leoni

Ahmet Qeriqi: Dëbimi masiv i shqiptarëve nga trojet e tyre etnike në Toplicë dhe në Sanxhakun e Nishit I

Ahmet Qeriqi: Dëbimi masiv i shqiptarëve nga trojet e tyre etnike në Toplicë dhe në Sanxhakun e Nishit I

Shqiptarët e Toplicës duhet të rikthehen në vendlindjet e tyre dhe kjo çështje duhet doemos të ndërkombëtarizohet, ashtu sikur është ndërkombëtarizuar çështja e Çamërisë.

Të gjithë shqiptarët me prejardhje nga viset e Toplicës e Nishit  duhet të kërkojnë kthimin  e tyre, ose kompensimin e pronave, njësoj sikur duan të kthehen kolonët   serbë,  që kanë ardhur shumë më  vonë në Kosovë. Toplica ka qenë, është dhe do të mbetet një krahinë shqiptare, pjesë integrale dhe sovrane e Shqipërisë Etnike.

Shqiptarët me origjinë nga Toplica sot janë zyrtarë të lartë të Shtetit të Kosovës, kanë qenë edhe luftëtarë të UÇK-së. Ata janë deputetë, kryetarë komunash, profesorë universiteti, shkrimtarë e dijetarë, këngëtarë e biznesmenë. Ju takon atyre që ta organizojnë një tryezë të njëmendët shkencore, e cila të përmbajë edhe mesazhin politik për Serbinë, sepse këtë histori të dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve disa e kanë heshtur, me qëllim për të ndërtuar mirëbesim e fqinjësi të mirë, por përderisa serbët kërcënojnë se do ta ripushtojnë Kosovën,  përse ne të mos kërkojmë trojet tona prej Pokupjes deri në Nish, prej Mollës së Kuqe deri në Kragujevc. Atëherë, Serbia le ta kuptojë se deri ku shtrihet Shqipëria e Madhe dhe le të protestojë  e le të çirret sa të dojë.

Krahina e Toplicës, dikur pjesë e Vilajetit të Kosovës, sot nën Serbi

Krahina e Toplicës dikur  përbëhej  nga më shumë se 400 fshatra e qytete të cilat kanë qenë të banuara me shumicë shqiptarë, por ka pasur edhe serbë, apo shqiptarë ortodoksë, që nuk ishin islamizuar. Serbia me përkrahjen e Rusisë kishte filluar okupimin e këtyre  trojeve rreth viteve 1878-1881. Okupimi u shoqërua me dhunë dhe terror. Shqiptarët i ndoqën i vranë dhe i  masakruan. Ata që kishin arritur  të largohen, i shpëtuan masakrave serbo-ruse.

Një numër i vogël i tyre arritën të shpëtojnë duke ikur në viset e Rrafshit të  Kosovës. Ata që mbeten iu nënshtruan asimilimit të dhunshëm, me qëllim për të mos u shfarosur.

Burimet dokumentare historike osmane, zbulojnë se  rreth 100.000 shqiptarë nga Toplica u vendosen në Kosovë prej vitit 1880 deri në vitin 1890. Të dëbuarit me qëllim për ta  mbajtur gjallë kujtesën për vendlindjet e tyre  dhe me shpresë se ata një ditë do të kthehen në vendin e tyre, emrin e fshatit nga ku ishin shpërngulur e kishin bërë mbiemër, patronim të cilët i ruajnë me respekt edhe sot, edhe pse shumica e atyre vendeve  për nga emërtimi i përkasin  gjuhës sllave.

Edhe sot në Kosovë kudo janë të pranishëm mbiemrat e muhaxhirëve si:

Bllaca, Bajçinca, Bajçina, Konjusha, Konjuhi, Reçica,  Përbreza, Pllana, Qyqalla, Restelica, Tmava, Maqedoni, Leskovci, Prokupja  Kurshumlia, Vranja, Vishesella, Podvorica, Muhaxheri, Nishlia, Dvorani, Rekalia, Beselica, Pllashniku, Qyqalla, Ramabaja, Ratkoceri, Rudari, Sjarina, Shillova, Slivova, Ternova, Shishmani, Tupalla, Terstena, Sogojeva, Studenica, Starasella, Termkolli, Topanica, Taverlani, Tullari, Tupalla, Turiqica, Vllahija, Vllasa, Vllasi, Visoka, Piroti, Stublla, Dedinca, Toçani, Sllamniku, Raça, Rastavica, Lenjani, Gajtani, Pardyzi, Dabishecvi, Ballovci, Breznica, Bublica, Çukovci, Dobratiqi, Gubetini, Dediqi, Dragidella, Gajtani, Gërguri, Igrishta, Pasjaça, Sfarça, Kutllovci, Kapiti, Lipovica, Masurica, Kozmaqi, Maçastena, Llumnica, Mikulani, Mukullovci, Magjera, Mexhuani, Muzaqi, Konjuhi, Kapiti,  Gjurkoci, Huruglica, Bogujeci, Dobruna, Dobra, Bulla, Gugurovci, Qeriqi nga qyteti i Nishit, Krivareka, Kuzmini, Krivaça, Manastirci, Paçarada, Petrovci,  e shumë e shumë  të tjerë, të cilët janë emërtime të vendbanimeve shqiptare në Dardaninë Verilindore, vendbanime në të cilat sot nuk jetojnë më shqiptarët, sepse ata që nuk arritën të largoheshin, i vranë e i masakruan  forcat ruso-serbe e bullgare, ose u asimiluan me kusht për të mos u shfarosur. Çka ndodhi me shqiptarët e tjerë të cilët ikën në drejtime tjera si drejt Shkupit, Sofjes e Rumanisë nuk dihet shumë.

Në ato vise shqiptare ruhen edhe shumë emra vendesh të prejardhjes ilire, dardane, shqiptare si:

Kastrati, Tullari, Kuzmini, Barduzi, Brajshori, Berila, Dedia, Dragusha, Biga nga (Bigeste), Bajra, Nishi, (Naissius) Ternova ( Terra Nuova) Alabana, Arbanasi, Gajtani, Gurguri, Gjaka, Huruglia, Katunomorina, Maqedoni, Mexhuani, Kodra, Koprani, Kapiti, Kremenata, Kuçi, Balltiqi, Duka, Daka, Kozmaçi, Prokupja, Mollakuqe, Kushumlia, Leskoci, Vranja, Sharqoji,  Piroti e shumë të tjerë.

Shumica dërrmuese e të dëbuarve, me rastin e largimit të dhunshëm dhe të përgjakshëm nga trojet e tyre, si sentimentin më të çmueshëm ruajtën emrin e fshatit, edhe nëse ai emër nuk i përkiste gjuhës shqipe. Këta mbiemra janë kudo në përdorim sidomos në fshatrat dhe qytetet e Rrafshit të Kosovës, nga Mitrovica deri në Kaçanik e më tej. Familjarët e muhaxhirëve, nga brezi në brez ua kanë përcjellë të rinjve kujtimin për Motin e pikëllimit, kujtim që edhe sot pas 14o vitesh ruhet si relikti më i shenjë i kujtesës, i prejardhjes i pësimeve por edhe i ri-ngritjes dhe mbijetesës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …