Adem Demaçi

Ahmet Qeriqi: Dashuria e përhershme dhe pashtershme e Adem Demaçit për njeriun dhe njerëzimin

Në 80-vjetorin e lindjes, Adem Demaçi po ballafaqohet me shëndet të brishtë, por 80 vitet e jetës së tij, në shërbim të kombit e Atdheut, në shërbim të ideve progresiste, humaniste, të ideve universale kanë qenë dhe do të mbesin kurdoherë, pasqyra e shpirtit dhe aktivitetit të tij të pandërprerë. Jeta dhe vepra e Demaçit përbëjnë një tërësi integrale kombëtare e njerëzore.

Filozofi më i madh idealist, gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit*.( Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974 faqe 420.)

Adem Demaçi është një emër i veçantë dhe shumë i njohur i rezistencës shqiptare, një individualitet i llojit të vet, origjinal në jetë dhe në vepra, origjinal në tërë jetën e tij, në të gjitha periudhat e jetës së tij. Si i tillë ai është një fenomen, “sui generis”, nga ai lloj, të cilin duket se  Krijuesi e ka përzgjedhur për të kryer një mision human, në dobi të njeriut dhe të njerëzimit dhe  jo vetëm në dobi të kombit, ashtu sikur na pëlqen ta përkufizojmë. Njerëz të ë tillë, të përzgjedhur, ka pasur dhe ka edhe në mesin e kombeve të botës. Dhe të gjithë këta kanë shenjën e individualitet, e cila është e lidhur me principin e veprimit. I tillë ka qenë Sokrati, Xhordano Bruno, Galileo, Martin Luteri, Partis Llumumba, Nelson Mandela e shumë të tjerë. Demaçi qëndron në mesin e këtyre personaliteteve,  për nga principi i individualitetit, përkushtimi e sakrifica. Të gjithë këta, që nga Sokrati kanë sakrifikuar jetën për të vërtetën, “për atë të vërtetë që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes”, ashtu sikur ka thënë sundimtari i Prusisë, Frederiku i Madh. (Jeta e gjenive).

Duke medituar për shpëtimtarin dhe cilësitë e tij në kohën e apatisë jetësore, nën sundimin e autarkisë monarkiste,  filozofi i madh shqiptar, Kristë Maloku ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar.” (Kristë Maloku, Shteti apo kombi, botuar në revistën Dardania Sacra nr.4. Prishtinë 2002,f. 74.) Krahasimet e tilla, në këtë mes, në raport edhe me Demaçin, janë të shumta me faktin se edhe paraqitjet e fenomeneve në botën njerëzore nuk janë të pakta.

Pavarësisht se besojmë apo jo në përcaktimin hyjnor, Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij misionare është një paraqitje e realizuar vegimtare, një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Humanizmi, kredo jetësore dhe krijuese e jetësore e Adem Demaçit

Për karakterin humanist të Demaçit, qoftë në jetën e tij, apo në krijimtari mund të flitet me shembuj të shumtë relevantë, edhe pse një pjese të njerëzve tanë nuk iu ka pëlqyer, as iu pëlqen ky qëndrim i tij, të cilin janë munduar ta interpretojnë si një idealizëm internacionalist, madje edhe marksist. Pavarësisht nga kjo, Demaçi, mendoj unë, si në vepër ashtu edhe në krijimtari është një humanist i thellë, njeri i sakrificës, i krijuar apo i materializuar jo nga rastësia, por nga vetëdija e tij e thellë shpirtërore, mbase e trashëguar edhe nga ADN-ja, e pastër njerëzore. Baca, rrjedh nga një familje tradicionale shqiptare, e cila në katrahurën e gjatë të luftës për mbijetesë kishte ruajtur të paprekura idealet e njerëzisë, si digat e vetme të qëndrueshme të gjenit njerëzor, të atij gjeni pa të cilin nuk përparon dot  raca njerëzore.

Adem Demaçi është mbrujtur me brumë nga palca e Shqipërisë, thoshte  një poet i entuziazmuar nga jeta dhe vepra e tij, me rastin e lirimit nga burgu ku i kishte kaluar 28 vjet.

Dhe, shumë çka tjetër mund të thuhet dhe të dëshmohet me fakte për Demaçin, edhe pse baca nuk i duron fjalët e mëdha, dhe ky është një shenj tjetër,  jo vetëm i modestisë, por edhe i filozofisë së tij jetësore. Nganjëherë me të drejtë reagon, duke përkujtuar atë maksimën popullore për këngën dhe trimin. Po e vërteta gjithnjë mbetet ajo që është, dhe në këtë rast, atë, as e zvogëlon, as e asgjëson, as e fsheh dot. Sepse ajo është vetë principi, që qëndron në ballë të Universit, ashtu sikur është edhe arsyeja, e cila i udhëheq shpëtimtarët, idealistët e vërtetë, ata që kanë mbijetuar dhe janë prore të pranishëm në mendjen njerëzore, mbi të gjitha si misionarë e krijues.

Jemi mësuar që Demaçin ta vlerësojmë në radhë të parë si simbolin e gjallë të rezistencës kombëtare, shqiptarin e pathyeshëm dhe më meritorin ndër të gjallët për lirinë e Kosovës. Jemi mësuar tashmë me  paraqitjet e tij realiste, qëndrimet e tij të drejta, shpeshherë të ashpra, por gjithherë  të vërteta, të shëndosha, të pastra  dhe pa paragjykime.

Të rrallë janë ata shqiptarë, që duke përcjellë paraqitjet e tij në opinion nuk kanë pyetur, se ku e merr tërë atë energji ky kalorës i fjalës dhe i mendimit të lirë? Çuditërisht, Demaçi ka manifestuar dhe manifeston një energji të brendshme e të thellë shpirtërore, e cila e ka përcjellë gjatë tërë jetës, në trajtën e një  dhuntie hyjnore, si virtyt universal, si fenomen i llojit të vet. Dhe, duke e parë Demaçin si “homo politicus” në njëfarë mënyre krijimtaria e tij letrare artistike ka mbetur nën hijen e kësaj, edhe pse është krijimtari e thellë dhe e mirëfilltë artistike, dhe tërësia e saj e deritanishme, nga të gjitha pikëpamjet ideore, artistike, stilistike e gjuhësore, e radhit në “sofrën” e parë të krijuesve kombëtarë  e më gjerë. Tregimet dhe romanet e Adem Demaçit janë po aq të veçanta në letërsinë tonë, sa është i veçantë edhe vetë autori në jetën dhe disidencën politike të tij.

Në 80-vjetorin e lindjes, Adem Demaçi po ballafaqohet me shëndet të brishtë, por 80 vitet e jetës së tij, në shërbim të kombit e Atdheut, në shërbim të ideve progresiste, humaniste, të ideve universale kanë qenë dhe do të mbesin kurdoherë, pasqyra e shpirtit dhe aktivitetit të tij të pandërprerë. Jeta dhe vepra e Demaçit përbëjnë një tërësi integrale kombëtare e njerëzore.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …