Sot kam qëndruar në Krojmir. Bora po bie pa u ndalur, por të gjitha shtigjet për lëvizje janë hapur me kohë. Gjatë tërë para ditës kam biseduar me Sylë Qeriqin dhe Elez Durmishin. Atyre iu kam treguar se kam biseduar përmes telefonit satelitor me Ilaz Dërgutin i cili ka premtuar se së bashku me Sami Lushtakun dhe me disa bashkëluftëtarë të tjerë , sa po t iu jepet mundësia do të vijnë këtu dhe do të kërkojnë nga organi kompetent në Shtab përgjegjësi për të gjitha sa kanë ndodhur. Syla dhe Elezi më dëgjojnë dhe nuk marrin asnjë veprim pa u konsultuar me mua meqë kanë një konsideratë të tepruar, për ndryshe po të kishin vepruar krye në veti sikur po veprojnë të tjerët, ata me kohë do t`i kishin zgjidhur të gjitha problemet. Edhe pse nuk iu them hapur e kam hetuar se cili është segmenti që pretendon t`i eleminojë, por nuk arrij dot ta kuptoj qëllimin. Dhe pikërisht kjo më bën të dyshoj se kolona e pestë është ne mesin tonë.
E di se ata nuk do të ndalen dhe kam frikë mos organizojnë ndonjë sulm të papritur tinëz nga befasia, sikur kundër Abedin Rexhës dhe disa të tjerëve.
Në lajmet e pas ditës mësoj se delegacioni shqiptar në Rambuje ka nënshkruar projekt-dokumentin. Për palën shqiptare dokumentin e kanë nënshkruar, kryesuesi i Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, kryetari i LBD-së, akademik Rexhep Qosja, kryeredaktori i një gazete ditore Veton Surroi dhe kryetari i LDK-së Ibrahim Rugova.
Pala serbe nuk e ka nënshkruar dokumentin. Do të jetë kjo një ditë historike, apo edhe kjo do të radhitet në mesin e përpjekjeve tona të pareshtura, gjithnjë të dështuara. Komentet e para të analistëve perëndimorë, lavdërojnë qëndrimin unik dhe bashkëpunues të palës shqiptare dhe dënojnë kryeneqësinë e palës serbe.
Në mbrëmje Syla solli 8000 Dm, të cilat ia ka kthyer Shaban Shala. Nga 20000 Dm që i kam dhënë për uniforma, ai 12.000 i ka ndalur për spital të Zonës dhe për nevoja të tjera ndërsa 8000 i ka kthyer. Jemi marrë vesh që të gjitha familjeve të dëshmorëve të Batalionit t`iu ndajmë nga 500 Dm, ashtu sikur aktualisht po veprohet edhe në zonat e tjera. Elezi ka marrë përsipër që së bashku me një anëtar të Shtabit Civil, familjeve të dëshmorëve t iu ndajë të hollat që i kemi paraparë. Ato që mbesin do përdorën për blerjen e municionit apo të ndonjë arme. Çështja e uniformave edhe ashtu mori fund. Dimri po kalon dhe kudi çka do të na sjellë dita e nesërme.