Ahmet Qeriqi: Forcat tona po rirreshtohen. Gryka e Krojmirit i përballoi edhe një katrahure. (E hënë 31 gusht 1998)

Ahmet Qeriqi: Forcat tona po rirreshtohen. Gryka e Krojmirit i përballoi edhe një katrahure. (E hënë 31 gusht 1998)

Vazhdojmë të jetojmë nën qiell të hapur. Histeria serbe antishqiptare ka marrë hov, sidomos pas inskenimit të furrave për “kremimin” e serbëve në Kleçkë.

Sot po mbretëron një qetësi e rrejshme, e ankthshme, si gjithnjë në pritje. Vëzhguesit tanë që janë në përcjellje të lëvizjeve të vrastarëve serbë,  rrëfejnë se ka lëvizje taktike dhe tërheqje të pjesshme  të armatimit të rëndë. Ndoshta krejt kjo bëhet meqë serbët kanë organizuar konferencë për shtyp dhe me siguri se do të sjellin gazetarët e tyre, apo edhe ndonjë Helena Ranta, ndonjë mik të tyre anglez apo gjerman. Ndodh që pikërisht për këtë po e fshehin armatimin e rëndë.

Forcat tona po ripozicionohen. Lufta në kushte të tilla  nga afër na konvenon por ka urdhër për mossulmim. Janë vështirësuar lidhjet me bazat e zonave të tjera. Ofensiva e ka përfshirë edhe Drenicën Qendrore me të cilën janë shkëputur lidhjet. Edhe atje ka pasur ofensiva dhe shkatërrime. Gjendje e rëndë mbretëron sidomos në Dukagjin. Thuhet se disa njësi farkiste, edhe pse  nën uniformën e UÇK-së kanë dezertuar. Gjendja në Dukagjin është shumë e rëndë por ne tani për tani jemi më të rrezikuarit.

Sa herë që takohemi me Luanin ai i qesëndis eprorët e lartë të UÇK-së.

-Ku janë tani që nuk duken, më drejtohet.

-Kanë punët e tyre edhe ata, sikur ne tonat, i them

-Kanë fshehur kokat dhe kanë ikur për në Shqipëri, gjoja për armatim më thotë, duke u munduar të më mund me qëndrimin e tij injorues kundër disave.

-Ata nuk të besojnë andaj edhe nuk të tregojnë ku janë, i them me qesëndi.

-Unë jam atje ku luftohet. Më lejoni ju pastaj do të shihni po nuk iu hyra serbëve nëpër çadra, thotë i vetëdijshëm se për veprime të tilla  nuk do të lejohej askush, sidomos tani kur ndodhemi buzë greminës.

Elezi është shumë i përmbajtur. Është një personalitet i kompletuar që rezonon me kujdes dhe nuk ndërmerr asnjë veprim pa u konsultuar. I tillë është edhe Syla, mirëpo të tjerë rreshtohen sipas situatës, herë pas Luanit i cili bën probleme, e herë pas Sylës dhe Elezit kur e shohin se mund të gabojnë.

Aktualisht kemi më shumë se 140 ushtarë të pozicionuar në të gjitha pikat. Ata janë të gatshëm ta sulmojnë  armikun sa po ta marrin urdhrin. Mirëpo tani për tani kanë urdhër për të ushtuar rojë dhe vëzhgim…

Nga  ndihmat humanitare aq shumë të përfolura ditëve të fundit, Shyqri Iballi ka marrë vetëm najlon dhe disa batanie. Ato janë tërhequr nga Gryka e Nekocit.

Kam besim se edhe kësaj radhe do t ia dalim.

Këtu janë tubuar luftëtarët e dëshmuar. Askush nuk e ka hequr uniformën sikur kanë bërë në shumë vende. Janë të rralla rastet e ndonjë ikjeje apo kalimi prej zonës në tjetrën. Përgjithësisht  i kemi marrë këmbët dhe po sogjetojmë, të vetëdijshëm se pa gjak nuk ka liri, se po t` ishte ashtu pacifistët do ta kishin sjellë në pjatë qëmoti…

Diku kah ora 21.30 minuta serbët kanë granatuar në drejtim të pozicioneve tona.

Arbana, Epiri, Zymryti ende janë në Shalë…

Zamiri dhjetëvjeçar  fle shkujdesur, sikur t ishte në ndonjë fushim…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …