leoni

Ahmet Qeriqi: Eulex-i, Kali i Trojes i BE-së, në Kosovë

E largët është koha e luftës së grekëve kundër trojanëve, por rrëfimet për tradhtitë, mashtrimet, hipokrizitë, lakmitë, nuk kanë pushuar asnjëherë në botë. Jo vetëm njëherë “Kali i Trojës” ka shërbyer si krahasim, si simbol i së keqës dhe përgjithësisht si fenomen universal i mashtrimit, që ka lënë gjurmë në letërsi, por edhe në tërë historinë e qytetërimeve botërore.

Fundi i luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999, e kishte ndarë në dysh botën, rreth qëndrimit për dhe kundër Kosovës, apo për dhe kundër Serbisë. Regjimi sodomist dhe vrastar i Beogradit, në dukje ishte ndëshkuar dhe satanizuar nga forcat demokratike e përparimtare të botës, pjesëtare të NATO-s, për shkak të krimeve monstruoze, që kishte kryer në Kosovë, e para andej edhe në Bosnje, Hercegovinë e në Kroaci. Realisht në mesin e shteteve, që e kishin sulmuar Serbinë e Milosheviqit pati jo vetëm hezitime, por edhe mospajtime të thella e përplasje, të cilat u manifestuan më vonë, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës së 10 qershorit të po atij viti dhe euforisë së shqiptarëve të Kosovës për fitore dhe kthesë të madhe, historike.
Bashkësia ndërkombëtare me rastin e përfundimit të luftës në Kosovë, nuk shpalli fitues, as humbës të luftës. Realisht, humbës trajtohej regjimi dhe makineria kriminale e Milosheviqit, por jo edhe populli serb, i cili unanimisht e kishte përkrahur politikën e tij nacional-fashiste. Po ashtu, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk qe shpallur fituese e luftës, për më keq, nga shumica e shteteve anëtare të NATO-s, ishte cilësuar dhe cilësohet aktualisht si “ekstremiste” e “terroriste”. Mbi këtë pozicion ishte hartuar edhe Rezoluta famëkeqe dhe antishqiptare, 1244 e KS të OKB-së, e cila ia konfirmoi Serbisë sovranitetin mbi Kosovën, dhe përjashtoi përfundimisht pavarësinë e plotë të Kosovës në të ardhmën. Kosova nuk do të ketë ulëse në OKB, nuk do të ketë ushtri, as të drejtë të bashkimit me Shqipërinë. Statusi i saj do të jetë vazhdimisht i kontestuar, meqë forcat proserbe në Evropë dhe në botë do të bëjnë çmos në rrugë për devalvimin e pavarësisë së vendit tonë.

Mbi këtë pozicion u vendos në Kosovë regjimi i përkohshëm administrativ i OKB-së, UNMIK-u, i cili asnjëherë nuk udhëhoqi një politikë parimore dhe të drejtë për shqiptarët e Kosovës. Përkundrazi, disa shtete anëtare të KS të OKB-së vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të ashpër kundër pavarësisë, duke mbështetur fuqishëm sovranitetin e serbisë mbi vendin tonë.
Në kohën kur Kosova e përkrahur posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, shumë shtete me qëndrim antishqiptar në kuadër të UNMIK-ut filluan të veprojnë në mënyrat ndër më perfidet kundër pavarësisë.
Pas shpalljes së Pavarësisë së cunguar dhe jo të plotë të Kosovës, filluan të dalin në sipërfaqe qëndrimet aspak parimore të disa shteteve të Evropës, të cilat paraprakisht kishin përgatitur terrenin për të zbarkuar në Kosovë, e cila në shumë segmente është vënë në pozitën e një kolonie të Bashkimit Evropian. Paraprakisht, BE-ja përmes Planit të Marti Ahtisarit, kishte futur në Kosovë “Kalin e Trojës”, dhuratë kjo, të cilën e morën daurhapur të gjithë politikanët e vendit, si të pozitës edhe ata të opozitës, edhe pse, thënë realisht, kjo pako nuk kënaqte shumicën e politikanëve, por dukej si rruga e vetme, për ta dalë nga rrethi vicioz i bisedimeve të stërzgjatura mes Prishtinës dhe Beogradit, lidhur me përcaktimin e statusit të Kosovës dhe frikës nga stërzgjatja dhe stërkeqja e tërë procesit. Pakoja e Ahtisarit, Kali modern i Trojes së BE-së në Kosovë, ka filluar të zbatohet. Kjo pako parasheh të gjitha të ligat për shqiptarët e Kosovës dhe për të ardhmen e vendit tonë.
Për zabtimin e kësaj Pakoje, të pranuar dhe të nënshkruar nga kreu i vendit, është autorizuar misioni EULEX i Bashkimit Evropian, i cili ka për qëllim të vendos “rendin” dhe “ligjin”, të nxjerrë para gjyqit shqiptarët për krime që thuhet se paskëshin kryer kundër serbëve gjatë kohës së luftës së UÇK-së, duke u mbështetur nga dosjet e kohës së regjimit të Milosheviqit, të bëjë faktike ndarjen e pjesës veriore të Kosovës, të arrijë marrëveshje me Serbinë për bashkëpunim me policinë, doganat e fusha të tjera, të krijojë kushte për kthimin e të gjithë serbëve, të cilët kishin ikur nga Kosova së bashku me kriminelët, ushtarë dhe policë serbë, në qershor të vitit 1999, të ndihmojë në dëm të shqiptarëve procesin e decentralizimit, apo të kantonizimit final të Kosovës, të sigurojë paprekshmëri, duke mos lejuar edhe lëvizje të shqiptarëve në pronat e kishave dhe manastireve serbe, të pamundësojë çdo lloj Referendumi popullor apo pretendimi të shqiptarëve për t’ u bashkuar me Shqipërinë, të mos i lejojë shqiptarët të lëvizin lirshëm dhe pa viza nëpër vendet e Evropës, ashu sikur janë lejuar të gjitha kombet sllave të Ballkanit dhe shumë kufizime të tjera, në esencë antidemokratike dhe antishqiptare.
Pakoja e Ahisarit, të cilën ka filluar ta zbatojë misioni i BE-së EULEX, do të sjellë më shumë pasoja për shqiptarët e Kosovës, sesa u solli trojanëve mendjelehtë Kali i Drurit, i quajtur më vonë “Kali i Trojës” i projektuar dhe i realizuar nga Odiseu, mijëra vjet më parë.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …