Ahmet Qeriqi: Heset Sahiti me gjithë vështirësitë i ka konsoliduar radhët në Shalë. (E diel 29 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Heset Sahiti me gjithë vështirësitë i ka konsoliduar radhët në Shalë. (E diel 29 nëntor, 1998)

Në mëngjes kam biseduar me Myrvete Hotin, motrën e magjistër Ukshin Hotit i cili po mbahet në burgjet serbe. Ajo mbrëmë ka qëndruar në shtëpinë tonë së bashku me Arbanën, Melikien. Ganimeten. Myrvetja shpreh frikë dhe shqetësim për vëllanë e saj. Profesor Ukshin duhet të lirohet në maj të vitit të ardhshëm, por kushedi se çka do të ndodh deri atëherë.

Në orën 10.00 Naim Imeri, Mirvete Hoti, Skënder Hoti, Nuhi Paçarrizi dhe Afrim Morina janë nisur në drejtim të Blinajës. Jemi përshëndetur me ta me shpresë se sërish do të shihemi. Ata duhet të kalojnë nëpër shtigje të rrezikshme për të depërtuar deri në Prishtinë, por trimëron fakti se Naim Imeri tanimë i ka mësuar të gjitha shtigjet dhe deri tani ka kaluar pa asnjë pasojë.

Ndërkohë, në vendqëndrimin tonë në Krojmir kanë ardhur eprori Naim Ismajli dhe Nazmi Iballi.

Kemi biseduar lidhur me shpërndarjen e ndihmave.

Sot kanë shkuar në Divjakë: Hilimi Ramadani, Fatmir Xhelili, Isë Krasniqi, Berat Luzha e të tjerë. Së bashku me ta kanë shkuar Luani dhe Ali Mullini.

Rreth mbrëmjes kanë ardhur Heset Sahiti, përgjegjës i pikës ushtarake të Shalës dhe Shyqri Kelmendi, vëlla të burgosurit politik, Avdi Kelmendi i cili ka vdekur dy vjet më parë.

Sheqa më tregon për babanë e tij xha Dautin një veprimtar i palodhshëm dhe përkrahës i luftës. E pyes edhe për Enverin dhe Skënderin, kushërinjtë e tij, tezakë të djalit tim, Epirit. Me rastin e fillimit të luftës, Enveri na ka ndihmuar materialisht.

Me Heset Sahitin kemi biseduar gjerë e gjatë  lidhur me shumë probleme aktuale në Shalë, ku ndikimi i politikës pacifiste ende është shumë i theksuar dhe për pasojë po shprehet në mungesë uniteti në radhët tona të përgjithshme. Heseti konsideron se pengesë kryesore në këtë drejtim është një partiake fanatike e LDK-së, Mevlide Shamolli, një vajzë e vjetër e pamartuar. Heseti mendon se është më mirë të ushtrohet ndikim te Mevlidja për t iu bashkuar radhëve tona, se sa të lejohet të veprojë krye në veti. Ai po ashtu më ka njoftuar se Policia ushtarake e Shalës, i ka marrë një deklaratë me shkrim Xhevat Ollurit lidhur me të hollat e grumbulluara nga fshatarët për ndërtimin e shkollës. I kam shpjeguar Hesetit se çështja e të hollave nuk na përket, meqë ato janë tubuar pikërisht nga Xhevat Olluri, kryetar i Komisionit për tubimin e mjeteve për rregullimin e shkollës.

Edhe pse nuk e thotë hapur, Heseti nuk e fsheh një konsideratë jo edhe aq të shprehur për këta dy persona. Ai mendon se është më mirë t`i përfitojmë se sa t`i injorojmë.

Lidhur me këtë temë të cilën Heseti e ka hapur edhe herë të tjera, i kam treguar qëndrimin tim decidiv. Megjithatë, i kam thënë se nëse ti dhe të tjerët mendoni se kështu mund t`i kontribuohet çështjes, lirisht vendos ashtu sikurse mendon se është më së miri. Mirëpo Heseti nuk mjaftohet vetëm me qëndrimin tim. Ai kërkon që unë ta ndihmoj në këtë drejtim. Këtu ngec puna, sepse unë nga ana ime nuk kam arsye të kem kurrë farë respekti për këta dy. Nëse nuk kanë mjaftuar gjashtë muaj luftë, që ata të shohin dhe të binden vetë në rrethanat që janë krijuar në Kosovë, atëherë angazhimi i tyre duket i pa kurrfarë vlere.

Pasi jam përshëndetur me Heset Sahitin dhe Shyqri Kelmendin, ata janë nisur në drejtim të Shalës.

Pak më vonë në mbrëmje ka ardhur Reshat Gashi. Ai e ka evituar një defekt në gjenerator, të cilin më pastaj e ka aktivizuar.

Për darkë jemi tubuar në shtëpinë e Dalip Durmishit.

Më vonë nga Divjaka kanë ardhur Luani, Fatmir Xhelili dhe Hilmi Ramadani.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një natë me mbresa te jashtëzakonshme (E diel 22 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një natë me mbresa të jashtëzakonshme (E diel 22 nëntor, 1998)

Sot herët në mëngjes janë dëgjuar shkrehje armësh në Blinajë. Kam frikë mos ndokush ka …