Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Kapitull nga romani në dorëshkrim, “Guri i betimit”

  1. Haxhi Yllbegu

 

Në vitin 1360 Sulltan Murati i Parë, kishte filluar sulmet kundër  principatave të  Ballkanit, të cilat i përkisnin Perandorisë së Lindjes, Bizantit, që ishte dobësuar sidomos nga inkursionet e princërve të Rashkës. Ata  kishin krijuar edhe mbretërinë e tyre, madje e quanin Perandori. Në vitin 1366 osmanët kishin marrë portat e Bizantit, kishin pushtuar Adrianopojën dhe ishin përgatitur për të depërtuar në viset e tjera të principatave të dobëta, të krishtera,  të zëna në luftë me njëra tjetrën. 

Në Pallatin e Sulltanit,  në Adrianopojë, në pranverë të vitit 1371 kishte arritur Haxhi Yllbegu, një kalorës me origjinë arbërore nga dera  e Arianitëve,  që dia vite më parë ishte kapur rob gjatë luftimeve dhe ishte konvertuar në islam. Ai, asokohe  ishte kalorësi  më i besuar i Bejlerbeut,  Lala-Shahin. I kishte sjellë Sulltanit një raport të nënshkruar nga Bejlerbeu, ku flitej për përgatitjen e një kryqëzate të re të forcave të krishtera.

Sipas raportit bëhej e ditur se Papa Urbani i Pestë, kishte dërguar në Ballkan emisarët e vetë dhe kishte biseduar me princërit, me qëllim për t’ i goditur forcat turke, të cilat kishin pushtuar Adrianopolisin dhe shumë qytete e kështjella të Bullgarisë e Bizantit. Forcat turke kishin marrë pjesën më të madhe të Bullgarisë dhe kishin për qëllim të mos e ndalonin rrugëtimin drejt vendeve të Perandorisë së Lindjes. Ata me qëllim kishin anashkaluar pushtimin e Konstandinopojës, meqë pretendonin t’ ia zinin rrugën në Ballkan kryqtarëve të Evropës. Komandanti i Rumelisë së asaj kohe, Lala-shahini kishte kërkuar nga Sulltani përforcime me ushtarë dhe armatim, meqë forcat e krishtera, numerikisht  konsiderohej se ishin shumëfish më të mëdha. Për këtë qëllim kishte nisur për në Adrianopojë, zëvendësin e tij, luftëtarin trim, Haxhi Yllbeg dhe tre kalorës të tij të besuar. Yllbegu kishte marrë me vete kalorësit më të besuar që ishin të origjinës dhe gjakut të tij, në mesin e tyre edhe Sami Yllbegun, djalin e vëllait të madh dhe dy të afërm.

Disa vjet më parë, ata, në luftë për mbrojtjen e Adrianopojës, ishin kapur rob me rastin e rënies së qytetin e lashtë të Mretit Hardian, nën pushtimin e osmanëve. Me rastin e sulmit, mbi Kështjellën e fundit të Adrianopojës, ata kishin marrë urdhër nga eprori i tyre, kryekështjellari,  Markus Vilnius që të gjithë robërit e  kështjellës, gjatë natës t’ i hedhnin  në det, duke i kaluar nëpër një kanal të nëndheshëm. Shtjefën Arianiti, i njohur më vonë si Haxhi Yllbegu me kushëririn e tij Marinin, Samiun dhe dy të afërmit, Thanasin dhe Jorgjin kishin filluar t’ i nxirrnin nga kthinat turqit e robëruar, të cilët mezi lëviznin këmbët nga torturat dhe mungesa e ushqimit. Disa nga ata tërhiqnin zvarrë njëri tjetrin Në mesin e tyre kishin vërejtur edhe gra e pleq. Pas disa orë rrugëtimi nëpër kanalin e nëndheshëm, ata kishin arritur që grupin prej rreth dyqind robërve ta nxirrnin në brigjet e detit. Ndërkohë, Shtjefën Arianiti, pasi kishte biseduar me të vetët ishte marrë vesh që të mos e zbatonin urdhrin për mbytjen e robërve turq në det, por të mbyllnin derën e daljes në kanalit dhe të qëndronin aty. Robërve iu kishin bërë me dije se nuk do t’ i mbysnin, edhe pse shumica syresh nuk iu kishte besuar.

-Këtu do të qëndrojmë të gjithë. Ne nuk do të zbatojmë urdhrat, sepse andej nga vijmë ne, nuk i vrasim të burgosurit, as ata që dorëzohen. Nuk vrasin gra, fëmijë as burra pleq Sapo të zbardh drita, shohim e bëjmë.

Me ndihmën e disa të burgosurve turq që ishin më të rinj në moshë, me gurë traj  e gjësende që kishin gjetur në dalje të kanalit, kishin mbyllur daljen, nga frika e ndonjë befasie, apo edhe nga mundësia që kanalin ta shfrytëzonin ushtarët,  që mund të iknin me rastin e rënies së kështjellës.

Po atë ditë, në orët e mbrëmjes kishte rënë edhe kështjella e fundit e Adrianopojës. Këndimi i ezanit në muret e kështjellës dhe thirrjet e fuqishme të luftëtarëve: Allahu ekber, – Allahu ekber!,  kishin qenë shenja të qarta  se turqit kishin pushtuar qytetin.

Shtjefen Arianiti me tre ushtarët e vetë kishte mbetur në dalje të tunelit, ndërsa turqit ishin larguar qetas, duke falënderuar shpëtimtarët dhe duke u premtuar se së shpejt do të bisedonin me autoritet për fatin e tyre.

Në kohën kur Shtjefni me tre të vetët po bënin plan të bëheshin gati të gjurmonin ndonjë varkë të mbetur në brigjet  e Bosforit, dy  turq, nga mesi i të liruarve ishin kthyer për t’i shoqëruar meqë kishin marrë garancë nga një oficer se nuk do t u ndodhte asnjë e keqe, pasi kishin liruar 200 robër.

Autoritetet turke, që kishin pushtuar qytetin kishin hetuar rastin e katër kalorësve, roje të brendshme të kështjellës, nën sundimin e Vilniusit. Pasi i kishin marrë në pyetje, me një ferman të veçantë i kishin ishin shpallur të lirë, për t’ iu bashkuar të gjithë kështjellarëve që ishin dorëzuar.

Kalorësit shqiptarë kishin parë me sy dhe ishin bindur  se asnjë nga radhët e të  dorëzuarve krishterë, turqit   nuk i kishin vrarë. Ndërkohë, një koxhabash turk, pasi kishte mësuar rastin,  iu kishte ofruar  të shërbenin në kështjellë, pa kushtëzim paraprak për ta ndërruar fenë. Prej asaj kohe, të katër arianitët ishin konvertuar me dëshirë në islam dhe iu kishin bashkuar radhëve elite të ushtrisë perandorake. Rasti i tyre ishte shënuar në kronikat e kohës.

Haxhi Yllbegu, kalorësi sykaltër, shumë i njohur ndër beteja, pasi kishte arritur në Adrianopjë, në përcjellje të tre luftëtarëve të tij besnikë,  ishte pranuar në Rezidencë te Sulltani. Atë e njihnin të gjithë duke qenë se kishte bërë emër si streteg dhe luftëtar i përkushtuar i Perandorisë, që po zgjerohej me shpejtësi rrufeje. Atë ditë, Sulltan Murati i Parë ishte ngritur më herët nga gjumi, meqë gjatë natës kishte ëndërruar përçart dhe nuk kishte bërë gjumë të mirë. Kishte falur sabahun dhe nuk ishte kthyer sërish në shtrat. Rojat e brendshme të Pallatit e kishin njohur se katër kalorës kishin sjellë lajme nga Lala-Shahini.

Haxhi Yllbegu në prani të rojave të brendshme të Pallatit, ia kishte puthur hiramin Sulltanit dhe pasi ishte larguar disa hapa kishte pritur kokulur.

– Yllbeg efendi, iu kishte drejtuar Sulltani. Kam dëgjuar shumë për trimëritë dhe përkushtimin tënd në luftë. Çmoj rastin që ke shpëtuar 200 të burgosur turq dhe që ke zgjedhur të na bashkohesh.  Dua më shumë lajme për krejt çka po ndodh në radhët tona nën komandën e Lalashahinit.

– Sulltani im i nderuar, iu kishte drejtuar me një zë të qartë dhe me gjuhë të pastër, të cilin nuk e zotëronin më mirë as turqit e arsimuar. Nuk jam në dijeni të paraqitjes së gjendjes nga Komandanti im i respektuar  dhe nuk di çka shkruan në raport, meqë unë nuk kam qenë i pranishëm me rastin e përgatitjes së tij. Gjendja, nuk më duhet se është aq e rëndë, meqë forcat e krishtera janë shumë të përçarë, edhe pse numerikisht  janë në shumicë. Ata, kanë interesat dhe synimet, që dihen. Nga dervishët tanë, të cilët përcjellin me përkushtim lëvizjet e tyre, kemi mësuar se në Kryqëzatën, që po përgatitet nuk marrin pjesë arnavudët, as disa nga komandantët grekë. Tani për tani dimë se në krye të kësaj kryqëzate janë dy princër sllavë, dy vrastarë të njohur, që kanë shkatërruar dhe kanë shkapërderdhur mbretërinë, pas vdekjes së mbretit të tyre, Dushan. Në krye ndodhet një trashëgimtar i Fronit, Urush e quajnë, por nuk ka autoritet, nuk ka dije ushtarake dhe as është i përgatitur për luftë. Në këtë përbërje të forcave flitet se do të bashkohen edhe forcat magjare, kroate, por ata nuk pajtohen, që prijësit vrastarë dhe me nam të keq, Vukushin dhe Uglushin, të dalin në ballë të kryeqëzatës. Papa Urbani nuk i ka bekuar të krishterët e lindjes, ndërkohë nuk ka arritur t’ i bind arnautët e krishterë të besimit katolik për t’ iu bashkuar Kryqëzatës.

– Përse mendon se arnavudët nuk do t’ i bashkohen kryqëzatës?

– Prijësit e tyre, ka afër dyqind vjet që luftojnë kundër Mbretërisë sllave, e cila u ka pushtuar pjesën më të madhe të trojeve, u ka  ndaluar fenë e të parëve, u ka përvetësuar kisha e manastire, edhe pse të dyja palët janë të krishterë, por me dallime që dihen. U ka ndaluar  zakonet, gjuhën dhe deri atje ku rashjanët, kanë arritur pushtimin i kanë trajtuar dhe i trajtojnë si  skllevër.  Vetëm në një pjesë të Kosovës, ata sundojnë të pavarur, por edhe ata, sidomos pas vdekjes së Dushanit kanë armiqësi të thellë me fiset dhe princërit sllavë. Në këtë raport të forcave ata na dalin aleatë.

– Thuhet se janë trima ndër beteja dhe ti i njeh mirë, meqë ke të njëjtën origjinë.

– Unë jam luftëtar i përulur i Perandorisë dhe i islamit. Kam zgjedhur me kohë rrugën time, Sulltani im!

– M’ i kanë treguar trimëritë tua, biri im, por flasim hapur. Por, përderisa keni vërejtur se ata janë të armiqësuar me serbët e sllavët, përse nuk keni dërguar emisarë me qëllim që me ta të lidhim marrëveshje për mos-sulmin, pse jo edhe aleancë?

– Kjo nuk është në kompetencën time, Sovrani im i respektuar. Po të urdhëroni ju, edhe kjo do të bëhet.

– Edhe një pyetje, Haxhi Yllbeg. Më kanë treguar se ti vazhdimisht sulmon gjatë natës, e befason armikun, e sulmon aty nuk e pret, ndërsa gjatë ditës futesh në mesin e dervishëve apo edhe të murgjve të krishterë. Është krijuar një mit për ty biri im. Sa janë të vërteta këto?

– Sa më shumë që njihet armiku, aq më lehtë luftohet, kështu keni thënë Ju Sulltani im i nderuar. Thuhet po ashtu se sa më shumë që e kupton gjuhën e armiqve aq më lehtë depërton në mesin e tyre. Mua, Allahu më ka dhënë dhunti mësimin e gjuhëve. Shumë lehtë depërtoj në mesin e tyre, edhe pse kjo punë është me shumë rreziqe. Mund të më vrasin me pa hir njerëzit e mi, derisa të më njohim kush jam.

– Djali im, të mos i ndahesh komandantit, Lala Shahin, por t’ i bësh me dije edhe bisedën që sapo zhvilluam. Allahu të ndihmoftë ty dhe të gjithë ushtarët e njerëzit tanë, i kishte thënë Sulltani, derisa  Haxhi Yllbegu ishte larguar duke ecur prapa dhe duke i bërë temena, Sulltan Muradit të Parë.

Me qëllim për të përparuar drejt tokave të Bizantit, Sulltan Muradi i Parë, i kishte dhënë urdhër Flotës dhe forcave kalorësiake të përgatiteshin për të sulmuar forcat e krishtera, për të cilat flitej se ishin shumë fish më të mëdha në numër dhe në armatim dhe kishin depërtuar, afër Adrianopojës në Grapus të buzë-lumit, Marizza, dy ditë rrugë nga Adrianopolisi.

Komandanti i forcave turke kishte mirëpritur ndihmën e shpejtë të Sulltanit, ndërkohë që në kampin prej afër 1000 kalorësve kishte arritur edhe Haxhi Yllbegu me kalorësit e tij. 3000 këmbësorë dhe kalorës të tjerë ishin pozicionuar nëpër pyje e thjerrishte në bregun e  lumit Marizza, ku pritej të depërtonin kryqtarët, në krye me dy prijësa të njohur për dhunë e mizori që kishin ushtruar edhe ndaj njerëzve të tyre.

***

Në krye të forcave të krishtera ishin nisur në ballë të një ushtrie të përbërë prej 70.000 trupave dy mercenarët sllavë, të vetëshpallur mbretër,  Vukashini dhe Ugleshini, të njohur për ligësi, për veprime të shfrenuara, pije deri në dehje  e prapësi të papërshkrueshme. Duke qenë se Vatikani dhe bota në Perëndim kishte mbështetur kryqëzatën, në kohën kur turqit kishin kaluar Dardanelet dhe kishin depërtuar në ultësirat e Bullgarisë, kryqtarëve sllavë u kishin dërguar armë, mburoja dhe veshje të rëndë prej metali. Të gjithë ushtarët ishin veshur me rroba të rënda të metalit, madje krejt të sigurt se nuk do të shpoheshin nga shigjetat tinëzare të turqve, të cilët i befasonin kudo. Trupat ishin pajisur  edhe me topa të rëndë dhe me një logjistikë deri atëherë më të fortën e më të përparuaren. Në radhët e kryqtarëve serbë e sllavë nuk kishte arbër, as grekë. Edhe vllahët ishin në numër të vogël, ndërsa magjarët ishin paraqitur në forcë rezervë duke i ndërsyer serbët dhe duke i lavdëruar se do ta merrnin kurorën e Papës, nëse i thyenin turqit. Prijësi magjar, Nagy Ishtvan, gjatë takimit me dy prijësit serbë i kishte lavdëruar tejmase, i bindur se ata nuk do ta kuptonin dredhinë e tij.

Në kampin fushor, në hyrje të vendit, i cili quhej Grapus, ai me përcjellësit e tij ishte pranuar në çadrën e Vukashit e Ugleshit, të cilët gjatë tërë rrugës kishin pirë dhe ishin gjysmë të dehur.

-Szervus uraim! u kishte thënë në gjuhën e tij, kapiteni magjar, Istvan.

Na zdarovje, ia kishin kthyer përgjigjen të dy në të njëjtën kohë. Kapiteni, duke parë se ata nuk do të flisnin gjuhën e tij kishte thirrur pranë përkthyesin.

Vukashini ishte ndier i fyer se Mbreti magjar kishte dërguar një kapiten dhe jo një autoritet më të lartë për negociata lidhur me pjesëmarrjen në luftë. Megjithatë kishte pranuar të bisedonte. Pasi ishin ulur në vendet e caktuara, në çadër kishin hyr tri femra shtat hedhura, me flokët të lëshuara përposh dhe me paraqitje krejt të shfrenuar. Njëra nga ato u kishte vendosur para gotat e metalta, tjetra  i kishte mbushur me verë dhe e treta i kishte përshëndetur, duke lëvizur e duke përdredhur shtatin para tyre.

Vo imja Jezusa i za pabjedu hristianstva, kishte thënë Vukashini  duke ngritur dollinë, ndërkohë që një femër zeshkane iu kishte ulur në prehër, Ugleshinit.  Kapiteni magjar ishte ngritur në këmbë në kohën e dollisë, ndërsa Vukashini vetëm kishte drejtuar shtatin e bëshëm dhe në vendin ku ishte ulur dukej më i lartë se kapiteni, i cili ishte më i vogël me trup dhe përballej me cinizmin e kalorësit, që paraqitej me fodullëk se ishte  kapiteni i kryqtarëve.

A nagy  Ludvig neve, kam ardhur për t’ iu dhënë mbështetje mbretërore, i sigurt se shpatat në duart tuaja, do të korrin  fitore për ju dhe tërë krishterimin. Kjo është porosia e mbretit, ndërkohë që trupat tona prej 20.000 këmbësorë e kalorës, kanë kaluar Tunën dhe brenda pak ditësh do të jenë nën urdhrat tuaja.

 – Fitoren e kemi më se të sigurt, jemi 70.000 shpata, ushta e heshta. Edhe pa ndihmën tuaj do ta marrin Adrianopojen dhe t’i shfarosim turqit. Është radha jonë dhe fitorja do të jetë jona, -kishte thënë Ugleshini, pa e larguar nga prehri valltaren, e cila i përdridhej për shtati. Sjellja e saj i kishte bërë përshtypje të keqe kapitenit hungarez, i cili që në fillim kishte kuptuar se kishte të bënte me dy prijës më të papërgjegjshëm dhe më të panjerëzishëm, që kishte pasur rast t’ i kishte parë ndonjëherë. Ishin më të këqij  sesa i kishin folur eprorët e tij. Megjithatë atij i pëlqente, që ata do të futeshin të parët në luftë, ndërsa kalorësia e këmbësoria hungareze, vllahe e gjermane do të mbetej  rezervë e artë, gjithnjë në akord me situatën që do të zhvillohej. Derisa i kishte shikuar si kapardiseshin dy prijësit të dehur e të jargavitur me robëreshat, kapiteni magjar e kishte marrë me mend se ajo turmë luftëtarësh, me prijës të tillë do të degdiseshim më keq se asnjë ushtri tjetër më parë. Ishte larguar, duke u lënë të kuptonin se ai ishte në prapavijë, i gatshëm për ndihmë po ta kërkonte nevoja.

  1. Humbja fatale e kryqtarëve sllavë në brigjet e Marizzes (Hebros)  

Në vendin e quajtur, Lugu Qermen, te Ura, në një luginë lumi të Bullgarisë, e cila më vonë e kishte marrë emrin e  Mustafa Pashës, dy ditë rrugëtim larg Adrianopojës, në bregun e lumit Marizza, ishte vendosur kampi i luftëtarëve sllavë, të cilët, sipas disa kronikave të kohës numëronin rreth 70.000 veta, së bashku me të gjithë ata që shërbenin edhe në  intendanturë.  Disa nga krahinarët ishin munduar të vendosnin rregull e rend, por ushtarët ishin lodhur e sfilitur, nga rrugëtimi i gjatë dhe nga veshja e rëndë me mburoja të metalta, të ngarkuar  nga plaçka që kishin marrë gjatë rrugës. Shumica syresh dukeshin si gra shtatzëna dhe mezi lëviznin nga ngarkesat. Po ashtu, të gjithë kishin të mbushura plot strajcat e lëkurës të ujit me verë e raki të fortë.

Shtatori i atij viti kishte qenë i nxehtë dhe pa shi.

Trupat sllave që ishin nisur nga Morava dhe të tjerat nga jugu ishin bashkuar në brigjet e lumit ku kishin vendosur kampet. Për dallim nga praktikat luftarake të kohës, shumë nga ushtarët serbë kishin marrë me vete edhe familjet, kush gruan, kush djalin apo babanë. Që në fillim ishte krijuar bindja tejet e fortë se me turmat e mëdha të njerëzve, që kishin tubuar, do të futeshin në Adrianopojë dhe do të largonin turqit, të cilët pak vite më parë e kishin pushtuar qytetetin. Sllavët, gjatë bisedimeve  që kishin pasur me prijësit e Bizantit dhe ndihmës së premtuar nga ata, si dhe bindjes që kishin krijuar se në muret e qytetit do të prisnin mijëra luftëtarë nga mbarë Bizanti, të sigurt në fitore, ata nuk kishin paramenduar se gjatë rrugës mund të hasnin në ndonjë rezistencë. Grupet e ushtarëve turq që kishin përcjellë dyndjet e mijëra sllavëve nga Rashka, Morava dhe nga viset jugore, kishin raportuar se një forcë e madhe njerëzish, jo vetëm ushtarë por edhe gra e fëmijë ishin nisur për të shtegtuar drejt Adrianopojës.

Përderisa kampi i kryqtarëve sllavë ishte shpërndarë e kapardisur në formën më të shrregullt të mundshme, turqit në grupe të vogla, të shpërndara nëpër pyje, kishin përcjellë me kujdes vendosjen e ushtrisë kundërshtare. Ata kishin vërejtur  deri atëherë ushtrinë më të parregullt, që u kishin zënë sytë madje kishin dyshuar mos ajo parregullsi e dehje ishte ndonjë improvizim i armikut, deri atëherë të panjohur.

Shumë prej tyre kishin raportuar se ajo forcë njerëzish ishte e çakërdisur, e dezorientuar dhe krejtësisht e shthurur, por ishte shumë mirë e armatosur, të gjithë kishin mburoja të metalta  e pancirë mbrojtës. Syrit të vëzhguesve turq nuk u kishte shpëtuar pa u vërejtur edhe fakti se kuajt mezi lëviznin nga ngarkesat, stolitë,  madje edhe mburojat e metalta me të cilat ishin veshur sipëri  kuajt e kalorësisë së lartë. Në përshkrimin e tyre të gjithë vëzhguesit pajtoheshin me një pikë se ushtria e pozicionuar rreth lumit më tepër dukej ushtri që kthehej me trofetë e fitoreve ndër  beteja,  sesa ushtri që kishte ndërmend të luftonte.

Duke mësuar për gjendjen kaotike të kampit kundërshtar, Haxhi Yllbegu kishte kërkuar nga komandanti Lala-shahin ta lejonte që me disa nga luftëtarët e tij të depërtonte vetë në afërsi të Kampit armik për ta vërtetuar gjendjen, meqë vëzhguesit kishin paraqitur një gjendje, së cilës nuk mund t’ i besohej lehtë pa e konstatuar mirë.

Komandanti i kishte dhënë leje por e kishte porositur që të kishte kujdes.

Haxhi Yllbegu kishte zgjedhur tre ushtarë dhe dy dervishë, të cilët kishin marrë për detyrë të depërtonin në kamp me kuaj të ngarkuar me basma e veshje orientale, duke qenë se në kamp thuhej se kishe edhe shumë femra. Basmaja orientale, shumëngjyrëshe, e stolisur me arabeska, me ngjyra alli e ngjyra të gjelbra ishte magjia vetë në sytë e femrave të krishtera, të cilat ishin me shumicë në Kamp. Prania e madhe e botës femërore nuk shpjegohej me logjikën e luftës së kohës. Në përshkrimin e përgjithshëm dukej se ushtria e popullata ishin dyndur, edhe pse raportet tregonin se ata ishin përgatitur ta sulmonin Adrianpojën. Agjentët evropianë nga radha e kryqtarëve, kishin përhapur fjalë se edhe mijëra ushtarë të tjerë, ishin nisur drejt Adrianopisit të sigurt në fitore, andaj edhe kishin marrë me vete familjarët dhe katanditë. Ata ishin bërë gati me të gjitha që të bëheshin banorë të Adrianololisit. Prejardhja e atyre njerëzve, që disa shekuj më parë ishin shpërngulur nga Dnjepri drejt viseve të Ballkanit, dukej sikur ishin përgatitur për të depërtuar edhe në viset, të cilat asokohe i kishte pushtuar Perandoria Osmane.

Dy ditë më vonë nga kampi ishte kthyer, Dervishi Hasan dhe tre kalorësit tregtarë, të cilët kishin shitur tërë mallin dhe kishim marrë oferta të tjera.

-Është një kamp karaxhoz, Yllbek efendi, nuk dihet kush han, as kush pi, kishte thënë Dervishi dhe kishte vazhduar.  Në fillim mendova mos është ndonjë kamp me djaj. Të gjithë flasin, qeshin, dehen, pushtojnë femrat aty për aty në prani të njerëzisë dhe as u bën përshtypje fare. Duken djaj. Pasi kryejnë punë me femrat i rrahin ato dhe   i poshtërojnë. Kalorësit janë veshur aq rëndë, me rroba metali sa mezi lëvizin. Ushqimin kryesor kanë mishin e derrave që i kanë sjellë me vete dhe derrat e egër që i vrasin nëpër pyje. Disa prej tyre edhe peshkojnë në brigjet e lumit. Gratë e tyre u çmenden pas luhurisë që dërguam. Nuk pyesin për çmimin. Po të kishim 100 barrë ngarkuar do t’ i shisnim. Nuk na keqtrajtuan madje, as na pyeten se kush jemi, meqë rrobat tona nuk u bënin përshtypje. Vetën njëri prej tyre na u duk esëll. Dukej se nuk ishte i dehur, në fillim dyshoi dhe ma afroi kamën te fyti, por u tërhoq pasi u bind në gjakftohtësinë tonë se ishim vetëm tregtarë dhe asgjë më shumë.  Prijësit e tyre quhen, Vukashin dhe Ugleshin, por nuk i kemi parë. Në Kamp flitet se Vukashini ka vrarë mbretin e tyre, një Urosh, i sëmurë dhe i lindur me defekte trupore. Ushtria e tij janë zemëruar, aq sa pritet që ata të luftojnë kundër njëri tjetrit. Nga çasti në çast kemi vërejtur sesi i sulen njëri tjetrit, por jo me shpata sikur bëjmë ne. Në kohën kur zihen, heqin shpatat dhe rrihen ne grushte, deri sa njëri i shtrin tjetrin për tokë. Edhe tre shoqëruesit e tjerë kishin zbuluar se kurrë nuk kishin parë kamp më të çorganizuar.

Një ditë para Betejës, më 25 shtator të vitit 1371, Haxhi yllbegu i veshur me rroba të ushtarëve mongolë, së bashku me Marinin, që e quanin Sami Yllbeg si dhe Dervishin Hasan i cili duhej të përkthente në gjuhën e serbëve, meqë për të eleminuar çdo dyshim nuk do të fliste gjuhën e vjetër sllave, të cilën e zotëronte, ishin futur në kamp dhe kishin kërkuar të bisedonte me Mbretin. Ata ishin paraqitur si kalorës mongolë, që ndiqeshin nga turqit. Me qëllim për t’ u dukur  i tillë, Haxhi Yllbegu  kishte lyer fytyrën me një pastë speciale me ten të zi, sepse kishte frikë mos po linte dyshim pamje e racës së tij.  Pas disa orë pritjeje, Vukashini i kishte pranuar në selinë e tij fushore, nën një tendë shumë të madhe ku binin në sy trofetë, kokat e ujqve dhe arinjve, helmetat e ndryshme dhe përplot kryqe të metalta.Me të hyrë në kamp, duhma e rëndë e rakisë dhe ushqimeve të prishura ia kishte zënë frymën Haxhi Yllbegut, i cili në rininë e tij kishte pirë verë, por kishte shumë vite që nuk e kishte afruar te goja.

Ai kishte përshëndetur mbretin me dorën e djathtë në gjoks dhe i kishte bërë temena ndërsa Vukashini kishte qeshur me zë për zakonin e keq të tyre. Në Kamp ishin të pranishme edhe disa femra gjysmë lakuriqe, të cilat dukej sikur përkujdeseshin të venin rregull brenda çadrës së madhe ku pushonte mbreti.

–  Kush ju dërgoi dhe pse, i kishte pyetur në mënyrë qortuese?

– Mbret i nderuar,  kemi ardhur me qëllime paqësore. Nuk duam luftë dhe jemi të gatshëm t’ iu bashkohemi. Jemi disa qindra  ushtarë mongolë dhe nuk jemi të gatshëm të vdesim për Sulltanin, meqë ai na ka caktuar këtu si mish për top, sepse nuk i dhimbsemi. Jemi në mëshirën Tuaj hirësi kishte thënë Yllbeku duke bërë sërish temena dhe duke i kërkuar mëshirë mbretit.

– Sa ushtarë ka Komandanti i turqve, kishte pyetur ai.

– Ata janë rreth 4.000 mijë, ndërsa ne rreth 1.000.

Vukashini kishte qeshur me zë dhe nuk i kishte dhënë rëndësi pranisë së tre të huajve edhe pse dyshonte se në rastin konkret mund të ishin dy spiunë, që kishin ardhur për të parë kampin nga brenda. Kjo madje i shkonte për mide për të treguar epërsinë e ushtrisë së tij.

-Nesër u dërgoj disa kalorës dhe bisedojmë për kushtet  e dorëzimit apo bashkimit me ne. Mirë që nuk jeni turq, edhe pse një farë e ligë jeni të gjithë, iu kishte thënë derisa ata po largoheshin. Përcjellësi i rojave të jashtme i kishte shoqëruar deri në dalje të Kampit.

Duke parë gjendjen në kamp i bindur se në tërë atë masë mijëra ushtarësh nuk gjendeshin as edhe një mijë luftëtarë  të aftë për ta lëvizur shpatat, Haxhi Yllbegu sapo kishte arritur në kampin e tij,  i cili ishte vetëm një orë rrugë kalorësie nga kampi i kishterë, por i fshehur në pyjet, kishte marrë vendim për sulm  pa e pyetur as pa e lajmëruar Komandantin, Lala Shahin. Me të drejtë kishte menduar se do të korrte një fitore përrallore.  Me 1000 ushtarët e vet, ishte fare i sigurt se do ta shfaroste kampin edhe ashtu të dehur, të sëmurë dhe të katandisur.

Ende pa aguar mëngjesi i 26 shtatorit, kalorësit e përgatitur  dhe të zhdërvjellët të Haxhi Yllbegut kishin filluar sulmim mbi ushtarët serbë të dehur, të përgjumur dhe krejtësisht jashtë radhëve. Kronisti, Nuri Estekin, më vonë kishte shënuar: “Edhe rojat kishin fjetur. Në kampin e madh që nuk i dukej fundi vetëm ndonjë pishë tek tuk bënte dritë. Brohoritjet e thekshme, Allahu Ekber dhe sulmi i furishëm i kalorësve dhe i këmbësorëve tanë mbi trupat serbe, kishin krijuar një gjendje kaosi e makthi. Asnjë qëndresë për të qenë, vetëm tek-tuk ndonjë kalorës mundohej të mbrohej. Shumica syresh ishin mësyrë lumin me qëllim që të kalonin në anën lindore, por asnjë prej tyre nuk arrinte pa u goditur,  nga heshtat apo shigjetat e ushtarëve të Haxhi Yllbegut. Një orë pasi ishte zbardhur, kampin e kishte  larë gjaku. Dëgjoheshin brithma të grave e burrave të moshuar, që nuk dinin nga t’ ia mbanin.  Qindra kalorës  serbë ishin tubuar te çadra e prijësve kryesorë, të cilët ishin vënë në rrethim dhe nuk kishin nga t’ ia mbanin…  Të sulmuar  në befasi dhe krejt papritur, Vukashini dhe Uglesha kishin nxjerrë shpatat por ushtarët e tmerruar, të përgjumur dhe të dehur dukej se ishin bërë pengesë për  njëri tjetrin, meqë nuk kishte komandë, nuk dinte kush çka po ndodhte, ndërsa gratë dhe fëmijët ulërisnin brenda çadrave, të cilave ushtarët tanë ua kishin dhënë zjarrin.”

 Vushashini e Uglesha ishin zgjuar nga gjumi dhe dehja vetëm pasi turqit ishin futur thellë në kamp. Ata nuk kishin hartuar plan të mbrojtjes, meqë nuk kishin pritur sulm gjatë rrugë, të sigurt se nuk do të kishte luftë  derisa të depërtonin në Adrianopojë.

– Formoni kordonin për t’ u larguar Mbreti, kishte urdhëruar Uglesha, në përpjekje për të ikur nga Kampi së  bashku me kalorësit dhe luftëtarët që ishin bërë gati për ta çarë rrethimin.  Kampi ishte vënë nën rrethim, por turqit nuk kishin depërtuar në pjesën e bregut të lumit të vetëdijshëm se shumica syresh do të hidhej në lumë, me qëllim të shpëtimit, meqë në anën tjetër të lumit nuk dukeshin forcat turke.

Në orët e pas ditës, kur kampi dukej si një kasaphane e trishtueshme, kishin arritur disa qindra ushtarë nga radhët e kryqtarëve sllavë, të cilët kishin filluar të rezistonin me tërë fuqinë, por çdo përpjekje kishte qenë e kotë, meqë rrobat e hekurit e mburojat e rënda me të cilat ata luftonin. i bënin të palëvizshëm përballë ushtarëve të Haxhi Yllbegut, që ishin veshur vetëm me rroba të lehta dhe kërcenin mbi ta sikur tigrat në prenë e tyre.

Në fund të betejës kishin arritur edhe dy mijë forca, që i kishte dërguar Lalashahini, pasi e kishin lajmëruar se Haxhi Yllbegu kishte shpartalluar kryqtarët. Luftëtarët e Lalashahinit kishin ndihmuar në rrethimin e robërve dhe bartjen e plaçkës së luftës drejt Adrianopojës.

Më 27 shtator, kampi dukej i vdekur. Sorrat, zhagabat dhe çafkat ishin dyndur nga të gjitha anët dhe kishin filluar të çukishin dhe t’ u hanin mishtë të vdekurve e të plagosurve.

Haxhi Yllbegu kishte urdhëruar ushtarët që të mos vrisnin robërit por t’ i rreshtonin buzë lumit dhe të prisnin urdhrin për të i nisur në drejtim të Adrianopojës, që kishte dy ditë rrugëtim këmbë. Ai kishte urdhëruar kushëririn, Sami Yllbegun që të mos  i lejonte ushtarët të  dhunonin asnjë nga femrat dhe të kursehej çdo kokë fëmije mashkull apo femër.

Gjatë dy ditëve në vijim, nga 70.000 trupat e ushtareve dhe të dyndurve të Kampit të kryqtarëve sllavë, në brigjet e Marizzës, i  kishin nisur drejt Adrianopojës 30.000 të zënë rob. Pjesa tjetër ishte vrarë, ishte mbytur në lumë dhe kishte marrë plagë vdekjeprurëse. Disa qindra ushtarë kishin arritur të iknin nga kampi dhe kishin depërtuar te forcat hungareze, me qëllim për të kërkuar ndihmë. Prijësi i tyre i hidhëruar në pritjen e keqe që i kishin bërë dy prijësit sllavë, kishte marrë vendim që të gjithë të mbijetuarit t’i trajtonte si rob lufte, meqë konsideroheshin se kishin dezertuar.

Prijësi magjar, Nagy Ishtvan,  nga kalorësit serbë që kishin ikur nga fushëbeteja  kishte kuptuar katastrofën që kishin pësuar krishterët në luftë, por nuk i kishte ardhur fare keq. Ai edhe ashtu e kishte ditur se një ushtri e tillë, e shthurur, nuk do ta bënte gjatë. Nga frika se edhe ushtarët e kalorësit e tij do të pësonin, ai kishte urdhëruar kthimin e ushtrisë në drejtim të NandorFehirvarit, duke shpallur fitoren e kryqëzatës, edhe pse nuk kishte humbur asnjë ushtar, as kishte lejuar ushtarët e vetë për të marrë pjesë në luftë. Kthimi i tij “fitimtar” kishte bërë, me qëllim që Papa dhe prijësit katolikë ta shpallnin të fituar kryqëzatën në Marizzë, edhe pse të gjithë e dinin se kishin humbur dhjetëra mijëra kryqtarë serbë e të tjerë. Ata dinin se ishin zënë rob rreth 30.000 mijë veta. Prej asaj kohe vendin ku luftëtarët serbë e sllavë kishin humbur e kishin quajtur  “Serp sindirxhi” , që do të thoshte “fatalja  e serbëve”.

Lajmëtarët e Haxhi Yllbegut kishin lajmëruar Komandantin, Lala Shahin se forcat e tyre kishin ngadhënjyer kundër kryqtarëve dhe po ktheheshim me dhjetëra mijëra  të zënë rob, me armët e municione, me topa që nuk kishin arritur të zbraznin asnjë gjyle dhe me plaçkë luftë të paparë e të pashënuar deri atëherë. Jehona e fitores ishte ndier edhe në Adrianopojë në Pallatin e Sulltan Muradit të Parë, i cili me vështirësi kishte besuar se 1000 ushtarë të Haxhi Yllbegut kishin ngadhënjyer mbi 70.000 forca të krishtera. Ishin dashur orë të tëra për të shpjeguar se si ishte arritur deri atëherë fitorja më e madhe e turqve me humbje krejt të pakta nga radhët e tyre.

I fundit nga “Kampi i vdekur” buzë Marizzës ishte larguar Haxhi Yllbegu me një batalion kalorësish. Ai kishte dy plagë, një në dorë e një në këmbën e majtë, por të dyja ia kishin pastruar e  lidhur mirë, as sa edhe  nuk i dukeshin fare plagë serioze. Gjatë ecjes çalonte  por ajo nuk i bënte fare përshtypje. Për herë të parë në jetë kishte parë një lumë të mbushur  me kufoma dhe tokën e përgjakur e të degdisur me njerëz , kuaj, çadra rroba… Në Kampin e vdekjes, dukej se kishin arritur shkabat e sorrat e tërë botës. Tri ditë pas betejës pasi ishte siguruar se forcat magjare ishin tërhequr dhe nuk kishte më asnjë rrezik,  ai me luftëtarët e tij trima ishte dukur para çadrës së madhe të komandantit të tij, Lalashahin, pa i shkuar fare në mendje se edhe pse kishte korrë një fitore të madhe historike, kjo nuk do t’i pëlqente kryekomandantit.

Ishte futur në çadër dhe i kishte marrë temenanë. Ai e kishte mirëpritur me respekt, por pa treguar shenja gëzimi për fitoren.

– Evet, Haxhi Yllbeg. Qenke plagosur biri im, por korre një fitore të shkëlqyer, edhe pse ke bëre një gabim të madh, meqë nuk more leje personale nga unë për të sulmuar. Ka rregulla ushtria jonë.

– Më ndje Komandanti im i nderuar!  Duke parë se ai nuk ishte kamp luftëtarësh,  si ato që kemi parë deri tani, por më shumë i ngjante një tregu të karagjozëve të veshur  me rroba hekuri,  sesa një ushtrie që shkonte në luftë, unë urdhërova të sulmoheshin pa zbardhur drita, meqë të gjithë ishin të dehur dhe kjo na solli fitoren e sigurt, fitoren më të madhe të kemi korrur deri tani në këto anë. Po të kishim pritur ata, do t i lëshonte rakia dhe ballafaqimi do të ishte krejt ndryshe.

– Ashtu është biri im. Ke korrë një fitore të paparë deri tani, por ke bërë një gabim të madh, të cilin unë do ta fal për hir të fitores, për hir të plagëve, të cilat do t’ i shërojnë me kujdes “heqimet” e mi personalë. Ti e  kurseve komandantin tënd dhe ushtarët e tjerë, të cilët edhe ashtu ishin të gatshëm për të luftuar, dhe të cilët ndihmuan në tërheqjen e plaçkës së luftës dhe të robërve.

– Mbase edhe kam gabuar Pashai im, por çdo prijës i luftës, kur bindet në fitoren që e konsideron shumë të sigurt nuk ka çka pret. Po të mos kishim sulmuar gjatë natës dhe po të mos i kishim befasuar,  mbase edhe ashtu do të kishim korrë fitore, por jo me humbje minimale.

Lalashahini ishte prekur në sedër dhe nuk i gëzohej fitores, meqë mendonte se Sulltani të gjitha meritat do t’ia njihte, Haxhi Yllbegut, merita të cilat nuk do të mund t’ ia kontestonte askush. Madje, merita, nuk do të interpretohej si diçka e rastit, sepse Yllbegu kishte korrë edhe fitore të tjera, sidomos kur kishte sulmuar armikun gjatë natës, ashtu sikur kishte bërë edhe herën e fundit. Ishte kjo një metodë jo e lavdëruar e ushtrisë Osmane, por komandantët e luftës, të gjithë pa dallim, aspironin fitoren, pavarësisht sesi e arrinin atë.

Lalashahini, në prani të pashallarëve dhe rojave të brendshme kishte urdhëruar mjekun e tij personal, që t’ia shëronte plagët Haxhi Yllbegut, edhe pse ai nuk iu kishte dhënë fare rëndësi. Në bisedë, vetëm me mjekun, e kishte urdhëruar t’ia helmonte plagën dhe ai të mos jetonte me shumë se tri ditë, meqë ditën e katërt dëshironte  të hynte në Adrianopojë me flamurin e fitores dhe lavdisë  së madhe. Ishte Komandanti, ai të cilit i përkiste fitorja, pavarësisht se nuk e kishte zhveshur shpatën dhe kishte bërë rehat gjumin derisa Haxhi Yllbegu kishte korrë fitoren më të madhe të kohës. I dukej i vogël dhe i pavlerë një vartës i tij të ngarkonte mbi supe drejt Adrianopojës një fitore të papritur dhe të pa parë deri atëherë. Kishte marrë të gjitha masat, që vepra e tij e ligë të mos zbulohej në asnjë mënyrë dhe për këtë ishte tejet i sigurt. Fundi i Haxhi Yllbegut do të mbyllej me diagnozën e mjekëve, “plaga ishte helmuar”,  meqë nuk ishte trajtuar me kohë…

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …