Dje dhe sot në disa portale është përkujtuar “Kushtetuta” e Krahinës së Kosovë Metohisë e vitit 1974, duke e cilësuar si në të arritur dhe fitore të madhe të komunistëve shqiptarë, jugosllavë: Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli, Kolë Shiroka, Azem Vllasi dhe tërë nomenklatura politike e atyre viteve. Rikthimi në kujtesë i kësaj “ngjarje me rëndësi” bëhet për të treguar se politika e drejtë e bashkim vëllazërimit, e shokut Tito dhe besnikëve të titizmit e të rankoviçizmit kishte avancuar Kosovën në Republikë, por pa emër. Madje mund të lexohen edhe konstatime si këto: “Gjendja e shqiptarëve në Kosovë u përmirësua dukshëm nga vitet 70, e sidomos me nxjerrjen e Kushtetutës së Kosovës… Kushtetuta e re jugosllave e vitit 1974, që mbeti në fuqi deri në shthurjen përfundimtare të Jugosllavisë, i siguronte Krahinës Autonome të Kosovës një status të barabartë, në shumë rrafshe me ato të republikave. ( Kosovapress, 22. 2. 2016).
Pastaj afishohen të dhëna rreth barazisë, prosperitetit të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, zhvillimit të arsimit, shkencës, kulturës dhe shkohet deri atje sa konstatohet se kemi pasur të bëjmë me zhvillimin më të madh të mundshëm të shqiptarëve në Kosovë, madje edhe të mirë se sa tani në Kosovën e çliruar nga robëria shekullore serbe e jugosllave dhe krijimit të Shtetit të pavarur.
Mendjet jugo-nostalgjike janë mendje të robëruara. Ata shohin e analizojnë vetëm një segment të realitetit, pa vënë në spikamë se cila forcë dhe cila rezistencë aktive kishte çuar në avancimin e pozitës së shqiptarëve, duke lënë të kuptohet se krejt zhvillimi dhe përparimi ishte rezultat i politikës së drejtë të RSFJ-së në raport me pakicat kombëtare.
Pikërisht në kohën e “artë” të jugo-mendjeve, në Kosovë kishte filluar fushata e egër e arrestimeve të kundërshtarëve të jugosllavizimit të shqiptarëve, me kërkesa për shkëputjen e Kosovës nga RSFJ dhe bashkimit të saj më Shqipërinë. Vetëm një vit më vonë u arrestua për herë të tretë Simboli i Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi dhe shumë bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë të tij. Ai edhe asaj radhe u dënua 15 vjet burg ashtu sikur edhe shumë bashkëveprimtarë të tjerë të tij. Dihet se cili kishte qenë qëndrimi i kreut autonomist të Kosovës i asaj kohe ndaj Adem Demaçit, i cili për herë të tretë ishte prangosur për shkak të bindjeve të tij kombëtare e politike. Për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, gjatë tërë kohës së Jugosllavisë, të gjitha burgjet e atij Shteti kanë qenë të mbushura me shqiptarë. Kjo dihet botërisht edhe pse fshihet me dinakëri nga jug0-shqiptarët, bijtë e bijat e tyre dhe mbetjet e tilla të ndryshme në vendin tonë.
Përpjekjet, që avancimi i pozitës kushtetuese të Kosovës të lidhet me emrin e Titos dhe kreut komunist jugosllav, apo kreut komunist të Kosovës autonome në kuadër të Serbisë, me një përfaqësim krejtësisht formal edhe në federatë, gjithnjë si “Krahinë autonome” janë përpjekje antihistorike, demagogjike, pse jo edhe antikombëtare. Se realiteti kishte qenë krejt ndryshe dhe jo sikur mundohen të na bindin jugonostalgjikët, ka folur e ka dhënë shpjegime të mjaftueshme edhe vetë Josip Broz Tito, i cili kishte kundërshtuar fuqishëm avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, duke fajësuar për këtë edhe shokët e tij më të ngushtë, disa nga komunistët e Kosovës si dhe Republikën e Shqipërisë.
Në fjalimin e tij në Karagjorgjevë , më 21 dhjetor 1979 dhe më 22 dhjetor 1979, Josip Broz Tito kishte thënë: Shokë, më duhet të them, kur është fjala për Kosovën, se të gjithë ata që votuan për Kushtetutën e vitit 1974 do të jenë fajtorë për fatin e Jugosllavisë. I vetmi që pati guxim të votojë publikisht kundër Kushtetutës, ishte heroi i popullit Radenko Mandiqi, i cili pohoi se Kushtetuta e tillë është kundër parimeve të KAÇKJ-së (AVNOJ-it). A nuk është e rëndësishme edhe porosia e Kardelit, i cili, gjatë aprovimit të Kushtetutës, tha: “Nuk është i rëndësishëm shteti, porse ata që kanë pushtetin”. Dhe, po e shihni, tash, kur kemi këso kushtetute, e ajo na e pamundëson kontrollin, sidomos në hapat politikë në republika dhe në krahina, po merr hov nacionalizmi, sikur në Kosovë. Nga kreu ynë ushtarak kam marrë, si bazë për këtë bisedë, një informacion të gjerë me shkrim, të cilën ma ka dhënë gjenerali Lubiçiq, informatë të cilën e kanë nënshkruar edhe të gjithë komandantët e zonave ushtarake, si dhe komandanti i MLJ dhe i ALJ. Duke e lexuar atë informatë, kam qenë i shokuar me informacionet e theksuara mbi situatën në vend. E kam ditur se situata e sigurisë në Kosovë, e për këtë do të flasim gjerësisht pak më vonë, është e keqe, por nuk e kam ditur se marrëdhëniet ndër-republikane mes republikave tona kanë rënë në nivel aq të ulët. Kështu, në atë informatë theksohet se disa kuadro kroate, që edhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kanë pasur ambicie të tilla nacionaliste, tash, në qarqe të njëjta bashkëmendimtarësh, flasin se kemi gabuar që Bosnjë-Hercegovina është formuar si republikë, se ajo i takon Kroacisë, sikur në kohën e luftës kur ishte nën N-D-H-së. Veç kësaj, nga shokët që kanë qenë tek unë para Havanës kam dëgjuar se edhe në Slloveni nuk është duke shkuar puna ashtu si duhet, ndërsa në Serbi thuhet se krahinat paskan fituar, status shteti”.
Nga ky fjalim shihet se idoli i bashkim vëllazërimit dhe i barazisë së kombeve dhe pakicave kombëtare, njeriu i cili ka lënë ndikim të madh te komunistët shqiptarë të Kosovës, nuk e kishte mirëpritur, jo vetëm avancimin e pozitës kushtetuese, por as barazinë e shqiptarëve me popujt e tjerë, ndërkohë që kishte kundërshtuar me forcë bashkëpunimin e Kosovës me Shqipërinë socialiste. Ai për këtë kishte fajësuar dobësimin e federatës, marrëdhëniet e këqija mes republikave, forcimin e nacionalizmit ekonomik dhe politik dhe kizën në vend, e cila ishte mbarsur me antagonizma klasore e politike, të cilat do të çonin në shkatërrimin e pashmangshëm të RSFJ-së, që edhe ndodhi dhjetë vjet më vonë.
Përpjekjet që po bëjnë disa qarqe politike në Kosovës dhe disa medie në shërbim e varshmëri të tyre, lidhur me mundësinë e rikthimit të bashkëjetesës së shqiptarëve e serbëve, sipas modelit të përbashkësisë dhe bashkim vëllazërimit, duke marrë si shembull Titon dhe “pozitën e avancuar” të Kosovës në vitet ’70, janë përpjekje, të cilat kanë për qëllim degradimin dhe degjenerimin e pavarësisë së Kosovës dhe kthimin e Serbisë në Kosovë. Mjerisht, kjo edhe po ndodh në shumë segmente.
Kjo mendësi politike në emër të pajtimit të shqiptarëve me serbë, derisa Serbia nuk lë ditë pa e shfrytëzuar për sulme bizare kundër Kosovës, pastaj fushata kundër UÇK-së, kundër opozitës dhe kundër të drejtës historike të shqiptarëve për një shtet të përbashkët etnik, është dominuese te klasa e sotme qeveritare e Kosovës. Pikërisht për këtë arsye propagandohet e kaluara e “artë” e bashkim vëllazërimit, për këtë arsye nuk botohen shkrime e kritika kundër Josip Broz Titos, komunistit kroat, i cili është shpallur fundërrinë dhe tradhtar i çështjes kombëtare kroate, ndërsa në Kosovë ndonjë ditë mund të shpallet edhe Hero nga fundërrina titiste, rankoviqiste e millosheviqiane.
Fakti se në Kosovë qeverisin titistët e të gjitha përmbajtjeve si në Qeveri, polici, prokurori, gjykata, në disa ministri, në AKI dhe në tërë administratën, bën jo vetëm të mendojmë por edhe të organizohemi e të veprojmë kundër restaurimit të reaksionit titist dhe kundër mendjeve të degjeneruare të bashkim vëllazërimit e përbashkësisë së shqiptarëve me serbë e sllavë të tjerë.
Rikthimi qoftë edhe për nostalgji i Kushtetutës së vitit 1974, është përpjekje për minimin e Kushtetutës së sotme, të cilën e shkel sa herë të dojë kryeministri, zëvendësi i tij dhe shumë qeveritarë të tjerë.