leoni

Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Gjykata Speciale, inkuiziconale, kundër UÇK-së filloi hetimet, aq shumë të pritura nga Serbia dhe mbetjet e saj në Kosovë

Specialja, filloi heshtas edhe pse jugo-gazetarët e Kosovës, titistët e mbetjet serbe në vendin tonë e më gjerë,  kanë pritur arrestime spektakolare, “dridhje” të pushtetit, “rënie të kokave”, “goditja speciale” që mund të përkthehet si “burg” për të gjithë ata që quan dorë kundër Serbisë dhe Milosheviqit, kthimin e bashkim vëllazërimit, kur baballarët e nënat e tyre qeverisnin me kumbarët, pobratimët, në kohën e tyre “të artë”, kur ata vetë apo baballarët e nënat e tyre ishin prokurorë, porotë, gjykatës hetues, milicë e policë,  hafie  e spiunë, kryetarë e sekretarë  organizatash partiake, në kohën kur pushteti e kishte kryet në Beograd, mbetjet dhe bishtin në Kosovë.

Pritja prej gati tetë vjet e ka zbehur entuziazmin e mercenarëve shqipfolës, madje edhe i ka  zemëruar keq, shumë keq, sepse fillimi i mirëpritur nuk u ndërmor me arrestime virulente, të policisë (ish milicisë) me maska e armë, por me ftesa, për paraqitje në gjykatë. Kjo metodë i ka ograisur mercenarët, sepse nuk ka përmbushur pritjet  e tyre shumëvjeçare, edhe pse, Gjykata Speciale kundër UÇK-së më në fund e ngriti zërin dhe dëshmoi se ekziston, se nuk është krijuar për punë koti dhe pavarësisht se ka apo nuk ka të dhëna e dëshmi të mjaftueshme, ajo do ta dënojë luftën e UÇK-së, duke filluar nga krerët e luftës e deri te ndonjë ushtar i përfolur për vrasjen e ndonjë polici të Serbisë apo të ndonjë kolaboracionisti me damkë.

Pavarësisht se kush u gëzua dhe do  të gëzohet,  duke u munduar ta bind vetën dhe si vetë, se lufta e UÇK-së ishte luftë kriminale, Gjykata Speciale kundër UÇK-së, në 10 apo 20 vitet e ardhshme nuk do të lërë gurë pa lëvizur, për ta diskredituar përfundimisht luftën çlirimtare si mundësi e opsion, në radhë të parë për vetë luftën si të tillë, sepse shqiptarët që luftuan regjimin më kriminal  të kohës, nuk shihen si njëjtë si popujt e tjerë  nga qarqet evropiane, në radhë të parë për shkak se i përkasin një besim i tjetër, dhe jo besimit fetar të serbëve, grekëve  e popujve të tjerë të Evropës. Po kështu diskreditimi i luftës së UÇK-së do të bëhet me qëllim për t’ iu përkujtuar popujve në Evropë si në  Kataloni, Baski, Erdel, Sanxhak, Vojvodinë  e shumë vende të tjera, që mbahen nën robërinë e shumicës sunduese, se nuk do të pranohet asnjë luftë çlirimtare, pavarësisht se kush kënd e shtyp.

Gjykata Speciale ka edhe një qëllim tjetër, të cilin ose nuk po e kuptojmë, ose nuk po duam ta kuptojmë. Kjo gjykatë, do t’ iu rri te koka të gjithë shqiptarëve liridashës, duke iu dhënë të kuptojnë se çdo përpjekje e armatosur për bashkimin e tyre në një shtet të vetëm, nuk do të pranohet dhe do të dënohet ashtu sikur po dënohet tani UÇK-ja. Kjo  më së shumti iu konvenon qeveritarëve e kryeparëve tanë, në Tiranë Shkup e në Prishtinë.

Tekefundit, për gjykatën kanë votuar shumica dërrmuese e deputetëve të Kosovës, dhe përveç Lëvizjes Vetëvendosje e ndonjë autoriteti të pakontestuar, pjesë e luftës së UÇK-së,  gjykatën po e pranojnë me lehtësi edhe vetë krerët e luftës, mbase nga frika e kundërshtimit të mundshëm  popullor, ose nga frika për lëkurën e tyre, sepse pjesa dërrmuese, kanë kaluar nëpër gjykata, por edhe pse janë shpallur të pafajshëm ata mund të hetohen, të shpallen fajtorë për së dyti, pa pyetur asnjë instancë paraprake gjyqësore, sepse jo  më kot i thuhet gjykatë speciale që dënon vetëm shqiptarë, pjesëtarë të UÇK-së. Kjo gjykatë nuk i dënon kriminelët shqipfolës, që i kanë shërbyer regjimit të Milosheviqit.

Pavarësisht të gjithave,Gjykata Speciale nuk pritet të shkaktojë ndonjë dridhje, ndonjë termet, ndonjë kryengritje, sepse për 20 vjet rresht faktori politik ndërkombëtar ka punuan në këtë drejtim, ka pacifikuar  shqiptarët përmes politikanëve, të cilët janë shitur për para e poste dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë me dreqin e të birin, vetëm për të ruajtur postet, fitimet, pagat dyfishe, dhe krejt të mirat që i sjellë veshja me pushtet. Kjo tani po shihet qartë. Në një situatë të tillë, nuk pritet të reagojnë veteranët, të pakën jo këta veteranët e manipuluar nga politike e Qeveria, por as ata më idealistët, sepse tekefundit për çka do të reagonin, për kë do të luftonin sërish, për kë të derdhin gjak, kur gjaku i atyre që u derdh, u bë burim fitimi për  shumë nga shokët e tyre që mbeten gjallë.

Të pranohet apo të injorohet Gjykata inkuizicionale kundër UÇK-së

Edhe me gjykatën Speciale kundër UÇK-së do të ndodh njëjtë sikur me gjykatat e tjera vendore e ndërkombëtare, të cilat  për 19 vjet rresht kanë paditur, kanë shpallur fajtorë e dënuar qindra luftëtarë të lirisë. Në Kosovë nuk ka pasur reagim popullor kundër arrestimeve e dënimeve të luftëtarëve të lirisë, sepse shumica shqiptare nuk e ka përkrahur luftën e UÇK-së, ndërsa meritën për fitoren ia ka dhënë NATO-s, andaj edhe qasja ndaj UÇK-së, jo që nuk ka qenë vetëm skeptike, por ka marrë edhe përmasa të urrejtjes nga shumë qarqe e parti politike të vendit, po aq sa urrehet edhe nga Beogradi i Milosheviqit dhe i Vuçiqit.

Politika pacifiste për të gjitha krimet e pas luftës gishtin e ka drejtuar te luftëtarët e lirisë, edhe pse asnjë rast nuk është zbuluar, sepse dora e fshehtë e tinëzare e krimit zakonisht vret natën, në pritë, ndërsa vajton gjatë ditës.

Veteranët e manipuluar nga politika, nuk guxojnë të marrin veprime adekuate në ruajtjen e vlerave të UÇK-së, edhe pse në deklaratat e tyre pompoze, për 18 vjet kanë paralajmëruar “masa radikale” dhe ai radikalizëm ka mbetur në fletët e zbërdhylura të kumtesave të përditshme të tyre. Ata kanë protestuar vetëm derisa kanë marrë “lëmoshën” mujore 170 euro, duke trefishuar numrin e tyre. Tani rrinë urtë e butë, ashtu sikur shumë prej tyre kanë ndejtur edhe gjatë luftës.

Pjesa më e madhe e luftëtarëve të lirisë janë pacifikuar. Nuk pritet reagimi i atyre që kanë përfituar dhe përfitojnë nga Qeveria, sepse i humbin favoret, ndërsa pjesa tjetër e lënë rrugëve detyrohet të ballafaqohet për mbijetesë dhe nuk ka kohë të merret me ruajtjen e vlerave të luftës, sepse ato vlera i kanë gëlltitur “përbindëshit dhe mujsharët”, gjithnjë në emër të meritave të luftës.

Tani për tani, thirrjes së gjykatës Speciale iu kanë përgjigjur pozitivisht katër nga ish krerët e luftës, ndërsa e ka injoruar gjykatën një luftëtar i lirisë nga Theranda. Tani mbetet t’ i shohim trimat e Drenicës e të Dukagjinit, të cilët nëpër mitingje, nëpër akademi përkujtimore e fjalime të zjarrta, ia kalojnë edhe Adem Jasharit për trimëri, ndërsa para gjykatës speciale strukën dhe bëhen urë, sipas “urtisë” popullore, urtisë reaksionare shqiptare: gjarpri që nuk më helmon   mua,  rroftë 100 vjet.

Tashmë është bërë e ditur se Komandanti i Zonës Operative të Drenicës, gjatë luftës së UÇK-së, Sami Lushtaku, ka pranuar ftesën nga Gjykata Speciale, edhe pse sapo është liruar i pafajshëm, nga akuzat për krime lufte. Të ftuarit e parë nga Specialja janë: Rrustem Mustafa-Remi, kurdoherë vullnetar,  edhe pse është shpallur fajtor për krime lufte dhe ka mbajtur katër vjet burg, pastaj Sokol Dobruna edhe Nazif Mehmeti. Tash për tash vetëm një i akuzuar nga kjo gjykatë, luftëtari i lirisë së Kosovës, Remzi Shala, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”, është i ftuari i radhës për t’u intervistuar pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovë në Hagë. Ai ka konfirmuar  publikisht se ka marrë thirrje dhe urdhër që të paraqitet në Hagë, më 17 janar të vitit 2019. Atij nuk iu kanë dhënë detaje se në çfarë cilësie pritet të intervistohet. Remzi Shala, nga Theranda  ka thënë se nuk do t’i përgjigjet thirrjes së Gjykatës Speciale. “Unë, Komandant “Molla e Kuqe”, i togut të Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kam pranuar ftesë nga Gjykata Speciale për t’u dorëzuar në Hagë. Deklaroj para gjithë popullit se nuk do të dorëzohem dhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese, ka thënë ai. Ata që ma sollën këtë ftesë u deklaruan se janë policë të EULEX-it, ndërsa unë iu kundërpërgjigja se nuk e njoh këtë gjykatë, se unë jam shqiptar, dhe jam krenar për luftën që kam bërë. Andaj, u bëj thirrje të gjithë shokëve të mi, si kur kemi dhënë besën për atdhe dhe për flamur, ashtu të jemi të një bese, mos ta njohim këtë gjykatë dhe mos të dorëzohemi në Hagë, ka thënë Shala.

Teoria pacifiste reaksionare e “Pastrimit” të  UÇK-së dhe getoja për shqiptarët

Politikanët fodullë, në mesin e tyre edhe disa krerë të luftës, tashmë thellë të pacifikuar kanë lansuar teorinë se “Gjykata Speciale kundër UÇK-së paska për qëllim pastrimin e luftës”, duke lënë të kuptohet se ajo ka qenë e papastër dhe duhet të nxirret para gjyqit, të dënohet dhe të ndëshkohet, në mënyrë që të pastrohet. Pastrimin e tillë të luftës së UÇK-së do ta bëjnë ish krerët dhe ish drejtuesit e saj, sepse ata janë në shënjestrën e parë, si urdhërdhënës,  ndërsa në të dytën janë luftëtarët që kanë zbatuar urdhrat e tyre.

Me fjalën ‘pastrim” politikanët fodullë dhe të shitur te të huajt lënë të kuptohet se Gjykata ka qëllim human, dhe vetëm do t’i hetojë rastet, por kurrsesi nuk do ta dënojë askënd.  Kjo nënkupton atë thënien e gomarit, të cilin derisa po e shqyente ujku, thoshte: “do Zoti të jem duke parë ëndërr”.

Në luftën e UÇK-së ka pasur edhe individë të infiltruar nga regjimi i Beogradit, të cilët kanë kryer krime të caktuara kundër bashkëkombësve, me qëllim të dëmtimit të imazhit të luftës. Kjo nuk mund të përjashtohet. Po individë të tillë duhet të ndëshkohen për hakmarrje gjatë kohës së luftës, për vrasje tinëzare dhe kurrsesi për krime lufte, nëse krimi i luftës nuk nënkupton ushtarin apo policin e vrarë serb. Nëse luftëtarët e lirisë së Kosovës duhet të dënohen për vrasjen e policëve,  ushtarëve serbë dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqipfolës, atëherë humbet vetë kuptimi i luftës së UÇK-së.

Këtë po e kërkon Gjykata Speciale, përderisa nuk ka akuzuar  asnjë serb për masakrimet që kanë kryer kundër  shqiptarëve në Reçak, Meje, Izbicë e në më shumë se 100 vende të tilla, në Kosovë, por akuzon vetëm shqiptarë dhe vetëm pjesëtarë të UÇK-së, gjithnjë në emër të drejtësisë së kohës së inkuizicionit, me dy dëshmitarë, të mbrojtur e të pambrojtur.

Luftëtarët e lirisë së Kosovës, idealistët ademjasharianë e dinë mirë se Evropa ka shpikur dhe ka zbatuar inkuizicionin për 600 vjet duke djegur në zjarr miliona njerëz, ajo ka zbatuar fushatën kundër hebrenjve, duke i vrarë, ndjekur e persekutuar 8 milionë prej tyre, jo vetëm nga Gjermania naziste. Evropa   ka shkaktuar dy luftëra botërore, ku kanë humbur jetën më shumë se 100 milionë njerëz, ajo ka lindur, Frankon, Hitlerin e Musolinin. Evropa tani ka në shënjestër vetëm shqiptarët, vetëm ata që kanë qenë pjesë e UÇK-së dhe që kanë emra shqiptarë, qofshin ata emra kombëtarë apo emra fetarë.  Ata duhet të paguajnë për gjysh stërgjyshërit e tyre të konvertuar.

Kjo është Evropa në të cilën janë  dashuruar marrëzisht  politikanët tanë edhe pse ajo nuk i honeps, i mashtron duke u marrë edhe 8000 hektarë tokë, në dobi të Malit të Zi, nuk u liberalizon vizat, i mbanë në geto  duke i konsideruar hebrenj të kohës sonë.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …