Ahmet Qeriqi: Disa familje largohen nga Gryka e Shpëtimit (E diel 6 shtator 1998)

Ahmet Qeriqi: Disa familje largohen nga Gryka e Shpëtimit (E diel 6 shtator 1998)

Kaloi edhe një ditë më shumë në këto kushte tejet të rënda dhe  pa shtek-dalje. Shiu që filloi gjatë natës nuk ka të ndalur. Jemi mësuar tanimë dhe dalëngadalë po pajtohemi me të gjitha. Jemi të vetëdijshëm se na presin rreziqe edhe më të rënda në rast të ndonjë sulmi të papritur të forcave serbe kundër popullatës së zhvendosur, apo edhe në rast të granatimit nga distanca.

Gjallojmë këtu të vetmuar e të shqetësuar. Të rrethuar nga të tria anët, e sidomos nga ana perëndimore, e vetmja arterie që na lidhte me Anadrinin e Dukagjinin.  Moti i lig na ka zymtësuar dhe na i ka ligështuar  shpresat edhe ashtu të thyera e të humbura.

Ndërkohë vjen Faruk Gashi dhe më njofton se tre ushtarë në një pikë vëzhgimi kanë vendosur ta sulmojnë një njësit ushtarak serb për t` ua marrë armatimin. Pa vonuar nisemi në vendqëndrimin e ushtarëve me qëllim që të mësoj se kush janë, por kur depërtojmë në vendin ku thoshte Faruku ata nuk i gjetëm aty.

Kam frikë se ushtarët po e humbin kontrollin ca nga uria, ca nga të ftohtit dhe nga qëndrimi në tokën e lagur meqë shirat e vjeshtës dalëngadalë po na zënë mushkëritë. Ditë më parë kam dëgjuar se disa ushtarë në vëzhgim kanë qëndruar tri ditë pa ngrënë në një vend afër pozicioneve serbe. Farukut i them që të mësojë se kush janë ushtarët dhe përnjëherë ta lajmërojë Elezin apo Luanin.

Tash po shoh dhe po kuptoj se veset e liga të njerëzve, ligësitë e nopranitë nuk paskan të sosur. Këto vese në rrethana lufte përplasen edhe më keq.

Lëvizjet në drejtim të fshatit nuk kanë të ndalur dhe as kemi pretendime për t`i ndalur, sepse po të ndodh më e keqja, do të na fajësojnë.

Serbët po na mbajnë në shënjestër dhe sapo të vendosin, sipas planeve të tyre që ne nuk i dimë, ata mund të na sulmojnë.

Rreth orës 16.00 dhjetëra banorë të Dukës kanë filluar ta lëshojnë Grykën. Nipi i Hysen Lahut, Ahmeti me shumë anëtarë të familjes së tij dhe disa familje të tjera janë nisur në drejtim të Blinajes, me qëllim që gjatë natës të depërtojnë diku në fshatrat e Rrafshit. Ahmetit, që kishte mbetur nën qiell të hapur i dhamë miell, vaj, najlon dhe sapo u rregullua iku. Askush nuk ka të drejtë t`i ndalojë këta njerëz, edhe pse ikja e tillë është shqetësuese dhe e rrezikshme sepse fare lehtë mund të bien në dorë të kriminelëve.

Në mbrëmje së bashku me Elezin kemi shkuar në fshat, ku gjithçka ka mbetur shkret. Terr, dritë nuk ka dhe është e ndaluar të ndizet qoftë edhe një qiri, sepse  serbët përnjëherë fillojnë të godasin në  drejtim të dritës. Tek-tuk ndonjë e pallur lope. Ndonjë makinë e ushtarëve që lëviz ngadalë dhe pa drita. Ndonjë plak që mundohet të sigurojë ushqim për kafshët.

Krojmiri duket i vdekur, i tretur, i braktisur i tmerrshëm…

-Sikur të ishte një botë tjetër, i them Elezit.

-Bëhet mirë, më thotë dhe serbëve ua lëshon një të sharë vendçe.

-Kam një parandjenjë se nuk do të kalojnë këndej, i them, për ta provokuar bisedën dhe për ta thyer monotoninë e dhembshme.

-Edhe nëse kalojnë nuk do t`i lëmë lehtë, thotë ai…

Më vonë kthehemi drejt Grykës. Re të zeza në perëndim dhe një terr i tmerrshëm e kanë mbuluar Grykën e Shpëtimit. Një imazh i lëkundjeve mbase edhe i paralajmërimit të shembjeve fatale. Tutje kah shpellat fluturojnë korbatkat dhe lakuriqët e natës. Syprina gëlqerore e shkrepave të Bigave përfton një bardhësi të ngurtësuar.

Roja na vëren nga larg dhe lëshon xixa nga shkrepseja. Të njëjtin veprim e bën edhe Elezi. Është shenja e kalimit për ushtarët dhe eprorët. Popullata civile gjatë natës e ka të ndaluar qarkullimin përveç në raste të veçanta, me leje të eprorëve të UÇK-së…

Ushtima gurgulluese e ujit të lumit krijon imazhin e lëvizjes së përjetshme, të njëtrajtshme por shumë kuptimplote.

Sonte në qiell të hapur, nën tenda najloni e plasmasi e ngrysin natën mijëra veta: fëmijë, gra, foshnje, fëmijë, burra të moshuar, ushtarë….

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ikja e të zhvendosurve nga frika e urisë (E enjte 10 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ikja e të zhvendosurve nga frika e urisë (E enjte 10 shtator, 1998)

Vazhdon ikja e disa të zhvendosurve nga Duka, Karaçica, Reçaku, Komarani e fshatra të tjera. …