Me vendin për gjykim me 26 vjet burg të Salih Mustafës, për gjoja vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë, Gjykata Speciale e tregoi fytyrën e vërtetë inkuizicionale, dhe krejt kjo paralajmëron ditë të zeza për të gjithë ata çlirimtarë shqiptarë, të cilët do dalin në gjykim para kësaj gjykate, dhe të cilët do të shkojnë vullnetarisht, për të treguar pafajësinë e tyre, edhe pse e dinë fare mirë se kjo është gjykatë politike që dënon vetëm shqiptarë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk dënon serbë që kanë kryer qindra masakra kundër shqiptarëve, as bashkëpunëtorë shqipfolës të Serbisë.
Shqiptimi i dënimit 26 vjet burg, për Salih Mustafën është paradoksal, në radhë të parë për faktin se gjykatësi është bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur, pa identitet publik, që mund të jenë mercenarë të ish regjimit, bashkëpunëtorë të kriminelëve të Millosheviqit, mbase edhe spiunë aktualë, për të cilët një ministër i Serbisë the se kemi pasur e kemi shumë të tillë në Kosovë.
Sa i përket lartësisë së dënimit të Salih Mustafës, po të krahasohet me dënimet që i ka shqiptuar Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, dënimi është po ashtu special, katër vjet më shumë burg sesa ishte dënuar dora e djathtë e Sllobodan Millosheviqi në Kosovë, Nikola Shainoviqi me 22 vjet burg, nga të cilat i ka mbajtur vetëm 12, i akuzuar për krime kundër njerëzimit në rastin e luftës në Kosovë. Vetëm 15 vjet burg ishte dënuar, Dragoljub Ojdaniq, shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, përgjegjës për krime në luftën e Bosnjës dhe dëbimin e të shqiptarëve nga Kosova, për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Komandanti i forcave të ushtrisë së Jugosllavisë në Prishtinë, Vladimir Lazareviq ishte dënuar vetëm me 14 vjet burg nga Tribunali i Hagës.
Kryeministri, Albin Kurti në reagimin e tij lidhur me dënimin e Salih Mustafës me 26 vjet burg, ka bërë një krahasim mes dënimit që ka marrë masakruesi serb në familjet shqiptare, Bogujevci, Duriqi e Llugaliu ku mbetën të vrarë 16 civilë shqiptarë, kurse krimineli Sasha Cvjetani u dënua vetëm me 20 vjet burg e më pas u lirua tri vjet e gjysmë para se ta kryente dënimin, kurse një pjesëtar i UÇK-së është dënuar padrejtësisht me 26 vjet burgim. Kurti ndër të tjera ka thënë se është e papranueshme kjo situatë pasi ka mijëra vrasës nga Serbia që s’janë gjykuar e dënuar për mizoritë që kanë kryer në Ballkan. “Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12 mijë shqiptarë të vrarë dhe kjo bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh. E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet, ka saktësuar kryeministri Kurti.
Nuk duhen shumë fakte të tjera për t’ i bindur çlirimtarët e Kosovës se çka i pret, nga “drejtësia” evropiane.
Në dënimin e shqiptuar me siguri se do të ushtrohet ankesë nga avokatët, por e keqja edhe më e madhe është se edhe Gjykata e Shkallës së Dytë është pjesë e Gjykatës Speciale, apo sikur i quajnë me eufemizëm mediet e politikanët e Kosovës e më gjerë, Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe gjasat për zbutje të dënimit janë minimale, pasi ajo është instanca e vetme për ankim, brenda vetë Gjykatës Speciale, por vetëm me emra të tjerë gjykatësish. Kjo është e vërteta të cilën fitohet përshtypja që përveç avokatëve, shumë politikanë nuk e dinë, ose duan ta fshehin, ose thjesht flasin fjalë, sa për të thënë diçka. Dihet mirëfilli dhe botërisht se Gjykata e Apelit është në kuadër të korpusit të Gjykatës Speciale, dhe jo të Amstedamit sikur thotë me lajthitje, Josep Borell.
Çlirimtarët e Kosovës, me këtë rast duhet të kenë marrë një mësim më tepër, para se të shkojnë vetë në Gjykatën Speciale, pasi disa duket sikur disa nga ata i besojnë më shumë drejtësisë evropiane, sesa besimtarët që i besojnë Zotit.
Veteranët e invalidët e luftës së UÇK-së, disa nga të cilët Radion Kosova e Lirë e kanë quajtur ekstremiste e fataliste, do të duhej të bindeshin, se kemi pasur të drejtë kur Gjykatën Speciale e kemi quajtur Gjykatë Speciale kundër UÇK-së, të cilën në këtë mënyrë e kemi emërtuar dhe e emërtojmë, me besim të plotë se e kemi përkufizuar në përputhje me realitetin.
Dënimi i shqiptuar nga Gjykata Speciale, është një alarm për qindra të akuzuar të tjerë, të cilët duhet të mendojnë mirë para se të marrin vendim për t’iu përgjigjur kësaj gjykate, dhe për të pretenduar se ajo do të bazohet në fakte e argumente. Asnjë i arrestuar tjetër, nga kjo Gjykatë nuk do të dënohet më lehtë se Salih Mustafa, pasi po e themi sërish se është Gjykatë Speciale e cila ndanë drejtësi selektive, ndëshkuese, për t’ iu bërë me dije shqiptarëve se çka i pret nëse edhe njëherë i marrin armët për të luftuar, apo për të kërkuar bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm ashtu sikur janë kombet në të gjitha shtetet e botës
Ata, që edhe më tej i besojnë drejtësisë së kësaj Gjykate, janë pjellë e pacifizmit shekullor, janë të tillë për të cilët duhet të na vie keq që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, por kanë anashkaluar shembullin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, i cili ishte dënuar 20 vjet burg në mungesë nga regjimi i Milosheviqit, por nuk kishte shkuar vullnetarisht në Gjykatë, ndërsa përpjekjes për arrestim iu kishte përgjigjur me tytën e armës.
Gjykata Speciale, inkuizicionale kundër UÇK-së shpall fajtor dhe dënon një epror të luftës, i cili me bashkëluftëtarët e tij ka mbrojtur popullatën civile nga vrasjet dhe masakrimet e kriminelëve të Millosheviqit.
Si mund të dënohet një luftëtar i lirisë me dëshmi të sajuara, me dëshmi të instruktuara nga individë të caktuar, të cilët nuk shprehim guxim ta thonë hapur akuzën, duke paragjykuar se po ta thonë të vërtetën, do të ndëshkohen. Me këtë rast nga Gjykata Speciale kemi dënime duke u bazuar në paragjykime, në instruktime, trillime, gënjeshtra, por nuk kemi një gjyq të hapur publik ku ballafaqohen faktet argumentet dhe ku ballafaqohet i akuzuari me akuzuesin.
Edhe Fadil Fazliu, vëllai i dy dëshmorëve të Kombit, Fahri e Bahri Fazliu, ka reaguar kundër gjykimit dhe dënimit 26 vjet burg të eprorit të lartë të UÇK-së, gjatë luftës, Salih Mustafa, të cilin Gjykata Speciale e dënoi me 26 vite burg, gjoja për krime lufte. Fadil Fazliu ka deklaruar se kjo gjykatë është duke e barazuar viktimën me agresorin dhe kjo u pa me dënimin e ish-eprorit të UÇK-së, komandant “Calit”. Gjykata Speciale është gjykatë politike. Ky është mendimi im edhe i shumë shokë të luftës pasi kjo gjykatë është duke bërë një baraspeshë, duke barazuar viktimën me kriminelin, pasi Serbia ka qenë ajo që ka bërë krime dhe jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Dëshmitë kundër Mustafës kanë qenë të fabrikuara dhe të paguara mirë. Ato janë të rrejshme, dëshmi të paguara nga Serbia por edhe nga disa njerëz të caktuar të cilët kanë shkuar ndoshta ish-kolegët e komandant Calit, bashkëluftëtarë të tij, të cilët kanë dëshmuar të keqen, që nuk ia kanë dashur të mirën Calit, bashkëluftëtarëve të tij, as luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka saktësuar bashkëluftëtari i Salih Mustafës, Fadil Fazliu vëllai i dy dëshmorëve të kombit, Fahri e Bahri Fazliu.
Si mund të quhet një gjykatë e tillë, gjykatë publike, madje Speciale, përveç se Gjykatë Speciale për Specie të veçanta njerëzish, sikur janë shqiptarët, që me këtë rast dënon e ndëshkon vetëm luftëtarët e lirisë, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftuan regjimin më kriminal të pas luftës së Dytë Botërore, në Evropë, sikur ishte regjimi i Millosheviqit, në krye të të cilit edhe aktualisht qeverisin dhe i kërcënojnë shqiptarët, kriminelët më të afërm dhe ministrat e tij, sikur janë Aleksander Vuçiqi e Ivica Daciqi e shumë të tjerë.
Gjykatën Speciale e kemi vështirë ta zhbëjmë, por e kemi lehtë ta injorojmë dhe të mos i përgjigjemi. E kemi po ashtu në dorë t’ ua djegim të gjithë dëshmitarët e mbrojtur duke i publikuar emrat e tyre, por nuk e bëjmë këtë sepse në këtë mes, mjerisht, turpërisht, panjerëzisht, pabesisht, çmendurisht, çnjerëzisht ka edhe ish-luftëtarë e eprorë, disa nga të cilët jetojnë jo vetëm në Kosovë e në Shqipëri por edhe në Zvicër, Gjermani e në Francë. Po kjo nuk është një arsye e logjikshme për të mos i publikuar emrat e mercenarëve, “dëshmitarë të mbrojtur” shqipfolës, sot të mbrojtur nga Gjykata Speciale, e gjatë luftës të mbrojtur nga regjimi i Millosheviqit…
Shtime
17. 12. 2022