Ahmet Qeriqi: Derisa nuk ka luftime po thellohen edhe mosmarrëveshjet (E martë 18 gusht, 1998)

Ahmet Qeriqi: Derisa nuk ka luftime po thellohen edhe mosmarrëveshjet (E martë 18 gusht, 1998)

Sot ka qenë një ditë me angazhim intensiv. Që në mëngjes më bëjnë me dije se dje, dy ushtarë të Blinajës kanë gjuajtur me armë një helikopter të armikut në Blinajë. Edhe pse m`i kanë thënë emrat nuk e di se kush janë dhe me urdhër të kujt kanë vepruar.

Te ambulanca, e takoj mjekun Hilmi Olluri, i cili në ditët kritike të ofensivës me tërë familjen ka ikur nga Krojmiri dhe është vendosur në Lipjan. Ai pranon se ka gabuar, tregon se ka shkuar edhe në ambulancën serbe ku edhe ia kanë dhënë rrogën për dy apo tre muaj. Tregon po ashtu se ata janë sjellë mirë me të. Në pyetjen time, përse ke ardhur, pasi mund të qëndrosh në punë e ofruar në Lypjan, ai fillimisht u hutua dhe filloi të qajë. Si duket, e ndien vetën të zënë në lak, meqë ka ikur dhe ka frikë nga ndonjë hakmarrje.

Pasi e merr veten thotë se është në gjendje të betohet se më nuk do të largohet nga fshati dhe kërkon ta falim për të gjitha veprimet, të cilat edhe pse  janë të poshtra, por nuk janë të nivelit që doemos do të ndëshkohen. Mirëpo ai ka frikë. Ndoshta serbët kanë insistuar që ai sërish të futet me qëllim që t`i informojë. Pasi e hetoj se nuk e ka ndërgjegjen e qetë i them se do ta pranojmë por duhet të merr me vete edhe gruan dhe fëmijët, ashtu sikurse i kemi marrë të gjithë ne, në mënyrë që të tjerët të mos dyshojnë më në veprimet e tij. Në ofertën time ai turbullohet duke u ankuar se fëmijët i ka të vegjël, se ata i ka vendosur në Ribar të Madh, te miqtë.

E kuptoj se është një njeri shumë i lig dhe jam më se i sigurt se kurrë nuk do të ishte kthyer, por ose ka frikë nga Luani apo nga ndonjë ushtar tjetër, ose është detyruar nga serbët.

Pasi bisedoj me Sylën Elezin dhe me Luanin, vendosim që ta largojmë duke i bërë me dije se në rast të bashkëpunimit me serbë, kurrë më nuk do të kursehet por do ta paguajë me kokë.

Pak më vonë në Shtab kam biseduar me Naim Ismajlin. Ai tregon se Shukri Buja e ka urdhëruar mjekun Fitim Selimi të vendoset në Kleçkë. Ai po ashtu ka kërkuar ta marrë edhe kompjuterin dhe disa pajisje të tjera për këto tani për tani Naimi nuk ia ka lejuar. Shukriu herë herë vepron krye në vete dhe shpeshherë na çet para aktit të kryer. Ky veprim i ka irrituar sidomos mjekët, por edhe të gjithë ne. Duke i bërë një analizë veprimeve të tilla të Shukriut kemi përfunduar se ai  të gjitha këto mbase edhe i bën me qëllim të mirë, por krijon huti, ashtu sikurse edhe në shumë raste të tjera.

(6 rreshta të koduar)

Shukriu e ka marrë edhe mitralozin e rëndë të cilin Besim Gashi dhe Nusret Gashi e kanë sjellë nga Sllatina  e Vitisë. Pasi e kanë depërtuar me shumë rrezik por me sukses në Blinajë ata ua kanë rrëmbyer dhe e kanë dërguar në Kleçkë.

Po ashtu të gjitha veturat e mira të cilat janë dhuruar në Shtabin e Krojmirit, ata kanë urdhëruar që të dërgohen në Kleçkë.

Me urdhrin e Shukriut janë konfiskuar edhe armët që Besim  Gashi i ka blerë vetë në Bujanovc.

Këto dhe parregullësi të tjera, në dukje mjaftë të nxituara, mbase nuk janë bërë me qëllim të keq, por gjithsesi janë bërë dhe bëhen duke e shfrytëzuar hierarkinë, fiktive, të cilën në duket se vetëm ne e përfillim.

Veprimet e tilla po krijojnë huti dhe përçarje në radhët e ushtarëve tanë, të cilët janë mjaft të disiplinuar dhe të përgjegjshëm.

Në orët e pasditës në kohën kur po drekonim para tendës në Grykë, ka ardhur Naim Imeri me Vehbi Zeqirin.

Luani na bën me dije se nga Shtabi kanë urdhëruar që një sasi e grurit të ngarkohet në drejtim të Kleçkës, ndërsa pjesa tjetër të futet në Grykë, meqë në rast të ndonjë ofensive serbët të mos e konfiskojnë grurin në shkollë. Lidhur me shpërndarjen e grurit do të ketë keqkuptime.

Në orët e mbrëmjes, me Naim Imerin është nisur për në Prishtinë Hilmi Ramadani i cili kësaj radhe ka qëndruar më gjatë për shkak të lëndimit të këmbës. Hilmiu kur bën rrugë me Naimin dhe Vehbiun ndihet shumë i sigurt meqë këta të dy i kanë mësuar të gjitha zig zaget e depërtimit nëpër Blinajë.

Kontrolloni gjithashtu

Në rrethana të pa sqaruara vritet luftëtari më i përkushtuar i kësaj ane, Jetë Aziz Hasani (E premte 16 tetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në rrethana të pa sqaruara vritet luftëtari më i përkushtuar i kësaj ane, Jetë Aziz Hasani (E premte 16 tetor, 1998)

Dita e sotme ka kaluar me shqetësime të rënda. Kam fjetur pak dhe me një …