Ahmet Qeriqi: Disa kujtime të paharrueshme për Zenun Gjocajn, në tetë-vjetorin e ndarjes nga jeta

Ahmet Qeriqi: Disa kujtime të paharrueshme për Zenun Gjocajn, në përvjetorin e ndarjes nga jeta

Zenun Gjocaj u  lind në prill të  vitit 1943 në Gjocaj të Junikut.

Me Zenunin për herë të parë jemi  njohur në shtator të vitit 1978, në Akademinë Pedagogjike të Prishtinës, – Cikli i Ulët,  në objektin e  ish-Shkollës Normale. Në atë vit shkollor isha pranuar edhe unë në punë, ndërsa Zenuni  kishte tre vjet që punonte.

Në atë kolektiv mësimdhënësish punonte edhe mësimdhënësi i njohur i gjuhës shqipe,  Xhemal Pllana, pastaj, Muhamet Gjoci, Ferat Hajzeraj, Xhevat Krasniqi  e të tjerë.

Afria ime me Zenunin kishte të bënte në radhë të parë me faktin se  na përputheshim mendimet dhe idealet, qëndrimi kritik ndaj shoqërisë së kohës, puna këmbëngulëse me nxënës, edukimi i tyre në segmentin kombëtar dhe jo në platformë të patriotizmit jugosllav, shkëmbim i literaturës së ndaluar nga pushteti e pak më vonë edhe veprimtaria e fshehtë, apo ilegale, sikur jemi mësuar t’i themi.

Në këto segmente të punës dhe angazhimit kurdoherë pajtoheshim, duke krijuar kështu edhe një besim që sa vinte e thellohej, dhe që më në fund ishte manifestuar me një qëndrim të vendosur për ta zgjeruar bashkëpunimin me bashkëmendimtarë të tjerë, duke krijuar një rreth më të gjerë, në mënyrë që të përcaktohej edhe një formë e prerë e veprimit në një platformë të caktuar, duke pasur për bazë përpjekjet për konsolidimin  e Lëvizjes dhe avancimin e saj në pozita të pjekura politike, në akord me kohën dhe format e mundësitë për veprim.

Zenuni ishte një burrë i besës, i ndershëm, me karakter, i sinqertë, i dashur dhe shumë tolerant, i thjeshtë dhe shumë komunikues, i çiltër dhe i pa asnjë kompleks, që do të mund të veçohej në karakterin, apo sjelljet e tij.

Shoqërimi i pandashëm me të, vetvetiu linte për të kuptuar se po bëheshim më të afërt se me të tjerët, edhe pse ishte edhe rrethi më i gjerë me bashkëmendimtarë si me profesor, Xhemal Pllanën, Muhamet Gjocajn, Ferat Hajzerin, Xhevat Krasniqin, Bedri Xhafën, Fatmir Sopin e të tjerë.

Nga bisedat spontane, në Sallën e arsimtarëve apo në ndeja me kolegë, shfaqeshin refleksione edhe mendime kundërshtare, ndërsa Zenuni vazhdimisht mbështetej në filozofinë popullore duke ilustruar me shembuj të aty për atyshëm, por me një përmbajtje lakonike, të cilën nuk e kuptonin të gjithë. Mendimi i tij i ndërthurur me shaka të lehta por kuptimplote, ilustronte më së miri qëndrimin e tij, të urtë dhe të sertë në të njëjtën kohë. Të urtë në dukje e në paraqitje, por të sertë dhe goditës në esencën e mendimit të shprehur përmes një filozofie autentike.

Me kohë e kisha kuptuar se Zenuni kishte diçka në shpirtin dhe qenien  e tij që na mungonte ne të tjerëve, kujt më shumë e kujt më pak. Ai ishte më human dhe më solidar nga të gjithë. Ishte në gjendje të sakrifikonte më shumë për shokun e mikun, sesa kërkonte ta bënin të tjerët për të.

Në dukje i mungonte urrejtja, madje edhe atëherë kur nuk ishte kursyer nga ajo, nga të tjerët dhe kjo më bezdiste. Vetëpërmbajtja e tij ishte shumë specifike, shumë njerëzore dhe shpeshherë më dukej se e tepronte.

Nuk fliste kurrë për veten, nuk krenohej, nuk e impononte mendimin, por përfillte çdo mendim të shprehur, madje edhe atëherë kur binte ndesh me qëndrimet e parimet e tij. Reagonte lehtas dhe me një ton tejet të butë,  duke i dhënë për të kuptuar atij me të cilin bashkëbisedonte se mendimet e kundërta nuk ishin domosdo armiqësore, por ishin çështje bindjeje dhe formimi, arsimor e intelektual.

Në të vetmin segment ku nuk lëshonte pe dhe ishte i palëkundur ishte çështja kombëtare. Kur ishte në pyetje interesi i kombit e i atdheut ishte tejet kategorik dhe mbronte qëndrimin e tij me këmbëngulje, pavarësisht pasojave.

Pastaj kaluan vitet, prej prillit  të vitit 1981, kur edhe jemi takuar disa herë ilegalisht, meqë unë ndodhesha në arrati. Me Zenunin jam takuar edhe gjatë procesit gjyqësor në shkurt të vitit 1983, pastaj pas daljes nga burgu në vitin 1988 dhe më vonë deri  dy javë para se të ndahej nga jeta, më 14 shkurt të vitit 2013 kishim qenë si kurdoherë të pandarë…

Më 21 nëntor 2012, disa muaj para vdekjes, Radio Kosova e Lirë kishte organizuar përurimin e trilogjisë letrare epike-historike: “Rilindjet e orës arbërore”, “Kosova e kuqe” dhe “Krahët e shqipes”, të Zenun Gjocit, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, në Prishtinë.  Në cilësi të organizatorit të përurimit kisha përgatitur një shkrim dhe sikur kishim praktikuar në të gjitha rastet, paraprakisht ia kemi dhënë njëri-tjetrit shkrimet, për t’ i lexuar me qëllim për të evituar ndonjë gabim rasti, apo ndonjë lajthitje. Dyshoja se nuk do të pajtohej me një vlerësim timin, i cili për mua edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet vlerësim real, por ai më tha shkurt. – Më dëgjo, mos e lexo atë pjesë, se po më duket vlerësim i tepruar. Nga respekti që kisha dhe duke qenë se nuk i pëlqenin jo vetëm lavdet, por as ato që i konsideronte fjalë të mëdha, e kapërceva këtë pasus”

 Zunun Gjoci në trilogjinë e tij, i ka hyrë punës për ta shkruar historinë tonë kombëtare në vargje, prej Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e deri te lufta çlirimtare e Legjendarit, Adem Jashari, i ndërgjegjshëm se për të shkruar një histori të tillë, nuk mjafton vetëm dija, të cilën ai ka dëshmuar se e disponon, nuk mjafton vetëm përkushtimi, të cilin ai e ka treguar në vepër, por në radhë të parë, për të shkruar një histori të tillë, shkrimtari duhet të ketë përgjegjësi morale ndaj kombit, duhet të jetë i pastër si kristali, një shpirt njeriu, i cili nuk ka pse skuqet me asnjë ditë të biografisë së tij, sepse nuk gjendet dot njeri që mund ta akuzojë Zenunin për një padrejtësi apo ligësi, që do t’ia ketë bërë ndokujt, qoftë edhe pa dashje. Vetëm një njeri me moralin njerëzor të Zenunit mund t’ i japë vetës të drejtë të shkruajë historinë kombit në vargje, krejtësisht i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për punën, veprën dhe jetën…

Ky është pasusi të cilin Zenuni nuk ishte pajtuar ta lexoja. Ju, që jeni duke e lexuar këtë shkrim përkujtues për Zenunin, dhe që e keni njohur mirë atë,  tani mund të vlerësoni secili për veten Tuaj se e kisha  tepruar apo jo  vlerësimin tim për trilogjinë e tij, me rastin e përurimit.

Këtë vlerësim ai e quante të tepruar edhe pse mua më duket se me asnjë fjalë nuk e kisha tepruar, as po e teproj sot, gjashtë vjet  më pas. Duke njohur modestinë e tij shpirtërore, duke njohur karakterin e tij burrëror dhe të fortë, e kisha kuptuar se Zenuni e dinte se ia kisha qëlluar, por nuk donte të apostrofohej, me një vlerësim të tillë. Dhe kjo për mua do të thotë shumë edhe sot. Kjo do të thotë se ai në shumë segmente të jetës ishte një hap para nesh, ndoshta edhe shumë hapa para, me modestinë e tij, me humanizmin, me përkushtimin për të mos ia kursyer ndihmën as një njeriu në botë, nëse në një mënyrë  iu kishte drejtuar për ndihmë.

Në anën tjetër ishte po aq i njohur në këmbënguljen  stoike për të mos i lëshuar rrugë  ligësisë, të keqes dhe matrapazllëkut.

Për nga natyra i heshtur dhe shumë i matur, i dashur me njerëzit, shumë solidar dhe i përkushtuar për shokun e mikun, i urtë dhe besnik, Zenun Gjocaj është prej atyre krijuesve shqiptarë që mua më përkujtojnë urtësinë, modestinë dhe thjeshtësinë  e Ndre Mjedës, freskinë e mendimit militant të Gjergj Fishtës dhe kredon artistike të Kolë Jakovës.

Ndjenjën e tij të sakrificës për njerëzit e kishte pjesën më të fisnikëruar të qenies. Ai ishte i të gjithëve, i të afërmve dhe i atyre të tjerëve, me të cilët e lidhte puna, aktiviteti, komunikimi. Aq shumë ishte dhënë pas punës, mirë bërjeve, angazhimeve krijuese, sa dukej se e kishte harruar vetveten, e kishte harruar edhe sëmundjen, që mjekët e kishin evidentuar afër dy vjet para vdekjes, por që nuk kishin treguar përgjegjësinë në nivel të betimit, përveç njërit prej tyre, doktorit të nderuar, Sabit Brokaj, i cili disa muaj para se të vdiste, kishte paralajmëruar për rrezikun, në rast se nuk i shtrohej shërimit të shpejtë. I sprovuar me të njëjtën sëmundje, kisha një parandjenjë se Zenuni  po e neglizhonte sëmundjen, meqë e dija   nuk i kushtonte rëndësi vetvetes, nuk ankohej, nuk po arrinte apo thjesht nuk donte ta kuptonte seriozitetin e sëmundjes. Mbase donte ta përmbyllte jetën si spartan, ashtu sikur edhe e kishte jetuar. Mbase e kishte kuptuar më mirë se unë dhe të gjithë ne se “Jeta është si treni i shpejtë, që nuk ndalet në asnjë stacion dhe kurrë nuk kthen prapa” dhe të jetosh disa vite më shumë apo më pak nuk ishte çështje e veçantë…

Tani që Zenuni nuk është më fizikisht në mesin tonë, fryma dhe shpirti i tij janë gjallë,  në veprat e shkruara që na ka lënë pas, janë gjallë fjalët e tij të urta, anekdotat që i krijonte aty për aty, ose i rrëfente në mënyrë të modifikuar, janë kujtimet, zëri i tij i çiltër, fryma humane dhe mbi të gjitha shpirti i pastër si kristali. Zenunin kurrë nuk do ta harrojmë, sepse nuk ka si harrohet një qenie e tillë, nuk mund të  harrohen veprat dhe madhështia e modestisë së tij, nuk ka si harrohet krijimtaria e veprimtaria e tij, nuk ka si harrohet Zenuni, sepse si Zenuni  ka pak të tjerë!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …