Dr. Zenun GJOCAJ: Një vepër me përmasa të gjëra e të thella studimore, kulturore e historike
(Me rastin e botimit të veprës së A. Qeriqit: Gjurmime dhe studime, Prishtinë 2011.) Ndryshe nga metodologjia përshkruese e studimeve të deri tashme historike, të ngarkuara me data e emra të shumtë njerëzish e vendesh, vepra e A. Qeriqit “Gjurmime dhe studime” trajton një varg punimesh historike të karakterit thelbësor sintetik, dinamik e kritik për ngjarje e figura të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, pak e shumë të mbetura në qoshe të harresës apo të mosinteresimit për trajtim të mirëfilltë meritor, nga shkaqe të ndryshme, pos tjerash, edhe nga mungesa e vullnetit të mirë për gjurmime të mirëfillta reale.
Vepra hapet me artikullin e gjerë shkencor lidhur me figurën historike të Milush Kopiliqit në mes të legjendës dhe historisë, vendlindjen e tij, toponiminë, antroponiminë, reliktet e mbetura arkeologjike, epikë shqipe, si dokumente autentike të mbetura edhe sot e kësaj dite. Është një kapitull shtues për ndriçimin e kësaj figure, së cilës autori ia pat kushtuar një monografi të veçantë me titull: “Milush Kopiliqi, serb a shqiptar”, të botuar më 2003, por këtu me një qëllim e dioptri tjetër të re shtuese, bazuar në materialin epik e trajtuar në dritën e koncepteve të reja, ashtu si dhe Luftën e Kosovës në dritën e burimeve dhe konstatimeve të reja kombëtare e ndërkombëtare., sidomos në dritën e epikës shqipe.
Krahas kësaj figure, autori trajtoi edhe figurën e Halil Patronës, ku i jep rëndësi të veçantë, po aq sa edhe të M. Kopiliqit, figura këto që historiografia jonë nuk u ka dhënë rëndësi, përderisa historiografia jo vetëm serbe i ka mitizuar dhe si e tillë e ka marrë dheun, madje ka ndikuar në përlyerjen jo vetëm të historiografisë evropiane, por edhe në formimin e bindjes së rrejshme për të drejtën e serbëve në pronësimin e Kosovës. Kështu deri në fund të shekullit që e lamë, kur u pa synimi i vërtetë i tyre, kur u kuptua se miti serb mbi Kosovën nuk u ndërtua mbi bazën e Luftës për mbrojtjen e Kosovës, si portë hyrëse e mbrojtjes së Evropës, por luftë për interesat strategjike të politikës serbo-ruse, për pushtimin e Kosovës, madje dhe më tej, për t’i marrë çelësat e Adriatikut e të mbarë Ballkanit. Dihet përse. Andaj miti serb ishte mëri e shekujve të dirigjuar nga rusët dhe e paralizuar me shekuj nga Evropa. Përndryshe, çdo mitizim e politizim i këtij realiteti situatën e shndërron në tragjedi e këtë në gjakderdhje jo vetëm për Kosovën.
A. Qeriqi me argumente, pos tjerash edhe me epikën shqiptare për atë kohë, Luftën e Kosovës e nxjerr nga dimensionet mitike e përrallore propaganduese serbe, gjoja për mbrojtjen e Evropës. Por, në të vërtetë ajo ndodhi për interesa gëlltitëse tokash arbërore. Fatkeqësisht, pas 600 vitesh u kuptua e vërteta: Luftës së Kosovës, kur u pa se doli rrezik për Ballkanin e për mbarë Evropën, duke e qitur historinë jashtë logjikës argumentuese. E kjo dihej. Rusia cariste, më vonë BRSS ishte njëfarë fuqie botërore dhe nuk duhej trazuar gjithaq atë, as këlyshët e saj.
Pos këtyre, autori vargëzon një numër studimesh të karakterit historik në lëmin e historisë, gjuhësisë, kulturës dhe dokeve autoktone shqiptare, të parë me një sy kritik dhe argumentues, që vlejnë për pasurimin e historisë dhe filologjisë shqiptare.
Punimet ilustrohen edhe me material të mjaftueshëm arkeologjik, gojëdhanor të mbledhur në vendlindje të M. Kopiliqit, Rezallës, në biblioteka të ndryshme dhe në Internet.
Për argumentimin e origjinës shqiptare të Milush Kopiliqit, pos tjerash, autori mbështetet në trashëgiminë e kulturës historike, folklorike, materiale, antroponimike, arkeologjike, toponimike e demografike (superiore në raport me serbët e ardhur, ortodokse nga feja, por të mohuar nga sllavët) të mbetura deri më sot, pikërisht në Rezallë e Kopiliq, ku ishte vendlindja e tij, me gjithë përpjekjet e brezave të mëvonshëm për shndërrimin e kësaj natyre, varësisht nga konvertimi fetar i mëvonshëm, për arsye të ndryshme, si shndërrimi i kishave në xhami etj. Prej aty fillon mjegullimi i realitetit të historisë greko-sllave, duke u mbështjellë me vellon mitike, me qëllim të sllavizimit të të gjitha përmbajtjeve, për qëllime më tepër se kolonizuese e sllavizuese.
Për argumentimin e prejardhjes së vërtetë të Milush Kopoliqit, autori mbështetet në të dhëna të ndryshme historike: J.V. Hammer, Qerim Dalipi, M. Ternava, Salih Trako, Selami Pulaha, Enveriu, Idriz Bitlis, Ashik Pashazade, por edhe në pseudo-historiografinë pozitive sllave.
Te historiografia serbe, Milushi fund e krye del mitik, me ngjyrime negative, i lindur nga kafsha, dragoi, apo ndonjë ulok i panjohur, siç thotë pseudo-epiko-historiografia sllave, pastaj i gjetur në rrugë e i strehuar në kishë, së fundi i martuar me të bijën e princ Llazarit. Ndërsa ky trim, te shqiptarët del hero i vërtetë, real dhe i besueshëm. Kështu, legjendat mitike për Milushin nga serbët ia kanë zënë frymën rrëfimit real.
E gjithë historiografia serbe është e vetëdijshme se është një mitologji, por deri diku qëllimi ka pasur efekt në serbizimin e hapësirave ballkanike gjatë shekujve të mëtejshëm. Sipas autorit, armiqësia në mes V. Brankoviqit e M. Kopilit është më e thellë te serbët se te shqiptarët.
Në disa raste del se varianti epik i Hamëz Xhemës nga Bojkoviqi është më e forte se epika serbe. Kësaj i shtohet edhe fakti se vetë fshati Kopiliq është i begatuar nga mikro e makrotoponimet përreth. Me argumente të tilla, A. Qeriqi e stigmatizon pseudo historiografinë mitike serbe, bullgare, kroate dhe atë evropiane për të vërtetën e origjinës së Milush Kopiliqit, gjegjësisht përkatësinë serbe të këtij heroi, përgjithësisht mitit serb e mohimit për pjesëmarrje vetëm të serbeve në Luftën e Kosovës. Kjo është një dëshmi edhe për dominimin shqiptar asokohe ,në Kosovë, madje edhe në luftëra për mbrojtjen e territoreve të veta. Te fundi, për përkatësinë jo serbe të Milush Kopiliqit dëshmon vetë trashëgimia gojëdhanore, toponimike, patronimike, epike dhe arkeologjike, madje dhe epika serbe, duke e quajtur të gjetur, më keq se kopil i qenies njerëzore, por trim i shquar. Dhe si të tillë, e strehojnë, e rrisin, e bëjnë dhëndër, së fundi krenohen me të për heroizmin e bërë.
Sipas autorit, edhe Lufta e Kosovës është jo mit, por ngjarje reale. Argumentet e mjaftueshme janë: faktet historike, epika, përkatësia joserbe e Milushit, pastaj këngët e kënduara për të e jo edhe për V. Brankoviqin, Car Llazarin etj. Megjithëkëtë, sikur jemi mësuar të mos e marrim seriozisht jo vetëm epikën popullore, kur të tjerët edhe e mitizojnë.
Lidhur me këtë, në këto vite ka dhënë kontribut edhe botimi i librit të studiueses bashkëkohore amerikane, Anna Di Lellio, e cila ka ndriçuar më tej çështjen e Luftës së Kosovës, e zgjeruar edhe me vështrimin e A. Qeriqit për këtë vepër, bazuar kryesisht në këngët shqipe për këtë luftë në baza reale, sidomos përmes epikës së Hamëz Xhemës nga Bojkoviqi, e shënuar nga G. Elezoviq, ku bien në sy perceptimet e kapshme realiste, por edhe motivet biblike, homerike e historike të asaj beteje. …
Në artikullin vijues, autori e trajtoi heroizmin e H. Patronës, një figurë tjetër shqiptare me përmasa botërore, që e rrëzoi nga froni mbretëror sulltan Ahmedin III, ndërroi kahen historike të qeverisjes morale, juridike e sociale të shtetit osman, pa dallim feje e përkatësie, për moralin fetar e kombëtar. Si i tillë zu vend në shumë vepra historike e letrare jo vetëm turke, për të cilin u hartuan edhe vepra artistike nga shkrimtarë të ndryshëm, por jo edhe nga historiografia shqiptare, se gjoja ai nuk bëri gjë për historinë shqiptare. Këtë figure autori e krahasoi me Milush Kopiliqin, që e pat therur sulltan Muratin. Megjithatë, si kudo me figura të tilla historike madhështore, edhe kësaj figure i ndodh të përbaltet nga vlerësimet negative, si nga Nisbet Bain, nga disa burime franceze, që e trajtojnë si përbindësh të urryer, për shkak se ua pat asgjësuar shtëpitë publike të ndërtuara atje, sidomos nga Ben Blushi në romanin “Të jetosh në ishull”, ku i poshtëron edhe do figura kombëtare, që nga Skënderbeu, A. P. Tepelena, deri te I. Qemali, dhe ngrit vozhdët serbë dhe arianitët.
Sipas autorit, kryqëzatat e filluara më 1096, nuk kanë përfunduar më 1270, tani edhe në drejtimin rus kundër joortodoksëve (shqiptarëve,.turqve dhe hebrenjve), si dhe ato të nazifashizmit kundër mbarë Evropës e më gjerë, me qëllim të hakmarrjes qiellore për krimet e evropianëve e rusëve kundër popujve të robëruar. Edhe pas LDB u vazhdua një fushatë e terrorizmit sllav kundër shqiptarëve jo vetëm territorialisht. Për këtë dëshmon, pos tjerash, punimi për L. Trockin, për krimet e Aleancës sllave kundër shqiptarëve, turqve dhe hebrenjve. (f. 172)
Autori e ka shpalosur faktin se dhe sot ka fushata në dy polet ekstreme: lufta në Irak, Afganistan, pastaj sulmi i Al-Qedës në dy ndërtesat ndërkombëtare në New York, tani jo për çlirim të varrit të Krishtit, por kryesisht për interesa ekonomike, fetare, ideologjike etj. Në këtë kontekst, autori jep këshilla: njeriun duhet trajtuar jo vetëm duke i mbajtur leksione për të drejtat e liritë e njeriut të cilësdo race, besimi, moshe a ngjyre, por me qasje humane ndaj tij, /153/ megjithëse te agresioni i tërbuar serb mbi gra, pleq, fëmijë të pambrojtur e çdo gjëje materiale, nuk mundi të ndalohet me kurrë farë bindje verbale, rezolute a sanksionesh, pos me sulm të UÇK-së nga toka e të NATO-s nga qielli.
Një kapitull të veçantë autori ia kushton gjakmarrjes si rezultat i nevojës për mbrojtje dhe siguri dhe si mungesë e ligjit. Gjakmarrjen ai e konstaton si mënyrë e ruajtjes së kokës, nderit, familjes e farefisit në mungesë të ligjit e ruajtjes së rendit publik nga pushteti aktual. Ai na përkujton se femra si hakmarrëse ka vepruar që nga Antigona e Sofokliut, Hajrie Garria, Mrika e Gjini, deri te Hasimja e Mirashit. Është traditë dokesore shqiptare, edhe pse ka të bëjë me vëllavrasjen, si dukuri e dëmshme, që e ka dëmtuar zhvillimin e rrjedhave kombëtare përmes binarëve të mirëfilltë të shtetësisë.
Marrëveshjet e turpshme të disa krerëve shqiptarë në Jugosllavinë e parë: A. Zogu-Pashiq, E. Toptani-Pashiq, Toptani – Jovanoviq, Ceno beg Kryeziu – qeveri. Jugosllave, autori me të drejtë i quajti tradhti të turpit, që e patën dëmtuar rëndë çështjen tonë kombëtare. Shumë nga ne do ta shohim për here të parë marrëveshje të tilla tekstuale të nënshkruar nga A. Zogu, Esat Toptanit e Ceno Kryeziutqë me krerët shtetërorë serbë që ndjellin neveri.
A. Qeriqi është njohës i disa gjuhëve dhe i kulturave jo vetëm evropiane (italisht, frëngjisht, gjuhët sllave, hungrisht e arabisht). Si i tillë, duke i gjurmuar në thelbin e tyre, pos tjerash ka gjetur edhe pikëtakime gjuhësore dhe kulturore, mbase edhe relikte të vjetra fetare, prej ku ka nxjerrë elemente të lashta gjuhësore e dokesore të ruajtura edhe në gjuhë e doket tona.
Në këtë pikëpamje ai ia kushtoi një kapitull paksa të veçantë gjuhës, kulturës dhe disa kodeve shqiptare (fetare, gjuhësore, dokesore), duke iu rrekur një gjurmimi të guximshëm, pos tjerash, të zgjojë diskutime nga studiuesit e tjerë.
Interesimi i A. Qeriqit: është fokusuar jo për kohën kur ka filluar shkrimi i gjuhës shqipe, por për gjuhën e folur dhe trashëgiminë që ka sjellë gjuha shqipe, që nga formimi. Është një përpjekje për t’i vënë në spikamë do elemente të ngjashmërisë e përkimesh kulturo-gjuhësore të shqipes me gjuhë e kultura të tjera, si rezultat pikëtakimesh, pos tjerash, të hasura edhe sot e kësaj dite edhe në Librat e Shenjtë: Tore, Bibël e Kur’an, për herë të parë të hetuara e të gjurmuara prej këtij studiuesi, që dëshmojnë se shqipja është më e hershme se indoevropianishtja, madje para familjes fino-ugre dhe hamito-semite. Edhe autori është i vetëdijshëm se kjo punë është mjaft e komplikuar, nga shkaku se mungojnë dokumentet relevante, për ta ditur se shqipja është apo nuk është edhe pjesë organike e këtyre dy familjeve të fundit, siç është argumentuar se ajo i përket sistemit gjuhësor të familjes indoevropiane, apo është një substrat më i hershëm paraindoevropian, pastaj pellazg e më vonë ilir. Te fundi, autori i qet në shesh të dhënat e dëshmuara dhe hap rrugë të mëtejme për gjurmime të mëtejme prej të tjerëve, kuptohet në bazë të argumentimeve të shumanshme.
Alfabetin shqip, të përbërë nga 36 tinguj, që i përbën elementet e të gjitha varianteve tingullore të shumicës së alfabeteve evropiane, A. Qeriqi e shpie në shkallë paraindoevropiane, madje deri në fillimin e ndërtimit të botës nga Hyji, duke i dhënë edhe ngjyrime mistike. Sipas tij, alfabeti shqip është rezervat i të gjithë varianteve tingullore jo vetëm të para gjuhësisë , me tingujt hundorë, shtegore-dhëmbore (th, dh), qiellëzore-alvolarr (ç dhe xh); zanorë (ë dhe y). Pos tjerash, fenomenin “sekret” mistik të nr. 6. ai e lidh, me 6 ditët e krijimit të botës, dhe shumëzimin e tyre (6.6=36). Sipas tij, nuk mungon lidhja e shqipes me gjuhët hamito-semite, përkatësisht arabe, hebraike, magjare etj; andaj, sa i përket gjuhës shqipe, nuk mjafton vetëm lidhja IE, për të arritur te përfundimi se shqipja është më e vjetra jo vetëm në Ballkan e në Evropë.
Hamendjen e kanë shkaktuar edhe përkimet e tjera, sidomos te përemri unë: hung.ein, arab: enne; hebr. anni; ndryshe nga gjuhët IE e, p. sh. gr. ego, sll. ja, angl. I, fr. Je /zhë/ etj.. Ndërkaq përemri i vetes së dytë njëjës ti del si i familjes i-e. e hamito.-semite, si nr. 1-3. me kuptim astrologjik e astronomik, si njësi primare dhe dyfishim të tyre që nënkupton lidhjen kauzale me universin.
Libri është një përpjekje më shumë për të zbërthyer disa elemente mistike që zgjojnë kërshëri, por edhe zbulojnë relacione jo sa duhet të njohura, jo vetëm të kësaj gjuhe, një si rezervat i jashtëzakonshëm, jo vetëm të tingujve e fjalëve, si dhe pikëtakime popujsh në gjuhë, kulturë e besim /202/, veçanërisht duke u bazuar në relacion me librat e shenjtë: Toren, Biblën e Kuranin, si shënimi i Trinisë së krishterë: në emër të Atit, të Birit dhe Shpirtit të Shenjtë; numri (një, dy, tre); entiteti (Diell, tokë, hënë); fillimi i jetës në tokë, duke filluar e mbaruar vetëm nga treshi: Unë (Adami)-ti (Eva)-ai (i biri-e bija); koha (e kaluar-e tashme-e ardhme); gjallesat (lindja-jeta-vdekja); njerëzit: (fëmijë-burrë-plak); bota (uji-ajri-zjarri). Dhe vetë fjala për numrin TRE në shumicën e gjuhëve jo vetëm në familjen i-e, përbëhet prej tre tingujsh. Së fundi, dhe vetë bota është tredimensionale (f. 210). Sipas autorit, këto nuk janë rastësi.
Në vazhdim, autori vargëzon një seri fjalësh të hasura në gjuhë të ndryshme, por të ruajtura vetëm në gjuhën shqipe, si: nga sanskritishtja (i-e.): dh / tharma, manu, guru, radha (shq. tharmi, mendim, gur, radha); hebraike: avot, onije, shabato, roe, (shq. atë, anije, e shtunë, roe – me vumë oroe, vë re) si dhe kulti i shenjtërisë së bukës (219); i numrit të fiseve (12 fise hebraike, aq sa edhe shqiptare), pastaj emra popullorë: Gergeziu – Gjergjizi; Pelgu i Noes, ndoshta pellazg; Jakini – Jaku; si dhe përkime kulturore përmes komunikimit tregtar mesdhetar; magjare: ari-aranj; kalli–kllasz; llaç-llaq; qep-qep, luk-lug; ibrik-ibrik, rend-rend, kap-kapenë, ti-te; arumune, vllahe: mbiemra: Drançolli, Millushi, Vllasi, Daka; emra: abur-avull, baliga-bajga, barza-bardhë, bukura-bukur, gard-gardh, bur-burrë.
Sipas autorit, edhe ditët e Ja(h)vës: lidhen me gjenezën e krijimit të botës e të gjithësisë nga Hyji, Allahu, JAHVE që lidhet me shtatëshin. Vetëm gjuha shqipe ruan emërtimin Ditët e Jah(h)vës (jo Ditët e Jovit). Një pas një, romakët i përvetësuan nga egjiptianët, persianët, babilonasit, së fundi sumerët (235). Kështu, prej 7 ditëve në shqip të huazuara nga latinishtja e kjo përmes greqishtja, vetëm e enjte dhe e premte janë formime shqipe. Të gjitha këto fakte e argumente lidhur me ditët e javës në gjuhën shqipe zbërthehen përmes shpjegimit biblik të zanafillës së botës dhe të gjithësisë. Fjalë të njëjta vërehen në gjuhë i-e, ugro-fine dhe hamito-semite, si edhe kodi i emrave hyjnorë: Hyj, At, Zot, Perëndi, sikundër edhe disa fjalë të veçanta arkaike të gjuhës shqipe: ushtë – ushtri etj.
Në mënyrë të vaçantë autori e trajton kuptimin leksikor e dokesor të fjalës besa, si fenomen unik i jetës shpirtërore dhe dokesore shqiptare, që bart më vete vlerat më të larta autentike morale të shqiptarit dhe e dallon prej popujve të tjerë me të gjitha variantet kuptimore e dokesore këmbëtare, si: mbajtja e besës, thyerja e saj, ndëshkimi për thyerje, flijimi, ringjallja dhe rinjohja mbi principet e besës, flijimi në ura, kështjella, e lidhur me besën e vëllait të vogël, ringjallja për ta mbajtur fjalën / besën (Konstandini e Garentina / Doruntina, sendërtimi i besës te Konstandini i Vogëlith / Aga Ymeri, trinia jonë autentike: rinjohja / ringjallja me fenomenin e besës: “njëlloj feje tokësore që i referohej njeriut të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për t’iu përmbajtur principeve rrënjësore të qenies njerëzore Helena greke, Eva e Adamit; besëpremja dhe ndëshkimi në traditën gojore e dokesore shqiptare; besa si përpjekje për të përmbaruar një princip universal të mbajtjes së zotimit.
E gjithë kjo rezulton se besa sikur ka qenë një përpjekje e mënyrës sizifiane shqiptare për ta ruajtur me fanatizëm principin e zotimit, fjalën e dhënë dhe përfilljen deri në fanatizëm të kontratës së lidhur mbi parimet e besës. Megjithatë, sipas autorit, besa nuk është një abstraksion imagjinar a një relikt i së kaluarës së dikurshme, meqë në Kanunin e Lekë Dukagjinit merr rolin esencial në trajtimin e së drejtës penale, pronësore, familjare, diçka si DH/THARMA e sanskritishtes, nga i cili gatuhet buka. /204/
Pasojat e zbehjes së kulteve të së kaluarës, për autorin janë një paralajmërim fatkobi, sikur presin ndezjen e një lufte të re fetare, këtë herë në shkallë globale /266/. Në këtë kontekst, kisha ortodokse sllave ka promovuar politikën antiislame, antikatolike dhe antishqiptare, duke i bekuar kriminelët: Millosheviqin, Sheshelin, Arkanin., Karaxhiqin e Mladiqin, sot e mot, e mbështetur nga nëna e tyre (Rusia).
A. Qeriqi shkroi një libër me gjuhën e fakteve. Është një realitet i mbështetur fuqishëm në burime gojëdhanore, epike, historike, arkeologjike, mikro e makrotoponimike etj. Ai godit shkencën serbe, mitike, falsifikuese, por edhe atë shqiptare të përgjumur, pacifiste e pozicionuar në vetëmbrojtje të plogësht, gati qyqare.
Mund të përfundohet se në këtë libër, A. Qeriqi ka përmbledhur në një vend disa punime studimore me interes për historinë e kombit tonë, të kulturës dhe të gjuhës, duke i vënë në planin dinamik si material për t’i thelluar nga të tjerët, me qëllim të plotësimit të mëtejshëm.
Kontrolloni gjithashtu
Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë”
Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …