leoni

Ahmet Qeriqi: EULEX-i kërkon edhe një mandat tjetër për ta mbajtur peng Fatmir Limajn

Hetimeve,  gjatë ndërhyrjes spektakolare të  EULEX-it, para 18 muajsh në MTPT, të cilat do të mbahen mend për  mënyrën  virulente të bastisjes  në zyrat e Qeverisë së Kosovës,  u ka skaduar afati ligjor. Asokohe, tri TV-të e Kosovës dhe  gazetarët “profesionistë” të Kohës Ditore, Zërit, BIRN-it e të tjerë ishin bërë gati për të filmuar burgosjet e paralajmëruara, masive, të EULEX-it, duke peshkuar “peshq të mëdhenj”. Mirëpo, nuk ndodhi ajo, që kishin pritur me padurim këta gagaritës të zezonave të Kosovës. Ishte vetëm EULEX-i, që e kishte kafshuar karremin, duke u bazuar në të dhëna virtuale të  gazetarëve hulumtues të BIRN-it, të “Kohës” e të “Zërit” , të cilët me vite të tëra kishin gagaritur në një kor të akorduar  sorrashkinash për, sikur trumbetohej, një korrupsion marramendës, që apostrofohej se kishte të bënte  me ministrin, Fatmir Limaj. Pas pak kohësh, në mungesë të  theksuar të fakteve u  zhgënjyen të gjithë, por më së shumti, prokurori holandez i EULEX-it, Johannes Van Vreeswijk dhe kreu i këtij misioni i BE-së, të cilët edhe pse bënë përpjekje të mëdha dhe të pandërprera, për 18 muaj rresht nuk gjeten dot as edhe një dëshmi të vetme, e cila do të faktonte keqpërdorime apo abuzime, që dyshohej se kishte bërë, asokohe ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Qeverisë së Kosovës. Limaj realisht kishte bërë shumë punë në ndërtimin e rrugëve, sidomos në zonat e varfra  të Drenicës e të Anadrinit, punë kjo që ishte parë me sy të keq nga EULEX-i dhe një segment i opozitës.


 


Edhe pse ka skaduar afati ligjor për ngritjen e aktakuzës, Prokuroria e EULEX-it i ka bërë kërkesë Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me  zgjatjen e  mandatit për hetime. Një vendim i tillë, ende nuk është marrë nga kjo Gjykatë, e cila nën presionin politik të mujsharëve të Bashkimit Evropian ka mundësi t`i japë edhe një mandat gjashtë mujor  EULEX-it, për të hetuar rastin, pasi që nuk i kanë mjaftuar 18 muajt e deritanishëm. Mandati i tillë  kërkohet me qëllim që, nëse Fatmir  Limaj, del i pafajshëm për krime lufte, ashtu sikur edhe kishte dalë dhe ishte liruar nga Tribunali i Hagës, gjashtë vjet më parë, të mbahet nën arrest për korrupsion, në mos për tjetër, atëherë sa për të shpëtuar  për pak kohë “fytyrën” edhe ashtu të zezë të EULEX-it.


 


Kjo fushatë  e pandërprerë kundër Fatmir Limajt dhe disa eprorëve të tjerë të lartë të UÇK-së, e ndërmarrë  në mënyrë sistematike nga UNMIK-u dhe e pasuar me besnikëri nga EULEX-i ka për qëllim damkosjen e luftës sonë çlirimtare,  deheroizimin e kësaj lufte dhe barazimin e viktimës me xhelatin.


 


Aktualizimi i kësaj lënde të paragjykuar, pikërisht në kohën e krizës në veri të Kosovës, të cilën e ka shkaktuar Beogradi zyrtar, ndërsa një segment i BE-së po bën përpjekje ta detyrojë Qeverinë e Kosovës të bëjë kompromis, duke hequr dorë nga 10 përqindëshi i territorit të vendit, po bëhet me qëllim që BE-ja ta josh Serbinë për ta pranuar në radhët e shteteve të Unionit, duke ia “larë mëkatet” për  krimet e masakrat, që ka bërë ky shtet kundër shqiptarëve, myslimanëve boshnjakë dhe kundër kroatëve, në 20 vitet e fundit.


 


Kërkesa e EULEX-it, drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës, për një mandat gjashtëmujor, nxjerrë në sipërfaqe prapaskenat e rrezikshme që po i përgatiten Kosovës nga një segment antishqiptar i EULEX-it, i cili  qëndrimin e vet kundër vendit tonë e ka manifestuar sa e sa herë deri tani. Të sjellim në kujtesë me këtë rast deklaratën e ish-oficerit të lartë të EULEX-it, Troy Wilkinson, i cili  më 16 shtator 2011, në një prononcim për RTK-në ka deklaruar se  hetimet ndaj  ministrit, Fatmir Limaj kanë nisur pa asnjë provë dhe se është krijuar një përshtypje në ekipin e hetuesve se ky rast i takon një agjende politike. “Sa i përket anës teknike, unë mund të flasë për atë që kam parë dhe me të cilën jam marrë. Nuk ka pasur asnjë provë, e cila është gjetur me këtë rast. Para këtyre hetimeve kam qenë i përfshirë në takimet me prokurorë dhe shefat e mi. Dhe në këto takime direkt kemi dëgjuar prokuroren, Izabel Arnald, e cila ka thënë se nuk i intereson a ka prova, a jo. Ajo e donte Fatmir Limaj në burg. Ajo këtë ia ka thënë edhe shefit tim dhe shefit për krime të organizuara. Ajo ka insistuar më shumë se një herë që Limaj të arrestohej. Ka pasur shumë njerëz që e kanë dëgjuar këtë, jo vetëm unë, dhe mendoj se ata kanë frikë të dalin jashtë dhe të tregojnë se çka kanë dëgjuar, sepse frikësohen mos e humbasin punën”, ka thënë ai.


 


Dihet po ashtu se autoritete e larta të EULEX nuk kanë pranuar t’i komentojnë deklaratat e ish-punonjësit të këtij misioni, Troy Wilkinson, duke thënë se hetimet kundër, ish ministrit dhe deputetit, Fatmir Limaj po bëhen në bazë të provave. Tani kur ka skaduar afati ligjor, EULEX-i, kërkon sërish mandat, me qëllim  për të shpikur “prova” përmes ndonjë dëshmitari të mbrojtur,  ose thjesht për ta mbajtur nën arrest, një luftëtar dhe politikan të dëshmuar të luftës dhe të paqes në Kosovë, personalitetin e tretë më të votuar në vend, në zgjedhjet e fundit, komandant Çelikun e UÇK-së, me punën dhe veprën e të cilit lidhet edhe mbijetesa e luftës në rajonin ku ai vepronte. Veteranët, invalidët e luftës së UÇK-së dhe shqiptarët liridashës, po përcjellin me shqetësim të madh këtë fushatë të egër, e cila ka për qëllim diskreditimin e luftës së UÇK-së dhe personaliteteve  të saj më emblematike.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …