Ahmet Qeriqi: Disa raketa të armikut godasin Majën e Pallanikut pikërisht në çastin e fillimit të transmetimit të programit (E martë 25 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Disa raketa të armikut godasin Majën e Pallanikut pikërisht në çastin e fillimit të transmetimit të programit (E martë 25 maj, 1999)

Moti nuk po përmirësohet. Tymi i shtëpive të djegura dhe i bazenave të karburanteve po ngrihet si re e zezë në tërë nën-qiellin e Kosovës. Shiu dhe mjegulla nuk kanë të ndalur.

Pavarësisht nga moti i lig aeroplanët e NATO-s kanë kryer disa sulme  kundër caqeve serbe në vende të caktuara. Ata, më së shumti godasin në Golesh, në Sllatinë, pastaj në Garnizonin e Prishtinës, në garnizonin e Ferizajt dhe kryesisht në objekte ushtarake dhe në pompa të karburanteve.

Popullata e zhvendosur dita ditës po i shteron burimet e ekzistencës. Premtimet e organizatave humanitare për të hedhur nga ajri ndihma dhe artikuj ushqimorë, kanë ngelur vetëm premtime të kota.

Përveç rezervave të ushqimit që kanë sjellë me vete shumica e familjeve të zhvendosura, krizën e urisë e kanë zbutur tetë mullinjtë klasikë në fshatrat Lladrovc, Kizharekë, Nekoc, Shalë, Krojmir dhe në Pjetërshticë.

Ushtarët e Brigadës tonë gatuajnë bukë nga mielli i mullinjve klasikë. Shumica e rezervave iu kanë shpërndarë popullatës së zhvendosur, e cila ka ardhur nga Drenica Qendrore.

Së bashku me Nezirin kemi përgatitur emisionin e lajmeve.

Pak kohë para fillimit të transmetimit, Martin Çuni, Nusret Pllana, Gazmend Elshani dhe Valdet Hoti janë nisur drejt Pallanikut. Pikërisht në orën 16.00 kur kishte filluar emetimi i programit, disa raketa të tipit tokë-tokë kanë goditur në drejtim të Majës së Pallanikut. Unë dhe Neziri kemi dalë nga tenda për të mësuar se ç` po bëhej. Programi nuk po ndërpritej. Nusret Pllana kishte filluar leximin e informatave, por hetohej se mezi arrinte ta përmbante veten. Krejt kjo tregonte se baza transmetuese nuk ishte goditur. Po thuajse në të njëjtën kohë disa raketa të tjera të tipit Kaçushë kanë goditur në drejtim të shkollës në Fshat të Ri, ku tanimë janë pozicionuar disa njësi të Brigadave 113 dhe 114, të Zonës Operative të Drenicës.

Programi nuk ishte ndërprerë për as një moment. Ishte një sfidë tejet e rëndë për forcat serbe, të cilat kishin goditur me qëllim të asgjësimit të bazës tonë transmetuese. Ata përmes radiovalëve tanimë kanë kuptuar se nuk kanë goditur në shenj, ose mund të mendojmë se kanë goditur në një pikë të kamufluar.

Rreth orës 17.00 janë kthyer në tendë Nusreti, Gazmendi, Martini dhe Valdeti. Ata tregojnë se raketat serbe kanë goditur krejt afër.

-Nga tymi dhe gazrat e raketës mezi merrja frymë gjatë leximit të lajmeve – thotë Nusreti.

-Shpëtuam edhe kësaj radhe, thotë Martin Çuni, ndërsa Gazmend Elshani tregon se si iu ka ndalur fryma nga presioni i shpërthimit të raketave armike.

Rizah Berisha na ka sjellë ushqimin.

Pasi kemi ngrënë bukë, Martin Çuni është nisur në drejtim të Fshatit të Ri për të mësuar lidhur me pasojat e mundshme nga goditjet e forcave armike me raketa.

Natën vonë, burimet e huaja të lajmeve bëjnë të ditur se aeroplanët e NATO-s kanë goditur disa pika strategjike të ushtrisë serbe.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …