… Herët në mëngjes rifillojnë luftimet. Forca armike godet me të gjitha llojet e armëve. Rakatat tokë-tokë dhe ato të tipit kaçushë, dridhin pozicionet e luftëtarëve tanë, të cilët qëndrojnë dhe presin afrimin e këmbësorisë armike.
Sapo jemi zgjuar unë dhe Neziri jemi nisur në drejtim të Pjetërshticës. Atje janë mjekët, të plagosurit…
Pak pasi kemi arritur, diku rreth orës 8.30 minuta disa projektilë kanë goditur afër ambulancës në oborr, disa të tjerë te lagja e Fyllëve ku është Shtabi vendor i UÇK-së. Shumë shtëpi të kësaj lagjeje janë shembur për dhe nga përplasja e predhave. Vendi përreth shkollës po goditet me minahedhës. Si duket forcat serbe përmes vëzhguesve e kanë lokalizuar vendqëndrimin tonë. Mbase edhe kanë informata të sakta ku ndodhen mjekët dhe të plagosurit.
Pikërisht në kohën e intensifikimit të granatimit Bajram Rizani, me gruan dhe fëmijët e vegjël të Faruk Gashit, është nisur në drejtim të Krojmirit.
Një pjesë e granatës e ka qëlluar në trap të rrotës së prapme, por nuk është lënduar askush.
Pas pak vjen, Jetë Hasani. Ai na tregon se forcat armike kanë përparuar në drejtim të pozicioneve tona. Ka sjellë dy ushtarë të plagosur dhe po bëhet gati për të depërtuar sërish në vijat e frontit. Ai po ashtu shpreh ankime se përballë mizerisë armike ka shumë pak luftëtarë. Duket tërë shend. Cigaren nuk e heq nga buza dhe as që mendon se po luftohet.
-Sot m`u ka plotësue dëshira, po luftohet përnjëmend, thotë dhe me shpejtësi të rrufeshme prapakthehet me “Nivën” e tij për në Zborc.
Edhe Neziri duket tejet i lodhur nga brenga për ushtarët dhe popullatën e cila është në shënjestër të armës armike. Mundohemi t` iu japim zemër të tjerëve por jemi tejet të shqetësuar vetë. Fatmiri e ka vërejtur shqetësimin tonë. Të tjerët punojnë, kujdesën për të plagosurit.
Vapa, tymi, zjarri të përcëllojnë. Ajri është bërë bezdisës, meqë sipas të gjitha gjasave ka edhe helme lufte. Ushtarët mbrëmë janë ankuar se u djegin sytë dhe u zihet fryma nga tymi i pa rëndomtë që përhapet me rastin e shpërthimit të raketave.
Sërish me Nezën kemi depërtuar në Krojmir. Nuk dimë si të veprojmë me popullatën, përderisa ende po qëndrojnë pozicionet. Për çdo rast duhet hyjnë në Grykën e Madhe edhe pjesa e mbetur e popullatës që ishte vendosur në Krojmit nga fshatrat e Drenicës qendrore.
Në orën tre pas mesditës Elez Durmishi na lajmëron se pika luftarake e Zborcit është thyer. Plagë vdekjeje ka marrë luftëtari, Ruzhdi Salihu nga Zborci ndërsa janë plagosur ushtarët: Haxhi Nishori nga Komarani, mësuesi Brahim Brahimi nga Pjetërshtica, Sabit Nuredini nga Zborci dhe Osman Zeqiri nga Varigoci. Disa ushtarë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta. Ushtarët tanë i kanë shkaktuar dëme të mëdha armikut, Nuk dihet për të vrarë e të plagosur por dihet për dy tanke të dëmtuara. Luftëtarët kanë qëndruar nëpër istikame derisa ka filluar shembja e tyre nga predhat armike. Shumica syresh janë nxjerrë nga ushtarët e tjerë që u kanë shkuar në ndihmë.
Ushtarin e plagosur rëndë, Ruzhdi Salihu, pasi i kanë dhënë ndihmën e shpejtë, Reshat Gashi dhe Shyqri Iballi e kanë nisur në drejtim të spitalit ushtarak në fshatin Gajrak. Në orët e mbrëmjes na njoftojnë se nga plagët e rënda ka ndërruar jetë, Ruzdi Salihu, dëshmori i parë e kësaj ane. Në orët e pas ditës, nga predhat e granatës në Krojmirë është vrarë, Afërditë Shaqë Qeriqi, ndërsa janë plagosur, babai i saj Shaqa dhe i biri, Samiu.
Në orën 15.30 minuta, Ramë Buja kthehet nga Kleçka. Ai e ka përcjellë urdhrin e komandës, ku thuhet se të gjithë banorët e fshatrave të cilat janë përfshirë në luftime të dynden sa më parë drejt grykave. Edhe para publikimit të lajmit shumica e banorëve ishin përgatitur për të hyrë në grykë.
Në orët e mbrëmjes, derisa pothuajse të gjithë banorët ishin dyndur në Grykë, në shtabin vendor të Krojmirit, ku kam mbetur me mixhën Mehë, me babën tim Aliun, erdhi papritmas Ramadan Rizani, nga Drejtoria Civile. Ai tregon se nga shpërthimet e granatave nuk mund të hapet varri në Rasuja, për ta varrosur Afërditën njëzetvjeçare, martiren e parë të Krojmirit. Bajrami propozon që trupi i përgjysmuar nga predha i Afërditës të varroset “te Mrizet” në Grykë. Neziri, Kadria, Zymryti, Epiri, Arbana, Rrezja Zamiri, fëmijët e Farukut me bashkëshorten e tij dhe të gjithë të tjerët kanë depërtuar në Grykë dhe atje do të qëndrojnë gjatë tërë natës në natyrë. Atje kanë depërtuar edhe familja e Ramë dhe Shukri Bujes dhe të gjithë të tjerët, Numri i të zhvendosur kalon mbi tremijë.
Luani me njësitin e tij është kthyer nga Gryka e Carralevës, ku nuk ka pasur luftime. Ai proteston, shan, kërcënohet dhe nuk pajtohet me urdhrin e komandës për dyndjen e popullatës drejt Grykës. Në bisedë e sipër me Sylën dhe Elezin kemi arritur ta bindim se për popullatën civile mbrojtja në Grykë është shumë më e sigurt, ndërsa kemi marrë qëndrim që qysh nesër shtabi ushtarak të kalojë në hyrje të Grykës në shtëpinë e Heset Hamdiut, ku edhe do të fortifikohej ushtria për të mos lejuar që forca armike të depërtojë te popullata.
Në mbrëmje, pasi që pozicionet e para në Zborc kishin rënë në duar të armikut të gjithë ushtarët ishin tërhequr në pozicionet e dyta, në hyrje të fshatit Pjetërshticë. Disa ushtarë kishin kaluar në pozicionet e Blinajes, mirëpo edhe atje mund të pritej të zgjerohej ofensiva armike. Disa të tjerë, shtatë tetë syresh kanë dezertuar, edhe pse tani për tani nuk e dimë se kush janë. Disa prej tyre i ka rrahur Jetë Hasani dhe ua ka marrë armët.)
Jetë Hasani me disa luftëtarë kanë gjetur armë nëpër istikame dhe supozohet se ato i kanë lënë disa ushtarë, të cilët kanë ikur me disa familje drejt fshatrave të Rrafshit.
Bëhet e ditur se një njësit i luftëtarëve tanë në fshatin Leletiq, kanë qëndruar trimërisht për shtatë orë rresht kundër forcave serbe që kishin sulmuar nga ana e Magurës. Ushtarët kishin rezistuar deri sa iu kishte mbaruar municioni, ndërsa disa prej tyre kanë shprehur edhe dyshime të caktuara në disa ushtarë të Blinajes të cilët nuk iu kanë bashkuar rezistencës, në Leletiq.
Para se të errësohet, nipi Fadil Hetemi, pastaj kushëri i tij Kemajl Hetemi, Elmi Reçica, Minker Zuka dhe Flamur Zuka, kërkojnë që t`i lejojmë për të kaluar në Zonën e Neredimës. Duke qenë se ata edhe ashtu i përkasin asaj zone, sepse të gjithë janë nga rrethina e Ferizajt, i kemi lejuar dhe ata pa vonuar janë nisur në drejtim të Rancës. Në shtab Kanë mbetur edhe dhjetëra ushtarë të tjerë të cilët pasi janë ushqyer janë nisur në drejtim të pozicioneve të dyta, ku pikat e kontrollit iu kanë besuar ushtarit të përkushtuar, Milaim Beha nga Carraleva, i cili së bashku me tridhjetë luftëtarë për dy ditë rresht iu ka rezistuar forcave armike në Zborc.
Në shtëpinë time ku kam lindur, në mbrëmje vonë, pa dritë dhe në shënjestër të artilerisë armike, kemi mbetur vetëm unë, babai im Aliu, që ditë më parë ka ardhur nga Shtimja, Tezja ime Ajshja dhe Mixha Mehdiu, i cili qysh në fillim është kyçur në luftë dhe tani kujdeset për ndihmat dhe ushqimin e ushtarëve.
Diku kah ora dhjetë e natës kanë ardhur nga Blinaja mjeku, Fitim Selimi dhe Heset Sahiti. Kanë sjellë një xhip me barëra të cilat i kanë tërhequr me qëllim që në rast të luftimeve të mos mesin atje. Ata më bëjnë me dije se tani për tani pika e Blinajes nuk është drejtpërdrejt e rrezikuar, por nga çasti në çast pritet sulmi.
Fitimi është lodhur aq sa mezi flet. Është mbështetur në shtratin përballë dhe ashtu si është ulur fillon të dremisë. Heseti, ankohet për largimin pa leje të ushtarëve nga pika e Blinajes. Sipas tij, rënia e pikës në Zborc është vetëm një humbje, por Blinaja është e gjatë 12 kilometra dhe janë të gjitha kushtet të bërë rezistencë. Bisedojmë me Hesetin derisa baba dhe Fitimi kanë fjetur. Të dy iu bëjmë një analizë zhvillimeve të dy ditëve dhe arrijmë në përfundim se ka munguar koordinimi i punëve. Pajtohemi që ushtarët nga Blinaja dhe Caraleva, ku nuk ka pasur luftime ka qenë dashur që të fillim të ditës së sotme të shkojnë në ndihmë në Zborc, mirëpo ata kanë pasur urdhër për të qëndruar secili në pozicionin e tij. Edhe Heseti është ngurtësuar nga lodhja. Herë-herë brofë nga lodhja dhe flet pa e ditur se jam zgjuar apo kam fjetur…
Orët po kalojnë.
Në orën dy pas mesnatës, pasi dëgjoj një veturë që ndalet te dera e shtëpisë dal për të marrë ndonjë lajm. Në roje është ushtari nga Busovata e Kamenicës, Fatmir Maliqi.
Pjesë e koduar pesë rreshta
Ai po ashtu na njofton se edhe Gryka e Llapushnikut ka rënë, ndërsa në fushë të Betejës kanë rënë dëshmorë Imer Alushani, Ali Zogaj, një ushtar nga Krojmir të cilit nuk ia di emrin dhe janë plagosur dhjetëra ushtarë të tjerë.
Pjesë e koduar, tre rreshta
Ende pa zbardhur, jam futur në shtëpi dhe iu kam bërë zë Hesetit dhe Fitimit. Duhet që të largohemi drejt Grykës për të ndërmarrë të gjitha masat për fatin e mëtejmë të popullatës e cila ka ngelur pa strehë dhe pa kushte elementare për jetë.
Po bëhen katër net pa fjetur. Jam dërrmuar dhe sfilitur nga lodhja. Habitem si po mund t`i zvarris dhe si po më mbajnë këmbët.
Megjithatë ende jemi gjallë. Luftë është, e ngushëlloj vetveten.
Duhet ta përballojmë përderisa na është imponuar nga armiku i lig dhe i neveritshëm…