehonë bjeshke e alpeve shqiptare, me një fonetikë të pastër të shqiptimit të fjalëve, Fran Kodrën, që e zotëron magjishëm këngën, të cilën e thur dhe e këndon vetë në mënyrë origjinale, Gjon Frrokun, që këndon me pasion të talentit të lindur dhe kur këndon bëhet një me këngën, pastaj Gjovalin Prronin që zbraz zëra si vetëtima me bubullimën prapa, por me një harmonizim të mrekullueshëm të tërësisë së këngës, Gjelosh Hajdarin, i cili kur këndon për Kryetrimin e Arbrit, duket se po vërtit shpatën e Gjergj Kastriotit, dëgjuesi doemos se përjeton jo vetëm disa këngë më shumë të një programi të pasur artistik, por ajo që ngelet në kujtesë për shumë kohë është mënyra heroike, arkaike e këndimit, një këndim i mobilizuar, i lidhur, i sistemuar, i harmonizuar në të gjitha segmentet artistike, që të mbanë vëmendjen vazhdimisht të lidhur për këngën, me përmbajtjen, ritmin dhe gradacionin e saj të fuqishëm.
Kjo mënyrë e këndimit heroik e gjen shprehjen e “fosilit” të vet sidomos në këngët e trimërisë dhe ato historike, që janë edhe repertori kryesor i këtyre këngëtarëve.
Kur këta këngëtarë i këndojnë trimave dhe trimëreshave të UÇK-së, hetohet një mobilizim shtesë, që buron nga atdhetaria e tyre nga dashuria për kombin si tërësi dhe gëzimin e entuziazmin e papërmbajtur për çlirimin e Kosovës. Kjo dashuri e sinqertë dhe vëllazërore për gjysmën e ndarë të atdheut, tani të çliruar nuk është e stisur, por buron nga zemra nga tërë shpirti.
Lahuta dhe kënga e Gjon Kosterit të kthen në të kaluarën e largët të kohëve epike, ndërsa kënga e trimërisë e Gjovalin Shanit të mbush emocione, duke iu kënduar trimave, heroizmit të tyre të frymëzuar nga atdhedashuria. Këta këngëtarë këndojnë përtej kufijve të krahinave apo trevave. Njëri i këndon heroit, Zahir Pajazitit, tjetri Hasan Ballës, Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, kryesisht heronjve të Kosovës, të luftës fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fran Preçi me këngën e tij për legjendarin, Adem Jashari, ka sintetizuar përvojën e tij të madhe profesionale, krijuese dhe interpretuese, duke i kënduar heroizmit shqiptar ndër shekuj, në këtë rast trimit të epokës sonë, Adem Jashari. Këndimi i Fran Preçit shquhet për profesionalizëm dhe kujdesin e veçantë, të cilin ai e manifeston në të gjitha këndet e interpretimit origjinal e domethënës.
Në paraqitjet e tyre për programin Special të TV-Diellit për Vitin e ri 2021 kanë kënduar edhe këngëtaret e njohura: Mrika Trumshi dhe Viola Shqau. Për veçantitë e këndimit të Mrika Trumshit kemi shkruar disa herë, sepse ajo është ndër këngëtaret më origjinale të këndimit shqip. Ajo përveç se këndon me thellësinë e shpirtit, me një pasion të rrallë, edhe dirigjon me duar, me gjeste, me një emetim të shqiponjës në fluturim, pa i bërë zap emocionet, sepse me to i jep shpirtin këndimit deri në ekzaltim. Gjatë këndimit zëri dhe trupi i saj reflektojnë një fuqi të papërmbajtur shpirtëror deri edhe ekzaltuese. Edhe këngëtarja, Viola Shqau, shquhet për një këndim të motivuar, artistik. Ajo tashmë është këngëtare e afirmuar me repertor të pasur të këngëve me motive të ndryshme , që nga ato historike deri te këngët humoristike e shoqërore. Këndimi i saj shquhet për muzikalitet të zërit dhe efekte të pasura të ritmikës në interpretim.
Programin e TV-Diellit për Vitin e Ri 2021 e kanë pasuruar me këngët e tyre edhe Nikoll Dedaj një këngëtar shumë i njohur, kësaj radhe me një këngë humoristike. Pastaj këngëtari i pasionuar i këngëve për dëshmorët e Kosovës, Pëllumb Vrinca, Kolë Martini me këngë për Bashkimi kombëtar, për Shqipërinë e Madhe, Ndoc Fusha Gjelosh Kola e Sokol Gjoni me këngët e tyre për Kosovën, Dukagjinin, Gjakovën. Të gjithë këta këngëtarë kanë veçantitë e tyre të interpretimit profesional dhe serioz që në akord me përmbajtjen e këngës