Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Cilët ishin dëshmitarët, mbi të dhënat e të cilëve u formulua dhe u zyrtarizua aktakuza kundër Adem Demaçit, në vitin 1958 I

Jeta dhe veprat e simbolit unikat të qëndresës aktive shqiptare, në Kosovë dhe troje të pushtuara  nga Jugosllavia, Adem Demaçi (  26 shkurt 1936-   26 korrik 2018) ka qenë e po mbetet burim  frymëzimi për brezat liridashës, por edhe burim i analizave të ndryshme kombëtare e politike të së kaluarës së kohës së tij, që është një jetë e tërë  kushtuar kombit e atdheut, një jetë e tërë në shërbim të kombit e atdheut, një jetë në vazhdim për të mësuar se ku kemi qenë, ku jemi dhe për ku po synojmë.

Na kanë mësuar apo jemi mësuar në mënyrë paushalle, që kur e kujtojmë apo shkruajmë për Demaçin t’ i përmendim 28 vitet e tij  kaluara  në burgje si kapital kombëtar e politik i qëndresës së tij të pashembullt, i vizionit të tij realist në pasqyrimin e rrjedhave e rrethanave në të cilat është gjendur, ka jetuar dhe ka vepruar, por krejt pak për  aktivitetin e tij paraprak, sidomos në vitet 50-të, kur Demaçi ishte formuar si personalitet-protagonist,  kishte ideuar  dhe kishte lëshuar në diskutim me një rreth të gjerë shokësh e miqsh,  projektin e tij për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Njohësit e veprave dhe jetës së Adem Demaçit, qoftë nga ata që rrahim gjoks se e  kanë njohur  më mirë se të gjithë, qoftë nga studiues e historianë që e interpretojnë nga këndet e bindjeve të  tyre, qoftë nga ata që e kanë përdorur dhe keqpërdorur si ombrellë, për të fshehur  të ligat dhe zezonat e tyre, askush dhe asnjëherë nuk mund ta përvetësojë, sepse Adem Demaçi gjatë tërë jetës së tij ka qenë vetvetja, shqiptari më i pathyeshëm i të gjitha kohëve, vizionari profetik dhe  shembulli unikat, shembulli lapidar i fenomenologjisë njerëzore, në rastin konkret edhe kombëtare, shqiptare.

Demaçi ka jetuar dhe ka vepruar thjesht, pa synime megalomane, pa pretendime për të treguar epërsi apo luftë për pushtet, pa pretendime për të treguar se ishte i pari edhe kur ishte në të vërtetë, sepse ishte më i përkushtuari, më oratori, më luftaraku, më i guximshmi ashtu sikur edhe kishte qenë, se  ishte më i pazëvendësueshmi, ashtu sikur ka qenë në jetë, por nuk e ka pranuar kurrë, sepse nuk i ka dashur lavdet e krekosjet.

Shembulli i jetës së veprave të Demaçit është “sui generis”, është më i veçanti në të gjitha pikëpamjet sesa  shembulli i ndonjë  personaliteti tjetër i kombit, në kohën kur jetoi dhe veproi.

Andaj ende  ka shumë  çka mësohet nga vepra e tij,  prore, nga çdo brez, nga çdo gjeneratë, e sidomos nga ata që e kanë njohur mirë, e kanë kuptuar e mirëkuptuar dhe kanë ecur dhe ecin rrugës së idealeve të tij.

Ende nuk është e prezantuar  sa duhet aq më pak e analizuar si duhet veprimtaria e tij deri në arrestimin e parë, më 19 nëntor të vitit 1958, në kohën kur ai ishte formësuar si intelektual revolucionar dhe kishte plasuar bindjet e tij politike e kombëtare, krejt hapur në rolin e një opozitari korrekt e konkret. Kjo ishte periudha kur në mendjen e tij po e projektonte rrugën drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar, që ishte preokupimi primar i tërë aktivitetit, e të gjitha bisedave, komentimeve e komunikimeve me bashkëkohësit e tij, duke mbrojtur me konsekuencë të drejtat kombëtare të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar dhe duke bërë përpjekje për të gjetur bashkëveprimtarë idealistë dhe të përkushtuar sikur ishte vetë.

Periudha e jetës së tij prej kohës kur ishte nxënës e deri në vitin 1958, kur ai paraqiti  platformën e tij programore kombëtare në sallën e gjykimit, në Prishtinë, tregonte më së  miri se Kosova dhe viset nën robëri kishin tashmë një emër identifikimi, një emër me një vizion, një emër qëndrese që nuk i bënte syri vërr, një emër që po futej krejt  lirshëm dhe i vetëdijshëm, për  të gjitha rravgimet e vuajtjet  jetësore, jo vetëm në Panteonin e historisë e Kosovës, por në historinë e kombit shqiptar përgjithësisht.

Publikimi, kohë pas kohe nëpër medie i të dhënave të 14 dëshmitarëve shqiptarë në gjykimin e tij, në nëntor-dhjetor të vitit 1958 deri tani ka kaluar dhe është lexuar  si lëndë bruto, por pa analiza e sheshim faktesh, në radhë të parë sepse shumica dërrmuese e atyre emrave janë trajtuar si intelektualë, si politikanë, njerëz të kombit, njerëz me reputacion e të tjera e të tjera.

Është irritues fakti se pothuajse asnjëri nga ata dëshmitarë nuk i kishte kërkuar falje Adem Demaçit,  pas daljes nga burgu, madje as pas luftës sonë fitimtare e çlirimtare ku ai ishte protagonist ndër kryesorët në vitin 1999 dhe as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Opinioni i përgjithshëm në Kosovë ka njohur dhe, mjerisht, ende i trajton  si emra meritorë shumicën e denoncuesve të Adem Demaçit, të cilët për hir të së vërtetës  kishin dëshmuar me korrektësi, sepse për asnjërin syresh, inspektorët e regjimit titist nuk kishin pasur nevojë të nxjerrin  deklaratat dhunshëm e me presion fizik apo psikik. Ata kishin dëshmuar pa asnjë presion dhe të gjithë përveç,  Sabit Ratkocerit, më vonë bashkëmendimtar e bashkëveprimtar i tij kishin komentuar  paraqitje e tij  armiqësore ndaj Jugosllavisë.

Lehtësia e deklarimit të dëshmitarëve, tregon më së miri përcaktimin e tyre konsekuent në mbrojtje të bashkim vëllazërimit dhe të ish-RSFJ-së. Shumica dërmuese e tyre nuk kanë bërë as edhe përpjekjen më të vogël për të minimizuar bisedat me të, për t’ i mohuar po për t’ i paraqitur si biseda  rasti, të cilat nuk mbahen mend gjatë. Të gjithë ishin të vetëdijshëm se kundër kujt po dëshmonin dhe e dinin po ashtu se ai do të dënohej me burg, vetëm për bindjet e tij politike e kombëtare. Asnjëri nga këta dëshmitarë nuk ka folur as ka shkruar ndonjëherë se ka dhënë deklarata nën presion. Asnjëri prej këtyre dëshmitarëve  asokohe nuk ka qenë nën hetime, as është hapur ndonjë procedurë gjyqësore, as i ka pyetur ndonjë inspektor  përse nuk e kishin denoncuar më herët shokun e tyre të studimeve, duke qenë se ishte shprehur hapur kundër Jugosllavisë, për të cilën ata kishin konsideratë të veçantë dhe e pranonin si shtetin e tyre.

Dëshmitë e Din Mehmetit dhe të Ndue Pashkut

Din Mehmeti ishte poet dhe shkrimtar i njohur. Ka qenë edhe publicist dhe autor i shumë librave, disa nga të cilat janë lexuar e mësuar edhe si literaturë shkollore për nxënësit. Ka qenë anëtar i LKJ-së, por jo nga ata më të zellshmit, sikur ka qenë  Ndue Pashku e disa nga dëshmitarët e tjerë.

Din Mehmeti në dëshmitë e tij për Demaçin thotë: Me kujtohen veprimet armiqësore të Demaçit diku në pranverën e vitit 1958 kur jemi takuar në hotelin “Nova Jugosllavia” në Prishtinë, unë, Adem Demaçi, Zekeria Cana, Fahredin Gunga, Ali Aliu, Hysni Hoxha, të gjithë studentë në Beograd. Me këtë rast para nesh Demaçi ka folur për diskriminim që po bëhet ndaj shqiptarëve në Kosmet nga ana e pushtetit. Lidhur me shkollat ka thënë se po punohet për heqjen e gjuhëve të pakicave me qëllim që të diskriminohen shqiptarët. Në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi Ademi ka thënë me këte rast se pushteti i këtushëm po e bën këtë me paramendim, se pushteti nuk po e ndalon këtë shpërngulje, por po e lejon shpërnguljen e tillë me qëllime të këqija… Për këtë nuk kam menduar fare, sepse di se Ademi është i prirur të flasë nga pozita armiqësore.

 

Deklarata është autentike, e kumtuar  pa asnjë rezervë, dhe në mënyrë shumë të lehtë duke e paraqitur si armik të Jugosllavisë, shokun e studimeve në Beograd, Adem Demaçin. Ai pa u hamendur fare përmend edhe shumë emra të tjerë të dëshmitarëve të cilët ishin pjesë e aktakuzës, duke lënë të nënkuptohet se asnjëri prej tyre nuk i kishte mbështetur bindjet dhe synimet e Demaçit.

Një dëshmi tjetër akuzuese e ka dhënë edhe Ndue Pashku, i cili ka komentuar bisedat për të cilat kishte pranuar se ishin vazhdimisht armiqësore dhe të drejtuara kundër Jugosllavisë. Madje ai shkon edhe më larg duke nënvizuar se Demaçi vazhdimisht ka bërë përpjekje ta bind atë me mendimet e vlerësimet e tij, por ai nuk i ka pranuar ato, pasi i konsideron se janë armiqësore dhe janë të orientuara kundër Jugosllavisë së Titos e të Rankoviqit.

 

Bisedat tona të para kanë filluar për letërsinë, kurse më vonë Demaçi, para meje, do të fillojë biseda politike për të cilat unë nuk isha gatshëm. Demaçin e njoh si njeri që armiqësisht paraqitet ndaj rregullimit shoqëror në Jugosllavi. Në biseda me mua theksonte se në Kosmet nënçmohet kultura e pakicës shqiptare. Pushteti me qëllim vepron në atë mënyrë që në shkolla të zhvillohet mësimi në gjuhën serbe dhe jo në atë shqipe, edhe përkundër asaj se ka mjaft arsimtarë shqiptarë. Një pjesë të arsimtarëve pushteti me qëllim i largon nga procesi arsimor. E njëjta vijë ndiqet edhe në veprimtarinë botuese. Pushtetarët kompetentë ndalojnë botimin e veprave të disa shkrimtarëve shqiptarë, dhe përmend rastin e Gjergj Fishtës, me tezat e të cilit Demaçi pajtohet dhe përpiqej të më bindte edhe mua në drejtësinë e tyre. Në të vërtetë. Demaçi thotë se Fishta ka pasur plotësisht të drejtë kur thoshte se Kosmeti është pjesë përbërëse e Shqipërisë dhe kjo është e drejtë historike e saj., ka thënë mes tjerash Ndue Pashku.

 

Vazhdon…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …