Ahmet Qeriqi: Gryka e Shpëtimit do ta mbijetojë luftën falë organizimit dhe heroizmit të luftëtarëve të lirisë (E martë 11 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Gryka e Shpëtimit do ta mbijetojë luftën falë organizimit dhe heroizmit të luftëtarëve të lirisë (E martë 11 maj, 1999)

Ashtu sikurse jam marrë vesh paraprakisht me Nezir Myrtjan, sot nuk kam shkuar në Berishë. Këtu në Grykën e Shpëtimit iu mungoj të afërmve, bashkëfshatarëve dhe të tjerëve. Edhe mua më mungojnë dhe s mund të rri më shumë se dy  apo tri ditë pa ardhur këtu për të mësuar se ç po ndodh.

Nga Ramadan Rizani mësoj se numri i banorëve të Grykës ka arritur në dhjetë mijë. Kohëve të fundit në Grykën e Krojmirit kanë filluar të vijnë popullatë nga fshatrat e rrethinës së Malishevës.

Furnizimi tani për tani është i mjaftueshëm. Dy mullinjtë e fshatit bluajnë pa ndërprerë 24 orë në ditë. Nuk ka uri në kuptimin klasik të fjalës, por rezervat dita ditës po mbarohen. Gjendjen e kanë rënduar sidomos  të zhvendosurit nga Drenica qendrore të cilët kanë ardhur vetëm me rrobat e trupit, pa arritur të marrin qoftë edhe një batanije. Megjithatë askush nuk ka mbetur pa një strehë sidoqoftë ajo apo pa bukë…

Ramadan Rizani, Heset Hamdiu, Vehbi Qeriqi, Salih Rizani, Bajram Rizani e të tjerë me angazhimet e tyre kanë arritur të krijojnë rregull dhe t’i dalin zot popullatës me krejt mundësitë që disponojnë. Kanë hasur në vështirësi me disa bashkëfshatarë tanë, të cilët ende i mbajnë mëri ushtrisë por nuk guxojnë ta thonë haptas. Të tillët nuk lënë gur pa lëvizur në mënyrë që të krijohet pasiguri. Është fat i madh që ata nuk guxojnë të largohen nga Gryka sikur ndodhi në verën e kaluar. Tani ka një urdhër të prerë nga komandant Tahir Sinani, i cili është bërë ligj dhe askujt nuk ia mban të lëviz nga të dojë. Edhe pikat e hyrjeve dhe daljeve në grykë ruhen dhe vëzhgohen nga ushtarët. Tani në rrezen e veprimit të Brigadës janë inkuadruar edhe shumë ushtarë që kanë arritur nga Drenica Qendrore dhe nga Anadrini.

Sot kanë shkuar në Fshat të Ri, Arbana, Epiri, Biba, shoqja e Arbanës nga Prishtina e cila qysh prej fillimit të luftës është angazhuar në njësinë ushtarake shëndetësore, pastaj  xha Mehdiu e të tjerë. Ata kanë caktuar kohën për një bisedë telefonike me bijën time Antigonën që ndodhet në Gjermani. Ajo i thërret nga atje. Edhe mixha ka shkuar të bisedoj me dy djemtë e tij, Mexhidin dhe Eminin, të cilët ka disa vjet që ndodhen në Gjermani dhe nuk kanë ardhur për t iu bashkuar luftës sonë çlirimtare.

Tërë ditën kam pritur se mos po kthehet Elez Durmishi, i cili ndodhet në pozicionet tona luftarake në Carralevë dhe në Zborc. Po flitet se dy aeroplanë bombardues, si duket francezë, në vend se të godasin vendqëndrimin e forcave serbe në Carralevë kanë goditur krejt afër pozicioneve tona. Është fat i madh që ushtarët tani kanë mësuar t`i identifikojnë aeroplanët. Ata nuk iu zënë besë askujt përveç aeroplanëve amerikanë dhe anglezë. Në kohën e zbarkimit të bombave ushtarët tanë janë futur me shpejtësi nëpër bunkerë dhe për fat kanë shpëtuar të gjithë.

Janë shumë indikative këto të dhëna. Edhe ne në Berishë kemi vërejtur se disa aeroplanë fluturojnë dhjetëra herë mbi pozicionet serbe dhe më në fund largohen në drejtin të Goleshit dhe atje i zbrazin bombat. Të gjitha këto mund të dukeshin edhe paragjykime por  më vonë u vërtetuar fakti se aeroplanët francezë kanë goditur në pozicionet tona që ndodhen ballë për ballë me pozicionet armike.

Në mbrëmje nga Fshati i Ri është kthyer Arbana, Epiri dhe të tjerët. Më bëjnë me dije se kanë komunikuar përmes telefonit me Antigonën dhe nga ajo kanë mësuar se nga Prishtina janë larguar dajët, Faiku, Beqiri, Osmani dhe Tefiku me familjet e tyre të cilët janë vendosur në Dibër. Po ashtu janë larguar edhe Graniti e Hekurani, por në Prishtinë ka mbetur motra ime Bahria me vajzën e vogël Donjetën dhe me bashkëshortin Muhamet Kadolli…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …