Herët në mëngjes, ka ardhur në shtabin tonë lokal ushtari Murtez Sylejmani i fshatit Leletiq, i cili ka sjellë një informatë së bashku me deklaratën e dy ushtarëve, të cilët gjatë ushtrimit të rojës e kanë ndaluar dhe kanë shtënë në drejtim të veturës së Besim Gashit, me të cilin ka qenë edhe Nusret Gashi, vëllai i Reshatit, që ende vepron ilegalisht dhe ndihmon pakursyeshëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas dëshmive të ushtarëve del se Besim Gashi i Pjetërshticës, së bashku me Nusretin kanë hyrë gabimisht në pozicione gjatë natës dhe nuk kanë ndaluar ose nuk e kanë dëgjuar thirrjen e ushtarëve. Në moment ata kanë dredhuar rrugën, ndërsa ushtarët kanë goditur në drejtim të veturës. Duke qenë në shënjestër të zjarrit dhe duke menduar se kanë rënë në ndonjë pusi të policisë serbe, Nusreti dhe Besimi, kanë arritur të dalin nga vetura dhe janë strehuar në një vend më të sigurt. Vetëm pasi konstatojnë se kanë rënë gabimisht në pritë dhe pasi i dëgjojnë zërat, afrohen te ushtarët.
Versionin e ushtarëve që kanë ushtruar rojë, e kundërshton veçmas, Besim Gashi. Ai thotë se pikërisht ushtari që e ka ndaluar e ka ditur se e kujt është vetura, meqë me rastin e largimit, Besimi iu ka treguar ushtarëve se do të kthehet po në të njëjtën rrugë, gjatë natës. Njëri nga ushtarët i ka thënë Besimit, për kënd po punoni tash ju komercat.
Besimi dyshon se është një prapavijë, duke e lidhur rastin me rrëmbimin, po në Blinajë të mitralozit, të cilin e ka sjellë së bashku me Nusretin prej Sllatinës së Vitisë.
Rasti i rrëmbimit të mitralozit është i vërtetë, meqë unë e kam paralajmëruar paraprakisht Shukri Bujën se është organizuar depërtimi i atij mitralozi nga vendi i caktuar, në ditën dhe kohën e caktuar.
Shukriu arsyetohet se në të dy rastet, Besimi me Nusreti nuk kanë depërtuar në rrugën kryesore por kanë hyrë nëpër shtigje të ndaluara dhe në raste të tilla kanë qenë të ndaluar. Edhe ky version ka të dhëna të besueshme. Si duket Besimi dhe Nusreti, kanë pasur dëshirë që mitralozin ta sjellin vetë në Krojmir, dhe, jo ta marrin ata të Shtabit në Kleçkë, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi. Është me rëndësi fakti se ata kanë arritur ta tërheqin armën gjatë natës, duke e vënë nën dysheme të furgonit, dhe kanë kaluar pa pasoja gjatë rrugës.
Duke qenë se kemi pak armë, jo vetëm njëherë armët bëhen shkak i zënkave dhe i keqinterpretimeve. Mirëpo, e përkrah qëndrimin e Shukri Bujës dhe të Fatmir Limës, që mundohen të ushtrojnë ndikim, në mënyrë që armët të vihen nën kontroll rigoroz dhe të respektohet rendi lidhur me caktimin dhe ndarjen e armatimit. Edhe pse në praktikë ndodh ndryshe. Ata në Shtabin e komandës në Kleçkë pasi i marrin armët ua japin të vetëve në mënyrë për të përforcuar radhët dhe kjo nuk më pëlqen, por unë jam jashtë mundësisë për të ndikuar në këtë drejtim.
Pikërisht për këtë janë përhapë fjalë se armët më të mira komandantët po i ruajnë në Kleçkë, se ato po ua japin atyre që duan vetë e të tjera. Është shumë me rëndësi e dhëna se sa do që ka mospëlqime, sado që disa ushtarë ankohen edhe me të drejtë, sepse të tjera armë sjellin nga Shqipëria dhe me të tjera ngarkohen, deri tani nuk ka ndodhur asnjë incident serioz.
Si duket një situatë e tillë është në të gjitha zonat e luftës, sepse numri i atyre që kërkojnë armë dhe janë të gatshëm për të luftuar në krahasim me armët që momentalisht disponojmë, është fare i pakrahasueshëm.
Sot në orët e pas ditës, këtu në zyrën tonë informative, në odën e Vehbiut kanë ardhur si zakonisht shumë vullnetarë, të cilët nuk pranojnë në asnjë mënyrë që të kthehen prapa.
Në mesin e tyre është edhe. Kemajl Hetemi nga Ferizaj, kushëriri i Fadil Hetemit. i cili tanimë është pranuar në radhët tona.
Kemajli të lë përshtypjen e luftëtarit të vendosur. Ai ka ardhur me një mik të tij të Shalës, i bindur se nuk do ta refuzojmë. Për nga mënyra si flet dhe me sa përkushtim e tregon vendosmërinë e tij për të qëndruar, më imponohet deri në atë masë sa nuk e refuzoj dot, edhe pse jemi të stërngakruar me të ardhur nga të gjitha anët. Tani në luftë po vinë të rinj që kanë marrë pjesë në demonstratat e vitit 1981 por që kanë qenë të mitur dhe janë rrahur nga policia.
Për të mos na ngushtuar, Kemajli ka vendosë që gjatë natës të qëndrojë në Shalë, ndërsa ditën ka shprehë interesim të qëndrojë roje rezervë e Shtabit, duke llogaritur se do të shkojë për armatim në Shqipëri.
Elez Durmishi, së bashku me Naim Ismajlin i cili tanimë e ka krijuar grupin e tij në Carralevë dhe me Nazmi Iballin sot janë nisur për në Likoc.
Duke qenë se Nazmiu ka sjellë ndihma në karburante, një veturë mercedes për Luanin dhe 35.000 DM, e kam këshilluar që të hollat t ia dërgojë Shaban Shalës, në Shtabin e Likocit, ku mendoj se kanë më shumë nevojë se sa ne. Nazmiu mezi pret të shkojë në Likoc, meqë e njeh Shaban Shalën dhe ka dëshirë ta takoj. Atij i bën përshtypje edhe fakti se unë dëshiroj që ai vetë t’ i dërgojë të hollat në destimin të caktuar. Në mbrëmje me Sylën, Ramizin dhe me disa ushtarë të tjerë kemi shkuar për darkë te Sami Ajeti, babai i Besim Gashit. Atje kemi takuar Reshat Gashin, Nusretin, Faruk Gashin, Jakup Ismajlin dhe ushtarë e të njohur të tjerë.