leoni

Ahmet Qeriqi: Çka fshihet në fushatën gjithnjë aktuale të LDK-së kundër, dr. prof. Rexhep Qoses?

Fushata e LDK-së kundër dr. Rexhep Qoses ka filluar qysh kur është krijuar kjo parti, e cila filloi të  vetëquhet “Lëvizje”. Pasi ishte themeluar, më 23 dhjetor të vitit 1989, LDK-ja  ishte regjistruar në Beograd,  në kohën e Qeverisë së Markoviqit, kur në kreun e Serbisë kishte marrë timonin e pushtetit, kryekrimineli, Slobodan Milosheviq. Shumëçka ka ndryshuar prej asaj kohe, por qëndrimi i Qoses ndaj LDK-së nuk ka ndryshuar kurrë, ashtu sikur nuk ka pushuar asnjëherë edhe fushata e LDK-së kundër profesorit të nderuar dhe intelektualit më në zë të kombit, Rexhep Qosja. Çuditërisht kjo “luftë” e një intelektuali në zë, kundër një partie dikur të madhe, por gjatë 22 viteve e ndarë dhe e shpërbërë, nxjerrë në sipërfaqe dy botë që nuk pajtohen, dy botë me mendime dhe ide të ndryshme, dy botë kundërshtare, ku “lufta” në dukje të parë është krejtësisht e pabarabartë, në raport: një intelektual kundër një partie, e cila edhe pse aktualisht  me elektorat të rrudhur e të humbur, megjithatë,  sa i përket numrit të votuesve, në zgjedhjet e fundit, është radhitur  partia e dytë në Kosovë, pas PDK-së.


 


Natyrisht se kjo “luftë” ka gjenezën e vet, e cila bazohet në dy kënde të kundërta të vështrimit lidhur me rrugëtimin e gjatë të Kosovës deri te shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008 dhe pastaj. Gjatë gjithë kësaj kohe, profesor Rexhep Qosja ka kritikuar LDK-në, por edhe partitë e tjera politike, ka kritikuar dhe kritikon edhe regjimin autoritar të Sali Berishës, ka stigmatizuar sa e sa dukuri, që kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë interesin kombëtar të shqiptarëve. Ka kritikuar me fakte  edhe shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare. Në këtë drejtim fitohet përshtypja e gabuar se Qosja, krejt i vetëm qenka  ngritur kundër të gjithëve. Akademik, Rexhep Qosja në rrugëtimin e tij intelektual, për pak kohë edhe politik,  asnjëherë nuk ka qenë i vetëm, por në situata dhe në rrethana të caktuara ka qenë dhe ka mbetur zëdhënës i ideve progresive kombëtare, të cilat i kanë përkrahur dhe i përkrahin pa rezervë ata që i sollën lirinë Kosovës.


Urrejtja dhe mos durimi i LDK-së kundër Qoses, lidhet në radhë të parë me liderin e kësaj partie, Ibrahim Rugova, i cili në përmasat e përgjithshme  intelektuale ndihej shumë i varfër në krahasim me Qosen. Rugova karrierën e tij politike e kishte filluar në kohën e diferencimeve ideopolitike, pas demonstratave dhe protestave të rinisë shqiptare të Kosovës, të marsit dhe prillit të vitit 1981, që kërkonin avancimin e statusit politik të vendit.


Në asnjë shkrim të tij, në asnjë bisedë me miq apo shokë, Ibrahim Rugova nuk e ka përkrahur  kërkesën gjithë-popullore për Republikën e Kosovës. Po të ekzistonte qoftë edhe një fjali e tillë, e shkruar apo e thënë nga ai “rugovistët” do ta kishin afishuar si moto, madje edhe nëpër rrugët e Kosovës. Ibrahim Rugova pajtohej me gjendjen ekzistuese dhe asnjëherë nuk e kishte ngritur zërin kundër linçimeve e difenecimeve që u bëheshin intelektualëve dhe studentëve shqiptarë. Rexhep Qosja, nuk kishte lejuar vetën të diferenconte studentë e profesorë sikur bënin kolegët e tij të shumtë, nën presionin direkt të Azem Vllasit dhe të partiakëve titistë të asaj kohe.


 



Ibrahim Rugova mbronte idenë se të drejtat e shqiptarëve duhej të realizoheshin në bazë të platformës së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, për Kosovën, platformë e KQPKJ,  kjo e cila ishte përkrahur nga shumica dërrmuese e partiakëve shqiptarë,  titistë, por nuk ishte përkrahur nga një pjesë e intelektualëve,  të cilët pastaj u bënë shënjestër e sulmeve, diferencimeve, izolimeve, maltretimeve, e më në fund edhe burgosjes e dënimeve të rënda me burg. Dhe, për më keq, Ibrahim Rugova ishte shprehur asokohe se “demonstratat e vitit 1981, kishin stopuar rrugën e integrimit të shqiptarëve në Jugosllavi dhe kishin dëmtuar arritjet e deriatëhershme të Kosovës”.


Ishte dr. Rexhep Qosja, asokohe, por jo vetëm ai,  i cili haptas përkrahu kërkesat e rinistë studentore të vitit 1981 ashtu sikur ka përkrahur në vazhdimësi Lëvizjen e rezistencës aktive,  e cila çoi në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimin e vendit nga robëria serbe. Në anën tjetër, Ibrahim Rugova nuk ka përkrahur, as edhe një segment militant të luftës për liri e pavarësi. Ai i ka diferencuar ish-të burgosurit politikë, ndërsa në mars të vitit  1998, në kohën e fillimit të luftës të UÇK-së, kishte përjashtuar nga LDK-ja po thuajse të gjithë kuadrot që nuk pajtoheshin me fiksionin e tij pacifist dhe kishte mbajtur zgjedhje të lira në kohën kur regjimi kriminal i Milosheviqit masakronte popullatën civile shqiptare në Kosovë dhe kishte filluar luftën kundër UÇK-së.


Pretendimet e sëmura të rugovistëve për ta paraqitur Rugovën të pastër politikisht e kombëtarisht, i ka varrosur vetë Rugova me veprimet e tij sa kishte qenë gjallë, dhe ato veprime nuk mund të ndreqen duke injoruar Qosen, sepse ai gjatë tërë kohës iu  kishte bërë me dije shqiptarëve liridashës  se cila ishte politika improvizuese dhe asgjë-bërëse e Ibrahim Rugovës.


Rugovistët, ata më fanatikët dhe më të handakosurit si Eqrem Kryeziu, Jusuf Buxhovi, Isa Mustafa, Nexhat Daci e të tjerë  kurrë nuk e kanë harruar as do ta harrojnë dëmin që ia ka sjellë rugovizmit dhe politikës paficiste skllavëruese,  Qosja dhe UÇK-ja. Pikërisht për këtë, emri dhe vepra e Rexhep Qoses atyre u përkujton luftën e pastër dhe pakompromis që shkrimtari, intelektuali dhe zëdhënësi i aspiratave për liri dhe bashkim kombëtar, Rexhep Qosja i ka bërë politikës pacifiste, nënshtruese dhe skllavëruese të Ibrahim Rugovës.


Kreu i LDK-së qysh moti e ka identifikuar ndikimin që ka ushtruar dhe ushtron profesor doktor Rexhep Qosja. Mendimi dhe vlerësimi i akademikut të nderuar, në mesin e shqiptarëve liridashës, është ifuqishëm,  andaj edhe lufta e tyre kundër Qoses është e pakompromis, madje në shumë raste është edhe e ulët, uloke dhe naive. Urrejtja që manifestojnë kuadrot udhëheqës të LDK-së kundër Rexhep Qoses, përpjekjet për diskreditimin e tij, madje edhe përpjekjet që bënë në nëntor të vitit 2008 për ta nxjerrë me dhunë nga Instituti, fushata e tanishme antiqytetëruese kundër botimit të kompletit të veprave të tij, tregon se sa të mjerë janë këta njerëz, se të palogjikshëm janë dhe sa mizorë në qëndrimet e tyre komsomoliste.


Fushata e fundit e LDK-së kundër Rexhep Qoses lidhet me kritikat realiste dhe të dokumentuara, që ai ia bëri Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e cila qysh prej themelimit ka qenë dhe ka mbetur “pronë e trurit tashmë senil” të LDK-së.


Shqiptarët liridashës të Kosovës e më gjerë e dinë mirëfilli se në  Akademinë e Shkencave  dhe të Arteve të Kosovës, nuk është qoftë  edhe vetëm një akademik, që të mos e ketë pasur triskën e Lidhjes Komuniste Jugosllave. Ma do mendja të besoj se nuk ka dhe nuk ka si të ketë,  kur atje “mrizojnë” po ata akademikët e motit, mendjet tashmë senile që nuk iu vlejnë as familjeve të tyre se lërë më shoqërisë së Kosovës. Kërkoj falje nga ndonjë akademik, i cili nuk është i tillë, i cili mund ta ketë pasur triskën  e LKJ-së sa për sy e faqe, por i cili me vepër ka treguar të kundërtën e “triskës” apo i cili ka pasur  fare librezë partiake të LKJ-së, por  nuk ka qenë poltron i ish regjimeve okupatore. Nuk është e thënë që të gjithë këta akademikë të kenë qenë edhe zyrtarë të lartë në të kaluarën,  madje edhe në kohën e Milosheviqit sikur dr. prof, ekonomisti me nam, varrmihës i tre përqindëshit  dhe  kryetar me tapi i Prishtinës, Isa Mustafa, por e keqja është  se këtyre  “akademikëve  të përgjumur” nuk u dëgjohet zëri, në rastet kur duhet të thuhet fjala, e këtyre,  që veten e konsiderojnë si “truri” i kombit.


ASHAK-u nuk e ka përkrahur luftën e UÇK-së,  nuk e ka përshëndetur hyrjen fitimtare të ushtarëve të lirisë në Prishtinë, nuk e ka njohur Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, (Qeverinë e luftës)  nuk e ka njohur as e ka përkrahur luftën e UÇPMB-së, as luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Nuk ka marrë në mbrojtje interesin kombëtar të shqiptarëve të goditur nga UNMIK-u dhe tani nga EULEX-i, ka reaguar me vonesë  në stilin “kukulele” me rastin e botimit të “Enciklopedija VO Makedonija” , e cila fyen dhe poshtëron shqiptarët, duke pasur anëtar të këshillit botues edhe një sivëlla  të tyre, akademik, shqipshkrues.


Logjikisht shtrohet pyetja përse u dashka me çdo kusht të ruhet ky kor pleqsh, me tituj plot, gjithnjë mjeranë dhe gjithnjë poltronë ndaj ish regjimeve?


Opinioni liridashës i Kosovës e më gjerë ka të drejtë të dijë ku qëndron fakti se LDK-ja u shprehet kundër ligjit për ASHAK-un, të propozuar nga deputeti, Vataj. Nuk ka fare bazë arsyetimi se LDK-ja u tërhoq nga aprovimi i ligjit për shkak se PDK-ja po pretenduaka ta marrka Akademinë. Ky arsyetim i mjerë vërteton faktin se LDK-ja pranon se e ka bërë pronë partiake Akademinë. Dhe kur, dr. Rexhep Qosja zbulon se çka ka brenda në ASHAK dhe çfarë “pune” bën kjo Akademi, atëherë LDK-ja shastiset, e humb fare toruan dhe kërkon linçimin e tij, edhe pse  e di fare mirë se në Kosovën e sotme demokratike, në Kosovën e çliruar me gjakun e bijave dhe bijve më të dinjitetshëm të kombit, në Kosovën e pavarur nuk mund të linçohet askush, aq më pak zëri më i ndërgjegjësuar i kombit dhe intelektuali, i cili gjatë tërë jetës së tij punoi e veproi vertikalisht, gjithnjë  duke mbrojtur interesin e kombit dhe duke i begatuar vlerat shpirtërore e morale të kombit në përgjithësi .


 


Dhe , për të dëshmuar me fakte se cila është prejardhja politike e ideologjike e këtyre akademikëve, po afishojmë vetëm disa të dhëna biografike, shumë kontradiktore të Isa Mustafës, i cili  ishte dhe është  më i zëshmi në sulmet e tij kundër dr. Rexhep Qoses.


 


Në Vikipidia  është postuar kjo biografi për Isa Mustafën, duke anashkaluar në tërësi aktivitetin e tij në LKJ, në kohën e esattoptanistit, Rrahman Morina dhe kryekriminelit serb, Milosheviq.


 


Edukimi:Në Prishtinë ka kryer shkollimin fillor, atë të mesëm dhe Fakultetin Ekonomik. Ka magjistruar në shkencat organizative – Menaxhmenti Financar dhe ka doktoruar në ekonomi në fushën e Lidershipit të ekonomisë.


Kariera Politike:   Është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.


Kariera e punes: Është profesor i Ekonomiksit (Mikroekonomisë) dhe i Menaxhmentit Financiar në Universitetin e Prishtinës. Nga data 14 shkurt 2006 është emëruar Këshilltar i Lartë për Ekonomi i Presidentit të Kosovës, detyrë të cilën e ka kryer deri ka sa është zgjedhur kryetar i Komunës së Prishtinës. Ka qenë i angazhuar aktivisht në organet drejtuese të institucioneve me rëndësi për Kosovën: anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, anëtar i Bordit Drejtues të Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës, Nënkryetar i Institutit për Hulumtime Zhvillimore Riinvest dhe bashkëthemelues i Universitetit Riinvest.


Ekspertizën profesionale e filloi nga viti 1974 si pedagog në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë ka qenë edhe kryetar i Qeverisë Komunale të Prishtinës (1984-1988), drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës dhe ministër i Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës (1991-1999). Ka qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës “Dardania”, anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës së Re të Kosovës dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit Amerikan në Prishtinë….


Në periudhën e viteve 1990-1999, pas shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, është ndjekur nga regjimi serb dhe ka qëndruar jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Slloveni dhe Kroaci, ku si Ministër i Ekonomisë dhe Financave ka qenë njëri nga ideatorët dhe themeluesit e “Sistemit të Financimit të Republikës së Kosovës”, i cili falë mbështetjes së bashkatdhetarëve dhe popullit të Kosovës arriti të sigurojë mbijetesën në Kosovë, funksionimin e arsimit dhe mbështetjen e rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare.


 


 


Hartuesi i kësaj biografie, për shkaqe që vetëkuptohen,  ka lënë anash tërë aktivitetin ideo-politik të Isa Mustafës  në kohën e regjimit jugosllav dhe në kohën e regjimit kriminal të Milosheviqit. Me këtë rast po marrim përsipër  ta “begatojmë” me të dhëna të dokumentuara një pjesë të biografisë për këtë kryetar aktual të Prishtinës dhe të LDK-së.


 


Isa Mustafa karrierën politike e ka filluar, pikërisht  në kohë kur rinia studentore dhe popullata liridashëse e Kosovës, u ngrit në demonstrata dhe protesta  në mars dhe prill të vitit 1981, duke kërkuar, liri, barazi dhe vetëvendosje.  Asokohe, për zellin që kishte treguar në diskreditimin e kërkesës  “Kosova Republikë”, Isa Mustafa, pikërisht më 13 maj të vitit 1981, zgjidhet në Komisionin disiplinor, me qëllim për të ndërmarrë diferencimet e njohura ideo-politike, brenda studentëve, e sidomos të atyre që kishin marrë pjesë në demonstrata.  Mbase  një koincidencë e rastit, por pikërisht  atë ditë, më 13 maj 1981, forcat policore dhe ushtarake të Jugosllavisë kishin rrethuar kullën e Tahir dhe Nebih Mehajt,  në Prekaz dhe kishin filluar sulmin për shfarosjen e këtyre dy luftëtarëve të lirisë. 13 maji  shënonte edhe Ditën e Policisë së Jugosllavisë. Për meritat e tij, në luftën pa kompromis kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar në Kosovë, “komsomolisti” i dëshmuar i bashkim-vëllazërimit, Isa Mustafa në vitin 1986 mori postin e Kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës. Kulmi i afirmimit   tij politik, në ish-Jugosllavinë e Millosheviqit, shënohet më 9 dhjetor 1989, kur Isa Mustafa kishte dhënë betimin para shqipfolësit më të  neveritshëm të asaj kohe, dhëndrit besnik të Serbisë,  Rrahman Morinës. Atë ditë Isa Mustafa ishte betuar,  si Sekretar Krahinor i Zhvillimit, Shkencës dhe Informatikës, një pozitë e  barasvlershme sot me një post të ministrit. Disa ditë më vonë, nën mbrojtjen dhe sigurinë  e tij, me siguri edhe me dijen e tij,  ishte themeluar edhe LDK-ja, të cilin pas 20 vjet veprimtarie, tani po e udhëheq vetë Isa Mustafa, pasi  me metodat dhe makinacionet e tij staliniste e largoi nga kreu i Partisë, Fatmir Sejdiun.


 


( Biografinë më të plotë të  Isa Mustafës, si  dhe  funksionet politike të tij në shërbim të regjimit okupator të Jugosllavisë prej vitit 1981-1990, më gjerësisht mund ta  lexoni në: www.Pashtriku.com)

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …