leoni

Ahmet Qeriqi: Forcat serbe sulmojnë Blinajën dhe fshatin Vërshec (E shtunë 18 korrik, 1998)

Ahmet Qeriqi: Forcat serbe sulmojnë Blinajën dhe fshatin Vërshec (E shtunë 18 korrik, 1998)

Sot kemi filluar të grumbullojmë grurin e arave të një kooperative në fshatin Fushticë. Sipas marrëveshjes paraprake me pronarët, është arritur një marrëveshje që sasia e grumbulluar e grurit të transportohet  dhe të deponohet në lokalet e Shkollës së Krojmirit.

Qysh herët në mëngjes, Vehbi Qeriqi, Ramadan Rizani, Hashim Olluri Heset Olluri dhe të tjerë kanë organizuar aksionin për bartjen e më shumë se 100 tonë grurë, sa parashihet të grumbullohet për nevoja të ushtrisë dhe të popullatës së zhvendosur.

Traktorët me rimoriko venë e vinë pandërprerë.

Kemi hapur një regjistër, në të cilin Selatin Qeriqi dhe Ramadan Rizani po evidentojnë sasinë e grurit të cilin po e sjellin traktoristët nga disa  fshatra të Drenicës.

Heseti dhe Ramadani së bashku me disa punëtorë e kanë siguruar vendin ku po derdhen thasët e grurit.

Në orët e pas ditës, me mjekun Fatmir Xhelili i kemi vizituar ambulancat civile dhe ato ushtarake, për të evidentuar mungesën eventuale të barnave, të cilat janë më se të nevojshme. Gjithashtu, e kemi studiuar edhe mundësinë e aktivizimit të një lindtoreje, meqë ndihet mungesë tejet e shprehur në këtë drejtim. Gratë që pritet të lindin dhe të cilat i kanë burrat ushtarë, nuk kanë guxim të shkojnë në Prishtinë apo në ndonjë qytet tjetër, meqë në rast të kontrollit mund të ndalohen dhe mund të ballafaqohen me të  papritura.

Për Lindtorën kam biseduar edhe me Hilmi Ramadanin. Teuta Hadri bashkëshortja e tij, gjinekologe, veprimtare dhe ish e burgosur politike  ka shfaqur gatishmëri të ndihmojë në këtë drejtim dhe në rast të krijimit të kushteve, ajo do të kalojë përfundimisht në zonat e çliruara.

Fatmir Xhelili ka sjellë një sasi të konsiderueshme të barnave. Ai, na viziton shumë shpesh dhe përkujdeset për të gjitha nevojat tona.

Me siguri se Shërbimi sekret serb ka njohuri për lëvizjet e tij, meqë nuk janë të pakët  personat  e dyshimtë në fshatrat tona, që mbajnë lidhje me  policinë, madje edhe përmes telefonave mobilë. Të tillët qysh moti mund të kenë lajmëruar. Ata me siguri se e përcjellin. Për të gjitha këto edhe Fatmiri duhet të jetë i vetëdijshëm.

Më së shumti më pengon vajtje ardhja e natyrës së tillë. Gjithçka mund të ndodh, gjithçka mund të kurdiset nga regjimi gjakatar serb…( Pesë rreshta të koduar)

Në orët e pas ditës, janë dëgjuar shpërthimet e para të granatave të armikut në drejtim të Blinajës.  Pas një ore, kemi marrë njoftime se forcat policore dhe ushtarake serbe kanë filluar granatimin nga distanca në  drejtim të fshatit Vërshec, si dhe në drejtim të pozicioneve të luftëtarëve tanë. Pesë orë rresht janë zhvilluar luftime të ashpra  në tërë vijën e frontit nga Qylaga, Vërsheci e deri te Leletiqi. Luftëtarët tanë iu kanë kundër-përgjigjur forcës ushtarake shumëfish më të fortë  të armikut. Epërsia e ushtarëve tanë është se ata e njohin terrenin dhe i sulmojnë forcat e armikut atje ku nuk e presin. Luftëtarët tanë  kanë qëndruar të paluhatshëm në pozicione deri në orët e para të natës. Janë shquar në luftime sidomos ushtarët: Dardani, Xeni, Halil Olluri, Selatin Rizani, Ajvaz Korpuzi e shumë të tjerë.

Në orën 20.00 Ramë Buja dhe mjeku Fitim Selimi  me veturën e tyre kanë sjellë një fshatar të plagosur, të fshatit Vërshec. Nga granata e armës armike, ka vdekur djali i tij 16 vjeçar, ndërsa është plagosur lehtë edhe bija e tij. Pa vonuar Rama dhe Elez Durmishi me veturë e nisin fshatarin e plagosur në drejtim të spitalit ushtarak, në Gajrak.

Ushtarët tanë të cilët natën vonë janë kthyer nga fushëbeteja bëjnë të ditur se banorët e fshatrave, Leletiq,Vërshec, Qylagë, nën breshërinë e granatimeve të pandërprera të armës armike, kanë lëshuar shtëpitë e tyre dhe janë nisur kush si ka mundur në drejtim të Krojmirit, të Shalës e të fshatrave të tjera të Drenicës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …