Vazhdimisht po na përcjellë një mot i lig me të reshura shiu dhe me ndërrime të temperaturës. Për shkak të motit të lig sot nuk kanë fluturuar veprimet aeroplanët luftarakë të NATO-s.
Ndodhemi në tendë. Meqë unë zakonisht zgjohem herët, dal jashtë tendës marr një krah dru dhe e ndezi stufën. Po ashtu e mbushi me ujë samovarin dhe e bëj gati çajin e mëngjesit. Kemi ende margarinë dhe marmelatë. Edhe pse ushqimi nuk na mjafton askush asnjëherë nuk e ka diskutuar këtë punë. Mjaftohemi me këto që i kemi të vetëdishëm se jemi në front, për ballë armës shkatërrimtare të armikut.
Pasi kemi ngrënë bukë, Valdet Hoti është nisur në drejtim të selisë së Agjencisë, ndërsa Fatmir Dugolli ka marrë automatikun tim dhe ka depërtuar te Bunkeri. Martin Çuni ka shkuar në pikë-pozicione të luftëtarëve dhe ka incizuar disa biseda me ushtarë dhe eprorë lidhu me luftimet që janë zhvilluar te Shkëmbi i gradinës dhe në vend-luftime të tjera. Nusret Pllana gjatë ditës depërton shpeshherë te popullata e zhvendosur dhe bën fotografi. Nëse mbijetojmë luftën këto fotografi do të mbesin dokumente për jetën, mundin dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare në këto anë. Prej kohës kur tanimë e ka provuar sjelljen aspak kolegiale të Berat Luzhës, Nusreti ka filluar të sillet me shumë kujdes. Ai është tërë mllef në sjelljet e kolegëve tanë, të cilët me kokëfortësinë dhe papërgjegjësinë e tyre po na shkaktojnë dëme të pariparueshme.
Në orët e pas ditës janë dëgjuar gjëmime armësh të forcave armike në drejtim të Arbrisë dhe Likocit. Po në të njëjtën kohë kanë filluar luftimet edhe në Zonën Operative të Neredimës. Nga këndi në Pallanik ku vëzhgoj pikën te Fushmbifusha mbi Krojmir hetoj se kanë filluar luftimet edhe në Budakovë, Graiçevc e Rancë. Edhe atje trimat çlirimtarë po bëjnë përpjekje për ta përballuar gjëmën shkatërrimtare të lubisë serbe.
Në orët e pas ditës jam nisur në drejtim të Krojmirit. Katër ditë që nuk kam qenë atje. Në dalje të Fshatit të Ri ma ndalë veturën Komandant Topi, i cili ndodhej në rrugë për në Kleçkë. Me të udhëtoj deri në Shtab dhe prej andej nisem drejt Javurit.
Në Krojmir kam arritur rreth orës 18.oo. Të gjithë i gjej mirë. Në Grykën e Krojmirit jeta gjallërhet. Lugina strategjike është një si oazë e veçantë nga e cila shihen vetëm majat e maleve përreth dhe qielli. Nga rrymimi i ajrit dhe zhurma e njëtrajtshme që krijojnë valët e lumit nuk dëgjohen luftimet. Vetëm ndonjë krismë e fortë e aeroplanëve të NATO-s i shpërthen valët e Grykës.
Pasi kam pushuar pak kanë ardhur për të më takuar Reshat Gashi, Naim Ismajli, Naser Bytyqi i cili së bashku me të shoqën Sebahaten dhe tre fëmijët është vendosur afër tendës ku jeton familja ime. Për të pirë qaj kemi shkuar te tenda e Naserit me propozim të Reshatit i cili gjithnjë e ruan frymën e një humori të lehtë, shërues. Më vonë ka ardhur edhe Isë Qeriqi dhe të tjerë…