Qysh nga data tetë korrik e deri sot nuk ka ra asnjë pikë shiu.
Edhe pse bën një vapë lemeritëse, Gryka e Shpëtimit gurgullon nga uji i bollshëm dhe i ftoftë. Këtu nuk hetohet vapa e gushtit. Lumi është burim i jetës dhe i pastërtisë në rrethanat e tanishme.
Ditë më parë jam takuar me gazetarin irlandez, Majk Konor, ndërsa sot kam biseduar me gazetarin Art Çaims. Kemi biseduar lirshëm, mirëpo nuk kam pranuar që të bëjnë intervistë apo të fotografojnë terrenin. Po ashtu nuk i kemi lejuar të futen thellë në Grykë, meqë edhe ne i kemi dyshimet tona. Te e fundit askujt nuk i shkruan në ballë kush është dhe krahun e kujt e mbanë. Ne as i kemi legjitimuar ata. Mundet fare lehtë të futet edhe ndonjë gazetar serb i cili e njeh mirë anglishtën. Nga biseda e sotme kuptova se ata kanë mjaft informacione për pozicionet tona të tanishme. Ata duan të dinë se sa mund të qëndrohet në kushte të tilla.
Këtë pyetje nuk e bëjnë pa qëllim. Në përgjigjen time se do të qëndrojmë derisa ta çlirojmë Kosovën, ata nuk e fshehin skepticizmin e tyre.
Pavarësisht se kush janë dhe punën e kujt e bëjnë, e pranoj se janë trima madje shumë më trima se gazetarët tanë të cilët pa pikë turpi japin informacione të bezdishme dhe krejtësisht anakronike. Ditë më parë, gazetari Mehmet Haziri, lansoi një gënjeshtër të turpshme se gjoja banorët në Grykë të Krojmirit po ushqehen me kokrra gruri. Me siguri se ai nuk i beson këtij konstatimi por këtë e bën për të ngjallur defetizëm dhe për të treguar se lufta dhe qëndresa shqiptare kundër forcave okupatore serbe është e kotë. Informata të tilla paushalle japin edhe Sherif Konjufca nga Tirana, e sidomos Afërdita Saraçini, e cila mbështetet në të dhëna të gënjeshtarëve me damkë. Ajo me stilin dhe dërdëllisjet e saj kakofonike ngjall panik te të zhvendosurit.
Pretendimet e saj për ta paraqitur të kotë luftën çlirimtare janë të dënueshme, por jemi larg dhe nuk kemi ç` bëjmë. Tani në këto kushte janë kurrfare mundësitë për të aktivizuar Radion apo Agjencinë. Sido qoftë, ne do t `i durojmë të gjitha. Me rëndësi është që luftëtarët e UÇK-së nuk po pyesin për çmimin e lirisë. Derisa ata marrin kanë guxim t `i dalin tankut armik deri në 50 metra për ta qëlluar me predhë antitank, ky është treguesi i fitores, dhe unë e të gjithë sa jemi në male i besojmë këtij realiteti, meqë e kemi parë me sytë tonë.
Në tridhjetë metra largësi ka shënuar dhe e ka goditur tankun armik Ruzhdi Salihu, tani dëshmor i kombit. Ushtari Rrahman Tafa, në Grykë të Carralevës, ka zbrazur ne tank shishen me benzinë në një largësi prej 15 metrash dhe ia ka dhënë flakën. Heroizmi i këtyre trimave i lë prapa skenat e luftës që i kemi parë në filmat artistikë e dokumentarë për Luftës e Dytë Botërore.
Një punë në informim edhe pse krejt rrallë e bën, korrespondenti i Bujkut, Selatin Qeriqi. Mirëpo ky punon në kushte tejet të rënda pa telefon të vetin. Duhet t ia huazojmë dikujt telefonin, pastaj të dalim diku në një lartësi për ta dërguar një raport.
Gazetari i TVSH-së Asllan Bajrami nuk i pranon raportet tona, pasi që mendon se Ismet Sopi mund t`i vijë rreth krejt vijave të frontit.
Në orët e mbrëmjes Luani ka lejuar të futet në Grykë dy xhipa të organizatës Mjekët pa kufinj, të cilët kanë sjellë barëra, dhe 80 pako ushqimore. Një pako e tillë përmbanë: dy litra vaj, 2 kg oriz,2 kg fasule, 2 kg. shpageta dhe 1 kg sheqer. Po ashtu ata na kanë dhënë edhe 20 batanije, 100 kanaqe plastike për ujë, 20 komplete ushqimi për fëmijë, 100 metra plastmas për tenda.
Ata kanë bërë edhe kontrollimin e disa të sëmurëve.
Pasi i kemi falënderuar për të gjitha ata janë larguar në përcjellje të ushtarëve tanë deri në Shalë.
Pakot ushqimore iu kemi ndarë të gjitha familjeve në grykë. Një pako deri në pesë anëtarë, dy pako për familjet me më shumë anëtarë. Është kjo ndihma e parë e një organizate humanitare, prej fillimit të luftës në zonat tona. Kemi rezervuar disa pako për familjen e Ali Mullinit e vetmja familje që nuk ka ikur nga fshati Pjetërshticë.