Ahmet Qeriqi: Cilët ishin dëshmitarët mbi të dhënat e të cilëve u formulua dhe u zyrtarizua aktakuza kundër Adem Demaçit, në vitet 1958-1959 VII

Jeta dhe veprat e simbolit unikat të qëndresës aktive shqiptare, në Kosovë dhe troje të pushtuara  nga Jugosllavia, Adem Demaçi (  26 shkurt 1936-26 korrik 2018) ka qenë e po mbetet burim  frymëzimi për brezat liridashës, por edhe burim i analizave të ndryshme kombëtare e politike të së kaluarës së kohës së tij, që është një jetë e tërë  kushtuar kombit e atdheut, një jetë e tërë në shërbim të kombit e atdheut, një jetë në vazhdim për të mësuar se ku kemi qenë, ku jemi dhe për ku po synojmë.

Na kanë mësuar apo jemi mësuar në mënyrë paushalle, që kur e kujtojmë apo shkruajmë për Demaçin t’ i përmendim 28 vitet e tij  kaluara  në burgje si kapital kombëtar e politik i qëndresës së tij të pashembullt, i vizionit të tij realist në pasqyrimin e rrjedhave e rrethanave në të cilat është gjendur, ka jetuar dhe ka vepruar, por krejt pak për  aktivitetin e tij paraprak, sidomos në vitet 50-të, kur Demaçi ishte formuar si personalitet-protagonist,  kishte ideuar  dhe kishte lëshuar në diskutim me një rreth të gjerë shokësh e miqsh,  projektin e tij për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Njohësit e veprave dhe jetës së Adem Demaçit, qoftë nga ata që rrahim gjoks se e  kanë njohur  më mirë se të gjithë, qoftë nga studiues e historianë që e interpretojnë nga këndet e tyre, qoftë nga ata që e kanë përdorur dhe keqpërdorur si ombrellë, për të fshehur  të ligat dhe zezonat e tyre, askush dhe asnjëherë nuk mund ta përvetësojë, sepse Adem Demaçi gjatë tërë jetës së tij ka qenë vetvetja, shqiptari më i pathyeshëm i të gjitha kohëve, vizionari profetik dhe  shembulli unikat, shembulli lapidar i fenomenologjisë njerëzore, në rastin konkret edhe kombëtare, shqiptare.

Demaçi ka jetuar dhe ka vepruar thjesht, pa synime megalomane, pa pretendime për të treguar epërsi apo luftë për pushtet, pa pretendime për të treguar se ishte i pari edhe kur ishte në të vërtetë, sepse ishte më i përkushtuari, më oratori, më luftaraku, më i guximshmi ashtu sikur edhe kishte qenë, se  ishte më i pazëvendësueshmi, ashtu sikur ka qenë në jetë, por nuk e ka pranuar kurrë, sepse nuk i ka dashur lavdet e krekosjet.

Shembulli i jetës së veprave të Demaçit është “sui generis”, është më i veçanti në të gjitha pikëpamjet sesa  shembulli i ndonjë  personaliteti tjetër i kombit, në kohën kur jetoi dhe veproi.

Andaj ende  ka shumë  çka mësohet nga vepra e tij,  prore, nga çdo brez, nga çdo gjeneratë, e sidomos nga ata që e kanë njohur mirë, e kanë kuptuar e mirëkuptuar dhe kanë ecur dhe ecin rrugës së idealeve të tij.

Ende nuk është e prezantuar  sa duhet aq më pak e analizuar si duhet veprimtaria e tij deri në arrestimin e parë, më 19 nëntor të vitit 1958, në kohën kur ai ishte formësuar si intelektual revolucionar dhe kishte plasuar bindjet e tij politike e kombëtare, krejt hapur në rolin e një opozitari korrekt e konkret. Kjo ishte periudha kur në mendjen e tij po e projektonte rrugën drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar, që ishte preokupimi primar i tërë aktivitetit, e të gjitha bisedave, komentimeve e komunikimeve me bashkëkohësit e tij, duke mbrojtur me konsekuencë të drejtat kombëtare të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar dhe duke bërë përpjekje për të gjetur bashkëveprimtarë idealistë dhe të përkushtuar sikur ishte vetë.

Periudha e jetës së tij prej kohës kur ishte nxënës e deri në vitin 1958, kur ai paraqiti  platformën e tij programore kombëtare në sallën e gjykimit, në Prishtinë, tregonte më së  miri se Kosova dhe viset nën robëri kishin tashmë një emër identifikimi, një emër me një vizion, një emër qëndrese që nuk i bënte syri vërr, një emër që po futej krejt  lirshëm dhe i vetëdijshëm, për  të gjitha rravgimet e vuajtjet  jetësore, jo vetëm në Panteonin e historisë e Kosovës, por në historinë e kombit shqiptar përgjithësisht.

Publikimi, kohë pas kohe nëpër medie i të dhënave të 14 dëshmitarëve shqiptarë në gjykimin e tij, në nëntor-dhjetor të vitit 1958 deri tani ka kaluar dhe është lexuar  si lëndë bruto, por pa analiza e sheshim faktesh, në radhë të parë sepse shumica dërrmuese atyre emrave janë trajtuar si intelektualë, si politikanë, njerëz të kombit, njerëz me reputacion e të tjera e të tjera.

Është irritues fakti se pothuajse asnjëri nga ata dëshmitarë nuk i kishte kërkuar falje Adem Demaçit,  pas daljes nga burgu, madje as pas luftës sonë fitimtare e çlirimtare ku ai ishte protagonist ndër kryesorët në vitin 1999 dhe as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Opinioni i përgjithshëm në Kosovë ka njohur dhe, mjerisht ende  njeh si emra meritorë shumicën e denoncuesve të Adem Demaçit, të cilët për hir të së vërtetës  kishin dëshmuar me korrektësi, sepse për asnjërin syresh, inspektorët e regjimit titist nuk kishin pasur nevojë të nxjerrin  deklaratat dhunshëm e me presion fizik apo psikik. Ata kishin dëshmuar pa asnjë presion dhe të gjithë përveç,  Sabit Ratkocerit, më vonë bashkëmendimtar e bashkëveprimtar i tij kishin komentuar  paraqitje e tij  armiqësore ndaj Jugosllavisë.

Lehtësia e deklarimit të dëshmitarëve, tregon më së miri përcaktimin e tyre konsekuent në mbrojtje të bashkim vëllazërimit dhe të ish-RSFJ-së. Shumica dërmuese e tyre nuk kanë bërë as edhe përpjekjen më të vogël për të minimizuar bisedat me të, për t’ i mohuar po për t’ i paraqitur si biseda  rasti, të cilat nuk mbahen mend gjatë. Të gjithë ishin të vetëdijshëm se kundër kujt po dëshmonin dhe e dinin po ashtu se ai do të dënohej me burg, vetëm për bindjet e tij politike e kombëtare. Asnjëri nga këta dëshmitarë nuk ka folur as ka shkruar ndonjëherë se ka dhënë deklarata nën presion. Asnjëri prej këtyre dëshmitarëve  asokohe nuk ka qenë nën hetime, as është hapur ndonjë procedurë gjyqësore, as i ka pyetur ndonjë inspektor  përse nuk e kishin denoncuar më herët shokun e tyre të studimeve, duke qenë se ishte shprehur hapur kundër Jugosllavisë, për të cilën ata kishin konsideratë të veçantë dhe e pranonin si shtetin e tyre.

Në mesin e katër dëshmitarët më të zellshëm kundër pikëpamjeve  e bindjeve të Adem Demaçit ishte edhe Rafael Sopi. Ai, ashtu sikur  Adem Gajtani, Shemsi Popova  dhe Zekeria Cana e disa të tjerë, në dëshmitë e tij ka analizuar dhe ka komentuar bisedat  të kishte pasur me Adem Demaçin, duke u treguar i distancuar bga ato. Ai tregon se Demaçi i kishte thënë se vetëm në një Shqipëri Etnike shqiptarët do të krijonin edhe letërsi të mirëfilltë, pa pengesa të fjalës e mendimit të lirë. Sopi kishte dëshmuar se Demaçi thoshte se çështja e Kosmetit do të zgjidhet me plebishit, sepse Shqipëria përmes OKB -së do të kërkojë që të zbatohet një anketë në Kosmet, përmes se cilës shqiptarët do të deklaronin vullnetin e tyre. Në këtë aksion Hrushqovi, kryetar i Bashkimit Sovjetik, do t’i ndihmojë Enver Hoxhës që Kosmeti t’i bashkangjitet sa më parë Shqipërisë. Më tej, ai thoshte se e dëgjonte vazhdimisht Radio-Tiranën dhe Moskën, të cilat flitnin për problemin e Kosmetit.

Sopi ka dëshmuar se Demaçi kishte projektuar edhe kryengritjen gjithë popullore me qëllim që Kosova e trojet e tjera të bashkoheshin me Shqipërinë, madje kishte shtuar se atë kryengritje me pëlqimin e bashkëveprimtarëve, do ta udhëhiqte vetë duke u vënë në krye të saj.

Adem Demaçi Më ka thënë se shqiptarët nga Drenica do të ishin më trimat në këtë kryengritje, se të gjithë do të ngriheshin dhe nuk do t’i dorëzonin armët dhe se drenicasit gjatë aksionit të armëve ishin të gatshëm të dilnin në mal dhe të ngriheshin në kryengritje, por për këtë i ka penguar dimri.

Rafael Sopi ka kujtuar edhe një bisedë tjetër kur Demaçi i kishte thënë se po ta dinin shqiptarët gjatë Luftës Nacional-çlirimtare do të mbeteshin nën Jugosllavi, ata nuk do të kishin luftuar në radhët e saj.

Ai përmend edhe rastin e shkrimtarët malazias, Radovan Zogoviq, i cili për shkak se kishte shkruar mirë dhe realisht për shqiptarët, ndiçej nga regjimi. Për dallim nga dëshmitarët e tjerë, Rafael Sopi  ka dëshmuar për disa raste të veçanta të bisedave, duke pretenduar që të dëshmonte sa më shumë për ato që ia kishte thënë Adem Demaçi, por nuk i kishin thënë dëshmitarët e tjerë.

Sabit Ratkoceri, është i vetmi  në mesin e 14 dëshmitarëve, që me asnjë fjalë nuk e kishte rënduar as kishte komentuar për bisedat që kishte pasur me Demaçin. Ai kishte deklaruar shkurt, pa treguar se ishte pajtuar apo jo, duke lënë mos e zbuluar qëndrimin e tij personal  por më vonë e  kishte përkrahur  pa rezervë në vitin 1964. Ai kishte folur edhe për disa atentate, për të cilat Demaçi kishte menduar asokohe se do të bënin bujë dhe ta nxirrnin Kosovën e çështjen shqiptare  në krye të informimit dhe vëmendjes në botë. I vetmi nga të gjithë dëshmitarët, Sabit Ratkoceri ka dëshmuar shkurt dhe me korrektësi, duke mos i mohuar disa nga atë fjalë  që i kishte thënë Demaçi, por  duke mos i komentuar dhe duke u rezervuar të shfaqte   qëndrimin e tij për apo kundër Demaçit.

 

 

  1. RAFAEL SOPI

Dëshmitari, Rafael Sopi, para organeve hetuese, më 14 shkurt 1959, deklaron:

Të pandehurin Adem Demaçi e njoh që nga viti 1956. Me të jam njohur në orët letrare, në të cilat kemi marë pjesë ai, unë, Adem Gajtani e të tjerë. Në biseda politike me mua Adem Demaçi ka filluar të lirohet në vitin 1957. Në fillim fliste për pengesat që po i bënte pushteti në zhvillimin e letërsisë shqipe në Kosmet. Nuk mund të shprehet në një letërsi të penguar gjithë ajo që mendon njeriu, dhe kështu po ngushtohet letërsia, thoshte Demaçi. Që letërsia të zhvillohej më mirë, si dhe, përgjithësisht, kultura kombëtare, Kosmeti duhet të ishte shqiptar. Në Shqipërinë Etnike, si ekonomikisht ashtu edhe në pikëpamje të kulturës, shqiptarë do të zhvilloheshin më shumë se në Jugosllavinë e tanishme.

Lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi Adem Demaçi thoshte se pushteti i tashëm jugosllav po udhëhiqte politikën e Kral Aleksandrit, i cili, po kështu ka shpërngulur shqiptarë për në Turqi. Qëllimi përfundimtar i pushtetit të tashëm jugosllav me shpërnguljen e shqiptarëve është që të zvogëlojë numrin i shqiptarëve në Kosmet dhe, kështu, të pamundësohet bashkimi i Kosmetit me Shqipërinë. Duke folur për Kosmetin, Demaçi thoshte se çështja e Kosmetit do të zgjidhet me plebishit, sepse Shqipëria përmes KB -së do të kërkojë që të zbatohet një anketë në Kosmet, përmes se cilës shqiptarët do të deklaronin vullnetin e tyre. Në këtë aksion Hrushqovi, kryetar i Bashkimit Sovjetik, do t’i ndihmojë Enver Hoxhës që Kosmeti t’i bashkangjitet sa më parë Shqipërisë. Më tej, ai thoshte se e dëgjonte vazhdimisht Radio-Tiranën dhe Moskën, të cilat flitnin për problemin e Kosmeti. Nëse ky aksion nuk do të kishte sukses dhe nëse KB – ja nuk do të lejonte një gjë të tillë, ose në rast se anketa nuk do të jepte rezultate të dëshiruara, sipas tij, atëherë do t’i organizonim njerëzit për kryengritje të armatosur në Kosmet. Lidhur me kryengritjen, më tutje, ka thënë se në krye të saj do të duhej të ishte një udhëheqës, luftëtar i LNÇ- së, i cili e njeh strategjinë dhe taktikën e luftës dhe që ka autoritet ndër shqiptarët. Për këtë kryengritje Demaçi ka folur para meje dhe Mehmet Ahmetit diku në verën e viti 1958, zakonisht kur shkonin rrugës kryesore drejt hotelit “Avalla” në Prishtinë. Po kështu, më ka thënë se ai vetë, me kënaqësi, do ta pranonte udhëheqjen e kësaj kryengritje, në luftë kundër pushtetit të Jugosllavisë, sikur shqiptarët do të ta pranonin këtë. Më ka thënë se shqiptarët nga Drenica do të ishin më trimat në këtë kryengritje, se të gjithë do të ngriteshin dhe nuk do t’i dorëzonin armët dhe se drenicasit gjatë aksionit të armëve ishin të gatshëm të dilnin në mal dhe të ngriteshin në kryengritje, por për këtë i ka penguar dimri. Demaçi ka theksuar se zgjidhje e mirë e çështjes së Kosmetit do të ishte përmes plebicitit, por zgjidhja përfundimtare do të ishte përmes kryengritjes.

Lidhur me të drejtat që i kanë fituar shqiptarët në Kosmet, Demaçi ka folur diku në vitin 1958 dhe për këtë mendonte se pushteti jugosllav nuk do t’u jepte kurrfarë të drejtash shqiptarëve sikur të mos i frikohej ngritjes së tyre në kryengritje. Demaçi më ka thënë, gjithashtu, se udhëheqësit shqiptarë nuk do të luftonin gjatë LNÇ – së sikur ta dinin se kështu do të ndodhte me Kosmetin dhe me rregullimin e tij, se sot ata udhëheqës nuk kanë ku të shkojnë, sepse u janë lidhur duart, andaj janë të detyruar të udhëheqin politikën që u serviret nga Beogradi.

Në lidhje me ndërtimet në Prishtinë, duke u shëtitur më ka thënë: “Ti mendon se ata e ndërtojnë Prishtinën për ne shqiptarët. Ata e ndërtojnë atë për serbët që i sjellin nga Serbia në Kosmet, dhe atë e bëjnë me qëllim të shtimit të numrit të serbëve në Kosmet”. Demaçi, para meje, e ka popullarizuar veprën letrare të Radovan Zogoviqit, për të cilin thoshte se ishte i vetmi nga serbët që e i ka shtruar drejt çështjet e shqiptarëve, se ishte dëm i madhe që Zogoviqi ndodhej në arrest, sepse ai është njeri i mirë, se libri i tij “Këngët e Ali Binakut” është libër i mirë dhe është dëm i madh që ky libër nuk botohet i plotë, por vetëm pjesërisht, në gjuhën shqipe.

Demaçi më ka folur se ai është duke e shkruar një vepër të madhe, në të cilën do t’i shprehë idetë e tij dhe e cila së shpejti “do të shohë dritën” e botimit. Këtë e ka thënë para meje dhe Adem Gajtanit kur ishim në vizitë në shtëpinë e tij. Nuk na e ka treguar veprën e vet, kështu që nuk e di për çka është fjala. Nuk është e vërtetë se Demaçi para meje ka folur për nevojën e formimit të organizatës ilegale, në udhëheqjen e së cilës do të isha edhe unë. Është e vërtetë se kemi qenë bashkë me një rast në hotelin “Nova Jugosllavia”, unë, Adem Demaçi, Anton Pashku, Mehmet Ahmeti, Adem Gajtani, kur Demaçi ka folur për qëllimin se do të nisë botimin e një reviste letrare dhe se për këtë do ta sigurojë një shaptilograf dhe se ne do të ishim pjesëmarrës në botimin e revistës. Mund të ketë menduar se ne mund të paraqitnim ndonjë farë forumi të ndonjë organizate, por unë nuk e kam kuptuar ashtu, dhe as që më kujtohet se jam anëtar i ndonjë organizate, e as që ai më ka thënë ai për këtë.Shpesh jam takuar me Demaçi gjatë viteve 1957 dhe 1958 dhe në shoqëri ai ka folur për këto që deklarova dhe nuk mund të më kujtohen detajet dhe as që mund të shprehem me saktësi se kur i ka thënë këto.

Procesverbalin e lexova dhe në të janë përfshirë fjalët e mia, andaj e vërtetoj me nënshkrimin tim.

U krye në orën 13 e 30 minuta. Procesmbajtës: Ollga Laziq. Organi hetues i autorizuar: Momo Çanoviq. Dëshmitari: Rafael Sopi.

 

  1. SABIT RATKOCERI

Dëshmitari, Sabit Ratkoceri, para organeve të hetuesisë, më 16 shkurt 1959, deklaron:

Të pandehuri Adem Demaçi e kam kushëri të largët dhe me të kam biseduar disa herë gjatë viti 1958. Më kujtohet se me të jam takuar në muajin shtator të vitit 1958, në shtëpinë e tij në Prishtinë. Me këte rast Demaçi më ka folur për padrejtësitë që po u bëhen shqiptarëve në Kosmet dhe më ka shpjeguar se historikisht Kosmeti i takon Shqipërisë dhe kjo është dëshira e të gjithë shqiptarëve. Që të arrijmë sukses në këtë drejtim nuk do të mund të ngriteshim në kryengritje të armatosur, sepse pushteti do ta shuante shpejt ate, por është e udhës që të luftohet në mënyra të tjera për t’i treguar botës se shqiptarët nuk janë të kënaqur. Sipas tij, do të mund të kryheshin disa atentate ndaj udhëheqësve në Kosmet. Ka thënë se do të duhej të kryhet atentat, së pari, ndaj Dushan Mugoshës dhe ndaj Fadil Hoxhës. Këto atentate do të kishin jehonë të madhe në botë dhe të gjithë do ta kuptonin se shqiptarët nuk janë të kënaqur në Kosmet dhe se po luftojnë për të drejtat e tyre. Më pas, Demaçi më ka folur se si edhe nxënësit e tjerë shqiptarë të Gjimnazit do të duhej të luftonin kundër padrejtësive që po u bëhen shqiptarëve kudo qofshin ata, në gjimnaz ose diku tjetër. Tjetër nuk kam çka të them. Procesverbalin e kam lexuar dhe e vërtetoj me nënshkrimin tim. U krye në orën 14 e 28 minuta. Procesmbajtës: Ollga Laziq. Organi hetues i autorizuar: Momo Çanoviq. Dëshmitari: Sabit Ratkoceri.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …