Me autobusin e mëngjesit kanë udhëtuar për në Prishtinë, Agroni, Kastrioti, Labinot Graiçevci dhe miku i vëllait të tij. Iu kemi premtuar se sa po të krijohen kushtet do t`i ftojmë. Ata, janë kthyer të zhgënjyer dhe zemërthyer.
Ndërkohë me Martinin jemi nisur në drejtim të Berishës. Martini ka kondicion të shkëlqyeshëm. Edhe pse me kallash në shpinë, gjoksoren me katër shanzherë dhe me aparatin e tij digjital, ai ec lehtë.
Sapo kemi arritur në seli na bëjnë me dije se sot kanë paralajmëruar vizitë në selinë e Radios dhe të Agjencisë një ekip gazetarësh të BBC-së. Mirëpo pak më vonë mësojmë se SHP i UÇK-së nuk iu ka dhënë leje për të incizuar me kamerë, për shkaqe që me të drejtë konsiderohen konspirative. Gazetarët janë kthyer të zhgënjyer, mirëpo atyre iu kanë premtuar se pas një kohe do të mund të na vizitojnë sërish.
Në lajmet e pas ditës bëhet e ditur se në fshatin Kramovik, bandat gjakatare serbe kanë vrarë pesë civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe dy fëmijë.
Në mbrëmje, gazetarët anglezë, në mesin e tyre edhe një gazetare përkthyese shqiptare, kanë kërkuar një takim kolegial me drejtuesit e Radios dhe të Agjencisë. Pa vonuar, së bashku me Berat Luzhën kemi shkruar në vendin e caktuar, në Fshat të Ri. Atje i kemi takuar gazetarët e huaj. Kemi shprehur keqardhje për pengesat objektive, sepse mendojmë se po të identifikohet vendi, stafi i Radios dhe Agjencisë do të mund të rrezikohej nga forcat ushtarake e policore serbe.
Në ndarje iu kemi premtuar se sapo të krijohen kushte, do të kontaktojmë dhe me siguri se do të lejohet edhe incizimi brenda në seli.
Pastaj me Berat Luzhën kemi shkuar në Shtab.
Kam kërkuar të takohem me Azem Sylën, por më kanë thënë se është i lodhur nga rruga që ka bërë mbrëmë dhe nuk mund ta zgjojnë nga gjumi.
Pas një kohe sërish jemi kthyer në Berishë. Gjatë tërë rrugës na ka përcjellë me xhip Rizah Berisha, i cili tani për tani kryen edhe punën e shoferit të Radios dhe të Agjencisë.
Sonte për në Krojmir kanë udhëtuar Nusret Pllana dhe Nezir Myrtaj.