Në mesin e krijuesve, poetë e shkrimtarë të Kosovës, radhiten disa emra të njohur, të cilët kanë shkruar dhe i kanë botuar veprat e tyre, kryesisht me tematikë atdhetare, shoqërore, të frymëzuara veçmas nga lufta heroike dhe fitimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë mes shquhet edhe profesori, intelektuali, poeti e shkrimtari, Ragip Gjoshi, i cili krijimtarinë e tij e ka filluar herët, por e ka zgjeruar, thelluar e sendimentuar në kohën e luftës së UÇK-së, në të cilën ka marrë pjesë aktive, si dhe pas çlirimit të vendit nga regjimi okupator serb, kur ka botuar shumë vepra tematikash të ndryshme.
(Në mesin e poetëve të sotëm, të rinj e të moshuar, kam përzgjedhur të përmend me këtë rast, disa nga krijuesit e Kosovës, të cilët kredo të krijimtarinë e së tyre kanë kombin, atdheun, dëshmorët e martirët, liri-bërësit e çlirimtarët, por edhe tema të tjera shoqërore, meditative, filozofike, historike e shkencore. Përzgjedhja ime bazohet në këto kritere dhe në këtë mes po radhis këta poetë lirikë dhe epikë, krijues të talentuar, të cilët nuk kanë shkruar, as nuk shkruajnë për të bërë emër, por për të lënë vepra në shërbim të kombit, arsimit, atdheut dhe shoqërisë përgjithësisht. Mendoj se, mes tjerësh, janë këta poetë dhe poetesha që kanë vulosur vlera të theksuara të fjalës poetike: Zenun Gjoci, Xhemal Pllana, Mehmet Bislimi, Ismet Begolli, Veli Veliu, Sabit Jaha, Bajram Bekteshi, Ali Geci, Ragip Gjoshi, Ismail Syla, Makfire Beqiri-Asllani, Elife Luzha, Luljeta Avdullahu, Bedri Tahiri, Mehdi Krasniqi, Halil Xani, Dibran Fylli, Halil Gashi, Bedri Halimi, Refik Gërbeshi, Zymer Mehani, Martin Çuni e të tjerë. Nuk janë vetëm këta poetë të Kosovës që i përkasin këtij niveli të shprehjes së arrirë poetike, por gati të gjithë këta i njoh dhe më njohin, andaj edhe marr përsipër të bëj këtë paraqitje afirmative për ta, duke mos nënvlerësuar asnjë nga poetët e poeteshat e Kosovës dhe pa paragjykuar se i kam radhitur më të njohurit. Kjo është përzgjedhje ime me këtë rast).
Nga ky mes, mbase edhe me vonesë, kësaj radhe kam zgjedhur, për të segmentuar pak fjalë për poetin e Drenicës, veprimtarin e luftëtarin e lirisë, profesorin e intelektualin, Ragip Gjoshi, konkretisht për përmbledhjen e tij poetike, “Udhët e shpirtit”.
I lindur, i rritur, i edukuar dhe i frymëzuar në Drenicë, poeti jo vetëm që nuk ka bërë përpjekje për të dalë e për të ikur nga provinca, sikur bëjnë poetët që e konsiderojnë veten elitarë, por ndjehet i lumtur dhe i begatuar pikërisht sepse i takon Drenicës, ani pse gjendet dikush, diku, që këtë trevë spartane të historisë kombëtare shqiptare e quan “kopsht zoologjik” apo një tjetër që e quan Divlji Zapad (Perëndimi Egër).
Mburrja me Drenicën, gjithnjë e varfër dhe e sulmuar, por gjithnjë kryengritëse, e përgjakur, e pa epur e fitimtare nga brezi në brez, nga epoka në epokë, deri te Epoka e Legjendarit, Komandantit, Adem Jashari, është krenari, madje më shumë se aq. Drenica ka qenë dhe po mbetet vullkan i pashuar i atdhetarisë dhe shembulli i saj në luftën e UÇK-së shpërndau rrezet çlirimtare kudo në trojet e Kosovës e më gjerë, në tërë Shqipërinë me vise.
Drenicë krah i yt u bëra,
Të flijohem kisha vendosur,
Dheut t’i mbjellë eshtrat,
Kudo nëpër tokën e Kosovës… Drenica ime f. 39.
Drenica për poetin është frymëmarrja e thellë e tij, dhe dielli i ngrohtë që ia rriti shtatin, ia poçi bukën dhe ia ruajti pushkën, me të cilën natës dhe errësirës ia grisëm rrobat e zeza dhe e hodhëm në greminën e historisë.
Ku kumt kuptimplotë i thurur mjeshtërisht në perceptim të begatë artistik në Ciklin e Parë të përmbledhjes poetike “Udhët e shpirtit”, pasqyron shpirtin rrezatues të një dashurie pa kufi të poetit për vendlindjen, jetën, njerëzit e kësaj treve të pamposhtur të atdheut.
Poeti, Ragip Gjoshi, ndihet i sigurt në kumtimin e fjalës poetike, të cilën e kap në kalim të meditimit apo frymëzimit qoftë edhe spontan, e motivon dhe e shkruan thjesht, kuptueshëm, çiltër, pa e zvetënuar fjalën, pa mistifikime e amputime, pa pretendime megalomane, surrealiste apo futuriste, sikur kanë bërë e bëjnë disa, t i quajmë poetë të cilët, vende-vende me kohë kanë pretenduar ta anashkalojnë fjalën e thjeshtë, disa edhe e kanë degjeneruar e degraduar gjatë hartimit të poezisë.
Në ciklin e dytë të përmbledhjes poetike “Udhët e shpirtit”, janë radhitur kryesisht poezitë e shkruara gjatë kohës së luftës së UÇK-së, të motivuara e të frymëzuara nga ngjarjet e përditshme nga rëniet e ngritjet, nga humbjet dhe fitoret, ku poeti ishte pjesëmarrës, luftëtar, sogjetues, rojtar por edhe kronist i kohës heroike, dëshmitar ditor nga një vend në tjetrin, gjithnjë atje ku e kërkonte detyra, atje ku historia po shkruhej me gjakun e njomë të trimave e trimëreshave të UÇK-së.
Në ato stinë jeta peshonte sa një pushkë
E vdekja për nder ishte e lehtë, si rrjedha e lumit,
Ata gjithë ç patën ua falën gurëve e maleve
Ata maleve për liri ua dhanë edhe kushtrimin
Ata hynë përjetësisht në faqen e lavdishme të stinëve
Ata janë roje lirie në “Stinët e UÇK-së”
Me gjakun e tyre ata shkruan fjalën “Liri”,
Dëshmorët f. 84
Në këtë cikël, poeti ka shkuar për dëshmorët, për Malet Kështjella të lirisë së Kosovës, ku strehoheshin të zhvendosurit dhe ku luftëtarët e lirisë i mbronin ata dhe luftonin përballë forcave okupatore serbe, për të mos lejuar depërtimin e tyre, që rezultonte me masakrimin barbar të fëmijëve, grave e pleqve. Këto male gjatë tërë shekujve të historisë kanë qenë vend-strehime për të shpëtuar gratë e fëmijët, të moshuarit e të sëmurët, të plagosurit e lehonat. Gjatë kohës së luftës së UÇK-së, qindra mijëra banorë, jo vetëm nga zonat e luftimeve por edhe nga rajonet e Rrafshit të Kosovës, kanë gjetur strehë dhe kanë mbijetuar në malet e luginat e lumenjve të shumë vendeve të Kosovës, ku disa kanë qëndruar edhe gjatë dimrit, dhe nuk janë larguar nga vendi. Male Kështjella f. 85 .
Malet e mia me kokë kah qielli
Kështjella të pamposhtura bedena të historisë
Ju që na e ruani kujtesën e shekujve të lirisë
Sa herë fytyrën e juaj nga afër e ka soditur
Sa ujë nga gjiri juaj kam pirë.
Në ciklin e tretë dhe të fundit të përmbledhjes poetike, “Udhët e shpirtit”, poeti thur vargje për malet, që i kishin kthyer në kështjella heroizmi, luftëtarët e lirisë, thur poezi me shumë përkushtim për Drenicën, Komandantin Legjendar, Adem Jashari, Jasharët, heroizmin e Drenicës ndër shekuj dhe rezistencën nga brezi në brez.
Te kulla e legjendave në Prekaz
Është një skenë e papërsëritshme e Kosovës
Në prehër të kësaj skene shpërthejnë vetëtima lirie
Aty vjet Agroni dhe Teuta, me kujtim Anteu
Aty vjen i madhërishmi, vetë Skënderbeu
Te kulla e legjendave në Prekaz
Vjen edhe Azemi me Shotën…
Aty është Panteoni i Shqiptarizmës. Udhët e Shpirtit, f. 115
Poezia e Ragip Gjoshit është tipike atdhetare, tipike shqiptare, për nga përmbajtja. Ajo është e shtjelluar me kujdes e përkushtim, me vokacion të pasur artistik, e kuptueshme dhe frymëzuese, e çiltër, e pastër si ujë i burimeve të maleve tona, e mbushur përplot me skena të heroizmit të luftëtarëve të lirisë, të bashkëluftëtarëve të tij, mbi të gjitha është amalgamë lirie e atdhedashurie.
Prishtinë
Dhjetor
2023