Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: A e meritoi opozita “anashkalimin” e Bajdenit?

Vizita e nënkryetarit amerikan, në Kosovë, Xho Bajden me bashkëshorten e tij si dhe nipin e mbesën, më shumë se vizitë zyrtare ka qenë vizitë miqësore në përurimin e rrugës nacionale: Gjilan-Ferizaj, e cila tani e tutje do të mbajë emrin, Jozef R. “Beau” Biden III, emrin e djalit të ndjerë të nënkryetarit amerikan. Si e tillë, kjo vizitë nuk do të duhej të përjashtonte pjesëmarrjen e opozitës, e cila ka më shumë se 30 deputetë në Kuvend,  dhe e cila po ashtu ka qenë dhe mbetet e përkushtuar dhe shumë miqësore për Amerikën. Kjo vizitë, nga opozita do të konsiderohet me të drejtë si mbështetje pa rezervë e Uashingtonit zyrtar për platformën e Qeverisë, për Demarkacionin dhe Asociacionin, ndërsa në anën tjetër do të konsiderohet dhe si grusht vendimtar që i është dhënë opozitës. Kjo është demokracia në Kosovë, por nuk besojmë të jetë modeli amerikan i kësaj demokracie, sepse vasaliteti,  prirja që të respektohet miku, cilido qoftë ai më shumë se vëllai, nuk janë vlera të demokracisë, njerëzisë e burrërisë, pavarësisht sesi mund të interpretohen ndër ne.

Po ashtu vizita e z. Bajden nuk kishte filluar në Kosovë, por në Beograd, ku Qeveria e këtij vendi i kishte bërë pritje kurtuazie,  por opozita e kishte pritur me protesta e fyerje, madje edhe me sharje e përbuzje, edhe pse Bajden kishte kërkuar falje për viktimat që kishte shkaktuar NATO-ja gjatë bombardimeve në Serbi, prej 24 mars deri më 9 qershor të vitit 1999.  Bajden e kishte dëgjuar edhe deklaratën e kryeministrit serb Vuçiq, i cili kishte thënë hapur se në raport me Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, ai në radhë të parë do ta ruante interesin kombëtare dhe shtetëror të Serbisë, edhe mbi provincën, e cila sipas tij quhet “Kosovë e Metohi”, të cilën Amerika e ka pranuar si shtet të pavarur dhe e trajton të tillë. Nuk mund të mos i ketë kuptuar të gjitha këto z Bajden.

Ai në konferencën e tij, në Prishtinë në prani të krerëve të pozitës ka deklaruar se “Kosova ndodhet para disa vendimeve të vështira, sikur është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky do të jetë një vendim shumë i vështirë, por i domosdoshëm dhe punë që duhet të kryhet. Kosova  duhet t’iu përmbahet zotimeve që ka marrë në Bruksel dhe këto janë kushte, që duhet të përmbushen për t’u integruar në Evropë”. Edhe ky fjalim i adresohet opozitës e cila tani e tutje nuk do të arrijë të mobilizohet, edhe për faktin se ajo është përçarë dhe është katandisur si mos më keq, sepse koha tregoi se bashkimi nuk kishte qenë i sinqertë, as idealist në kuptimin e fjalës, të paktën jo për të tre krerët e saj, por thjesht një bashkim për interesa politike e  partiake.

Bajden u largua nga Serbia dhe Kosova, i vetëdijshëm se kjo ishte edhe vizita e tij e fundit në postin e tij aktual. Mbyllja e vizitës me një Happy Ende, ishte një ngushëllim dhe një emocion i veçantë për të e familjen e tij, por mbresa që ka lënë kjo vizitë, fjalët dhe qëndrimi i tij nuk janë as entuziaste, as gazmore e më së paku kanë qenë të drejta dhe të sinqerta sidomos për qytetarët e Kosovës, për të gjithë ata qytetarë që mendojnë dhe besojnë se Kosovës po i bëhen shumë padrejtësi, ashtu sikur iu kanë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve përgjithësisht në 104 vitet e fundit.

Bajdeni shkoi, bashkë me te edhe entuziazmi hipokrit i pozitës, dhe i pacifistëve historikë të Kosovës,  i të gjithë  atyre që jetën dhe politikën e kuptojnë sipas motos” “vetëm të më shkojë kungulli mbi ujë, sepse të tjerat janë, haja qenit e pija qenit, ndërsa ne i bimë karadyzenit”. Një karadyzeni të tillë qe 40 vjet i bie i pari i Qeverisë në Kosovë. Një trampoline të tillë i bie edhe kryetari që struket si struci para popullit dhe fryhet si gjeldet para zyrtarëve të huaj.  Bajdeni shkoi, por ka mbetur Gregu, për të na dhënë të kuptojmë se nuk kemi kah t ia mbajmë, sepse shkopin dhe karotën vazhdimisht i ka pasur dhe i ka në dorë, i forti, për ne gjithnjë i forti i huaj.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …