Dita e parë e vitit të ri na gjen me brenga e shqetësime të vjetra. Dëborë, mjegull, akull, acar dhe temperatura tejet të ulëta. Na mungon sasia e duhur e drunjve për ngrohje. Rrymë nuk kemi. Dhjetëra e mbase qindra veta jemi tubuar në këto tri shtëpi të lagjes së Epërme të Qeriqve. Mezi na zënë dhomat. Të gjithë këta janë anëtarë të një familjeje të madhe, që kanë hallet dhe brengat e njëjta. Në fytyrat e secilit vërej shqetësim, frikë pasiguri. Hetohet edhe mungesa e veshmbathjes dhe e shumë artikujve ushqimorë. Mirëpo më duket se tanimë jemi mësuar, jemi adaptuar. Mbase të tillë kemi qenë gjithmonë sepse lehtë iu adaptohemi të gjitha rrethanave të jetës në vuajtje e mjerim. Kështu kemi jetuar gjithmonë, në mëshirë të kohës. Kemi jetuar vetëm hijen e zbehtë të saj, por asnjëherë jetën e vërtetë, sepse ajo nuk mund të jetohet nën shtypje e robëri.
Është kjo jetë e këputur në mes, si gjithnjë edhe në të kaluarën, duke u rropatur herë në këmbë herë barkas, duke rënë e duke u ngritur nëpër vështirësitë e jetës. Dhe, sapo jemi ngritur paksa kemi jetuar në mjerim dhe frikë nga e nesërmja. Më duket se asgjë nuk kemi mësuar nga e kaluara. Jetojmë në grupe, klane, në ndasi dhe përbuzje për njëri tjetrin.
Mundohemi t`i mësojmë dhe t`i bindim të tjerët, pa qenë as vetë të sigurt në mësimet dhe bindjet tona. Ne dimë vetëm të kritikojmë njëri tjetrin pa sens për t ia shtrirë dorën e pajtimit njëri tjetrit.
Sot në mëngjes Berati dhe Qemal Aliu janë nisur për në Berishë. Edhe bijat e Beratit kanë shkuar në Shalë, me qëllim që nga atje të shkojnë në Prishtinë.
Djali im, Epiri, po mundohet të sigurojë drunj për ngrohje, meqë ndezim në disa vende dhe drutë po shpenzohen marramendshëm. Vetëm tri katër ditë më parë sollën një traktor dhe sakaq i dogjëm të gjitha. Një traktor tjetër i ngarkuar me dru ka mbetur në defekt. Drutë e zbrazura duhet fillimisht të copëtohen atje poshtë meqë rruga është e pakalueshme për traktor.
Ramadan Rizani më ka njoftuar për gjendjen që po mbretëron në shkollë. Ai ka ankime në veprimet e disa arsimtarëve të cilët ende mbajë tubime të fshehta me kreun e LDK-së dhe me disa që pretendohet se janë edhe bashkëpunëtorë aktualë të regjimit serb… (Katër rreshta të koduar)
Ramadan Rizanin e këshilloj që ai të interesohet në radhë të parë për Shtabin Civil, ku ende nuk ka plasa as përçarje, e sa për shkollën e këshilloj të mos merakoset se atje as ka ndërruar as mund të ndërrojë asgjë, përderisa këta dhe të tillë si këta i zbatojnë urdhëresat e Rexhep Osmanit dhe kompanisë së tij të LASH-it. Në çdo shkollë, ai i ka emëruar vasalët e vet. Pikërisht për të zbatuar urdhrat e tij kohë më parë kishte ardhur me do farë dekretesh e shkresash nga një zyrtari i arsimit nga Lipjani, gruaja e të cilit thuhet se ende punon në Gjykatën komunale të Lipjanit, në një tavolinë me serbët.
Elez Durmishi i ka kompletuar të dhënat për dëshmorët nga radha e Batalionit tonë, që kanë rënë në kufi më 14 dhjetor. Ai më bën me dije se në mesin e të varrosurve në Varrezat e Dëshmorëve në Polac janë identifikuar edhe kufomat e Enver Zymer Ollurit, të Qamil Hysniut nga Krojmiri dhe të Bashkim Azem Krasniqit nga Zllakuçani. Ende nuk janë identifikuar trupat e dëshmorëve, Xhelë Xheladini nga Caraleva dhe Ymri Hafiri nga Zborci.
Pas dite kanë ardhur Hilmi Ramadani dhe Fatmir Xhelili. Ata tanimë janë të pandashëm dhe veprojnë me shumë maturi. Edhe sot kanë sjellë disa pajisje për Agjencinë.
(14 rreshta të koduar)
Në mbrëmje me Elez Durmishin dhe Sylë Qeriqin kemi shkuar për ngushëllime te Ismet Ali Olluri, të cilit i ka vdekur e ëma. Pastaj jemi kthyer në Spitalin e luftës meqë është aty afër. Jemi takuar edhe me Faruk Gashin, të cilin po e shoh për herë të parë pas ikjes së fundit dhe pas plagosjes. Nuk e kam ndërmend të merrem më me Farukun. Përderisa ai nuk më përfillë, le të ballafaqohet vet si të mundet me pasojat. Ai ende ka imunitet prej Azem Sylës dhe këtë tani si duket e kanë kuptuar të gjithë. Faruku është mjaft i papërshtatshëm, fare lehtë mund të ballafaqohet me ndonjë të papritur…