Kemi kaluar një ditë relativisht të qetë.
Tanimë po rifillon jeta me një ritëm tjetër por gjithnjë në situatë të paparashikueshme. Serbët po taktizojnë. Ky është shenjë se ata po përgatiten edhe për një ofensivë tjetër në Drenicë, në Shalë dhe në Neredime. Largimi i tyre nga disa pika është bërë me qëllim të krijimit të korridoreve nga ku mund të depërtojë popullata civile.
Në Drenicën Qendrore dhe në Qyqavi po koncentrohen forca të shumta të këmbësorisë armike. Së shpejti pritet një ofensivë tjetër e përgjithshme para fillimit të dimrit. Drejtuesit e luftës dhe të politikës serbe kanë lajmëruar se UÇK-ja është shkatërruar, ndërsa Drenica është rrethuar me dhjetëra mijëra ushtarë dhe me tërë arsenalin e një korparmate.
Derisa po ktheheshim nga Gryka me Elezin, na bëjnë me dije se në odë po na presin Adil Cena me të bijtë Ilirin, Gafurrin dhe dy kushërinj. Po ashtu ka ardhur edhe Ali Kelmendi nga Karaçica, babai i Sejdiut. Ata kanë biseduar për një problem familjar, por kanë kërkuar që edhe unë dhe Elezi të jemi të pranishëm…
Me rastin e kthimit të popullatës ka filluar edhe qarkullimi i autobusëve në relacion Krojmir Shalë Magurë Lipjan. Shoferët, sipas Elez Durmishit janë kërcënuar nga zyrtarët lokalë serbë në Lipjan, që të punojnë. Si duket ata duan që këtë ta marrin si shembull të qetësimit të situatës, ose kanë qëllime të tjera.
Ushtarët tanë që janë në vëzhgim të terrenit në Dukë dhe Karaçicë, kanë bërë të ditur se forcat serbe kanë filluar të plaçkitin nëpër disa shtëpi dhe prenë e tyre e zbarkojnë në vendqëndrimin, te Godenët. Si duket ata po përgatiten për t u tërhequr. Ushtarët kanë kërkuar leje për të sulmuar. Ata kanë treguar po ashtu se ditëve të fundit serbët po lëvizin krejt të shfrenuar pa roje dhe pa kurrfarë vigjilence.
-Nuk ka urdhër për sulm vetëm në rast vetëmbrojtjeje, iu thotë Elezi prerë.
Ushtarët janë kthyer zemërthyer dhe ma merr mendja se në mesin e tyre do të gjenden edhe të atillë që në një moment kritik do të sulmojnë dhe neve pastaj do të na thonë se kanë qenë të sulmuar.
Përgjithësisht vërehet një qetësi përpara furtunës. Një qetësi e rreme sikur thuhet në këto anë. Njerëzia iu kanë dorëzuar fatit. Ne nga ana jonë kemi bërë gjithë ç` ka qenë e mundur, për ta mbrojtur popullatën dhe disa nga pozicionet më strategjike. Në këtë drejtim nuk kemi bërë asnjë koncesion dhe deri tani ia kemi dalë, falë sakrificës së ushtarëve por edhe vendosmërisë së popullatës për të mos e lëshuar vendin.